Me sjelljen e treguar gjatë festës së Pavarësisë, nuk është se u dalluan shumë nga zyrtarët e mëparshëm shtetërorë. Me këso sjelljesh tjetërsohen nga masa, dhe në fakt as që mund ta kuptojnë e as ta shohin realitetin e asaj që ndodh jashtë zyrave të tyre. Shumë shpesh u duhet kujtuar se vota që i solli në pushtet ka qenë votë e ngopjes me këtë stil dhe votë në kërkim të një ndryshimi më rrënjësor për të mirën e njerëzve
Lajmi më i mirë që u shënua me rastin e festës së Pavarësisë qe që njerëzit më në fund mund të dilnin në rrugë e të festonin. Pas dy vjetësh mbylljeje e kufizimesh, më në fund rruga kryesore e Prishtinës u mbush me njerëz të të gjitha moshave, që me padurim prisnin parakalimin e forcave të rendit dhe të Ushtrisë.
Nuk pati fishekzjarrë, pati nga pak muzikë të improvizuar nëpër rrugë dhe vetura që silleshin nëpër qytet derisa shoferët u binin borive, dhe pak a shumë e gjitha sa i përket “spektaklit” përfundoi me kaq.
Ndoshta do të kenë qenë masa të ndërmarra për mbrojtjen e ajrit nga ndotja që i ndaluan fishekzjarrët, nuk e di. Mbase do të ketë qenë edhe vendim që të kurseheshin paratë e të mos organizohej ndonjë koncert në sheshin “Skënderbeu”, nuk e di as këtë. Ndoshta ka qenë qëllimi i shmangies së grumbullimit në numër edhe më të madh njerëzish ajo që i kishte shtyrë organizatorët që Ditën e Pavarësisë ta shënonin me ngritje të flamurit, me kurora lulesh, me seancë solemne, parakalim, përurim të një libri dhe koncert të Filarmonisë. Nuk e di. Krejt këto “nuk e di” kanë mundur të sqaroheshin me një konferencë të thjeshtë shtypi qoftë nga zëdhënësit e Qeverisë apo edhe nga zyra e kryetares.
* * *
Agjenda e kremtes u bë publike vetëm një ditë më herët. Pra kushdo që kishte mbërritur ta lexonte në ndonjërin portal e kishte të qartë që nuk do të kishte festë të madhe. Mbase për shkak se bëhej fjalë për 14 vjet, pra jo ndonjë jubile.
Një natë më herët ishin vendosur flamujt shtetërorë përgjatë gjithë “Nënë Terezës”, kurse të nesërmen në mëngjes nisën të vendoseshin skajoret për ta përgatitur shtegun e marshit. Nga ora tetë ishte paraparë të ngrihej flamuri para ndërtesës së Qeverisë. Osmani arriti me pesë minuta vonesë dhe ceremonia nisi më vonë seç ishte paraparë.
Prej aty u shkua në Prekaz e më vonë te varret e Rugovës dhe Demaçit. Pas kësaj, duhej të mbahej seanca solemne në orën 11:00. Nisi nja 15 minuta më vonë, për shkak se anëtarët e Qeverisë dhe Osmani u vonuan. Në sallë tashmë ishin mbledhur deputetët që prisnin.
Foli Osmani e më pas mori fjalën Kurti. Me njërin nga fjalimet më të dobëta që ka mbajtur deri tash e irritoi opozitën, e cila u çua në formë demonstrative dhe e lëshoi sallën derisa ky ende po fliste.
Që të dyja qasjet ishin të gabuara: edhe fjalimi vetëlavdërues i Kurtit e edhe sjellja idhnake e opozitës, që zgjodhi ditën më të gabuar për t’iu revanshuar VV-së, për sjellje njësoj të këqija e të patakt në të kaluarën. Dhe kjo sjellje e të dyja palëve është dëshmi se përse i kemi punët si i kemi: për shkak se duket se krejt çfarë bëjmë në jetë është për inat të tjetrit.
* * *
Trupat që do të parakalonin tashmë kishin mbërritur te vendi i nisjes, madje edhe një orë më herët. Me disiplinë profesionale e ushtarake prisnin momentin kur do t’u jepej shenja se mund të niseshin drejt “Zahirit”, ku ishte vendosur tribuna për zyrtarët e mysafirët. Momenti erdhi me rreth 20 minuta vonesë. Pra për të tretën herë vonë, për shkak se ishte Osmani ajo që u vonua përsëri.
Pra, komandantja supreme i la ushtarët, që disiplinën e kanë ligj, që të presin; e la në pritje qytetarët e mbledhur, si dhe të gjithë mysafirët e ftuar e që tashmë ishin vendosur në tribunën e përgatitur për këtë rast.
Erdhi me gjithë vajzat dhe bashkëshortin, që mbase edhe do të jetë e paraparë me ndonjë protokoll, porse që nuk është praktikuar asnjëherë deri më tani. Tjetër ka qenë ceremonia jokushtetuese dhe joligjore e inaugurimit (imitim skajshmërisht i dobët i inaugurimit të presidentit amerikan) sepse është marrja e detyrës dhe gëzimin fillimisht e ndan me anëtarët e familjes. Vendosja e gjithë familjes në tribunë kësaj radhe, dha shumë hapësirë për kritika.
Për kulm, dhe për ta lënë shijen edhe më të thartë qe numri jashtëzakonisht i madh i truprojave që e përcillnin deri te vendi ku duhej ulur. Nëse duhet besuar fotografive që qarkullonin nëpër FB, do të kenë qenë një duzinë truprojash që u rrinin prapa asaj, bashkëshortit dhe vajzave.
Shtrohet pyetja: pse? Nga kush duhet mbrojtur zonjën Osmani? Nga populli i vet, të cilin duhet ta përfaqësojë si simbol uniteti?
Dëshpëruese.
* * *
E di. Përherë ma japin këtë përgjigje sa herë e shtroj pyetjen për veturat eskortë dhe truprojat: se është standard sigurie që “tjetërkush e përcakton”. Thuajse ky standard është një mur që nuk mund të lëvizë e as të ndryshojë a rrënohet. E në fakt është standard që po u pëlqen zyrtarëve politikë, për shkak se qarkullimi me xhipa e me eskorta nëpër qytetin e stërmbushur me vetura i “bën” më të rëndësishëm, e kjo e fundit u shkakton kënaqësi.
Me këso sjelljesh, dhe me sjelljen gjatë festës së Pavarësisë nuk është se u dalluan shumë nga zyrtarët e mëparshëm shtetërorë. Me këso sjelljesh tjetërsohen nga masa, dhe në fakt as që mund ta kuptojnë e as ta shohin realitetin e asaj që ndodh jashtë zyrave të tyre.
Shumë shpesh duhet kujtuar se vota që i solli në pushtet ka qenë votë e ngopjes me këtë stil dhe votë në kërkim të një ndryshimi më rrënjësor për të mirën e njerëzve.
Natyrisht se për një vit nuk mund të ndryshojë asgjë radikalisht, pos nëse u hyn gjërave me sakicë. Natyrisht se ka pasur suksese që duhet kremtuar, si për shembull sjellja e vaksinave dhe vaksinimi masiv i popullsisë me gjithë telashet e organizimit. Porse ka pasur edhe zhgënjime, për shkak se dora e shtetit nuk po ndihet aty ku do të duhej, dhe se shpesh për ta arsyetuar mossuksesin fajtori kërkohet 20 vjet prapa. Po, baza e ndërtuar në dy dekadat e fundit e ka mundësuar krijimin e një shteti me korrupsion endemik, dhe pikërisht zgjedhja e kësaj qeverie do të duhej ta gjente zgjidhjen për t’i luftuar maksimalisht krimin dhe korrupsionin. Shumë më shumë seç po luftohet tash.
* * *
Festa e së enjtes njëmend e la prapa një shije të thartë, sepse nuk qe e mirë. Hiç gafat protokollare që duket se kanë vluar gjatë gjithë ditës, se fundja ato janë sende që mësohen dhe duhen mësuar, ndjenja më e shëmtuar rrodhi nga Kuvendi.
Katërmbëdhjetë vjet shtet, i brishtë, me një qind telashe, me shumë pengesa, dhe me një fqinj që nuk do të na lërë rehat kurrë, Osmani vonohet dhe nuk i përshëndet të gjithë deputetët njësoj, kurse deputetët dalin “të hidhëruar”, kinse për parime. Duke kujtuar se këto partitë janë zbatueset e asaj të vjetrës: “nëse nuk ju pëlqejnë këto parime, kemi edhe të tjera parime”.
Kosova ka nevojë për veprim të përbashkët ndërkombëtar – nuk kemi nevojë për garë yjesh, sepse këtë tashmë e kemi përjetuar në të shkuarën, dhe për pasojë më shumë na çnjohën sesa që na njohën.
Uroj që e tharta të mos kalojë në të hidhët.