Akuza të shumta të politikanëve kosovarë dhe vartësve të tyre në petkun e analistëve të ndryshëm politikë nëpër studiot televizive akuzojnë qeverinë se aksioni antikontrabandë në veri është bërë në prag të zgjedhjeve lokale dhe për përfitime elektorale. E unë jam i mendimit se edhe shkarkimi i djeshëm i kryetrajnerit Challandes është bërë po ashtu për arsye elektorale - mirëpo ja që ky fakt u iku analistëve politikë. A nuk ka mundur të presë ajo punë deri pas zgjedhjeve?
Arritëm edhe në javën e fundit të fushatës së partive politike për zgjedhjet komunale në Republikën e Kosovës. Dëgjuam për shumë lektyra të lexuara kandidatësh për asamblistë, dëgjuam edhe për kërkim të xhirollogaridhënies nga të gjitha administratat paraprake, dëgjuam edhe për kandidatë për kryetarë komunash dhe dëshirën e tyre për organizimin e një festivali vjetor për “Miss Supergjyshja”. Pamë edhe kandidatë komunash, të cilët ia kanë mësyrë për t’i fituar këto zgjedhje për dallim nga ata të mëhershmit të cilët ia mësynin t’i fitonin me duar më xhep tashmë paksa kemi avancuar dhe nga duart në xhep jemi në fazën me mindil në xhep.
Premtimet për projekte të cilat fatkeqësisht ende nuk përkasin me nevojat elementare të qytetarëve të Kosovës, vazhdojnë që të premtohen nga kandidatë për komunat e shumta të Kosovës. Por disi nuk e kap logjika kur i njëjti kandidat sa premton kanalizime, ujë të pijshëm, mbledhje dhe deponim të mbeturinave, ndriçim publik, shtigje të këmbësorëve e deri tek ato megalomanet të cilat nuk përkasin me realitetin dhe nevojën elementare të qytetarëve, siç janë teleferikët në qytet, parkingje nëntokësore, parqe me pishinë etj.
Së paku këto premtime për shërbimet elementare komunale, të cilat i përmenda më lart në këta 22 vjetët e pasluftës do të duhet që të kishin përfunduar edhe deri te ndonjë fshat më i largët kosovar. Mirëpo, në anën tjetër, mendoj se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës tashmë e kanë arritur pjekjen e tyre politike mbi kuptimin e pritjeve dhe përgjegjësive të komunave të tyre, si dhe të administratës komunale dhe vendi për hapësirat e përrallave me mbret është ngushtuar dukshëm.
Partitë të cilat administruan dhe qeverisën qoftë në nivelin lokal, qoftë në atë qendror mbi supet e tyre, e mbajnë një pjesë të madhe të përgjegjësive për mospërmbushjen e kërkesave elementare të qytetarëve, për degradimin urbanistik të shkaktuar në kryeqytet e edhe nëpër qytetet e tjera të Kosovës, lejimin e ndërtimeve pa kritere bazike urbanistike të cilat tashmë i kanë krijuar “favellat” moderne të betonit dhe xhamave në kryeqytet dhe gjetiu.
Trafiku gjithashtu mbetet “Thembër e Akilit” për kryeqytetin e Kosovës, me mungesë të dukshme të parkingjeve publike, si dhe atyre rezidenciale, e gjitha kjo si pasojë e një mungese të planifikimit të mirëfilltë urbanistik në zgjerimin e qytetit dhe kapaciteteve të tij për fluksin e trafikut, i cili do të duhej të ishte i projektuar se si do të zhvillohej vite më parë. Komuna nuk duhet të veprojë me filozofinë e zjarrfikësve për të shuar zjarre, mirëpo duhet të ketë plane dhe projektime konkrete se si t’i parandalojë ato ende pa ndodhur.
Gjithashtu, mendoj se edhe politikat ndëshkuese komunale për të gjithë qytetarët apo bizneset të cilat nuk u përshtaten normave rregullative komunale të jenë të shtuara dhe ekzekutuara në përpikëri. Ndotjet akustike, hedhjet e pakontrolluara të mbeturinave, lidhjet ilegale në ujësjellës, ndërtimet pa leje, punët e kryera gjatë orëve josociale do të duheshin që të gjitha të ishin të ndëshkueshme dhe të njëjtat të ekzekutoheshin nga inspektoratet komunale. Pritjet e qytetarëve mbi obligimet e komunave do të duheshin që në vete të mbërthenin edhe përgjegjësinë qytetare ndaj ambientit ku ata jetojnë edhe veprojnë. Është një lojë, e cila kryhet në këtë tandem apo binom dhe kjo nuk do të ndryshojë ndonjëherë. Ta kërkosh fajtorin vetëm te njëra palë është absurde.
Atë të cilën do ta veçoja në garën për kryeqytetin është një fushatë tepër e mirë, qoftë vizive, qoftë edhe në përmbajtje dhe mesazhet e kandidatit të PDK-së për Prishtinën, Uran Ismaili. Gjithashtu, edhe fushata e Përparim Ramës në vete ngërthen vizionin dhe planifikimin e një profesionisti në lëmin e arkitekturës dhe urbanizmit. Edhe kandidati i AKR-së, Gëzim Mehmeti, e ka përparësinë e njohjes se si funksionon puna në komunë e gjithashtu e njeh edhe situatën në terren, pasi që për pozitën për kandidat për kryetar komune e bën nga pozita e drejtorit aktual komunal.
Për kandidimin e Arben Vitisë mua nuk më mbetet të them shumë. Është thëne e stërthënë mjaft nga ajka e analistëve politikë, të cilët i kemi kujdestarë nëpër studiot e shumta televizive.
Mbetet të shihet se si është vullneti i qytetarëve të kryeqytetit të Kosovës dhe a janë ata të gatshëm ta bëjnë ndarjen nga qeverisjet e kaluara qendrore dhe lokale, nga partitë të cilat dikur ishin në këto pushtete dhe si përkthehet ajo në votën e qytetarëve të kryeqytetit.
Edhe disa nga partitë i kanë bërë hapat e tyre të parë në ristrukturimin e tyre partiak qoftë si nevojë prej zorit pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë, qoftë si pasojë reflektimi e fiaskos së pësuar zgjedhore në zgjedhjet qendrore të mbajtura më 14 shkurt të vitit 2021.
Mirëpo, edhe relaksimi i suksesit të Vetëvendosjes pas fitores së 14 shkurtit në zgjedhjet qendrore do të jetë shumë interesant të shihet se si do të përkthehet në votat e qytetarëve për zgjedhjet komunale. E kemi dëgjuar shpeshherë se zgjedhjet komunale dhe votimi në to dallojnë nga ato qendroret dhe përkundër asaj të cilën unë e thashë më lart se ka një pjekuri të dukshme politike qytetare mbi pritjet e tyre për përgjegjësitë e administratave komunale, në përmbushjen e obligimeve të premtimeve të tyre gjatë fushatave zgjedhore mbetet të shihet se sa qytetari i Kosovës është i gatshëm që kandidatët t’i ndajë nga sigla e partisë në emër të së cilës ata garojnë.
Disa nga kandidatët për kryetar të Komunës së Prishtinës janë shumë të vetëdijshëm për këtë hendikep, i cili rëndon mbi ta dhe identifikimi me partinë mbetet sekondar apo thënë ndryshe sa për sy e faqe. Në anën tjetër, Vetëvendosje e bën të kundërtën, ata luajnë edhe me letrën e pushtetit qendror me të cilin ata qeverisin dhe thonë se projektet komunale tashmë nuk mund të bllokohen në nivelin qendror dhe do ta kenë edhe përkrahjen e nivelit qendror, pasi që edhe aty qeveris Vetëvendosja, e cila në zgjedhjet qendrore premtoi ndryshimin.
Shpresojmë që nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të kemi sa më pak kompani fantome “Pastimi”, të cilat i pastrojnë gjysmë milion euro nga arka e taksapaguesit, siç ishte rasti me RTK-në. Së paku ky ishte një rast për të cilin ne e dimë, por sa të tjerë të gatuar me të njëjtin recetë dhe janë përvjedhur aty na mbetet të kuptojmë në të ardhmen.
Në mënyrë të ngjashme, para një viti u zhdukën edhe 2.1 milionë euro nga Thesari i Qeverisë së Kosovës, ku transferet e parave ishin bërë si në bahçe të babës. Kosova do të ishte një vend parajsë për Houdinin apo për David Copperfieldin, të cilët njihen si iluzionistët apo magjistarët më me renome në botë. Që të dy do te mësonin ndonjë truk apo dy në Kosovë dhe paradigma “tash e sheh dhe tash nuk e sheh” do të merrte një kuptim më të plotë në botën e tyre iluzioniste.
Addendum Diplomatique
Pasi që pjesën tjetër të Ditarit tim e pata shkruar para ngjarjeve të ditës së djeshme, ku doganat, policia dhe Policia Speciale e Republikës së Kosovës kryen një aksion për luftimin e kontrabandës me urdhër të prokurorit dhe gjykatës në disa lokacione, si në Prishtinë, Pejë, Mitrovicën jugore, Mitrovicën veriore më duhet që ta bëj një addendum diplomatik në lidhje me këtë ngjarje me pak fjalë. Edhe pse u kuptua se sa i përket intervenimit të doganave dhe policisë kishte pasur një rrjedhje informatash, gjë që u kishte ndihmuar grupeve kriminale në pjesën veriore të Mitrovicës që të organizoheshin dhe që në mënyrë terroriste të reagonin kundër intervenimit të forcave policore duke përdorur armë të gjata, bomba e shok bomba. Të njëjtit sulm iu nënshtruan edhe gazetarët e shumtë, të cilët e përcillnin këtë ngjarje.
Ajo çka unë mund të konkludoj nga ngjarjet e së mërkurës ishte se operacioni policor mbi zbatimin e urdhrit të prokurorit dhe gjykatës (të cilët kanë qenë të nacionalitetit serb) e ka një dështim të vetin në rrafshin operacional, mirëpo i tërë operacioni me reagimet e ndryshme politike nga qarqet e ndryshme të politikës, si BE-ja, Serbia, Ambasada Amerikane, Ambasadori gjerman, NATO, Kosova shpërfaqën disa realitete të reja.
Në pika të shkurta telegrafike.
Përfaqësuesi i BE-së, Borell, kritikoi Kosovën për marrje të aksioneve të njëanshme dhe kërkoi që ato të bëhen në pajtim në tryezat lehtësuese të BE-së me bisedimet me Serbinë. Ky në vete ishte një nonsens politik e diplomatik, të cilit iu kundërvu eurodeputetja Viola von Cramon, e cila e akuzoi Borrelin dhe qasjen e bashkësisë evropiane mbi problemin e Mitrovicës dhe luftës së kontrabandës.
Ambasada amerikane shprehi indinjatën e saj në mënyrën e reagimit të protestuesve ndaj forcave të rendit dhe sigurisë, si dhe ndaj gazetarëve.
Në Kosovë reagimi i ministrit Rakiq ishte se e krahasoi këtë intervenim me “Netët e Kristalta” të nazistëve, kur ishte iniciuar progomi i çifutëve.
Ambasada gjermane në Kosovë reagoi ashpër ndaj kësaj deklarate të ministrit Rakiq.
NATO-ja deklaroi se forcat policore të Kosovës po e kryenin një aksion legjitim për luftimin e kontrabandës në pjesë të ndryshme të Kosovës, dhe se KFOR-i ka qenë në komunikim konstant me institucionet e ndryshme të Kosovës.
Akuza të shumta të politikanëve kosovarë dhe vartësve të tyre në petkun e analistëve të ndryshëm politikë nëpër studiot televizive akuzojnë qeverinë se ky aksion është bërë në prag të zgjedhjeve lokale dhe për përfitime elektorale.
E unë jam i mendimit se edhe shkarkimi i djeshëm i kryetrajnerit Challandes është bërë po ashtu për arsye elektorale, mirëpo ja që ky fakt u iku analistëve politikë.
A nuk ka mundur të presë ajo punë deri pas zgjedhjeve a?
Një pyetje të cilën unë do të dëshiroja ta ngrija është se a do ta efektojë rrjedhja e informatave përbrenda Policisë së Kosovës të aksionit të djeshëm në kërkesën e Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë drejtuar Policisë së Kosovës se a do të mund ajo t’i përmbushë kriteret e kërkuara të garancisë, në rast të lirimit në paraburgim shtëpiak për disa nga të akuzuarit në Gjykatën e Hagës, siç janë Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi?