OpEd

Fituesit dhe humbësit në luftën e Putinit

Pushtimi i Rusisë ka shkelur dogmën më themelore të asaj se çfarë stabiliteti ekziston në botë: se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me anë të kërcënimit apo përdorimit të forcës. Shumëçka do të varet nga ajo nëse Putini do të shpëtojë nga kumari i tij, ose nëse çmimi që shtrëngohet të paguajë e tejkalon çdo fitim. Kjo, më shumë se gjithçka tjetër, do ta përcaktojë verdiktin përfundimtar të historisë për sa i përket asaj çfarë është fituar dhe çfarë është humbur në luftën e Putinit

Ka kaluar një muaj prej luftës së presidentit rus, Vladimir Putin, ndaj Ukrainës. Faktikisht, në pyetje janë dy luftëra: Një luftë ruse e zhvilluar kryesisht kundër qyteteve dhe popullsisë civile të Ukrainës, dhe një luftë tjetër e zhvilluar nga forcat e armatosura të Ukrainës kundër trupave ruse. Rusia po e fiton të parën; Ukraina po e fiton këtë të dytën.

Në formën ideale, negociatat do të shpien drejt një armëpushimi dhe zgjidhjeje të qëndrueshme. Por është po aq e mundshme, nëse jo edhe më tepër, që konflikti të vazhdojë edhe për një kohë, veçanërisht nëse Putini vendos që ta përqafojë një strategji që e redukton ekspozimin e trupave të tij karshi luftimeve dhe e refuzon rezultatin e negociuar me kushtet që qeveria e Ukrainës do të mund t’i pranonte.

“Luftë e kufizuar, jo paqe”, për ta parafrazuar Trotskyn, do të ishte rezultati.

Kush do të ishin fituesit dhe kush humbësit në një skenar të tillë?

Më së lehti është që të tregohet humbësi më i madh: Rusia. Është e qartë tani se Putini nuk do ta ketë mundësinë që t’i arrijë synimet politike që mund t’i ketë synuar, që do të thotë, të marshojë në Kiev dhe ta zëvendësojë qeverinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, me një miqësore për Kremlinin. Lufta e zgjedhjes së Putinit mund të ketë shkatërruar fizikisht pjesën më të madhe të Ukrainës, por sanksionet e pashembullta dhe izolimi ekonomik që ka prodhuar vendimi i tij janë duke e shkatërruar Rusinë ekonomikisht.

Përveç kësaj, shumë rusë të talentuar kanë votuar duke ia mbathur dhe duke e braktisur vendin. Për më tepër, ushtria e Rusisë është shpartalluar (duke humbur më tepër se 15.000 ushtarë brenda një muaji) dhe i është ekspozuar një lloj force potemkiniane, që do të kërkojë vite të tëra për t'u rindërtuar.

Kalkulimi është më komplekse kur bëhet fjalë për Ukrainën. Vendosmëria e udhëheqjes, shoqërisë dhe e forcave të armatosura të saj përbëjnë një mrekulli. Identiteti kombëtar është më i fortë se kurrë; rezistenca e patundur e Ukrainës ka forcuar demokracinë e saj të re.

Por ky forcim është shoqëruar me një kosto të madhe. Llogaritet se rreth dhjetë milionë ukrainas - një e katërta e popullsisë - janë të zhvendosur përbrenda vendit apo gjetkë. Ekonomia është rrënuar. Për rindërtim do të nevojiten shumë kohë dhe shumë para.

NATO-ja, ndonëse e pasprovuar ushtarakisht, është fituesja e madhe deri më tani. Është më e bashkuar dhe më e fortë si rezultat i agresionit të Rusisë. Përfiton njashtu nga performanca e dobët e forcave të armatosura ruse, të cilat duket se nuk mund të krahasohen me aleancën perëndimore dhe nga një president amerikan që beson në të.

Gjermania, qeveria e kancelari i saj i ri janë fituesit e tjerë të mëdhenj. I nënkuptuar në përgjigjen e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz është perceptimi se trashëgimia e paraardhëses së Scholzit, Angela Merkel, tani është vendosmërisht më e përzier, ngase ajo lejoi që Gjermania të bëhej kaq e varur nga energjia ruse.

Vendimi i Scholzit për ta pezulluar gazsjellësin “Nord Stream 2”, përkushtimi për të dyfishuar shpenzimet e mbrojtjes dhe gatishmëria për të dërguar armë në Ukrainë paraqesin ndryshime dramatike dhe të rëndësishme. I vetmi zhgënjim është se do të duhen vite që ekonomia gjermane të largohet nga gazi rus, një realitet ky që i siguron burim të rëndësishëm ekonomisë së Rusisë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka fituar gjithashtu. Ai në pjesën më të madhe e ka menaxhuar shkathtësisht politikën e përkrahjes së Ukrainës, duke e penalizuar Rusinë dhe duke i refuzuar thirrjet për t’i çuar “çizmet në tokë” a krijuar një zonë të ndalim-fluturimit, e krejt kjo pa e rrezikuar shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore.

Bideni gjithashtu i ka përbashkuar aleatët e Amerikës, gjë kjo fort e nevojshme pas katër vjetësh të Donald Trumpit dhe tërheqjes së keqmenaxhuar të SHBA nga Afganistani. Një lëshim i madh i tiji ishte që ta zinte ngushtë Putinin edhe më tej, duke e quajtur kriminel lufte dhe duke aluduar në ndryshimin e regjimit, kur synimi i politikës amerikane duhet të ishte që Putini të detyrohej për ta ndalur luftën dhe për ta shmangur përshkallëzimin në çfarëdo forme.

Kina dhe presidenti i saj, Xi Jinping, janë në një pozitë më të keqe strategjike sesa që ishin vetëm një muaj më parë. Duke u shoqëruar kaq afërsisht me Putinin, Xi e ka vërë veten përballë kritikave rreth gjykimit të gabuar që e dëmton reputacionin e Kinës dhe që i rrit rreziqet që të vihet në shënjestër të sanksioneve të dyta.

Teksa Kina është zotuar kaherë që ta ndajë Perëndimin, rreshtimi i saj përkrah Rusisë e ka bërë të kundërtën, duke e tjetërsuar Evropën Perëndimore, ku kishte bërë depërtime të rëndësishme ekonomike. Kjo gjithashtu do të shpjerë drejt një politike shumë më të ashpër të SHBA-së karshi Kinës dhe do t’i nxjerrë në pah kostot me të cilat Kina mund të përballet po qe se ndonjëherë do të lëvizte ushtarakisht kundër Tajvanit.

Ka përndryshe shumë më tepër humbës sesa fitues, siç ndodh përherë në luftë. Kombet e Bashkuara dhe veçanërisht Këshilli i Sigurimit duken të paefektshëm. Lufta është e keqe për përpjekjet globale të ngadalësimit së përhapjes së armëve bërthamore. Ukraina hoqi dorë nga rezervat e saja 28 vjet më parë në këmbim të garancisë për integritetin e saj territorial, për të përfunduar e pushtuar dy herë që nga viti 2014. Kriza njashtu ka qenë e keqe për përpjekjet e luftimit të ndryshimeve klimatike, të cilat të paktën përkohësisht duket të kenë zënë ndenjësen e prapme të masave të dizajnuara për ta promovuar sigurinë energjetike.

Është gjithashtu krizë e keqe për ata që argumentonin se zaptimet territoriale dhe luftërat midis vendeve ishin diçka që i përket së shkuarës apo për ata që viteve të fundit argumentonin se gjërat kurrë nuk kanë qenë më mirë. Rrethanat kanë shkuar gjithashtu në kundërshti të argumenteve të atyre në të majtën, por edhe në të djathtën njashtu që rreziku më i madh për sigurinë ndërkombëtare është tejshtrirja amerikane dhe që Shtetet e Bashkuara mund që në mënyrë të sigurt të kthehen kah vetja.

E fundit, por jo më e parëndësishmja, është çështja se çfarë do të thotë ky konflikt për rendin botëror. Pushtimi i Rusisë ka shkelur dogmën më themelore të asaj se çfarë stabiliteti ekziston në botë: se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me anë të kërcënimit apo përdorimit të forcës. Shumëçka do të varet nga ajo nëse Putini do të shpëtojë nga kumari i tij, ose nëse çmimi që shtrëngohet të paguajë e tejkalon çdo fitim. Kjo, më shumë se gjithçka tjetër, do ta përcaktojë verdiktin përfundimtar të historisë për sa i përket asaj çfarë është fituar dhe çfarë është humbur në luftën e Putinit.

(Richard Haass është kryetar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).