OpEd

Farsa e luftimit të korrupsionit përmes Agjencisë Kundër Korrupsionit

Aktualisht është duke u zhvilluar procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Agjencisë Kundër Korrupsionit. Krahas përzgjedhjes së një drejtuesi të ri, Kuvendi i Kosovës duhet që sa më shpejt të ndryshojë rrënjësisht bazën ligjore dhe funksionet e Agjencisë

Agjencia Kundër Korrupsionit mund të jetë gjithçka përveç institucion që e lufton korrupsionin. Pafuqia e kësaj agjencie vjen si nga baza ligjore dhe kompetencat që i janë dhënë me ligj, po ashtu edhe nga paaftësia e atyre që drejtojnë këtë institucion.

Muajin e kaluar, Agjencia publikoi formularët e deklarimit të pasurisë dhe si gjithmonë filloi rituali i mediave për të krahasuar pasurinë mes politikanëve, apo duke parë dallimet përgjatë viteve te pasuria e një politikani. Por, e tërë puna e Agjencisë mbetet me aq: një shfaqje publike, por pa substancë për ta luftuar njëmend korrupsionin.

Për çdo vit, mbi 4.750 zyrtarë publikë janë të detyruar ta deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Puna më e madhe dhe më e kotë e zyrtarëve të Agjencisë Kundër Korrupsionit është rimbushja e formularëve për këta mijëra zyrtarë publikë, apo bartja e të dhënave nga formulari që plotësojnë zyrtarët në formularin i cili bëhet publik në faqen zyrtare të Agjencisë në internet. Një aktivitet arkaik i cili lehtë do të mund të zëvendësohej me formularët elektronikë nëse do të kishte vetëm pak më shumë vullnet të zyrtarëve që e drejtojnë këtë institucion. Pas publikimit të formularëve të deklarimit të pasurisë, me short përzgjidhen 20% apo rreth 950 zyrtarë të cilëve u verifikohet saktësia e të dhënave të deklaruara në formularë. Prej tyre dalin dhjetëra zyrtarë publikë të cilët nuk i kanë plotësuar formularët si duhet dhe ndaj tyre ngrihet proces gjyqësor.

Deri më tani, sipas të dhënave në faqen zyrtare të Agjencisë në internet, gjykatat kanë nxjerrë 458 aktvendime për rastet e iniciuara nga Agjencia, shumica e të cilave janë dënime me gjoba nga 300 deri 1.000 euro. Të dënuarit kryesisht janë zyrtarë komunalë, persona pa qasje në vendime të mëdha të prokurimit, kryesisht asamblistë komunalë apo persona të jashtëm të angazhuar si këshilltarë në trupa të ndryshme profesionale.

Ata të cilët janë përgjegjësit kryesorë për keqpërdorimet e parasë publike, e për shumë nga këta individë janë zhvilluar edhe procese gjyqësore, nuk janë fare në radarin e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Kjo Agjenci është ndërtuar si një institucion që krijon vetëm shfaqje publike përmes formularëve të deklarimit të pasurisë. Për më shumë se një dekadë që nga krijimi i Agjencisë, institucionet nuk kanë krijuar mekanizma bashkëpunues për ndarjen e të dhënave me Agjencinë, me qëllim që të bëhet verifikimi më i lehtë i deklarimeve. Nuk ka ende një kornizë të integruar të sistemeve elektronike, siç është regjistri i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Thesari, ATK, Dogana, Banka Qendrore, të dhënat kadastrale, që do të mundësonte integrimin dhe verifikimin e lehtë dhe të saktë të të dhënave.

Agjencia nuk ka as fuqi ligjore që t’i hetojë transaksionet bankare, ngase për ta bërë një gjë të tillë i duhet urdhri i Prokurorisë. Për ta marrë këtë urdhër nevojitet një dyshim i bazuar, e atë dyshim nuk mund ta bazojë askund Agjencia, ngase nuk ka qasje në të dhëna. Kësisoj, rastet e zyrtarëve të lartë publikë, politikanëve, gjyqtarëve e prokurorëve, hapen e mbyllen pa ekzistuar një proces adekuat i verifikimit.

Në anën tjetër, mosvendosja e një metodologjie adekuate për vlerësimin e pronave dhe pasurisë së paluajtshme në përgjithësi ka bërë që zyrtarët publikë ta mbivlerësojnë pasurinë e tyre. Këtë më së miri e ka ekspozuar ish-kryetari i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, kur në formularin e deklarimit të pasurisë deklaronte se një pikturë e fëmijërisë kishte vlerë një miliard euro. Sipas AKK-së, ai ishte miliarder.

Aktualisht është duke u zhvilluar procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Agjencisë Kundër Korrupsionit. Krahas përzgjedhjes së një drejtuesi të ri, Kuvendi i Kosovës duhet që sa më shpejt të ndryshojë rrënjësisht bazën ligjore dhe funksionet e Agjencisë. Kjo mund të bëhet duke obliguar me ligj Agjencinë që i tërë procesi i deklarimit të pasurisë të bëhet në formë elektronike; të gjitha sistemet elektronike të integrohen me qëllim që zyrtarët e Agjencisë ta kenë më të lehtë t’i verifikojnë të dhënat; si dhe Agjencisë t’i jepen kompetenca shtesë për t’i hetuar transaksionet bankare.

Në të kundërtën, nëse vazhdohet në këtë formë, rruga më e mirë do të ishte që të mbyllej tërësisht ky institucion, sesa të krijohet iluzioni i gabuar se po luftojmë korrupsionin përmes Agjencisë Kundër Korrupsionit.