Zëri, intonacioni dhe ritmi i leximit reflektonin arrogancë, më parë sesa autoritet. Përçonin mesazhin e dikujt që në kohë parafushate, futet në fushatë për ta dhënë kontributin dhe për ta kthyer kahun e votuesit të saj, kah partia e cila dikur kishte qenë gjithashtu e saj
Nga fillimi i prillit të 2021-s, e gjithë Kosova e kishte kthyer vëmendjen nga Kuvendi ku po zhvillohej lufta për zgjedhjen e kryetares së shtetit, që do të zgjidhej vetëm me kushtin se do ta kishte edhe kuorumin e sigurt.
Tri ditë të gjata kaluan derisa më në fund u sigurua kuorumi, falë LDK-së (edhe pse tre deputetë e prishën disiplinën partiake dhe nuk morën pjesë në seancë), si dhe Arbena Reshitajt të AAK-së dhe Adelinë Graincës të PDK-së (që do të kalonte menjëherë në VV).
Osmani i mori 71 vota dhe një duartrokitje shumë të gjatë. E mbajti një fjalim dhe e mori postin e kryetares.
Në zgafellen e asaj jave, e kisha shkruar edhe këtë:
“Osmani e mori detyrën prej Konjufcës menjëherë të dielën por, të martën, megjithatë u organizua edhe inaugurimi i saj në sheshin para Kuvendit. Në një ceremoni që e kishte shpikur Thaçi, për t'ia dhënë vetes rëndësinë e një kryetari të një sistemi presidencial, Osmani arriti në shesh nën përcjellje të policisë në motoçikleta dhe në xhipin e zi të dedikuar për kryetarin e shtetit. Parakaloi para Gardës së FSK-së krah Glauk Konjufcës, i cili ia dorëzoi Kushtetutën dhe më pas me bashkëshortin dhe fëmijët u nis për në zyrë.
Sinqerisht, prej njerëzve që premtojnë ndryshim do të prisja që vërtet të nisnin ta bënin ndryshimin me veprime që janë të kundërta me ato që jemi mësuar të shohim deri më tash. Të kota janë arsyetimet se kështu e ka vendosur protokolli shtetëror dhe se "kjo është e pakthyeshme" - pra s'mund të kundërshtohet.
Pse duhen xhipat dhe mbrojtja e afërt, nëse përkrahja e votuesve qe kaq e madhe në zgjedhjet e shkuara? Si përherë, do ta shtroj pyetjen e njëjtë - kujt i frikësohen politikanët e Kosovës që duhen ecur nën përcjellje të katër truprojave? A njëmend ka indice se dikush ua kërcënon jetën, apo thjesht duhet të sillen në këtë formë për të frymuar autoritet. Nëse është kjo e fundit, atëherë nisja e qeverisjes së re nuk po ndryshon fare nga ato të kaluarat”.
* * *
Me kohën, truprojat e Osmanit u shumëfishuan. Në njërin përvjetor të pavarësisë, ishin numëruar nja 11 ose 12 që e përcillnin atë dhe familjen e saj. Pse? Askush nuk doli të na tregonte.
Qëkur është bërë kryetare, eskortat e saj rregullisht i bllokojnë hyrjet e lagjeve në të cilat kishte banuar dhe ku banon sot. Pse? Protokolli? Imitimi i shefit amerikan të shtetit? Keq, pa asnjë dyshim.
Kjo sjellje, kjo nevojë për vëmendje dhe përjetim madhështie e solli edhe skandalin e paparë në Aeroportin e Shkupit, të cilin me gjasë do ta ketë krijuar vetë, e të cilin më pas ishte përpjekur ta zgjidhte duke e thirrur në telefon kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë. Do të thotë veprim krejtësisht joshtetëror dhe jodiplomatik që në fund nuk ia mori fytyrën vetes, por Kosovës.
Dhe ishte kjo frymë ajo që e përcolli edhe këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës, ku duhej ta bënte adresimin vjetor për gjendjen e shtetit, obligim që rrjedh nga Kushtetuta. Dhe kjo frymë e shpërfaqi në trajtën, për mua, më arrogante dhe më të pasinqertë deri tash.
* * *
Derisa ka qenë këshilltare e Sejdiut dhe më pas deputete, kryesisht ka pasur qëndrim parimor. Ka lënë përshtypje të një gruaje të re të artikuluar që i kishte idetë e qarta dhe që e ka mbrojtur pozicionin e vet, pavarësisht presioneve të brendshme partiake.
Në kohën e një palë zgjedhjeve (tashmë nuk po e mbaj mend më cilat) kishte ushtruar rolin e zëdhënëses së shtabit zgjedhor dhe me shumë shkathtësi dinte të gjente argumente për ta arsyetuar edhe atë që normalisht nuk kishte si të arsyetohej.
Deshi të bëhej kryetare e partisë dhe ia mohuan mundësinë madje edhe të garonte. Aty nisi ngritja e saj. Filloi edhe shpërfaqja e ambicies – aq sa u pajtua të ishte kandidate për kryeministre e LDK-së së Isa Mustafës, i cili ia kishte mohuar kandidimin në parti. Kryeministre nuk u bë, por u bë kryetare e Kuvendit, e më pas edhe ud kryetare e shtetit, kur Thaçi dha dorëheqjen, por nuk bëri pranim-dorëzim detyre.
Kur e rrëzuan qeverinë Kurti I, në mes të pandemisë, votoi kundër partisë së saj. E përjashtuan; e formoi grupin e vet politik dhe garoi bashkë me Kurtin, si bartëse e listës, në zgjedhjet e 2021-s. Atëbotë dukej si kandidate ideale për kryetare të shtetit: grua, e shkolluar, e artikuluar, me një anglishte shumë të mirë dhe njohuri të së drejtës ndërkombëtare. Edhe unë e ndaja këtë mendim dhe madje e shprehja publikisht. Për shkak se besoja se njëmend do të ishte shefe e mirë e shtetit.
Por, jo pak e kisha pasur gabim.
* * *
Fjalimin të cilin e lexoi në Kuvend të enjten qe i keq. Qe i mbushur plot patetikë. Përmendja e familjes Jashari dhe Ibrahim Rugovës në fjalimin e katërt vjetor para Kuvendit nuk shërben për gjë tjetër pos për marketing politik patetik.
Pjesa e parë i ngjasonte një ligjërate të ditës së parë të studimeve drejtuar brucoshëve të shkencave shoqërore, apo të ndonjë ditë memoriale të një ngjarjeje historike – e ku edhe lejohet pak patetikë, për shkak të sentimentit.
“Andaj, sot, më shumë se kurrë na duhet ajo që njihet si patriotizëm kushtetues, i cili shkon përtej ndasive politike dhe kthehet tek bazamenti i shtetësisë sonë. Është ky lloj patriotizmi që na bashkon, jo sepse ndajmë mendimet e njëjta çdoherë, por sepse besojmë në të ardhmen e ndërtuar mbi vlerat dhe parimet që na përbashkojnë dhe për shkak se populli ynë gjithnjë ka ditur të bashkohet në mbrojtje të atdheut të ndërtuar me aq shumë sakrificë”, do të thoshte, përderisa në sallë mungonin deputetët e PDK-së dhe të AAK-së që e kishin lëshuar sallën në shenjë proteste – për shkak të vlerësimit se Osmani ka dështuar në rolin unifikues.
Dhe më pas do të vinte pjesa më kundërthënëse të fjalimit: “Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm”, që për ata që kanë veshë, i drejtohej ekzekutivit në përgjithësi dhe shefit të qeverisë në veçanti. Dhe ky qortim po vinte jo vetëm për punë të dialogut, por për shkak se ekzekutivi vendosi që ta shtrinte sovranitetin në veri, pavarësisht kërcënimeve, vërejtjeve e deklaratave që kërkonin “koordinimin”, që kryesisht nënkuptonte mbajtjen e status quos në veri.
Por, pos qortimit, ishte edhe porosi për të huajt: “kthehuni nga unë, se unë nuk luaj bixhoz, jam e gatshme për çfarëdo koordinimi dhe unë nuk ju përqesh me asnjë fjalë a veprim”. Ani pse ish-bashkëthemelueses së grupimit politik i bën diss me këngë të Dafina Zeqirit me titull e tekst jo fort për t’u lavdëruar. Si kryetare është dashur të përmbahej – ose së paku të gjente forma më elegante për t’u përgjigjur. Pa inate.
* * *
Fjalimi nuk e pati as të vetmen pjesëz vetëkritike. Tha se si udhëheqëse e politikës së jashtme kishte udhëtuar shumë dhe se dyert kurrë nuk kishin qenë më të hapura sesa gjatë këtij mandati, që dëshmohej me fakte. Dhe mirë që i ka mbajtur takime me shumë njerëz, por keq që për katër vjet nuk e solli asnjë njohje të re.
Natyrisht se edhe këtë punë mund t’ua veshë Gërvallës e Kurtit, por përgjegjësia për politikë të jashtme, siç vetë e nënvizon, është e saja.
Zëri, intonacioni dhe ritmi i leximit reflektonin arrogancë, më parë sesa autoritet. Përçonin mesazhin e dikujt që në kohë parafushate, futet në fushatë për ta dhënë kontributin dhe për ta kthyer kahun e votuesit të saj kah partia e cila dikur kishte qenë gjithashtu e saj.
Osmani si person privat mund ta ketë e ta shprehë çfarëdo mendimi që i vjen ndërmend. Si kryetare e shtetit duhet të jetë shumë e balancuar, kritike, pse jo, por edhe vetëkritike e edhe afruese. Kur të kërkojë bashkim të të gjithëve për mbrojtjen e Kushtetutës dhe parimeve të veta, duhet të jetë e para që e mbron me shembullin personal, edhe atëherë kur mbetet në planin e dytë, sikurse ishte rasti me ngjarjet në veri.
Ky rebus i Osmanit do ta marrë gjysmën e zgjidhjes më 9 shkurt. Gjysma tjetër do ta presë pranverën e 2026-s.