Kontrolli i një platforme si Twitteri ka vënë fuqi të madhe – dhe për rrjedhojë përgjegjësi të madhe – në duart e një individi të vetëm. Shumë do të varet nga Musku dhe anëtarët e këshillit të moderimit të përmbajtjes që ai emëron, për ta ushtruar mirë këtë përgjegjësi
Si ndodh që një burrë që ka ndaluar 83 milionë njerëz nga Twitter-i mund ta përdorë lirisht platformën për të postuar mesazhet e tij që denigrojnë gratë dhe mbështesin sulmin brutal ndaj shkrimtarit Salman Rushdie? E kam fjalën për liderin e Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, qeveria e të cilit po vret gra të reja që duan të jenë në gjendje të tregojnë flokët e tyre në publik.
Për disa vjet, aktivistja iraniano-amerikane, Masih Alinejad, ka bërë thirrje që Khamenei të ndalohet nga Twitter-i. Muajin e kaluar, së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ajo mori çmimin e guximit Oxi 2022 në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara. Kundërshtimi ndaj Khameneit me të vërtetë kërkon guxim, siç është evidente nga sulmi ndaj Rushdie-s në gushtin e kaluar, i cili mund të gjurmohet në fetvanë e vitit 1989 të lëshuar nga paraardhësi i Khameneit, Ayatollah Khomeini, që dënonte me vdekje Rushdie-n për blasfemi.
Në vitin 2019, Khamenei e quajti këtë vendim “të fortë dhe të pakthyeshëm” dhe Ministria e Jashtme e Iranit refuzoi të qortonte sulmuesin e Rushdies, në vend të kësaj duke fajësuar Rushdien. Vetë Alinejad ka qenë nën mbrojtjen e FBI-së që nga gushti, kur policia arrestoi dhe akuzoi një burrë për komplot për ta vrarë atë.
Tani që Elon Musk ka blerë Twitterin, fushata për ta ndaluar Khamenein po kërkon të ndikojë tek ai. Në një letër të kohëve të fundit drejtuar reklamuesve të Twitterit, Musk shkroi se ai e bleu Twitter-in, sepse “është e rëndësishme për të ardhmen e qytetërimit që të ketë një shesh të përbashkët digjital të qytetit, ku një gamë e gjerë besimesh mund të debatohen në mënyrë të shëndetshme, pa iu drejtuar dhunës”. Përndryshe, paralajmëron Musk, mundësia për dialog në mediat sociale do të ndahet në “dhomat e jehonës së krahut të djathtë dhe ekstremit të majtë që gjenerojnë më shumë urrejtje dhe përçajnë shoqërinë tonë”.
Unë ndaj shqetësimin e Muskut për atë që ai e quan “virusi i mendjes së zgjuar” – gatishmëria për të sulmuar njerëzit që mbrojnë pozicione që perceptohen si politikisht jokorrekte – dhe mungesën e dialogut të vërtetë në të gjithë spektrin politik. Kjo është arsyeja pse unë jam një nga redaktorët themelues të Journal of Controversial Ideas, e cila sapo ka botuar numrin e tretë. Ashtu si Twitter, revista jonë ofron mundësinë e publikimit me pseudonim, megjithëse në aspekte të tjera jemi të ndarë. Twitteri kufizon mesazhet në 280 karaktere, ndërsa ne pranojmë artikuj deri në 12 mijë fjalë. Jo rastësisht, 240 milionë njerëz përdorin Twitter-in, ndërsa ne ishim të kënaqur që morëm 50 mijë shikime – shumë për një revistë akademike – në vitin tonë të parë.
Referenca e Muskut për debatimin e besimeve në një “mënyrë të shëndetshme” është e hapur për interpretime të ndryshme, disa prej tyre shumë kufizuese të fjalës së lirë. Por çfarëdo që të thotë, pyetja mbetet se si mund të bëhet. Në Journal of Controversial Ideas, ne i dërgojmë të gjithë artikujt që kalojnë një ekran fillestar tek ekspertët për shqyrtim të pavarur, në një formë që nuk identifikon autorin dhe ne i trajtojmë përgjigjet ndaj artikujve që publikojmë në mënyrë të ngjashme. Ne kërkojmë argumente të arsyetuara, jo polemika.
Që nga thirrja jonë fillestare për dokumente më shumë se një vit më parë, ne kemi marrë afër 300 aplikime; shkalla jonë aktuale e pranimit është 12%. Twitteri, përkundrazi, ka 6 mijë postime të reja çdo sekondë. Edhe për një kompani prej 44 miliardë dollarësh, punësimi i mjaftueshëm i njerëzve për të verifikuar aq shumë postime në Twitter nuk është ekonomikisht i qëndrueshëm – dhe Musku thuhet se po planifikon të pushojë rreth 25% të punonjësve të Twitterit, në vend që të punësojë më shumë. Inteligjenca artificiale mund të jetë përgjigjja, por aktualisht nuk është në gjendje të bëjë dallimin e besueshëm midis tweet-eve që japin kontribut pozitiv në debate dhe atyre që nxisin vetë urrejtjen dhe ndarjen sociale që Musk-u dëshiron të parandalojë.
Musku e ka përshkruar veten si një “absolutist i fjalës së lirë”. Ai e mirëpriti marrjen e suksesshme të Twitterit, i cili ka një zog blu si logo, duke postuar në Twitter, “zogu është liruar”. Megjithatë, heqja e të gjitha kufizimeve për atë që mund të postohet në Twitter, nuk është mënyra për të nxitur debatin në një “mënyrë të shëndetshme” midis njerëzve me pikënisje shumë të ndryshme. Kjo është shumë e qartë nga më shumë se 1.200 postime dhe ripërtëritje raciste dhe antisemitike që u shfaqën në faqe në një fushatë të koordinuar, e caktuar në kohën e përfundimit të blerjes nga Musk-u.
Për të arritur qëllimin e lavdërueshëm të Musk-ut, duhet bërë një dallim midis fjalës që i drejtohet arsyes dhe provave, ose kërkon të zgjerojë ndjeshmërinë dhe mirëkuptimin tonë, në përpjekje për të na bindur të ndryshojmë mendjen tonë, dhe fjalimin që kërkon të fyejë të tjerët dhe të trazojë urrejtje kundër tyre.
Musku mund ta ketë kuptuar këtë. Pasi mori përsipër kompaninë, ai postoi në Twitter rreth formimit të një “këshilli të moderimit të përmbajtjes me këndvështrime gjerësisht të ndryshme” dhe tha se kompania nuk do të merrte “vendime të rëndësishme të përmbajtjes ose rivendosje të llogarisë” derisa “të mblidhet ai këshill”. Një çështje që duhet të merret në konsideratë nga një organ i tillë është nëse Twitteri duhet t’i ofrojë një platformë dikujt që mbron një status social vartës për gratë dhe mbron dënimin me vdekje për fjalimin që feja e tij e konsideron si blasfemi.
Kontrolli i një platforme si Twitteri ka vënë fuqi të madhe – dhe për rrjedhojë përgjegjësi të madhe – në duart e një individi të vetëm. Shumë do të varet nga Musku dhe anëtarët e këshillit të moderimit të përmbajtjes që ai emëron, për ta ushtruar mirë këtë përgjegjësi.
(Autori, profesor i Bioetikës në Universitetin e Princetonit, është themelues i organizatës bamirëse, The Life You Can Save. Librat e tij përfshijnë “Practical Ethics”, “The Life You Can Save”, “One World Now”, dhe “Ethics in the Real World”. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)