OpEd

Evolucioni politik i zgjerimit

Ndonëse fjalimi i djeshëm i presidentes Von der Leyen ishte fjalim zgjedhor dhe drejtuar audiencës së brendshme, ai ishte indikator i radhës i ndryshimit pivotal të rëndësisë së zgjerimit për BE-në. Ndërsa përpara zgjerimi ishte temë toksike politike që duhej evituar, sot ai është aset zgjedhor politik që duhet shfrytëzuar. I parkuar prej kohësh në harresën politike të BE-së, sot zgjerimi është përsëri në epiqendër të vëmendjes evropiane

Një nga parimet e dobishme në politikë është se kurrë nuk është herët të fillosh fushatën zgjedhore. Kësisoj edhe pse zgjedhjet evropiane do të mbahen në qershor të vitit tjetër, dje znj. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, praktikisht filloi fushatën e saj zgjedhore për një mandat të ri në krye të Komisionit Evropian. Dje ajo shfrytëzoi fjalimin vjetor para Parlamentit Evropian për të nënvizuar sukseset e qeverisjes së saj, por edhe për të bërë të qartë synimin e saj për katër vjet të rinj në krye të ekzekutivit evropian.

Inxhinieringu i fjalimit të saj kishte për qëllim të bindë qeveritë evropiane, deputetët e Parlamentit Evropian, por edhe qytetarët për përfitimet të cilat i ka sjellë Komisioni Evropian në kuadër të mandatit ekzistues. Fjalimi po ashtu ishte rikujtim për dinamikat kryesore politike që karakterizojnë kontinentin evropian. Mekanika e fjalimit ishte e ndarë në pesë pjesë të ndara: (1) Agjenda e Gjelbër Evropiane; (2) Agjenda Digjitale; (3) Rritja ekonomike; (4) Siguria dhe migrimi; dhe (5) Ukraina dhe zgjerimi.

Tranzicioni mjedisor është fusha ku Bashkimi Evropian ka arritur të transformohet në lider global. Gjatë këtij mandati të Komisionit Evropian, Agjenda e Gjelbër Evropiane është njohur globalisht si përpjekje më ambicioze ndërkombëtare për transformimin ekonomik dhe mjedisor të kontinentit evropian. Para katër vjetësh në BE nuk ka ekzistuar asnjë fabrikë jondotëse për prodhimin e çelikut, sot janë tridhjetë e tetë. Para katër vjetësh ideja se një anije gjigante mund të lundronte duke djegur metanol të pastër ishte fantashkencë, sot ajo anije është ankoruar në Kopenhagë, pas lundrimit të suksesshëm të 21,000 kilometrave nga Koreja Jugore. Sot BE-ja tërheq më shumë investime në hidrogjen të pastër se SHBA-ja dhe Kina, marrë së bashku.

Së bashku me tranzicionin mjedisor, BE-ja po synon të zërë hapin global në tranzicionin digjital. Mikroelektronika, bioteknologjia dhe kuantum teknologjia janë sot çfarë revolucioni industrial ishte dikur. Sot BE-ja ka tejkaluar investimet strukturore të planifikuara në kuadër të tranzicionit digjital dhe është pronare e tri nga pesë teknologjitë superkompjuterike të botës. Sot BE-ja është vendi i parë që ka miratuar ligj të veçantë për rregullimin e Inteligjencës Artificiale dhe vendi me standarde më të larta të mbrojtjes së të drejtave digjitale të qytetarëve. Korporatat më të fuqishme në botë, sikur Google, X (ish-Twitter) dhe Apple janë duke u dorëzuar para rregullave evropiane.

Pandemia COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës kanë mbushur titujt medialë me paralajmërimet për një Armagedon ekonomik evropian. Por pavarësisht kësaj ekonomia evropiane vazhdon të jetë në gjendje të shkëlqyer. Në këtë ka kontribuar në veçanti Komisioni Evropian me pakon masive financiare “NextGenerationEU” prej 800 miliardë eurosh. Pakoja ka injektuar dinamizëm të jashtëzakonshëm në ekonominë evropiane dhe sot BE-ja është afër nivelit rekord të shkallës së punësimit. Nga ana tjetër, tentativa e Putinit për të përdorur gazin si mjet lufte ka dështuar në mënyrë spektakolare. Menaxhimi i shkëlqyer i krizës energjetike nga ana e Komisionit Evropian ka siguruar që çmimi i gazit të bjerë nga 350 euro për MWh sa ishte vitin e kaluar, në 35 euro sot.

Sot BE-ja vazhdon të jetë një nga blloqet më të rëndësishme ekonomike dhe politike në botë. Unifikimi dhe reagimi i ashpër i BE-së ndaj pushtimit rus të Ukrainës kanë qenë esencialë në kolapsimin rus në Ukrainë. Ndërtimi i Korridorit të ri Ekonomik Indi - Lindje e Mesme - Evropë do të revolucionarizojë ekonominë globale. Pakti i Ri i Migrimit dhe Azilit ka adresuar shkaqet dhe rrugët e migrimit të parregullt dhe ka siguruar një migrim të qëndrueshëm drejt vendeve të BE-së.

Pushtimi rus i Ukrainës ka kthyer vëmendjen evropiane drejt procesit të zgjerimit. Kjo u reflektua edhe në fjalimin e djeshëm të presidentes së Komisionit Evropian. Në terma dramatikë ajo evokoi “thirrjen historike për të kompletuar Bashkimin Evropian”. Përtej diskursit abstrakt politik, ajo përcolli tri mesazhe konkrete. E para, procesi ngelet i bazuar në meritë. Ky mesazh disi shërbeu si baraspeshim ndaj mesazhit të Michelit për vitin 2030. Këtë mesazh vendet e Ballkanit duhet lexuar si paralajmërim se me gjithë vëmendjen e rritur politike, ata do të kontrollohen ashpër nga ana e Komisionit Evropian në përmbushjen e standardeve evropiane. E dyta, sundimi i ligjit ngelet prioriteti numër një. Nga të gjitha prioritetet e mundshme, presidentja nënvizoi sundimin e ligjit si më të rëndësishmin. Kjo ishte edhe arsyeja përse ajo propozoi që vendet e Ballkanit të përfshihen në Raportin Vjetor të Sundimit të Ligjit të BE-së, në nivelin e barabartë sikur vendet anëtare. Kjo do të lejojë krahasimin e drejtpërdrejtë të cilësisë së sundimit të ligjit në mes vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të rajonit – një lloj piloti të anëtarësimit të rajonit në BE. Dhe e fundit, presidentja paralajmëroi publikimin e një serie të analizave mbi ndikimin e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE. Praktikisht ky do të jetë kontribut shumë i rëndësishëm në kuptimin e ndikimit ligjor, institucional dhe financiar të zgjerimit të BE-së drejt rajonit tonë dhe si i tillë do të shtrojë rrugë për debat politik brenda institucioneve të BE-së përkitazi me përgatitjet e nevojshme për valën e ardhshme të zgjerimit.

Ndonëse fjalimi i djeshëm i presidentes Von der Leyen ishte fjalim zgjedhor dhe i drejtuar audiencës së brendshme, ai ishte indikator i radhës i ndryshimit pivotal të rëndësisë së zgjerimit për BE-në. Ndërsa përpara zgjerimi ishte temë toksike politike që duhej evituar, sot ai është aset zgjedhor politik që duhet shfrytëzuar. I parkuar prej kohësh në harresën politike të BE-së, sot zgjerimi është përsëri në epiqendër të vëmendjes evropiane. Sa do të zgjasë kjo, ngelet të shihet.