OpEd

Fitorja e Vuçiqit si e Pirros

Nga sot Vuçiqi vepron nga pozita e dobësisë. Këto zgjedhje kanë prodhuar një realitet të ri për Vuçiqin. Ai është sot më i dobët se para tyre. Ai i ka fituar zgjedhjet, por e ka humbur legjitimitetin

Është vështirë të përshkruash se sa të çmendura ishin zgjedhjet në Serbi. Por ndoshta një episod i tyre më së miri pasqyron nivelin e çmendurisë së vjedhjes së Vuçiqit. Për të kuptuar çfarë ka ndodhur, imagjinoni sikur ditën e zgjedhjeve Albin Kurti hap një qendër ilegale të votimit, askund tjetër, pos në Pallatin e Rinisë. Pra ndërtesën më të madhe të Kosovës. Kur arrijnë përfaqësuesit e KQZ-së për të parë këtë skandal me sytë e vet, atyre iu refuzohet hyrja nga sigurimi privat i Pallatit të Rinisë. Kur arrin policia edhe atyre iu refuzohet hyrja, por kësaj radhe nga vetë shefat e tyre. Rrjedhimisht, votimi ilegal në ndërtesën më të madhe ka vazhduar i pashqetësuar më tej. Pra kjo është pa asnjë ekzagjerim se çfarë ka ndodhur këtë të diel në Beograd. Cirkus.

Aq të panumërta dhe skandaloze ishin vjedhjet zgjedhore saqë ato obliguan monitoruesit vendorë dhe ndërkombëtarë që të heqin kostumin e zakonshëm të përmbajtjes dhe korrektësisë diplomatike dhe t’i bien me gjithë zërin alarmit zgjedhor. Organizata prestigjioze vendore “CRTA” konkludoi se “Fushata zgjedhore, e cila i ka parapari ditës së zgjedhjeve është zhvilluar në një mjedis tejet të pabarabartë në favor të mazhorancës dhe është karakterizuar me keqpërdorim të institucioneve shtetërore të Serbisë si mjet i padrejtë i epërsisë politike dhe zhvillimit të fushatës negative kundër kundërshtarëve politikë – gjë që ka fshirë vijën ndarëse në mes shtetit dhe partisë politike”. Pra thënë ndryshe, këto zgjedhje janë zhvilluar në kushte diktature. Pra nuk ekziston më asnjë ndarje në mes të një partie politike dhe vetë shtetit. Nga mediumet e deri tek institucionet e sigurisë – e gjithë aparatura shtetërore është vënë në shërbim partisë në pushtet. CRTA vazhdon duke evidentuar se në nivel të kryeqytetit “gjysma e listave zgjedhore në zgjedhjet e Beogradit kanë fituar të drejtën zgjedhore në mënyrë të kundërligjshme, gjë që në vetvete përfaqëson rastin më masiv të falsifikimit të nënshkrimeve për kandidim zgjedhor në histori”. Në ditën e zgjedhjeve CRTA evidenton se “ka eskaluar dramatikisht keqpërdorimi i të drejtave zgjedhore, të ligjit dhe institucioneve shtetërore... për shkak të llojit dhe nivelit të keqpërdorimeve zgjedhore në Beograd kemi arritur në përfundim se rezultati i zgjedhjeve të Beogradit nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve”.

Këtij konkluzioni i është bashkangjitur edhe komuniteti ndërkombëtar. Shefi i misionit vëzhgues të Këshillit të Evropës, z. Stefan Schennach, tha: “Këto nuk ishin zgjedhjet e drejta. Ato ishin të padrejta. Nëse më pyesni si politikanë, mendoj se fitorja e opozitës është vjedhur ne Beograd”.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë deklaroi se “Zgjedhjet kanë përfunduar në Serbi, por OSBE/ODIHR kanë raportuar keqpërdorim të burimeve publike, frikësim të votueseve dhe blerjen e votave. Kjo është e papranueshme për një vend kandidat për anëtarësim në BE”.

Anëtarja e delegacionit vëzhgues zgjedhor e Parlamentit Evropian, znj. Viola von Cramon, tha: “Ne patjetër kemi pritur standard më të lartë demokratik nga një vend kandidat për anëtarësim në BE dhe i cili është në proces negociator për t’u anëtarësuar në BE. Mbikëqyrja ndërkombëtare dhe hetim i plotë është i nevojshëm”. Kolegu i saj, z. Andreas Schieder ishte më eksplicit, kur tha se: “Nuk kam parë askund këtë që kam parë në këto zgjedhje në Serbi”. Departamenti i Shtetit nënvizoi se “Raportimet për parregullsi, të evidentuara nga OSBE dhe ekipet e tjera vëzhguese duhet të hetohen”. Pra me pak fjalë, në çdo kuptim këto zgjedhje ishin skandal. Se sa të “suksesshme” ishin ato mund të kuptojmë edhe nga fakti se deri më sot Vuçiqi është uruar nga Rusia, Kina, Azerbajxhani, Hungaria dhe Turqia. Siç thotë ajo fjalë e urtë: Më trego kë i ke miq, të tregojë kush je.

Duket që gjërat po i dalin nga dora Vuçiqit. Në vend që zgjedhjet t’i ofrojnë Vuçiqit një avantazh, ato janë kthyer në disavantazh. Në vend që ato t’i ofrojnë fitore politike, ato janë kthyer në krizë nacionale. Nëse kjo ishte fitore e Vuçiqit, ajo ishte fitore e Pirros. Opozita nuk është duke pranuar rezultatin zgjedhor dhe numri i protestuesve nga nata në natë po rritet. Të rinjtë përbëjnë pjesën më të madhe të protestuesve. Grupi joformal i të rinjve protestues ka organizuar tani veten nën sloganin “Rezistencë” apo “Borba”. Sot opozita edhe zyrtarisht ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe fillimin e bllokimit të rrugëve nacionale. Vuçiqi është zhdukur nga publiku. Ai qartazi nuk po di si t’i përgjigjet kësaj situate. Sot ai e gjen veten në mes të presionit të brendshëm për zgjedhje të lira dhe të drejta dhe presionit të jashtëm për respektim të standardit minimal demokratik.

Është thënie e vjetër dhe universale se çdo ngritje ka një rënie. Politika nuk është përjashtim. Në fjalët e ish-kryeministres së Izraelit, znj. Golda Meir: “Në politikë gjëja e vetme e garantuar është humbja”. Pas arritjeve të jashtëzakonshme, sfida e çdo lideri politik është të menaxhojë rënien e paevitueshme. Dhe sa më e lartë ngritja, aq më sfidues është menaxhimi i rënies. Kësisoj, sot Vuçiqi është përballë sfidës së menaxhimit të rënies së pushtetit të tij. Ai sot qëndron në udhëkryq: a do të menaxhojë rënien e tij në mënyrë paqësore apo të dhunshme? Në këto 48 orë të fundit zyrtarët e lartë të partisë së tij (kryeministrja Bërnabiq, kryetari i Beogradit, Šapiq, etj.) kanë thënë në sinkron se: “Nuk do të lejojmë Meidanin Ukrainas në Serbi”. Ndërsa, vetë Vuçiqi ka thënë se në Serbi do të këtë “paqe, rend dhe ligj”, ndërsa ndërkohë ka mobilizuar njësitë e veçanta ushtarake dhe policore për të qëndruar në gatishmëri. Këto lëvizje nuk janë ogur i mirë për të ardhmen.

Se çfarë do të ndodhë tani, vetëm koha do të tregojë, por dy gjëra janë ravijëzuar deri më tani. E para, nga sot Vuçiqi vepron nga pozita e dobësisë. Këto zgjedhje kanë prodhuar një realitet të ri për Vuçiqin. Ai është sot më i dobët se para tyre. Ai i ka fituar zgjedhjet, por e ka humbur legjitimitetin. E dyta, këto zgjedhjet treguan se kultura dhe standardi demokratik i Kosovës është i paarritshëm për Serbinë e Vuçiqit. Përderisa demokracia e Kosovës shkëlqen si storie e suksesit demokratik, e cila në mënyrë qytetare siguron tranzicion demokratik në të gjitha nivelet e pushtetit, në Serbi Vuçiqi ka shndërruar vendin në delen e zezë të kontinentit evropian.

Dhe në fund askush nuk duhet të ketë iluzionin se Vuçiq do të largohet lehtësisht. Në kuptimin e brendshëm, opozita ngelet jo ideale, ndërsa Vuçiqi vazhdon të jetë faktor dominues politik. Po ashtu ai ka filluar proceset e ndjeshme politike që kanë interesa kolosale financiare, siç janë zgjerimi i projektit “Beogradi Mbi Ujë” dhe investimet masive të EXPO-së 2027, për të cilat këtë muaj ai ka miratuar një ligj të veçantë për të përjashtuar EXPO 2027 nga Ligji i prokurimit publik. Me fjalë të tjera, Vuçiqi do t’ia dhurojë mbi 1 miliard euro kujt të dojë ai personalisht. Nga kjo Vuçiq nuk do të heqë dorë lehtësisht. Ndërsa në kuptimin e jashtëm, situata e krijuar ironikisht më së shumti i përshtatet komunitetit ndërkombëtar. Nga pozita e dobësisë, Vuçiqi asnjëherë nuk ka qenë më i shantazhueshëm. Kjo është pikërisht ku e kanë dashur.

LEXO EDHE: