OpEd

Faleminderit, ambasador Hubert!

Sa më shumë që po mbrohen veteranët e rrejshëm, aq më shumë po zbehet besimi te veteranët e vërtetë.

Mediet e prira për infotainment i kanë dhënë më shumë publicitet rrëzimit të ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, teksa ka dalë për të folur për përurimin e ujësjellësit në disa fshatra të Komunës së Skenderajt, sesa mesazhit dashamirës të cilin e kanë trajtuar si të “ashpër”.

S’do mend se lidershipi politik i Kosovës reflekton vullnetin politik të shtetasve të Kosovës. Por, ndikimi i miqve ndërkombëtarë në mbështetjen njëzetvjeçare të këtij lidershipi është shumë i rëndësishëm, të mos them përcaktues. Mjerisht, pikërisht për këtë, gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur rotacion të pushteteve dhe politikëbërjes. Vazhdimësia e pushteteve me pjesëmarrje herë pas here të disa subjekteve të reja apo të vjetra politike të pragmatizmit politik ka krijuar rrethin vicioz. Prandaj , jemi të sfiduar katërcipërisht. Veçmas nga krimi dhe korrupsioni. Humbja e shpresës se do të bëhet më mirë.

Ambasadori zviceran në një vend të duhur, para audiencës së duhur, me një vonesë të konsiderueshme, përmes një donacioni ekzistencial, dha një mesazh të duhur.

Pra, në Skenderaj ambasadori për dallim nga ambasadorët miklues ndaj lidershipit politik të Kosovës, fillimisht ekuivokë, ka përmendur numrin e madh të veteranëve (rreth 50.000, vërejtja ime) “duke thënë që nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët. Vlera e këtij projekti kushton vetëm 2.5 për qind e buxhetit të veteranëve për vitin 2019, që një shumë e konsiderueshme shpenzohet për veteranët e rremë.

Së dyti, ai ka folur edhe për shërbyesit civilë në Kosovë (80.000 vërejtja ime) duke theksuar se nuk është normale që Kosova ka tri herë më shumë shërbyes civilë sesa vendet fqinje. Tri herë më shumë! Nuk është normale që qytetarët e Kosovës detyrohen të emigrojnë për t’i ushqyer familjet e tyre... pasi që në Zvicër ka më shumë se 100.000 kosovarë (vërejtja ime)!

Arsyet pse ambasadori ka përmendur këto dy kategori ishin shumë domethënëse. Për faktin se as veteranët e vërtetë nuk e kontestojnë numrin serik të veteranëve të rrejshëm. Së dyti, administrata e Kosovës është e stërmbushur me shërbyes civilë, të cilët më shumë i pengojnë njëri-tjetrit sesa që e bëjnë administratën efikase dhe azhure në administrim! Pra, ambasadori ka përmendur dy aksioma anakronike që nuk kanë nevojë të dëshmohen, ngase janë vetë - dëshmi.

Ajo që duhet kuptuar si detyrim edhe nga kryeparlamentari që reagoi emocionalisht, është fakti se këto dy kategori janë produkt i kësaj politike, e cila dëshiron të mbijetojë përmes tyre. Meqë potencialisht vetëm këto dy kategoritë jomerituese (klientelizimi është kaptinë e veçantë) mundësojnë vazhdimin e këtij pushteti, meqë ngërthejnë në vete rreth 200.000-300.000 votues potencialë,pra, gati sa gjysma e atyre që dalin në zgjedhje (rreth 50%), duke marrë parasysh faktin se trupi zgjedhor numëron rreth 1.600.000 votues. Kryeparlamentari e di se vërejtja e ambasadorit nuk ishte drejtuar specifikisht për Skenderajn, por për fenomenet që po ia vazhdojnë jetëgjatësinë e këtij lidershipi dhe politikëbërjeje. Ndërsa moskundërshtimi i listës së veteranëve të rrejshëm dhe administratës së fryrë tregon se lufta për liri dhe shtetndërtim nuk ishte e vërtetë. Sa më shumë që po mbrohen veteranët e rrejshëm, aq më shumë po zbehet besimi te veteranët e vërtetë. Nëse mbrohen vlerat e rrejshme, ne nuk bëhemi më të mirë, e as që e bëjmë shtetin dhe shoqërinë më të mirë.

Prandaj, faleminderit ambasador Hubert për fisnikërinë ndaj qytetarëve dhe shtetin e Kosovës! Faleminderit për gatishmërinë për t’i inkurajuar qytetarët e denjë duke i qortuar politikanët mospërfillës me shembullin tuaj personal. Në fillim të fjalimit tuaj u rrëzuat duke u bërë buzagaz për mediet e infotaimentit, gjatë zbritjes nga foltorja përçuat, në shkaka, edhe një mesazh për liderët meritorë dhe mediat profesionale, duke thënë “po tentoj të zbres pa u rrëzuar”. Mjerisht, shumë liderë politikë dhe media të lidhura me ta nuk po kuptojnë se janë rrëzuar duke tentuar për t’i mbrojtur liderët dhe politikën që na solli në këtë gjendje.