OpEd

Evropa sot në sytë e V.Putinit

Le të jetojmë të gjithë në barazinë e çrregullimit: mungesë karburantesh, drithërash, parash dhe...tolerance

1.

Nuk dyshoj se ka buzëqeshje në fytyrën e Putinit përderisa përcjell raportet që i sjellin shërbimet e tij sekrete, diplomatike dhe ato që përcjellin mediet në Evropë. Në mendjen e tij, të trajnuar përgjatë karrierës së KGB/FSB të çrregullojë përpjekjet për një rregull liberal-demokratik (NATO, BE, shtrirje të euroatlanticizmit në Ballkan Perëndimor), tash ka ardhur koha që të gjithë të jetojnë në egalitarizmin e çrregullt. Pra, nëse Rusia duhet të jetojë në çrregullimin e sanksioneve ekonomike e izolimit, askush tjetër në Perëndim të Rusisë, duke filluar nga Ukraina, nuk duhet të jetojë me rregullin me të cilin është mësuar.

Kështu, nëse qytetari rus duhet ta pësojë për shkak se ndëshkohet politika e Putinit, çdo qytetar tjetër në Perëndim duhet ta pësojë po ashtu. Le të paguajë më shumë për karburant, le të frikësohet nga dimri që vjen dhe pamundësia që të ngrohet, le të mos flejë natën nga informatat se ndoshta nuk do të ketë ushqim të mjaftueshëm dhe nga përllogaritjet e buxhetit familjar që tregojnë se çdo gjë është më shtrenjtë çdo muaj me radhë.

Sikur fëmija i patalentuar në shkollë që mezi mbërrin notën kaluese, e që dëshiron që të gjithë nxënësit të barazohen me të, lideri i Rusisë kërkon që emërtuesi i shoqërisë së tij të jetë ai i përbashkëti për kontinentin evropian.

2.

Buzëqeshja në fytyrën e V.Putinit vjen nga përllogaritja që ka bërë se demokracitë e kanë të vështirë të përballen me jetën me të cilën përballet rusi i rëndomtë. Gjegjësisht, se demokracitë nuk kanë stomak rezistence çfarë ka autokracia e tij dhe nëse lufta në Ukrainë vazhdon për disa muaj (apo vjet) viktimat nuk do të jenë vetëm ushtarët rus e populli ukrainas, por rregulli liberal demokratik në Evropë.

Dhe pas gjashtë muaj nga fillimi i luftës në Ukrainë, përllogaritjet e tij po fillojnë të realizohen.

Goditja e parë qe në Bullgari, ku një problem i vjetër identitar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, lidhur me vijat ndarëse a bashkuese të gjuhës e historisë së popullit bullgar dhe atij maqedonas shërbeu si shkas për ta rrëzuar qeverinë properëndimore të vendit. Lideri i saj, Petkov akuzoi përzierjen e drejtpërdrejtë të Rusisë në jetën politike të vendit dhe orkestrimin e rrëzimit të tij.

Nëse rrëzimi i qeverisë bullgare ka mundur të jetë një provë, ajo qe aq e suksesshme, sa që mund të ketë trimëruar rrëzimin e një qeverie të një shteti më të madh. Kështu, pas një krize disa javore që nuk pati shkas të drejtpërdrejtë, u rrëzua qeveria italiane e kryeministrit Draghi, një figure që për shumë kohë u identifikua si spirancë stabilitetit gjatë mandatit të tij në krye të Bankës Qendrore Evropiane e pastaj edhe në krye të një qeverie gjithëpërfshirëse në Itali.

Fotografia e njërit prej atyre që rrëzuan këtë qeveri, Matteo Salvini, jo pa arsye doli nga arkivi në gazetat kryesore botërore. Në foto paraqitej Salvini, i veshur me bluzë me fotografi të Putinit në Sheshin e Kuq në Moskë.

3.

Më brengosëse për Evropën atlanticiste e më inkurajuese për Putinin janë lëvizjet politike që qëndrojnë prapa këtyre rrëzimeve të qeverive. Në Bullgari janë parti populliste që formohen para zgjedhjeve dhe, si në rastin e zhbllokimit të bisedimeve mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, shfrytëzojnë vrullin nacionalist për ta rrëzuar qeverinë. Në Itali Matteo Salvini, së bashku me Silvio Berlusconin, janë fytyra e njohur e politikës që është kundër rregullit liberal-demokratik. Por, e ardhmja mund të jetë e Giorgia Melonit, prijëse të “Vëllezërve të Italisë” një partie neofashiste, apo siç e quan ajo “post-fashiste”.

Kështu, Italia që para gjashtëdhjetë vjetësh ishte vendi i Evropës Perëndimore me lidhje më të forta me Moskën, nëpërmjet Partisë komuniste italiane, më të fortës në Perëndim, tash mund të shndërrohet në vend të cilën Moska e sotme do ta konsiderojë më të afërtën në mesin e shteteve të mëdha të BE-së.

Vendin e parë Moska megjithatë, mund ta rezervojë për Hungarinë. Prijësi i saj, kryeministri Orban që më 2014 në një fjalim gjatë një kampi veror politik, paralajmëroi se synimi i tij i rendit të dëshiruar është “demokracia joliberale”. Ky koncept, i zbatuar në praktikë, është një demokraci zgjedhore por me reduktim serioz të balansit të pushteteve, përfshirë reduktimin e “pushtetit të katërt”, atij të mediave të lira. Sivjet, në po të njëjtin kamp shprehu se do ta ruajë “pastërtinë” etnike e racore të Hungarisë, sepse në shtetet evropiane ku ka përzierje humbin kombet.

Fjalimi i tij, i lexuar në Moskë, mund të ketë pasur këtë koment: është saktësisht ajo çka bëjmë në Ukrainë, aty ekziston vetëm kombi rus.

4.

Në bilancin e deritanishëm të luftës së filluar në Ukrainë, Putini duhet të jetë befasuar me unitetin e ukrainasve, unitetin e BE-së e unitetin e NATO-s. Në librin e tij të çrregullimit të botës, duhet të jetë shënuar, megjithatë, se nëse i qëndron gjatë presionit, te kundërshtari fillojnë të shihen të çarat. Tash, pret që në vjeshtë popujt në perëndim të Ukrainës të ballafaqohen, si produkt i drejtpërdrejtë i aksionit të tij, me mungesë karburanti, drithërash, parash të zhvlerësuara nga inflacioni edhe me një mungesë të rëndësishme për kohezionin e demokracive: tolerancës.

Vala e popullizmit që vetëm sa do të forcohet në Evropë është duke pritur të loz rolin e ushtrisë së panjohur të V.Putinit.