Kontratat me procedurë të negociuar apo kontratat njëburimore, në prokurimin publik, edhe pse të lejuara mbesin një hapësirë për keqpërdorim. Me emergjencën si justifikim, në shumicën e rasteve, këto kontrata shpesh sjellin më tepër paligjshmëri në menaxhimin e parasë publike.
Në sistemin e prokurimit publik, kontratat e negociuara ose njëburimore janë një mjet i veçantë që, në rrethana të caktuara, mund të jenë të domosdoshme. Këto kontrata shpesh përdoren për shkak të urgjencës, natyrës së veçantë të projektit ose mungesës së konkurrencës në treg. Megjithatë, në Kosovë, si edhe në çdo vend tjetër, ato bartin rreziqe të konsiderueshme për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Ligji për Prokurimin Publik (LPP) në Kosovë lejon përdorimin e procedurës së negociuar në disa raste. Neni 35 përcakton përdorimin e procedurave të negociuara në emergjenca ekstreme, për të drejta ekskluzive teknike apo për punë shtesë të paparashikuara. Rastet emergjente konsiderohen ato raste kur situata nuk ka mundur të parashikohet dhe kërkohet veprim i menjëhershëm për të shmangur pasoja të rënda. Ndërsa rastet ekskluzive lidhen me furnizues të vetëm për shkak të të drejtave teknike apo intelektuale. Për punë shtesë, kufizimi është që vlera e tyre të mos tejkalojë 10% të kontratës fillestare.
Një nga shenjat më të qarta paralajmëruese i rrezikut është përdorimi i shpeshtë dhe i paarsyeshëm i kontratave të negociuara pra duke u shndërruar nga një përjashtim në parim gjatë zbatimit praktik. Në të njëjtën kohë, ky është edhe tregues i mungesës së planifikimit të mirëfilltë dhe përpjekje për të favorizuar kompani të caktuara. Si pasojë e keqplanifikimit, një element tjetër shqetësues janë kontratat për punë shtesë, për punë që mund të parashikoheshin me kontratën bazë.
Justifikimi i pamjaftueshëm për zgjedhjen e procedurës së negociuar është një tjetër flamur i kuq. Ligji për Prokurimin Publik kërkon që çdo vendim të jetë i bazuar në fakte dhe i dokumentuar në mënyrë të detajuar. Nëse mungon një analizë e qartë e tregut, një vlerësim i detajuar i ofertave alternative ose një arsyetim logjik për përjashtimin e konkurrencës, atëherë rreziku për keqpërdorim rritet ndjeshëm.
Një tjetër “flamur i kuq” e që është më i rrezikshmi është mungesa e transparencës. Proceset e negociuara duhet të jenë të dokumentuara dhe të monitoruara, duke përfshirë publikimin e detajeve për kontratën dhe arsyetimin për procedurën e përzgjedhur. Në Kosovë, rastet kur informacioni mbi këto kontrata është i kufizuar ose mungon krejtësisht, rrisin dyshimet për favorizime dhe marrëveshje të fshehta. Kjo është dëshmuar edhe nga monitorimi i CorrWatch për procedurat e negociuara të ministrive për vitin 2023, ku një problem evident ka qenë mungesa e dokumentacionit të plotë në dosjet e tenderëve. Shpesh kanë munguar kontratat dhe procesverbalet, të cilat nuk kanë qenë publike.
Ndër të tjera, institucionet mbikëqyrëse shpesh përballen me mungesë të kapaciteteve për të monitoruar kontratat e negociuara. Kjo krijon një terren të përshtatshëm për praktika të dyshimta. Në mungesë të monitorimeve dhe auditimeve të rregullta këto kontrata mund të bëhen një mekanizëm i fuqishëm për abuzim me pushtetin.
Për të adresuar “flamujt e kuq”, institucionet tona duhet të bëjnë hapa të shpejtë për përmirësimin e proceseve të planifikimit dhe analizës për projektet e mëdha. Vlerësimi i saktë i burimeve dhe punëve të nevojshme është i domosdoshëm për të shmangur punët shtesë dhe për të siguruar realizimin efikas të projekteve. Po ashtu, është urgjente që të sigurohet publikimi i plotë i dokumentacionit për procedurat e negociuara, përfshirë procesverbalet dhe kontratat, për të rritur transparencën dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në prokurimet publike. Urgjente dhe e rëndësishme mbetet dhe domosdoshmëria për një mbikëqyrje më strikte dhe mbi përdorimin e arsyetimeve të emergjencës dhe ekskluzivitetit në prokurim, për të siguruar që ato të aplikohen vetëm kur janë të domosdoshme dhe në përputhje të plotë me ligjin.
Në një vend ku korrupsioni vazhdon të jetë një shqetësim i madh dhe ku besimi në institucionet publike është ende i brishtë, përdorimi i kontratave të negociuara duhet të mbetet një përjashtim, dhe jo një rregull, ndërsa “flamujt e kuq” të identifikuar si alarme që institucionet duhet të reflektojnë dhe ndërmarrin veprime konkrete për këtë fenomen.
(Ky publikim është pjesë e nismës CorrWatch “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese).