Vërshimi i “non-paperëve” dhe ideve përsëritëse se problemet ballkanike mund të zgjidhen me shlyerjen e shteteve të tëra, me ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve, ka përjetuar finalen logjike: të fundit “dokumente jozyrtare” dhe ide ofrojnë perspektivë evropiane të kthyer për së mbrapshti. Më së paku të interesuarit për Evropë mes nesh duhet të bëhen shtylla kurrizore dhe lokomotiva e avancimit tonë drejt anëtarësimit në BE?! Mund është ky – kur vendi më i madh njëherësh është edhe problemi më i madh i rajonit së cilit i përkasim, por edhe favoriti më i madh i Evropës për të na prirë drejt vlerave dhe institucioneve evropiane. Kush mbijeton – do të tregojë!
Boja ende nuk është tharë në të parën, e lëre më në të fundit prej një varg gjysmëdokumentesh jozyrtare që në bisedat tona të përditshme kanë futur “non-paperin”, si një shprehje me prejardhje prej anashkalimeve dhe negociatave të ndërlikuara multilaterale, e veçse është kaluar në “mohimin” dhe “mospajtimet e vendosura” ndaj tyre – prej pothuajse të gjitha adresave diplomatike dhe profesionale (me fjalë të tjera, ekspertëve ligjorë).
Të paktën në nivelin publik nuk ekziston asnjë instancë domethënëse e diplomacisë ndërkombëtare që, me pak apo shumë dukshmëri, merret me territoret tona e që nuk është distancuar nga idetë dhe propozimet që e parashohin, në mënyrë pak a shumë eksplicite, copëtimin e Bosnjë-Hercegovinës dhe përmbushjen e orekseve të projekteve shtetmëdha të Ballkanit.
Leximi përmbledhës dhe krahasimi i përmbajtjes së këtyre jodokumenteve, me disa thjeshtësime të caktuara, mund të shpjerë te disa emërues të përbashkët, të cilët – pavarësisht autorësive të panjohura apo të dyshuara – flasin për Ballkanin Perëndimor sot, por mbase përherë e më shumë, për gjendjen e punëve dhe për atmosferën që mbizotëron “nëpër korridoret” e Brukselit dhe diplomacive të qendrave të rëndësishme evropiane.
Pra: Si pikë e parë, këta “paper” – kur gjithçka të qartësohet dhe të mbërrijmë në thelbin e problemit – e dëshmojnë disfatën e idesë evropiane në Bosnjë-Hercegovinë.
Të jemi të qartë – këto tekste e konfirmojnë çorientimin shumëdekadësh, mungesën e vullnetit, interesimit dhe veprimit nga ana e atyre në bashkësinë ndërkombëtare, e pikësëpari në më të thirrurën dhe më përgjegjësen – Bashkimin Evropian – që në vilajetin boshnjak të gjejnë modele, forca politike dhe njerëz, të cilët do të ishin të gatshëm që përsëri ta bashkojnë këtë vend dhe ta prijnë në shtegun demokratik dhe qytetar drejt BE-së.
Baza e një vlerësimi kaq të pakënaqshëm është Marrëveshja e Daytonit, së cilës që moti i ka skaduar afati i arsyes së ekzistencës dhe vlefshmërisë.
Ndalja e luftës është një gjë, e kthimi në suazat e një shoqërie normale dhe sistemi funksional është krejt diçka tjetër. Partnerët evropianë dhe ata amerikanë janë mbështetur për kohë (tejet) të gjatë në lëshime, koncesione dhe në qetësimin e atyre forcave, të cilave Marrëveshja e Daytonit kurrsesi nuk u ka pëlqyer (ngase, natyrisht, ka qenë “e padrejtë” dhe “antiserbe”), ashtu që, me kalimin e kohës dhe pas dëshmive të shumta rreth mosfunksionimit të rendit të vendosur e strukturës së brendshme super-të ndërlikuar, të shndërrohej në një “shenjtore”, jo vetëm për Banjallukën, që kurrë dhe assesi nuk duhet ndryshuar, pra të azhurnohet.
Rezultati i një shterpësie të tillë të tejzgjatur, të joefikasitetit dhe mungesës së dhembshme të një politike të përbashkët në Bosnjë-Hercegovinë (të cilën veprimtaria e diplomacisë së Trumpit e ka vënë në reshtin dhe pasuesin e fundit të këtij rrëfimi të trishtë) – ka gjeneruar ide dhe propozime gjysmanonime “logjike për aspektin evropian” që problemi të eliminohet asisoj – që të mos konsiderohet problem!
Pra, nuk ka Bosnjë-Hercegovinë – nuk ka as problem. Tingëllon ashpër, por pikërisht e tillë është iniciativa diplomatike, e formuluar në këto letra pa nënshkrim. Veçse e kemi thënë, një logjikë e tillë është thellësisht antievropiane. E rrezikon mbijetesën e të gjitha vendeve në pjesën tonë të Ballkanit, jo vetëm të Bosnjës.
E dyta, gjithsesi ngushtësisht e ndërlidhur me të parën, qëndrimi i Serbisë ka fituar një promovim dhe mbështetje të re mes shumë adresave evropiane. Madje edhe ata që i përcjellin vëmendshëm dhe hollësisht rrethanat euroballkanike, ngelin të befasuar nga mbështetja e pakritikuar që presidenti serb dhe struktura e tij politiko-ushtarake e sigurisë (e kthyer, krejt qartë dhe publikisht, kah partneriteti me vendet që nuk i përkasin aleancës euroatlantike) e gëzojnë në Parisin zyrtar dhe, le të themi, në Berlin. Reflektim i këtij fenomeni në Brukselin zyrtar është, me vetë faktin, i pashmangshëm, andaj dhe skenari jologjik dhe vështirë i kuptueshëm po vazhdohet: sa më shumë që zyrtarët serbë e rrahin telin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon, aq më shpesh lëshohen në thirrjet publike për “rindërtimin e shtetit në të cilin do të jetonin të gjithë serbët” dhe me gjithë faktin se, siç po lexojmë, po u dhurojnë mentorëve të tyre rusë pjesë të inkuadruara në aeroplanin e NATO-s, të rrëzuar mbi Serbi në vitin 1999 – shprehjet e mbështetjes prej anës evropiane po bëhen më të forta! Dhe më shumë se kaq – Serbia, përveç tjerash, “nderohet” edhe nga vetë fakti se, gjatë kohëve të fundit, dokumentet zyrtare të BE-së lidhur me negociatat dhe programin e (pa)mundshëm për anëtarësimin e ardhshëm u referohen... “Serbisë dhe Malit të Zi”?!
Kjo, gjithsesi, është imtësi, veçmas kur pozitën e përçmuar dhe të margjinalizuar të Malit të Zi (e cila askënd në Qeverinë aktuale nuk e shqetëson, bile përkundrazi!) e krahasojmë me faktet e thjeshta se Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt, ndërsa Serbia, nëse dhe kur i hap, ka në fund edhe një “kapitull” shtesë – Kosovën.
Nuk do t’ia rikujtojmë, me këtë rast, përfaqësuesit të lartë të BE-së, Joseph Borrell, këtë të vërtetë të thjeshtë, ngase rrëshqitjet e tija lidhur me këta kapituj të famshëm kanë kaluar pothuajse të pavërejtura – që të mos themi me miratim të heshtur. Për dikë është imtësi dhe lapsus simpatik – ama për Malin e Zi është një gjykim midis rreshtave! Natyrisht, pa reagimin e Podgoricës zyrtare, për të cilën heshtja karshi margjinalizimeve dhe shtypjes së interesave legjitime shtetërore është vetia më evropiane prej të gjithave.
Sido që të jetë, situata, nga ana serbe, por edhe ajo evropiane, i ngjason një formule të re jologjike të BE-së, e cila jehon nëpër Serbi dhe rrethinën e saj: “Nuk mund të gaboni ju aq shumë, sa ne mund t’ju mbështesim!”.
E treta, një qëndrim dhe logjikë e tillë e burokracisë së BE-së tingëllon ndryshe në Mal të Zi, por edhe te të gjithë fqinjët e përbashkët, krejt deri në Maqedoninë e Veriut. Të preokupuar, akëcili me telashet dhe problemet e veta, fqinjëve të Serbisë u ka mbetur që, në mungesë të politikave të tyre autentike dhe të besueshme (siç, më së shumti, por edhe më së trishti, duke e pasur parasysh devijimin aktual prej politikave të jashtme malazeze gjatë njëzet vjetëve të fundit, është rasti me Malin e Zi), ta presin rikthimin e diplomacisë amerikane në Ballkanin Perëndimor.
“Kali” amerikan duhet që ta shpëtojë rajonin nga eksperimentet e reja, për të cilat, përveç boshtit të përmendur gjermano-francez, ditëve të fundit, nëpër disa raportime, sërish po angazhohet Sllovenia – kësaj radhe jo nëpërmjet kryeministrit Janez Jansha, por (paksa befasishëm) nëpërmjet presidentit Borut Pahor.
Do të shohim se kur dhe si do të “kthehet në Ballkan” diplomacia amerikane, dmth. t’i prezantojë më qartë modelet e saj “post-Trump” dhe propozimet për Ballkanin Perëndimor. Më mirë më herët sesa më vonë, do të thoshin ata që tek iniciativa, e cila tani po ndërlidhet me Borut Pahorin, pak para samitit rajonal në Slloveni (procesi Bërdo-Brioni), kanë identifikuar diçka shumë më të rëndë dhe më serioze sesa definicionin e thjeshtë se Serbia është vendi “qendror dhe më i rëndësishëm” i rajonit dhe se pikërisht ajo duhet që t’i prijë të tjerat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ngase, e katërta dhe më e rëndësishmja, një projeksion dhe logjikë e tillë për perspektivën evropiane të vendeve në pjesën tonë të Gadishullit Ballkanik në të vërtetë aludon për një proces dhe trend tjetër. Me pak fjalë, mund të definohet si parandalim, dmth. anulim i agjendës evropiane për Ballkanin Perëndimor, gjë kjo që, në një perspektivë që tani vështirë se mund të përcaktohet me kohë, do të shndërrohej në një situatë kur rajoni nuk mund dhe nuk duhet të hyjë në BE, por duhet që të kërkojë modele, mekanizma dhe korniza që asokohe, në të ardhmen e afërt apo të largët, do të ishin “e vetmja mundësi” për këtë periferi të Evropës.
Ky nuk është një mendim i ri, e as interpretim që është produkt i ndonjëfarë improvizimi të ri të atypëratyshëm. “Mini-Schengeni”, “B”-ja e BE-së dhe projeksionet e reja veçse janë përmendur.
Gjatë dhjetëra vjetëve të fundit, iniciativat e këtilla janë lansuar dhe promovuar në mënyrë sporadike. Nëse jemi pyetur befasisht se pse krejt këto – kurse e kemi CEFTA-n – kështu që “qarkullimi i lirë i njerëzve, mallit dhe kapitalit” në Ballkanin Perëndimor është në një masë të konsiderueshme i rregulluar, apo të paktën është vendosur një platformë dhe kornizë efikase për bashkëpunimin e vendeve që për shumëçka nuk pajtohen, e as për çështjet se kush dhe si duhet të ekzistojë – tani kemi marrë përgjigje. Me fjalë të tjera: mund të konsiderohet se duhet “anashkaluar elefanti në dhomë” (nuk do ta përmendim, vetëm kështu hajt, ndërlikueshmërinë kosovaro-serbe dhe as faktin se pesë anëtaret e BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës), dhe se duhet promovuar plani më pak i mundshëm dhe më i pagjasë prej të gjithëve: Serbia e Vuçiqit në krye të kolonës!
Përgjigjet nga Sarajeva dhe Tirana zyrtare, Shkupi dhe Prishtina, dhe, për ne më e rëndësishmja, të paktën nga gjysma e Malit të Zi, nuk do t’i presim fort gjatë. Reagimet veçse po mbërrijnë dhe ato, edhe para dhe edhe pas kthimit të tërësishëm amerikan në proceset rajonale, pa dyshim se do të tregojnë që kjo kolonë e re e BE-së, e prirë prej Serbisë, nuk do të jetë aspak e lehtë, e mbase, as e mundur që të formohet. Nuk ka kolonë prej një vendi, këtu mbase pajtohen të gjithë, dhe as të atillë “partnerë jashtëballkanikë që nuk janë në konfiguracionin euroatlantik”, e të cilët, meqë ra fjala, shumë nga non-paperët dhe projeksionet e tjerë i anashkalojnë. Sikur këto vende të mëdha dhe të fuqishme nuk ekzistojnë dhe sikur do të presin që Brukseli dhe aleatët ta provojnë gjithsecilën ide.
“Evropa unike dhe e lirë” është, natyrisht, caku ynë i përbashkët. Apo të paktën ishte që nga Lufta e Dytë Botërore e tutje. Mirëpo kjo konstante gjatë viteve të fundit është përhumbur nën barrën e krizës, mossuksesit dhe problemeve, si politike ashtu edhe ekonomike. Këtë duhet pranuar, qysh derisa evropianët, nga të dyja anët e kufirit Schengen, janë në mundësi për të bërë ndonjë gjë.
Alternativa karshi këtij realiteti të zymtë, pra, mbetet e paqartë dhe, në segmente domethënëse, e panjohshme.
Çfarë nxit shqetësim shtesë është përvetësimi i rrethanave historike, edhe ballkanike, edhe evropiane e edhe atlantike, por edhe në anët lindore të globit, i cili, nga “këndvështrimi i qartë evropian”, “mbështetja e fuqishme për të ardhmen evropiane të Malit të Zi\Ballkanit” (për të cilën gjë, edhe gjatë këtyre ditëve, lexojmë në njoftime zyrtare, të cilat i kemi dëgjuar si tepër shumë herë që besueshmëria e tyre të mbetet e paluhatshme, madje edhe sikur të besohet se për autorët e tyre orientimi perëndimor kishte ndonjëfarë rëndësie), mund të shpjerë, krejtësisht qartë dhe logjikshëm deri te një e ardhme jo në BE apo jashtë BE-së të vendeve dhe rrethinave tona.
Prandaj EuroBallkania është realitet yni dhe, më se mundshëm, e ardhmja jonë.
Në përkthim: shumë Evropë dhe evropiane në deklarim, propagandë dhe në rrafshin teoriko-hipotetik, në premtime dhe në xhentilesën diplomatike, ndërsa, në fakt, Ballkani dhe ballkanikja janë realiteti dhe perspektiva jonë e parashikueshme, nën udhëheqjen e forcave joevropiane dhe antiantlantike – si tonat, të brendshme, ashtu edhe të jashtme.
EuroBallkania – tingëllon bukur dhe nuk kërkon fort mund, e madje as edhe ndonjë “non-paper” të ri!
(Miodrag Vlahoviq, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, ambasador në Washington dhe në Selinë e Shenjtë, është kolumnist i së përditshmes “Pobjeda”).