Pra, 100 milionë euro janë dedikuar për shërim jashtë vendit në 17 vjetët e fundit. Dhe po të ishin përdorur njëmend vetëm për raste që nuk mund të shërohen në Kosovë dhe po qe se do të administroheshin si duhet, nuk e besoj se kush ishte marrë me këto raste. Porse, kjo që doli tash është se paraja publike shpesh shkoi dëm, ngase as nuk u trajtuan pacientët e duhur, ose u trajtuan porse familjarët u detyruan të paguajnë vetë, ndërkohë që edhe shteti i pagoi spitalet, ose shteti i pagoi shërbimet edhe atëherë kur këto nuk u ofruan fare
Ende nën mbresat e udhëtimit të javës së shkuar në shtetin që nuk e kisha vizituar mbi një dekadë.
Nuk është klishe thënia se Amerika është vendi i mundësive. Është edhe i diversitetit, i kulturave nga të gjithat cepat e botës, i vlerësimit të historikes, të ruajtjes së saj dhe ndonjëherë edhe shndërrimit të saj në një të mirë publike në formë tjetër.
Nuk e fsheh mahnitjen time me idenë të cilën e zbatojnë amerikanët se qyteti, me ndërtime të larta apo pa to, duhet patjetër të ketë parqe e gjelbërim. Dhe duhet të ketë plan ndërtimi që nuk e ngufat as mjedisin e as lirinë e qytetarit.
Natyrisht se nuk e fsheh as çudinë time me faktin se një shtet kaq i zhvilluar ka dallime kaq të mëdha sociale dhe se nuk ka fond shëndetësor klasik. Nuk ka skemë që e siguron mbrojtjen shëndetësore universale për të gjithë, pavarësisht statusit shoqëror.
Më linte ndjenjë tepër të hidhur numri i pafund i të pastrehëve që bridhnin rrugëve të New Yorkut, sidomos dhe konsumi i pandërprerë i marihuanës gjithandej, ngase tashmë ishte legalizuar për konsum, si për qejf, ashtu edhe për nevoja shëndetësore.
Sido që të jetë, mbetet ajo që u tha më lart: Amerika është vendi i mundësive.
* * *
Porse megjithatë, shteti mik nuk është i vetmi që ofron mundësi për një jetë më komode. Pak do të kisha besuar se Kosova e vockël, që plot amerikanë as që e dinë se ku është bile, do të shndërrohej në vendin e mundësive për një kohë rekorde.
Për pak më shumë se 20 vjet, Kosova u dëshmua si El Dorado, fillimisht, për të huajt që jetuan si pashallarë në vitet që e administruan vendin, e pastaj për të gjithë miqtë e pashallarëve që morën pushtetin në dorë dhe brenda natës u pasuruan aq shumë, saqë as skajin parave që i kanë mbledhur nuk e shohin.
Disi njëkohësisht, u bë edhe vendi për zbulimin e eksperimenteve të ndryshme që do të rezultonin me pasurimin edhe të të huajve të tjerë që na quajnë “kardashë” nëpërmjet skemave të shitblerjeve të dyshimta të pasurive publike, si dhe skemave të shërimit jashtë vendit për pacientë me sëmundje të rënda që nuk mund të trajtohen në Kosovë.
Nejse, ideja bujare për të përkrahur pacientë të sëmurë rëndë dikur u shndërrua në mundësi që shumëkush i afërt me pushtetin të shkonte për edhe gjëra, ti quaj kushtimisht, banale – e që mund të trajtohen në vend, dhe që nuk krahasohen me leukeminë apo edhe me ndonjë sëmundje që këtu nuk ka kush e trajton.
* * *
Seria e shkrimeve që nisi të dalë javën që shkoi, rezultat i hulumtimit shumëmujor nga Saranda Ramaj, dita më ditë na zbulon makinacione, mashtrime dhe vjedhje fondesh publike që nuk shkojnë te vendi për dedikimin që kanë, por për ta zhvatur këtë fond edhe ashtu të pamjaftueshëm dhe të menaxhuar keq.
Në fakt, madje që as nuk ka strukturë menaxhuese funksionale mbi një vit, ndërkohë që detyrimet që po krijohen nga ky segment janë duke u shumëfishuar pa asnjë kontroll.
E pushteti? Thjesht hesht!
Hulumtimi i Sarandës e përmbledh kështu, situatën e gjetur në bazë dokumentesh e bisedash me pacientë apo familjarë të tyre:
“Programi për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike, që funksionon në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, është pothuajse jashtë kontrollit të shtetit. Në këtë program çdo vit shpenzohen rreth 10 milionë euro, pa përfshirë borxhet, shuma e të cilave është e përafërt me pagesat e parapara vjetore.
Një hulumtim disamujor i KOHËS që mbështetet në dokumente dhe në deklarata të familjarëve të pacientëve, ka nxjerrë të dhëna që ngrenë dyshime për keqmenaxhim dhe abuzim të madh të parasë publike.
Vlera e milionave që ndahen nga buxheti i shtetit për këtë program nga viti në vit është rritur. Dhe ndonëse bëhet fjalë për fond shumëmilionësh, shteti nuk ka krijuar asnjëherë mekanizëm efikas të kontrollit të këtij programi.
Dokumentet e tij nuk janë bërë asnjëherë publike me arsyetimin që diagnozat janë konfidenciale, e rrjedhimisht nuk është ditur kurrë me saktësi se ku kanë shkuar paratë e dedikuara për trajtim shëndetësor.
Programi funksionon prej vitit 2005, ndërsa shumica e fondeve përfundojnë në institucionet shëndetësore të Turqisë. Referuar raporteve vjetore, vlera e shpenzuar për këtë program ndër vite ka mbërritur në afro 100 milionë euro”.
* * *
Pra, 100 milionë euro janë dedikuar për shërim jashtë vendit, në 17 vjetët e fundit. Dhe po të ishin përdorur njëmend vetëm për raste që nuk mund të shërohen në Kosovë dhe po qe se do të administroheshin si duhet, nuk e besoj se kush ishte marrë me to.
Porse kjo që doli tash është se paraja publike shpesh shkoi dëm, ngase as nuk u trajtuan pacientët e duhur, ose u trajtuan, porse familjarët u detyruan të paguajnë vetë, ndërkohë që edhe shteti i pagoi spitalet, ose shteti i pagoi shërbimet edhe atëherë kur këto nuk u ofruan fare.
Kësaj i vjen era skemë e krimit të organizuar, ku janë përfshirë zyrtarë, sekserë, agjenci ndërmjetësimesh, mjekë dhe kush e di edhe kush tjetër që ia ka parë hairin një skeme të mbetur krejtësisht jashtë kontrollit të shtetit. Edhe pse me legjislacionin në fuqi përgjegjësia përfundimtare bie mbi Qeverinë e vendit, si mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të këtij fondi.
Ajo që po shohim tash është se Qeveria nuk është se ka ndërmarrë gjë për ta ndryshuar gjendjen e çrregulluar që nga çasti kur u mendua se duhej formuar Fondin për Sigurime Shëndetësore, pjesë e të cilit është edhe ky fond për shërim jashtë vendit. Dhe nuk mund të ndërmarrë asgjë meqë ministri i Shëndetësisë kalon më shumë kohë jashtë vendit, sesa në Kosovë. Për më tepër, një nga vizitat e para që ka bërë ka qenë pikërisht në Turqi, porse nuk e dimë se me çfarë rezultatesh, nëse ka pasur, është kthyer prej atje.
* * *
Lajmi i mirë, pas shkrimit të dytë të botuar të martën, ishte reagimi i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, i cili deklaroi: “Sot kam kërkuar që në bazë të shkrimit tuaj të fillohet me procedurën e verifikimit dhe në rast të gjetjes së dëshmive edhe me fillimin e hetimeve”.
Hetimet janë të natyrës parapenale për dyshimet për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë së shtetit, në emër të pacientëve të sëmurë rëndë e që kishin nevojë për trajtim jashtë institucioneve publike. Në bazë të asaj që ka pesë ditë që publikon KOHA, ka material me bollëk për të nisur hetime penale dhe për të marrë njerëz në përgjegjësi.
Porse, kjo punë, siç do të thoshte njëri nga njohësit më të mirë të ligjeve në Kosovë, Ehat Miftaraj, “...në një shtet normal, do të duhej të hetohej nga një task- forcë e përbërë nga së paku tre prokurorë me përvojë dhe me integritet të pakontestuar. Kjo task-forcë do të duhej t’i kishte të gjitha resurset e nevojshme në dispozicion: policë, ekspertë e gjithçka tjetër që siguron hetim profesional. Nëse jo për shkak të sundimit të ligjit, atëherë së paku të ofrojnë drejtësi për ata fëmijë të vegjël e familjarët e tyre, që u është nëpërkëmbur dinjiteti dhe kanë kaluar nëpër vuajtje më të tmerrshme që mund t’i durojë njeriu”.
Sa të mjerë jemi, kur lejojmë që edhe pacientët të shikohen e të trajtohen si të ishin mall, nga ata që e kanë hisenë e vet në “torte”, pa i interesuar fare se çka ndodh me fëmijën a të rriturin që prej zorit duhet të shkojë jashtë për të gjetur shpëtim.