OpEd

Festa e Pavarësisë së dyfishtë

Që nga shpallja e Pavarësisë qytetarët kanë ulëritur kërkesën e tyre për pavarësinë demokratike. Dhe për 10 vjet vullneti demokratik i qytetarëve iu nënshtrua interesave meskine të partive politike. Në këtë kontekst, vota e vitit 2021 solli një gjë historike – pavarësimin e demokracisë sonë nga partitë politike dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve me institucionet e reja demokratike. Dhe ky pavarësim është i rëndësishëm në tri kuptime: politik, ekonomik dhe mediatik

Muaji shkurt 2021 na solli dy festa. Festën e Pavarësisë së shtetit tonë, e cila është meritë e historisë dhe gjeneratave që kanë ardhur para nesh dhe festën e pavarësisë së demokracisë sonë, e cila është meritë e gjeneratave të sotme dhe në veçanti meritë e të rinjve, grave dhe diasporës.

Sistemi ynë demokratik është jashtëzakonisht i ri. Rrjedhimisht, që nga shpallja e pavarësisë, proceset tona demokratike asnjëherë nuk kanë sjellë institucione të cilat kanë qenë plotësisht legjitime dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve. Ka më shumë se një dekadë që qytetarët e Kosovës kanë ulëritur për një qeveri të tyre – jo të partive. Në vitin 2010 vota e tyre u keqpërdor në atë çfarë ambasadori amerikan e cilësoi si “vjedhje industriale e votës”. Në 2014-n, përmes një akrobacioni kushtetues, të pasuar nga një akrobacion politik, vullneti i qytetarëve u shtrembërua. Në vitin 2017 u dakordua koalicioni i natës, i cili nxori në dritë interesat e partive, e jo të qytetarëve. Dhe i gjithë ky degradim i vazhdueshëm demokratik 10-vjeçar kulmoi me vitin 2020, kur partitë politike shkuan aq larg sa që jo vetëm shfaqën hapur përbuzjen për vullnetin e qytetarëve, por nuk kursyen as jetën e qytetarëve për realizimin e interesave të tyre.

Pra, që nga shpallja e pavarësisë institucionet e vendit nuk kanë reflektuar vullnetin e qytetarëve, por kanë qenë produkt i interesave të partive politike përmes inxhinieringut meskin politik.

Në këtë kontekst, vota e vitit 2021 solli një gjë historike – pavarësimin e demokracisë sonë nga partitë politike dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve me institucionet e reja demokratike. Dhe ky pavarësim është i rëndësishëm në tri kuptime: politik, ekonomik dhe mediatik.

Në kuptimin politik, institucionet e reja për herë të parë nuk do të ngrihen përmes marrëveshjeve të dyshimta politike në zyrat e errëta të selive apo restoranteve të Prishtinës në shpërputhje me votën e qytetarit, por do të ngrihen mbi atë se tanimë u është prezantuar dhe premtuar qytetarëve gjatë zgjedhjeve në mënyrë transparente dhe të parashikueshme. Së dyti, për herë të parë po shohim që qytetarët kanë vendosur interesat e tyre para preferencave të tyre tradicionale partiake, duke dalë kështu nga robëria e votës së parapërcaktuar drejt lirisë së mendimit dhe rreshtimit të arsyeshëm karshi ofertave politike. Një proces i tillë analitik ka shkapur qytetarin nga partitë politike. Së treti, një legjitimet kaq i fuqishëm demokratik do t’iu japë institucioneve të reja mandat për reforma madhore dhe të paprecedenta në vendin tonë.

Në kuptimin ekonomik jemi dëshmitarë të një stadi të ri zhvillimor, ku qytetarët kanë refuzuar t’i shkëmbejnë të drejtat e tyre politike për përfitimet afatshkurtra financiare. Për një kohë të gjatë një pjesë e madhe e votës së partive politike në pushtet është fituar përmes keqpërdorimit të buxhetit të Kosovës, pronave të shtetit dhe emërimeve në pozita shtetërore. Në këto zgjedhje qytetarët i dhanë fund allishverishit politik dhe ekonomik. Në vend të përfitimeve afatshkurtra transaksionale ata zgjodhën investimin afatgjatë politik për ndërtimin e një sistemi gjithëpërfshirës dhe të drejtë ekonomik.

Në aspektin mediatik, rezultati zgjedhor tregoi se qytetarët janë pavarësuar nga fushatat dezinformuese të partive politike dhe mediave të tyre. Sikur asnjëherë më parë kemi qenë dëshmitarë të fushatave intensive të dezinformimit dhe “kallashizimit” të mediave në hapësirën publike. Ato dështuan kryesisht për dy arsye: (1) mungesa e thelbit dhe (2) mungesa e stilit.

Në aspektin e thelbit, fushatat dezinformuese për ta goditur opozitën dështuan pasi që tentativat brenduese sikur “komunist” apo “antiamerikan” nuk kanë pasur asnjë ndërlidhje me realitetin dhe ishin produkt i imagjinatës së varfër të propagandës. Në vend që këto fushata të iniciojnë debat produktiv publik, ato u kthyen në klubet e izoluara të vetëkënaqësisë së propagandës politike. Këto klube të vetëkënaqësisë ranë në dëlir aq të rëndë sa që në kohën kur Kosova rangohet e fundit në të gjitha raportet ndërkombëtare ato bindën veten që problemi kryesor në Kosovë është: ”revolucioni kinez”...dhe shpëtimi i Kosovës nga ky “revolucion kinez” është rivotimi i klasës politike, e cila e ka bërë Kosovën vend më të izoluar se Kina. Pra, mesazhet ishin në ç’përputhje shokuese me realitetin dhe ishin qartazi të identifikueshme si të rrejshme nga qytetarët. Më shumë se goditje për oponent politik, ato u kthyen në perlat e paaftësisë së sponsorizuesve politikë.

Nga ana tjetër, në kuptimin e stilit këto fushata të dezinformimit nuk patën sukses pasi që ishte vetë-evidente që ato janë zbatuar në një formë amatoreske dhe jokoherente. Ato ishin amatoreske, sepse u organizuan në një formë tejet të dobët dhe dëshmia më e mirë në këtë drejtim ishte mungesa e kredibilitetit të karadyzenëve të përzgjedhur publikë. Me qëllim të brohoritjeve të mesazheve të fushatave dezinformuese, partitë politike rekrutuan “kallashnikovët” medialë. Gabimi fatal ishte se ata rekrutuan mediat e varura për të komunikuar me qytetarët e pavarur. Projekti dështoi para fillimit të tij.

Këto përpjekje për dezinformim dështuan edhe për shkak të mungesës së koherencës. Një mesazh i caktuar përveç që ishte jobindës (antiamerikan) nuk kishte asnjë lidhje me mesazhin tjetër (fëmijët po votojnë në kundërshtim me prindërit e tyre). Po ashtu, stili i këtyre fushatave degradoi skajshmërisht dhe u bë aq i ulët sa që filloi t’i targetojë edhe familjet e kundërshtarëve politikë. Këto veprime u ndëshkuan masivisht.

Në këtë kontekst, konsideroj se të gjitha partitë duhet t’i gëzohen rezultatit zgjedhor të vitit 2021. Prej tani e tutje ato do të ballafaqohen me një votues të arsyeshëm dhe të pavarur. Kjo do të rritë standardin politik për çdo parti politike, duke i shtyrë ato drejt një avancimi çdo herë më kualitativ. Nga kjo të gjithë do të përfitojmë.

Kur kthej kokën mbrapa, në vitin 2020, kuptoj që nuk kemi ardhur këtu ku jemi bazuar në një plan të qartë. Nuk e di a është fati apo gabimet që përcaktojnë të ardhmen tonë. Kisha thënë që zhvillimet e një viti të fundit në Kosovë dëshmojnë se janë të dyja këto bashkë. Sidoqoftë, kjo është temë për tjetër herë. Për tjetër muaj. Këtë muaj festojmë. Urime pavarësinë e shtetit tonë, të cilën na i kanë falur gjeneratat para nesh dhe urime pavarësinë e demokracisë sonë, të cilën e fituam vetë.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK).