OpEd

Fillimi i ri

Pra, tash në fakt rinis fryma e proklamuar e ndryshimit. Dhe rinis në rrethana të ndryshme - nuk ka koalicion mes partish që nuk ia patën besën njëra-tjetrës. Ka një parti dhe një listë që flasin me të njëjtën gjuhë sa u përket qëllimeve që duan t'i arrijnë. Nuk e di nëse do të ketë pajtim sa u përket metodave që do të zgjidhen për t'i zbatuar këto ide. Kjo do të jetë çështje e cila do të përcillet prej së afërmi së bashku me efektet që do t'i ketë

Dje e shënova ditëlindjen e dytë në kohë pandemie - që sikurse ato dy që i kisha shënuar gjatë luftës nuk ishin shumë për kremte. Ato dy të luftës kishin qenë të përcjella nga frika e plumbit në kokë. Këto dy të pandemisë, nga frika e një diçkaje që nuk shihet dhe nga mosbesimi se me çfarë lehtësie vendosëm, diku në mes të rrugës, ta injoronim rrezikun që në vete ngërthen ky virus.

Në të katër rastet do të mund të thosha se isha me fat, ngase me gjithë situatën, mund të pranoja urime për edhe një vit të mbushur, i cili ka mundur të mos ishte. Mbase edhe do t'ia qëlloni se dëshira e shprehur me t'i fryrë qirinjtë qe që pandemia të na hiqej sa më shpejt dhe që më në fund t'i kthehemi jetës normale. Sado që nga kjo pandemi do të dalim me pasoja të llojllojshme.

Vazhdojmë të jemi shteti i vetëm në Evropë me gjasë që nuk e ka nisur vaksinimin, ngase nuk ka ende asnjë vaksinë të vetme. Një lloj ngushëllimi na është bërë fakti se një numër punëtorësh shëndetësorë tashmë janë vaksinuar në Shqipëri, dhe se një numër tjetër do të shkojë në Kukës për t'u vaksinuar së shpejti. Ata që kanë qenë të ekspozuar ditë më ditë me virusin dhe efektet e tij, me të drejtë vaksinohen të parët. Por shumë më mirë do të ishte po qe se edhe pjesa tjetër, posaçërisht kjo e ndjeshmja për shkak të moshës, të vaksinohej sa më shpejt të jetë e mundur.

Numrat alarmantë janë sinjale që do të duheshin përçuar frikë dhe thirrje për kujdes. Vetëm brenda javës, numri zyrtar i të infektuarve shkoi në 86.194 (5.573 të infektuar të rinj) dhe 1.819 vdekje (75 të vdekur për një javë), ndërkohë që asnjë masë shtrënguese nuk është marrë, pavarësisht se në shtetet e Evropës është në fuqi një gjysmëkarantine, për shkak të valës së katërt e "sulmit" të virusit.

* * *

Kosova nga e hëna u bë me Kuvend e me Qeveri të re. Është për t'u përshëndetur që procedura u krye brenda ditës, pa pasur nevojë të priteshin ditë simbolike që do të na kujtonin një episod të shëmtuar politik që na mori në qafë në shumë aspekte. Ishte për t'u përshëndetur edhe mënyra dinjitoze e pranin-dorëzimit të detyrave prej anëtarëve të kabinetit të kaluar te ky i riu. Dhe me gjithë respektin për viktimat dhe personalitetet e luftës dhe paqes në Kosovë, nuk ishte për t'u përshëndetur që aktivitetet e para të kryeministrit të ishin vendosja e kurorave të luleve, e jo edhe ndonjë vendim i menjëhershëm që do të merrej për çështjen e pandemisë, përkatësisht vaksinave.

Qeveria e re ka 15 ministri, pra tri më shumë seç ishin premtuar në zgjedhjet e 2019-s, por replikë thuajse e asaj që ishte formuar më 2020 gjatë mandatit të parë të Kurtit. Ky ekzekutiv ka 30% gra në përbërjen e vet, që është avancim krahasuar me qeverinë paraprake, porse e cila e besoj ka mundur të ishte ndryshe, dhe me përfaqësim më të madh të grave në të.

Sido që të jetë, kjo qeveri përbëhet nga njerëz relativisht të rinj në moshë dhe me një përvojë politike të larmishme - ka të tillë që janë në botën politike mbi 20 vjet dhe të tillë që nuk janë marrë kurrë me të. Do të jetë interesante të shihet se si do të funksionojë ky kombinim dhe nëse teknokratët e inkuadruar në të do të funksionojnë si menaxherë që dinë të udhëheqin dhe që kanë ide për zhvillimin e strategjive brenda resorëve përkatës.

Një shembull i profesionalizmit u pa te Rozeta Hajdari në Qeverinë e parë Kurti - duke e udhëhequr Ministrinë më të koklavitur të mundshme, tregoi vendosmëri në marrje vendimesh dhe një gjakftohtësi të paparë kur duhej të komunikonte me publikun. Tash duhet parë se si do të veprojnë edhe ministrat e tjerë, që pa dyshim do të kenë telashe të mëdha në punën e tyre. Pas 20 vjetësh, administrata e ministrive është ngarkuar me njerëz, përkatësisht me më shumë njerëz seç u duhen. Është ngarkuar me nepotizëm dhe joprofesionalizëm dhe kjo në esencë e bën çfarëdo tentimi për reformë tepër të vështirë.

Dallimi ndërmjet kësaj qeverie dhe të gjitha të tjerave që na kanë sunduar në të gjithë këta vjet është se thuajse e ka shumicën absolute në Kuvend. Për shumëçka mund të vendosë vetë pa pasur nevojë për negociata e favore me të tjerët, e besa as shantazhe që kanë qenë modus operandi i një pjese jo të vogël qeverish të Kosovës. Sa është e mirë kjo rrethanë aq është e keqe. E mirë, ngase përgjegjësia është shumë e qartë dhe bie vetëm mbi të dhe nuk lë hapësirë për alibi. E keqe, ngase mund të shndërrohet në diktat të të fortit.

* * *

Nisja e punës së kësaj qeverie, në fakt është fillimi i ri i zbatimit të një fryme e ideje që ishte paraqitur e bukur dhe shpresëdhënëse më 2020, kur u votua Qeveria e koalicionit VV-LDK. Doli të ishte një iluzion dhe në fund dëshpërim i madh për kosovarët e lodhur nga keqqeverisja dydekadëshe. Ëndrrat u shpartalluan në kohën më të keqe të mundshme, në mes të pandemisë, dhe gjërat vetëm sa shkuan dhe u përkeqësuan.

Pra, tash në fakt rinis fryma e proklamuar e ndryshimit. Dhe rinis në rrethana të ndryshme - nuk ka koalicion mes partish që nuk ia patën besën njëra-tjetrës. Ka një parti dhe një listë që flasin me të njëjtën gjuhë sa u përket qëllimeve që duan t'i arrijnë. Nuk e di nëse do të ketë pajtim sa u përket metodave që do të zgjidhen për t'i zbatuar këto ide. Kjo do të jetë çështje e cila do të përcillet prej së afërmi së bashku me efektet që do t'i ketë.

Paraqitja e Kurtit para parlamentarëve qe një deklamim qëllimesh se do të arriheshin shumë gjëra të cilat nëse analizohen më hollësisht do të jenë vështirë të realizueshme, madje edhe për një mandat qeveritar. Ajo që mungoi, siç i ka munguar secilës Qeveri kur e ka marrë pushtetin, ka qenë programi qeverisës - i detajuar, që do të duhej të parashihte rezultate dhe indikatorë matës. U premtua se programi do të zhvillohej, porse nuk u tha se kur do të paraqitej para publikut. Një gjë është e sigurt: sa më shumë vonesa në paraqitjen e këtij programi, aq më keq për masat që duhen ndërmarrë për t'i shtyrë gjërat para.

Porse një gjë nuk ka nevojë fare ta presë programin qeveritar. Dhe kjo është sigurimi i vaksinave në formë urgjente. Në asnjë mënyrë ne nuk guxojmë të jemi viktima as të rastit e as të paaftësisë së askujt që me muaj të tërë nuk është në gjendje të sigurojë asnjë vaksinë të vetme për askënd në këtë vend. E jo që Kosova nuk ka para për t'i blerë ato. Ka, madje edhe boll bile, për shkak se asnjë cent i vetëm nuk i është ndarë sektorit privat nga Ligji I rimëkëmbjes, kur flitej për ca qindra milionë. Prej atyre qindrave na mjaftojnë 40 milionë, pra katër kilometra asfalt të Kosovës, për ta siguruar shëndetin bazik të qytetarëve.

* * *

Nëse kryetari i ri i shtetit duhet të zgjidhet sipas asaj që e thotë Kushtetuta, zgjedhja duhet të ndodhë 30 ditë para skadimit të mandatit, pra më 5 prill. Tashmë është evidente se VV-ja po i përmbahet marrëveshjes me Listën Guxo dhe do ta propozojë Vjosa Osmanin për kandidate. Për t'u zgjedhur, në sallë patjetër duhet pasur së paku 80 deputetë dhe duhet pasur 80 fletëvotime në kutinë e zgjedhjeve.

Çelësi është te LDK-ja - pjesëmarrja e 15 deputetëve të saj në seancë dhe hedhja e votës, edhe në qoftë abstenim a kundër, do të duhej të mjaftonte, krahas edhe 9 votave të pakicave joserbe. Do të siguroheshin 82 vota, të mjaftueshme për kuorum.

LDK-ja ka mbetur të takohet edhe një herë me Vjosa Osmanin për të vendosur përfundimisht se si do të veprojë, porse që tash, presioni ndërkombëtar, sado diskret që po tingëllon, po tregon se prioriteti mbi prioritetet për Kosovën është zgjedhja e të gjithë bartësve të institucioneve dhe ndalja e krizave të njëpasnjëshme politike.

Zgjedhja e Osmanit apo kujtdo që do të mund t'i siguronte votat e nevojshme për ta proceduar zgjedhjen do ta përmbyllte një cikël aksidentesh të mëdha politike që i kemi përjetuar që nga çlirimi.

* * *

Kohë kemi humbur shumë. Situatën e kemi të keqe dhe kemi nevojë për intervenime emergjente menjëherë. Sinqerisht, hiç nuk po më interesojnë konfrontimet politike të askujt me askënd. Po më intereson se kur do të vaksinohemi, çfarë masash mbrojtëse do të na imponohen dhe a do të kthehen një pjesë e tatimeve tek ata që e mbushin arkën e shtetit, për ta mbajtur gjallë ekonominë.

Kot flasim për reforma e ndryshime, nëse nuk e fitojmë luftën kundër armikut të padukshëm.

[email protected]