OpEd

Errare humanum est

Ministrja Nagavci me lopatë në dorë, herë me kryeministrin e herë vetëm, do të mbetet arketip i imazheve në Kosovën e pasluftës. Lopata nuk do koment, lopata flet vetë. Lopata na thotë që nuk kemi infrastrukturë pune. Kjo është arsyeja e rezultatit të PISA-s

Në polisin grek mënyra e jetesës bazohej kryesisht mbi aftësinë bindëse e jo mbi dhunën. Ky modus-vivendi arrinte deri në pikën saqë edhe të dënuarit me vdekje bindeshin që ta pinin vetë gotën me helm e t’i kursenin athinasit nga pamja e padinjitetshme e dhunës. Dhuna është e padinjitetshme për t’u parë, dhuna është e parrëfyeshme për t’u duruar. Kush më mirë mund ta dijë këtë se një popull si i yni.

Përtej mureve të qytetit, ashtu si përtej mureve të politikës, të fortët bënin atë që mundnin, të dobëtët vuanin atë të duhej të vuanin, shkruan Hannah Arendt në librin “Lufta dhe revolucioni”. Në një paralelizëm me qytet-shtetin e Kosovës, ku jeta zhvillohet thellësisht brenda mureve, situata është më intensive. Këtu manipulimi dhe dhuna bashkëjetojnë si një çift i vjetër që tashmë nuk bën dot njëri pa tjetrin, edhe pse Athina e lashtë është vetëm 790 km distancë fizike dhe 27 shekuj distancë kohore. Në qytet-shtetin e Kosovës të fortët s’bëjnë atë që munden dhe të dobëtit vuajnë edhe atë që s’duhet.

Ndërkohë që elementi kohë në arealin shqiptar është më i vështiri për t’u përcaktuar. Mund të kalosh nga një qytet në tjetrin, apo nga një familje në tjetrën, brenda të njëjtit qytet a katund, për të parë se njerëzit jetojnë në kohë të ndryshme, secili në kohën e vet. Tekefundit, në një vend që mbahet në izolim me dekada çfarë kuptimi ka realisht koha?

Disa studentë të UP-së që fituan bursa nga universitete evropiane, pas disa ditësh atje u kthyen mbrapsht. Pse kështu, pyetëm të shqetësuar. Berlini ishte depresiv, u përgjigj njëri, e unë nuk ndihesha mirë. Argumentimet e tyre qenë të ndryshme, por një gjë ishte e qartë. Të rinjtë tanë janë mësuar me izolimin. Kjo më solli ankthshëm një paralelizëm me të burgosurit që kanë kaluar aq vite në burg, saqë kur dalin jashtë, liria u kthehet në burg të ri. Njerëzit tanë e kanë ribërë jetën brenda ëndrrave të thyera dhe të dalët jashtë nuk përbën më asnjë sensacion. Sensacion i vetëm mbetet mirëqenia. Ndaj frika që kanë kolegët se universitetet do të zbrazen me liberalizimin e vizave, sado legjitime të duket në pamje të parë, ka vetëm një bazë: rënien e cilësisë.

Në një universitet jokonkurrent vështirë investohen 4 a më shumë vjet jetë. Kjo është kambana e arsyes, kambana jonë. Sa të përgatitur jemi për këtë?

Në librin e saj “Ishte luftë”, Flaka Surroi mes faktografisë që sjell në vetën e parë si dëshmitare aktive, më mbetën sytë në një fakt. Rreth 12 mijë fëmijë kanë vijuar mësimin në kampe në vitin 1999, ku mësimdhënësit kanë dhënë kontributin e tyre që fëmijët të mos e humbnin vitin shkollor. 12 mijë fëmijë mësonin në kohë lufte, ndërkohë që 12 mijë viktima i mori lufta. Një paralelizëm që pret si thikë e ftohtë ngazëllimin nga dhimbja, të ardhmen nga e kaluara, jetën nga vdekja.

Por si u bë që arsimi, ky mbijetues edhe në kohë lufte, ky akt i jashtëzakonshëm rezistence ndaj dhunës e përbuzjes, me të cilin shqiptarët i vunë barrierën e parë masive regjimit të Milosheviqit, duke i thënë “Këtu mësohet në shqip”, të degdiset në llumin e PISA-s? Gishti i fajit normalisht që i drejtohet së pari Qeverisë, pastaj gjithë atyre paraardhëse. Si e shpjegoni këtë dështim konstant?

Dy janë tezat kryesore: ose asnjë qeveri deri më sot nuk e ka marrë seriozisht arsimin, ose arsimi te ne nuk funksionon. Personalisht i besoj tezës së parë. Të gjitha qeveritë e kanë trajtuar arsimin si një formë banale show mediatik të kamufluar pas mijëra nënshkrime memorandumesh të jashtëzakonshme në letra, të cilave u ka munguar vetëm një aspekt, rezultati. Edhe milionat e derdhura në arsim nga BE-ja mund t’i gjeni tash në llumin e PISA-s.

Megjithatë, ministrja Nagavci me lopatë në dorë, herë me kryeministrin e herë vetëm, do të mbetet arketip i imazheve në Kosovën e pasluftës. Lopata nuk do koment, lopata flet vetë. Lopata na thotë që nuk kemi infrastrukturë pune. Kjo është arsyeja e rezultatit të PISA-s. Por ata 12 mijë fëmijë që mësuan kampeve e mijëra të tjerë që edhe pas luftës mësuan tendave ta rrëzojnë poshtë çdo argumentim të llojit. Vetë këto ministre e ministra, vetë këto qeveri janë produkt i shtëpive shkolla. Ndaj nëse performancën e tyre e shikojnë si rezultat direkt i dijes, nuk ka nevojë për argumentim tjetër. Kaq dimë!

Etika profesionale më thotë të ndalem pak te kultura, e këtu nuk do të them asgjë tjetër përveçse, milionat e ndarë nuk janë matës të suksesit. E para, ta kujtojmë së bashku se milionat janë tanët, jo të Qeverisë. Qeveria as prodhon, as pret e as është pronar i parave tona. Qeveria vetëm administron paratë tona. Paratë tona. Tonat. E kur nga 5000 euro u shkepen autorëve vetëm për ide për roman, apo u ndahen nga 15 euro për një dorëshkrim (lexojini fituesit e projekteve!) mendimi më ngec, s’shkon tutje. A e di kush si matet ideja? Si vlerësohet performanca e një ideje? Unë nuk e di, por sigurisht komisionet e Ministrisë e dinë. Ata e matin që në ajër performancën e idesë, unë jo, jam mësuar ta lexoj romanin e mundësisht pa gabime drejtshkrimore.

Po romaneve të botuara me paratë tona kush ua kontrollon cilësinë, vlerën letrare, impaktin në shoqëri? Ata tre komisionarët e Ministrisë?! Ndoshta e kam personalizuar pak këtë pikë, ju kërkoj ndjesë, por ne autorët e dimë mirë sa fitimprurëse janë romanet, por shkruajmë se nuk jetojmë dot ndryshe. Çështja e librit kërkon zgjidhje, e kjo nuk është e duhura. Megjithatë, bukuria e këtij rrëfimi, që më shumë ngjan si përrallë, është se komisionarët e Ministrisë së Kulturës paskan adhurim të pashoq për romanet (supozoj nga efekti i leximit) e kjo duhet të na bëjë të ndihemi mirë. Kosova po kthehet në një parajsë romancierësh e unë momentalisht i kam nja shtatë ide, së paku. Mendo i dashur lexues, edhe ti mund ta kesh një ide të fshehur poshtë jastëkut e ajo mund të vlejë plot 5000 euro e, nëse pak arrin ta shkruash dorëshkrimin deri në konkursin tjetër, mund të arrijë deri në 15000. 15000 euro, më shumë se rroga vjetore e një profesori universitar. Një rast i tillë vetëm në Kosovë mund të vijë. Askund tjetër. Përfito! Konkurro! Mund të jesh ti fituesi i radhës!

Kosovë, ky vend i pashtershëm çudirash! Nga do t’ia mësysh pas liberalizimit? Çfarë do të mendosh për kohën që ka kaluar? Çfarë do të thonë studentët kur të regjistrohen në universitetet evropiane? Çfarë do të mendojnë për ne? Për mua? Si do të ndihen kur t’i shohin fëmijët evropianë të lexojnë tekstet mesjetare në gjuhët e tyre e këta të tanët as në fotografi nuk e dallojnë Budin nga Buzuku apo Matrëngën nga Kristoforidhi? Nuk po flas për gjuhët klasike, që një ministër i marrë i hoqi nga planprogrami si gjuhë “çrregulluese të së ardhmes” se aty kalojmë në blasfemi. Po flas për gjuhën tonë, shqipen, për tekstet ku ne vetë (jo të huajt) kemi shkruar historinë, kulturën, kemi dhënë shpirtin tonë.

Popujt e pazhvilluar gjithmonë sytë i kanë nga qeveria, ajo është fajtorja ose shpëtimtarja e parë. Qytetarë si ne të rritur me hyqymet në krye vështirë kthehen nga vetja e të pyesin: çka po bëj unë për vendin tim. Në momentin kur mëson të mendosh, shkruan Arendt te libri “Disa çështje të filozofisë morale” konformizmi bëhet një zakon që vështirë mund ta veshësh sërish. Dyshimi dhe gjykimi kritik të bëhen udhërrëfyes, jo për rebelim, por për evolucion. Askush nga ata që mësuan të mendojnë nuk mund të kthehet e të bindet si më parë. Asgjë nuk më vjen në mend më e kthjellët si ky reflektim për t’i dhënë një mesazh Qeverisë. A mund ta dallojmë lojalitetin nga servilizmi? A bën të dyshojmë ndonjëherë në punën tonë? A mund t’i marrim kritikat pa i parë si akte të pastra opozitare që si qëllim të vetëm kanë marrjen e pushtetit? Pushteti të korrupton, të korrupton se të verbon e të konsumon. Ndaj duhet dalë nga zgafellja për të parë çka ka përtej mureve.

Errare humanum est, thoshin romakët e mençëm. Edhe Qeveria është humane. Edhe Qeveria gabon.