Përshpejtimi i veprimit klimatik dhe menaxhimit të transicionit energjetik duhet të jetë në epiqendër të politikave të jashtme të BE-së dhe të punës sonë me partnerët përreth botës. Në këtë aspekt, ne e mirëpresim vendimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për t’iu ribashkuar Marrëveshjes së Parisit që në ditën e tij të parë në detyrë. Ajo çfarë bëjmë sot do të shtrojë rrugën për dekadat në vijim. Ne synojmë që 2021-n ta shndërrojmë në vitin përcaktues, në të cilin Evropa do të vërë gjithë peshën e saj diplomatike dhe financiare mbi betejën globale kundër ndryshimit klimatik. Siç ka spikatur sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kjo është “çështja definuese e kohës sonë”
Bota është duke e parë me padurim shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe mezi po e pret kthimin në normalitet, pas një viti me izolime. Por kurrë nuk do të ekzistojë një vaksinë për kërcënimin tjetër në përvijim ndaj njerëzimit: ndryshimin klimatik.
Fotografitë apokaliptike të zjarreve në malet e Californias dhe vërshimet shkatërrimtare në Bangladesh janë lajmëtarët e asaj çfarë na pret po qe se dështojmë ta adresojmë emergjencën klimatike. Pa veprime drastike, katastrofat e tilla do të ndodhin më shpesh dhe do të bëhen edhe më shkatërrimtare. Për më tepër, ndryshimi klimatik është një prej sfidave më të mëdha gjeopolitike me të cilat përballemi. Si një shumëfishues i konflikteve, po i ushqen jostabilitetin sociopolitik, po krijon presion për migrimin, po i thellon pabarazitë globale dhe po i rrezikon të drejtat e njeriut dhe paqes, veçmas në shtetet e brishta.
Ekspertët e çështjeve klimatike kanë bërë të qartë për kufizimin e ngritjes së temperaturës mesatare globale në 1.5 gradë celsius mbi nivelin e kohës paraindustriale – cak ky i Marrëveshjes së Parisit – bota mund të emetojë vetëm edhe 580 gigatonë të tjerë të dyoksidit të karbonit. Ky është buxheti ynë i karbonit – përgjithmonë.
Megjithëkëtë, sipas nivelit aktual global të emetimeve që sillet në rreth 37 gigaton për vit, ne do ta shterojmë buxhetin tonë deri në vitin 2035.
Andaj duhet që të ecim drejt dekarbonizimit pa vonim. Meqenëse bota veçse është ngrohur për 1.1 gradë celsius, teksa temperatura në shumë rajone është rritur dukshëm më tepër, dekada e ardhshme e paraqet shansin tonë të vetëm për ta luftuar problemin.
Bashkimi Evropian ka qenë lider global në këtë çështje për dekada, dhe u është përmbajtur ambicieve të saja edhe gjatë krizës me COVID-19. Mes tjerash, BE-ja ka lansuar atë që nënkryetari ekzekutiv i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, me të drejtë e quajti “plani më i gjelbër i stimulimit në botë”. Me Ujdinë e Gjelbër Evropiane, BE-ja ka rritur gjithashtu cakun e saj për reduktimin deri më 2030 të emetimit në 55 për qind, dhe është zotuar që ta arrijë neutralitetin e karbonit deri më 2050.
Për ta mbështetur këtë përpjekje, vendet anëtare janë pajtuar që ta transformojnë Bankën Evropiane të Investimeve në Bankën Klimatike të BE-së. Siç theksohet në Hartën e Rrugës të Bankës Klimatike për vitet 2021-2025, EIB Group synon që t’i mobilizojë 1 trilion euro investime për veprimin klimatik dhe për qëndrueshmërinë mjedisore midis viteve 2021 dhe 2030. Është kjo banka e parë zhvillimore multilaterale në botë që i ka bashkëdyzuar plotësisht operacionet e saja me ujdinë e Parisit.
Për të qenë përnjëmend efikase, megjithatë, Evropa duhet t’i plotësojë këto përpjekje të brendshme me një politikë të jashtme proaktive. Në një botë ku BE-ja numëron më pak se 8 për qind të emetimeve globale, përpjekjet tona klimatike nuk duhet të kufizohen me kontinentin tonë. Po qe se lejojmë që kërkesa në rritje për energji në Afrikë dhe në disa pjesë të Azisë të përmbushet me thëngjill shtesë – dhe me centrale energjetike me ndezje gazi, të financuara nga Kina apo të tjerët – atëherë shpresa jonë për kufizimin e ngrohjes globale përfundimisht do të tretet bashkë me tymin. Duhet që t’i bindim partnerët tanë për ta përqafuar ambicien tonë dhe duhet t’i shtyjmë – apo t’u ndihmojmë – në ndërmarrjen e veprimit të duhur.
Në këtë synim, Evropa do të ketë nevojë që ta vërë peshën e saj ekonomike dhe diplomatike prapa kauzës klimatike, duke u bërë një fuqi globale në diplomacinë klimatike. Duhet t’i kombinojmë përpjekjet tona klimatike me realpolitikën, duke i identifikuar lidhjet e pakontestueshme midis inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Vetëm nëpërmjet inovacionit ne mund ta sigurojmë konkurrencën e ardhshme të Evropës dhe ta luftojmë sfidën klimatike, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve tanë. Dhe vetëm nëpërmjet inovacionit dhe investimit të gjelbër ne mund ta nxisim qëndrueshmërinë ekonomike në Afrikë dhe gjetkë.
Evropa i ka mjetet për ta bërë dallimin globalisht. Si njëra prej tregjeve dhe blloqeve më të mëdha tregtare në botë, BE-ja e ka fuqinë që të caktojë rregulla dhe standarde për mallrat dhe shërbimet e importuara.
Ne veçse kemi një gamë të gjerë marrëveshjesh tregtare dhe partneritetesh strategjike me vendet dhe rajonet përreth botës; dhe, bashkërisht, BE-ja dhe anëtaret e saja janë donatori prijës botëror për ndihma zhvillimore dhe asistencë humanitare. Në fund të fundit, me EIB-në, BE-ja ka në dispozicion huadhënësin më të madh multilateral.
Fuqia ndezëse e EIB-së është shumë e nevojshme. Bazuar në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, për arritjen e synimeve tona të klimës dhe zhvillimit të qëndrueshëm deri më 2030 nevojitet mbyllja e hendekut vjetor investues prej përafërsisht 2.5 trilionë dollarësh. Nuk mund të varemi vetëm në sektorin publik kudo, por veçanërisht në rajonet më pak të zhvilluara. Si një institucion publiko-financuar dhe kampion i bonove të gjelbra, EIB-ja ka një rol të rëndësishëm për të luajtur si në riorientimin e financave private drejt projekteve të investimit të qëndrueshëm globalisht, ashtu edhe në garantimin (nëpërmjet ekspertizës së saj bankare dhe inxhinierike) që të gjitha projektet të kenë kuptim ekonomik.
Për të pasur impakt global, BE-ja duhet t’i angazhojë fuqishëm të gjitha instrumentet që i ka në dispozicion. Për shembull, të gjitha përpjekjet aktuale të BE-së për adresimin e dëmit shoqëror dhe ekonomik të shkaktuar nga COVID-19 në rajonet fqinje, duhet të destinohen dhe zbatohen duke e pasur në mendje një agjendë më të gjerë klimatike.
Për më tepër, bankat e tjera zhvillimore duhet ta ndjekin shembullin e EIB-së, duke i rreshtuar operacionet e tyre me caqet e Parisit, me qëllim të vënies në shtigjet e nivelit të ulët të karbonit e qëndrueshmërisë klimatike.
Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Glasgow (COP26) që do të mbahet në nëntor do të përbëjë një moment të rëndësishëm historik për ngritjen e ambicieve globale. Për dallim prej konferencave të mëhershme, ajo do të ketë më pak të bëjë me rregullat e reja multilaterale dhe më tepër me garantimin që sa më shumë shtete që është e mundur – mundësisht emetuesit e mëdhenj – t’i fuqizojnë zotimet e tyre.
Javën e ardhshme, ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë se çfarë tonesh të caktojnë për ta garantuar suksesin në Glasgow dhe si ta zhvillojnë diplomacinë tonë klimatike dhe energjetike për t’i promovuar dimensionet e jashtme të Marrëveshjes së Gjelbër evropiane.
Përshpejtimi i veprimit klimatik dhe menaxhimit të transicionit energjetik duhet të jetë në epiqendër të politikave të jashtme të BE-së dhe të punës tonë me partnerët përreth botës. Në këtë aspekt, ne e mirëpresim vendimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për t’iu ribashkuar Marrëveshjes së Parisit që në ditën e tij të parë në detyrë.
Ajo çfarë bëjmë sot do të shtrojë rrugën për dekadat në vijim. Ne synojmë që 2021-n ta shndërrojmë në vitin përcaktues, në të cilin Evropa do të vërë gjithë peshën e saj diplomatike dhe financiare mbi betejën globale kundër ndryshimit klimatik. Siç ka spikatur sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kjo është “çështja definuese e kohës sonë”.
(Josef Borrell, nënkryetar i Komisionit Evropian, është përfaqësues i lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë. Werner Hoyer është kryetar i Bankës Evropiane të Investimeve. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).