OpEd

Fatalizmi iluminist

Por, ku jemi sot? Jemi në pikën zero politike e ideologjike. Është esenciale të kuptohet dhe pranohet që në nivelin e politikës jemi në fund të një epoke historike

Ekziston një lidhje jashtëzakonisht interesante ndërmjet disa kategorive klinike e biblike, dhe politikës emancipuese, progresive ose, në fakt, cilitdo aktivitet që është i denjë për emrin politikë. Kategoritë që kam në mend janë, në vështrimin e parë, ekzaktësisht e kundërta e shënjuesit politikë: depresioni, pesimizmi, fatalizmi. Premisa e këtij teksti, që njëkohësisht nënkupton kondensimin “abstrakt” të konceptit, mund të formulohet në termet e teoricienit të katastrofave, Jean-Pierre Dupuy: “katastrofizëm iluminist”.

Ka diçka thellësisht perverse në procesin e pahetueshëm të zhytjes së politikës nën petkun e menaxherializmit. Njëfarë turpi i papërmbajtshëm ndaj nënshtrimit të padinjitetshëm të autoritetit të politikës ndaj kultit të menaxherit (që është në instancë të fundit, gjithnjë menaxher i biznesit). Si pasojë, beteja zhvillohet ndaj një makthi fantazmatik. Problemi nuk qëndron në makthin si të tillë, e aq më pak në natyrën e tij fantazmatike – këto janë veçse elemente konstitutive të subjektivitetit. Problemi qenësor është simptomë e çfarë janë këto. Dhe nuk po flasim për ëndrra. Po flasim për kapitullimin e pakusht dhe të padinjitetshëm të politikës ndaj menaxherizmit dhe, si pasojë, ndaj ekonomisë. Situata aktuale me pandeminë Covid-19 është shembulli ideal i kësaj. Na thuhet se ekonomia ka rënie sepse ka rënë kërkesa, ‘njerëzit nuk po shpenzojnë e nuk po blejnë.’ Kjo bëhet edhe më perverse kur thirrjet në formën e qirrjeve a la Trump e Bolsonaro tentonin të normalizonin primasinë e ekonomikes ndaj shëndetit publik. ‘Hapeni ekonominë, kjo ka rëndësi; kush mbijeton – mirë, të tjerëve [lexo: të dobëtave, të varfërve, të moshuarave, etj…] s’kemi çka u bëjmë.’ Duke mos rrëshqitur në lapërdhishmërinë e pafund të gjykimeve morale, ky pozicion kriminal, pra kapitalist, i sakrifikimit të qëllimshëm të jetëve të njerëzve për të realizuar premisën elementare e ekzistenciale të ekonomisë: riprodhimin e vazhdueshëm e të pakusht me qëllim të profitit të pakusht është shembulli më i mirë i përshkrimit të kapitullimit të politikës ndaj ekonomisë. Natyrisht, zgjidhja nuk është në mbylljen e vazhdueshme, por as në hapjen e jetës – pa kusht. Ky shantazh i dyfishtë, që na prezantohet si alternativë e vetme në kohën e pandemisë është shprehja ideologjike e situatës ku politika është aktivitet i menaxhimit efikas të ekonomisë, institucioneve, administratës, dhe duke ironizuar me Aristotelin, pse jo edhe të grave, dhe mallrave tjerë.

Por, ekspertët kanë gjetur zgjidhjet. Më e arta ndër to është demokracia. Demokracia është zgjidhja e çdo gjëje dhe për çdo gjë. Ndonëse qesharake në nivel të nocionit, por edhe si përgjigje, megjithatë për të shpjeguar demokracinë në esencën e saj, pra si shënjues i zbrazët, mjafton të mendohet për disa praktika shoqërore, kulturore e politike dhe raportin e tyre me demokracinë, si imperativ i shumicës. Paramendojeni situatën ku çështjet esenciale të luftës së grave për emancipim e drejtësi të komunitetit LGBT, të pakicave kombëtare, dhe të tjera të ngjashme, do të vendoseshin nga shumica. Dhe, sidomos në vendet me nivel jashtëzakonisht të ulët të emancipimit e vetëdijes kulturore, si Kosova. Trishtimi fillon që në momentin kur e mendon rezultatin e atij referendumi, dhe në të njëjtën kohë, demokracia e humb çfarëdo potenciali emancipues, nëse ndonjëherë ka pasur një të tillë. Çlirimi, emancipimi, barazia, drejtësia kurrë nuk janë realizuar nëpërmjet procedurave demokratike – pavarësisht se sa formale apo aktuale janë ato. Për më tepër, si rregull, demokracia është armike e emancipimit. Emancipimi fillon, si rregull, me shkeljen e normave e rregullave demokratike e ligjore. Në të kundërtën, përpjekja për emancipim, barazi, drejtësi, tjetërsohet në menaxherializëm, sado efektiv që ai mund të jetë.

Situata me pandeminë ishte dush i ftoftë, një shuplakë ideologjike ndaj partizanëve të tregut të lirë, ndaj gardianëve të relacionit “ofertë – kërkesë.” Paramendojeni situatën në të cilën jeta njerëzore do të lihej nën mëshirën e “dorës së fshehtë” të tregut, i cili na thotë se rregullohet nga raporti ofertë-kërkesë. Ndoshta edhe mund ta mendojmë atë situatë, sepse ajo po ndodh në Brazil, në SHBA dhe të vendet tjera ku tregu u la si instanca përcaktuese. Në anën tjetër, nuk është se shteti aktual, në formën e tij liberale-komb, u tregua si zgjidhje ndaj një situate të pandemisë, e cila në raport me katastrofat (e ardhshme) ekologjike, teknologjike dhe të tjerat nuk janë veçse paralojë. Pra, situatë joserioze. Ishte e çuditshme se si, papritur, koncepti i të ardhurave bazike universale u prezantua si zgjidhje për këtë situatë. Ndonëse absolutisht i domosdoshëm në situatën në të cilën është sot bota, nuk duhet harruar se politika e të ardhurave bazike universale jo që nuk është negacion i ekonomisë së tregut, por është esenciale për të. Ky koncept për herë të parë u prezantua në vitin 1962 nga (askush tjetër pos) Milton Friedman, në Capitalism and Freedom, të cilën ai e quan taksa negative për të ardhurat. Por, me gjithë monstruozitetin e tij politik e ideologjik, megjithatë Friedman është shumë më interesant për t’u lexuar, se cilido nga përcjellësit e tij sharlatanë, si tregtarë të frazave të zbrazëta.

Por, ku jemi sot? Jemi në pikën zero politike e ideologjike. Është esenciale të kuptohet dhe pranohet që në nivelin e politikës jemi në fund të një epoke historike. Përfundimi i epokës së Partido dos Trabalhadores së Lulas në Brazil, disfata e Bernie Sanders për garën presidenciale në SHBA, disfatat e njëpasnjëshme të partive e lëvizjeve të majta në Evropë janë jashtëzakonisht të rënda e të vështira për t’u përballur e marrë me to. Kjo nuk ka të bëjë vetëm më dimensionin traumatik të përfundimit apo të disfatës. Trauma është ndërhyrja e dhunshme e diçkaje të papritur, diçka për të cilën subjekti nuk ishte aspak i gatshëm. Ajo është një diçka që nuk mund të integrohet në asnjë mënyrë në ekonominë psikike të individit. Sot hapësira që ndan traumën organike nga ajo socio-politike është gjithnjë e më e ngushtë, apo, siç dëshmojnë studimet neurologjike, është e pamundur të bëhet ndarja ndërmjet efekteve të traumave politike nga efektet e traumave organike. Trauma ka dimensionin e jashtëm dhe të brendshëm, por që të dyja këto janë korelative. Për shembull, kur përjeton një shok, sado radikal apo i dhunshëm që të jetë ai, impakti i vërtetë traumatik nuk është si pasojë e shokut si të tillë, por ai është i tillë për shkak të mënyrës që ky moment ngjall apo trazon traumën paraekzistuese thellë në strukturën psikike të subjektit. Pra, edhe ndërhyrjet më të dhunshme të realitetit të jashtëm, në efektin e tyre traumatik, i “detyrohen” rezonancës që gjejnë në realitetin psikik. Paralelja e kësaj me aktualitetin socio-politik është e domosdoshme. Trauma është plagë. Plagë cerebrale, por edhe socio-politike. Pas një disfate politike, militantët politikë ballafaqohen me plagët, për shkak se impakti i jashtëm e shpërfaq atë që tashmë ata e dinë: ai rezonon në paqëndrueshmërinë e projektit politik. Për më tepër, e majta ka një problem strukturor: nuk ka diskurs apo teori për të menduar, artikuluar e shpjeguar dështimet e veta.

Humbja e Bernie Sanders vetëm se e përforcoi dogmën menaxheriale në politikë. Debati Trump-Biden ishte debat teknokratik mbi aftësitë menaxheriale të kandidatëve presidencialë. Program dhe vizioni i Sandersit ishte përpjekje për shkëputje nga dualiteti tashmë i etabluar, ndërmjet Trumpit si produkt i politikave të establishmentit demokratik, dhe Biden si lubrikant i krijimit të së djathtës ekstreme të Trumpit.

Paradigma në Kosovë nuk është më ndryshe. Premisa e jetës politike këtu është: më e keqja tashmë veçse ka ndodhur. Vështirësia elementare nuk qëndron në shpresën apo mungesën e saj. Kjo është pasojë. Ballafaqimi me dezorientimin, i cili mbulohet me terme e emra nga më të ndryshmit, si shpresa, progresi, vizioni, e ardhmja, etj. Në koniunkturën aktuale, dhe nga perspektiva e saj, e ardhmja është e fiksuar, dhe si e tillë, ajo nuk do të jetë e ndryshme nga e tashmja. E tashmja është vetëm se e ardhmja që ende nuk ka ardhur, por që domosdo do të vijë. E ardhmja është e pashmangshme, ndonëse ajo, siç thoshte poeti më metafizik, Jorge Luis Borges, edhe pse ajo mund të mos ndodhë kurrë. Kjo nënkupton vazhdimësinë e pafund të së tashmes. Thënë ndryshe, e ardhmja nuk do të jetë përveçse menaxheriale. I vetmi dallim qenësor është nëse do jetë me lubrikant (sikurse Biden), apo pa të (sikurse me Trumpin). Sepse, opsioni i tretë (Sanders) si alternativë e vërtetë ndaj fushës ku lubrikanti menaxherial shfaqet si pseudoalternativë nuk ekziston.

Situata do të jetë kështu përderisa nuk qartësohet raporti ndërmjet depresionit dhe pesimizmit. Depresioni nuk është funksion i pesimizmit. Në këtë raport nuk vlen fare thënia se sa më pesimist që je, aq më depresiv je. Në fakt, pothuajse e kundërta është e vërtetë. Depresioni është pasojë e idealizimit. Thënë ndryshe, ai është funksion i idealizimit, që do të thotë se sa më shumë idealizohet një diçka, aq më shumë “goditemi” nga procesi i deidealizimit. Raporti ndërmjet shkallës dhe masës së idealizimit është proporcional me shkallën dhe masën e “goditjes.” Pesimizmi është më interesant. Madje, është edhe më produktiv. Njerëzit të cilët presin më të keqen ndihen të lirë. Ata nuk ballafaqohen me ndjenjën e papërballueshme të zënies së frymës. Pesimizmi është çlirues. Ai nuk është indiferencë, madje as realizëm. Për më tepër, sikurse në dashuri, edhe në politikë, pozicioni i realistit është ai i menaxherit. Kur raporti ndërmjet dy personave shfaqet si realizëm (pra, dorëzim para gjoja pamundësisë, që kurrë nuk është e tillë), aty ballafaqohemi me sundimin e poltronerisë. Njëjtë edhe në politikë: askush nga ne nuk është ‘realist politik’, të gjithë jemi të etur për ndryshime politike (por, jo menaxheriale). Por, për dallim prej fushës së dashurisë, në fushën e politikë kuraja nuk ka të bëjë vetëm me ballafaqimin me domosdoshmërinë e tejkalimit të pamundësisë objektive e realiste, por me pranimin e faktit që degradimi në kushtet e pranimit të realizmit është katastrofal. Ndoshta sikur Diderot në Jacques le fataliste, njeriu kalon dy të tretat e jetës duke dashur pa bërë, dhe duke bërë pa dashur (të bëjë).

Pozicioni pesimist, si i vetmi themel për çfarëdo mundësie për të rimenduar politikën, insiston në një perspektivë. Elaborimin e humbjes, disfatës, duke bërë shkëputje nga rruga e linja tashmë e saturuar, pavarësisht se si ndryshohet perspektiva ndaj saj. Kompulsioni për të përsëritur të njëjtin qark domosdo shndërrohet ne ideal që pamundëson ecjen përpara, pavarësisht se sa shumë tenton, e pavarësisht se çfarë perspektive merr. Përshkimi i fantazisë asnjëherë nuk bëhet nga pikëqëndrimi i njëjtë.

Humbja e disfata kurrë nuk janë (vetëm) objektive. Ato janë gjithmonë-tashmë (edhe) dëshmi e saturimit subjektiv të idesë.

Situata është e pashpresë, pra fataliste. Pesimizmi është busulla jonë. Por, pa rënien në dëshpërim, shpëtimi është i pamundur. Pesimizmi është çlirues, sepse na bën ta braktisim tërësisht shpresën dhe ta përqafojmë dëshpërimin, dhe nga kjo perspektivë, rimendimi bëhet domosdoshmëri. Në të kundërtën, individi ruan terrenin objektiv të arsyes për të besuar në vazhdueshmërinë e ciklit tashmë të harxhuar materialisht.

(Autori është PhD në filozofi dhe profesor i filozofisë)