Në mungesë të dëshmisë më të individualizuar, raca përdoret si një indikator i rrezikut nga virusi. Parimi udhëzues nuk është se pjesëtarët e grupeve të ndryshme racore dhe etnike duhet të vaksinohen sipas numrave proporcionalë me hisenë e tyre në komunitet, si tërësi. Kjo gjë nuk është etnikisht domethënëse. Qëllimi është që të shpëtohen më shumë jetë dhe ky do të duhej të ishte shqetësimi ynë parësor
Tani që vaksinat kundër COVID-19 kanë filluar të shpërndahen, politikëbërësit janë duke u ballafaquar me pyetjen se si t’i distribuojnë ato më shpejt dhe në mënyrë të barabartë. Është arritur dakordimi i gjithmbarshëm se punëtorët shëndetësorë duhet të vaksinohen të parët, shkaku se duhet që t’ua shpëtojnë jetët të sëmurëve nga virusi. Por, vendimi se kush duhet të vaksinohet më pas ka nxitur debat të konsiderueshëm.
Një fakt relevant është se personat mbi moshën 65-vjeçare kanë shkallë më të lartë të rrezikut nga vdekja prej COVID-19, krahasuar me ata më të rinjtë, dhe se ata mbi 75-vjeçare janë edhe më të rrezikuar.
Një tjetër fakt i rëndësishëm është se, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vendet e tjera, pjesëtarët e pakicave të pafavorizuara racore dhe etnike kanë jetëgjatësi më të shkurtër sesa mesatarja, dhe kësisoj janë më të papërfaqësuar në mesin e grupmoshave mbi 65-vjeçare. Po qe se u japim prioritet të moshuarve, proporcioni i atyre që janë pjesëtarë të këtyre pakicave do të jetë më i vogël sesa proporcioni i tyre në popullatën, si tërësi. Duke i pasur parasysh disavantazhet që pjesëtarët e këtyre pakicave veçse i kanë, kjo gjë duket si e padrejtë.
Kjo ndjenjë e padrejtësisë duket se e motivoi sugjerimin e Kathleen Doolingut, një zyrtare e shëndetit publik në qendrat amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, se duhet pasur një qasje më ndryshe.
Në një prezantim para Komitetit Këshillues të CDC-së për Praktikat e Imunizimit, Doolingu argumentoi se “punëtorët esencialë” – një grup që numëron përafërsisht 87 milionë frymë – duhet të vaksinohet para 53 milionë amerikanëve të moshës 65 dhe më shumë vjeçare, ani pse kjo gjë do të shpinte në 0.5 deri në 6.5 për qind vdekje më shumë. (Kjo gamë e gjerë e reflekton faktin se ende nuk e dimë nëse vaksinat vetëm e parandalojnë COVID-in apo parandalojnë infektimin e personave dhe bartjen e virusit SARS-CoV-2 që e shkakton sëmundjen).
Politika që i lë amerikanët më të moshuar të presin më gjatë për vaksinë, me pretendimin se janë disproporcionalisht të bardhë, do të sakrifikonte jetë për të shmangur një pabarazi evidente të prioritizimit të një grupi, mes të cilit pakicat e pafavorizuara racore dhe etnike janë të papërfaqësuara. Por, kjo nuk është e tëra.
Përfaqësimi i mangët i këtyre pakicave mes personave të moshave 65 e më shumë vjeçare është i vogël në krahasim me tejpërfaqësimin e personave mbi moshën 65-vjeçare mes atyre që vdesin nga COVID-19. Siç kanë potencuar shumë komentues, në mesin e të cilëve edhe Matthew Yglesias dhe Yascha Mounk, preferencimi i punëtorëve esencialë kësisoj do të shkaktonte më shumë vdekje në mesin e komuniteteve pakicë që supozohej të merrnin trajtim më të barabartë.
Komiteti Këshillues i CDC-së ka hedhur poshtë sugjerimin që të gjithë “punëtorëve esencialë” t’u jepet prioritet, dhe në vend të kësaj ka ngushtuar grupin në rreth 30 milionë “punëtorë esencialë të vijës së parë të frontit”, duke i përfshirë ata që i përgjigjen të parët emergjencave, mësuesit dhe punëtorët në dyqane ushqimore. Përveç kësaj, ka rekomanduar që personat e moshave prej 75 dhe më shumë vjeçare të kenë të njëjtin prioritet.
Këto rekomandime përbëjnë një kompromis midis dhënies së prioritetit për ata që janë më të rrezikuar dhe dhënies së prioritetit për të gjithë punëtorët esencialë, qoftë të vijës së parë apo jo. Është padyshim me rëndësi që të gjithë ata që përnjëmend janë punëtorë të vijës së parë të frontit të jenë të sigurt dhe në krye të detyrës. Përfshirja në një nivel të ngjashëm të prioritetit e atyre të moshave 75 dhe më shumë vjeçare do të nënkuptonte që në përgjithësi më pak njerëz dhe më pak pjesëtarë të pakicave të pafavorizuara të vdesin nga virusi.
Rekomandimet e CDC-së nuk janë detyruese, por shtetet munden dhe do të duhej t’i kishin ato parasysh, si për trajtimin e barabartë të pakicave të pafavorizuara ashtu edhe për të shpëtuar më shumë jetë.
Ngozi Ezike, drejtoreshë e Departamentit për Shëndetin Publik në Illinois, ka ofruar një të dhënë se si mund të veprohet, gjatë një tryeze diskutimi të “New York Times”-it për distribuimin e vaksinave. Ajo ka bërë të ditur se ekzistojnë kushte shëndetësore, për të cilat udhëzuesit e trajtimit të pakicave racore dhe etnike ndryshojnë krahasuar me ato që zbatohen te të bardhët.
Shembulli që ajo dha kishte të bënte me ekzaminimin për kancerin në prostatë. Shkaku që sëmundja është më e shpeshtë mes burrave afro-amerikanë, sesa në mesin e atyre të bardhë, rekomandohet ekzaminimi i burrave afro-amerikanë në moshë më të hershme sesa që rekomandohet për burrat e bardhë. Esenca është që të ekzaminohet gjithsecili i rrezikuar, për të cilin ekzaminimi konsiderohet i nevojshëm.
Po qe se SHBA-ja i mban në fuqi prioritetet aktuale të vaksinimit, por e shton parimin e trajtimit të barabartë për personat në nivelin e njëjtë të rrezikut, atëherë politikëbërësit do të duhet që të përllogarisin se në cilën moshë përkatësit e komuniteteve afro-amerikane, latine dhe autoktone amerikane i përkasin të njëjtës shkallë të rrezikut sikurse të bardhët apo aziatiko-amerikanët 75-vjeçarë, dhe pastaj ta marrin në konsideratë racën dhe përkatësinë etnike për të vendosur se kush është i përshtatshëm dhe në cilën moshë.
Unë nuk posedoj të dhëna që do të sugjeronin se çfarë dallimi do ta bënte kjo, por mund të nënkuptojë që, le të themi, një burrë afro-amerikan 72-vjeçar është i përshtatshëm derisa një 74-vjeçar i bardhë jo.
Disa mund të kundërshtojnë se ky është një lloj racizmi i kundërt. Nuk është. Në mungesë të dëshmisë më të individualizuar, raca përdoret si një indikator i rrezikut nga virusi. Parimi udhëzues nuk është se pjesëtarët e grupeve të ndryshme racore dhe etnike duhet të vaksinohen sipas numrave proporcionalë me hisenë e tyre në komunitet, si tërësi. Kjo gjë nuk është etnikisht domethënëse. Qëllimi është që të shpëtohen më shumë jetë dhe ky do të duhej të ishte shqetësimi ynë parësor.
(Peter Singer është profesor i bioetnikës në Universitetin e Princetonit dhe themelues i organizatës jofitimprurëse “The Life You Can Save”. Ai ka shkruar një sërë librash, mes të cilëve “Practical Ethics”, “Rethnking Life and Death” dhe “Ethics in the Real World”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).