OpEd

Epoka e re Bërthamore

Për një kohë të gjatë, shumë studiues dhe politikëbërës kanë operuar nën iluzionin se problemi bërthamor ishte një relikte e Luftës së Ftohtë. Ç’është e vërteta, bota po i afrohet një epoke që mund të përkufizohet edhe më ashpërsisht nga armët bërthamore. Ndryshimi i shtegut është imperativ dhe koha po mbaron

Armët bërthamore kanë qenë një tipar i marrëdhënieve ndërkombëtare që nga gushti i 1945-s, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i lëshuan dy prej tyre mbi Japoni për ta përshpejtuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Asnjë syresh nuk është përdorur që atëherë, dhe ato në mënyrë të diskutueshme ndihmuan që të mbahet e ftohtë Lufta e Ftohtë, duke e imponuar një shkallë të kujdesit te të dy anët e konfrontimit midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Për më tepër, negociatat për kontrollin e armëve korrën sukses në kufizimin e arsenaleve bërthamor të të dyja vendeve dhe e ndaluan apo e ngadalësuan përhapjen e armëve bërthamore. Sot, vetëm shtatë vende të tjera (Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, Izraeli, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut) posedojnë armë bërthamore.

Pyetja që shtrohet tani është nëse ndodhemi në prag të një epoke të re të zgjerimit të arsenalit bërthamor, të një roli më të spikatur të tij në gjeopolitikë dhe të përpjekjeve të më shumë vendeve për ta siguruar atë. Ajo që e rrit rrezikun është ndjesia se tabuja bërthamore kundër posedimit apo edhe përdorimit të armëve bërthamore po zbehet, si rrjedhojë e kalimit të kohës dhe e shpërfaqjes së një gjenerate të re të të ashtuquajturave armë bërthamore taktike që nënkuptojnë rezultate më pak katastrofike dhe që kësisoj mund të duken më të përdorshme.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka bërë mbërritjen e kësaj epoke të re më të mundshme në disa mënyra. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Ukraina i dorëzoi armët bërthamore që mbetën në territorin e saj në këmbim të garancive të sigurisë. Që atëherë, Rusia e ka pushtuar dy herë, një rezultat ky që mund t’i bindë të tjerët se heqja dorë prej armëve bërthamore e zvogëlon sigurinë e një vendi.

Më pas, në vazhdën e pushtimit të dytë të Rusisë në fillim të këtij viti, SHBA-ja e përjashtoi mundësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë ushtarake në anën e Ukrainës, shkaku i shqetësimit se dërgimi i trupave apo krijimi i një zone të ndalim-fluturimit mund të shpinte në një Luftë të Tretë Botërore bërthamore. Kina dhe të tjerët mund ta shohin këtë si një dëshmi se posedimi i një arsenali të konsiderueshëm bërthamor mund të zmbrapsë SHBA-në apo të paktën ta shtyjë atë që të veprojë me përmbajtje më të madhe. Më së fundi, karshi sfondit të prapambetjeve të konsiderueshme në fushëbetejë, presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore në apo afër Ukrainës në një përpjekje për t’i frikësuar ukrainasit dhe për t’i detyruar qeveritë evropiane si dhe SHBA-në që ta rimendojnë mbështetjen e tyre për vendin.

Zhvillimet gjetkë i kanë kontribuuar njashtu rimendimit mbi vlerën e armëve bërthamore. Regjimet dhe udhëheqësit në Irak dhe në Libi ishin rrëzuar pasi të kishin braktisur programet e tyre të armëve bërthamore, gjë kjo që do të mund t'i shtyjë të tjerët që t’i mendojnë avantazhet e ruajtjes apo të zhvillimit të kapaciteteve bërthamore. Koreja e Veriut, nga ana e saj, mbetet e sigurt përderisa vazhdon që ta zgjerojë arsenalin e vet bërthamor. Bota po ashtu ka mësuar që të jetojë me arsenalet bërthamore të Izraelit, Indisë dhe Pakistanit.

Rreziku është se me më shumë armë bërthamore në më shumë duar rriten shanset që një apo më shumë prej këtyre armëve paimagjinueshëm shkatërruese do të përdoren. Parandalimi dhe kujdesi i përgjegjshëm nuk mund të supozohen. Posedimi i armëve bërthamore e ka njashtu potencialin e sigurimit të një lloj mburoje që mund ta bëjë më të zakontë agresionin jo-bërthamor. Edhe vetë besimi që një vend bën lëvizje drejt zhvillimit të armëve bërthamore mund të nxis veprim ushtarak nga fqinjët e shqetësuar, duke shpënë potencialisht drejt një konflikti më të madh.

Duke i pasur parasysh këto rreziqe, detyrë më e menjëhershme është të sigurohet që goditja bërthamore e Putinit të mos shpërblehet, ashtu që të mos krijojë precedent të rrezikshëm. Kjo e kërkon ruajtjen e mbështetjes ushtarake dhe ekonomike perëndimore për Ukrainën, si dhe rikujtues të rregullt për Rusinë nga SHBA-ja dhe nga aleatët e saj se pasojat e çdo përdorimi të armëve bërthamore, si për forcat ushtarake ruse në Ukrainë, ashtu edhe për këdo tjetër të përfshirë në vendimmarrje, do të peshojnë larg më tepër se sa çdo përfitim i perceptuar.

Në të njëjtën kohë, dhe qartazi para fillimvitit 2026, kur skadon afati i Traktati të ri START që i kufizon arsenalet e dy fuqive më të mëdha bërthamore, SHBA-ja duhet t'ia sinjalizojë Rusisë gatishmërinë e saj për të diskutuar mbi fazën e ardhshme të kontrollit të armëve bërthamore. Numri dhe llojet e sistemeve të armëve që do të kufizohen duhet të jenë në agjendë, siç duhet edhe përfshirja e Kinës.

SHBA-ja, bashkë me partnerët e saj në rajon, duhet gjithashtu të ndërmarrin hapa - diplomatikë apo ushtarakë, nëse është e nevojshme – për të garantuar që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore ose t’i afrohet aq shumë sa që të mund të arrijë një shpërthim bërthamor pa paralajmërim të mjaftueshëm për të tjerët që ata të mund ta parandalojnë atë. Duke dështuar në këtë drejtim, një apo më shumë fqinjë të Iranit mund fare lehtë të vendosin se u duhen armë të tyre bërthamore. Një skenar i këtillë do ta shpinte Lindjen e Mesme, që për tri dekada ishte rajoni më pak i qëndrueshëm në botë, në një drejtim edhe më të rrezikshëm.

Ringjallja e marrëveshjes bërthamore të 2015-s të cilën Irani e arriti me fuqitë botërore (dhe nga e cila SHBA-ja është tërhequr më 2018) do të ndihmonte vetëm përkohësisht, ngase marrëveshja përmban disa të ashtuquajtura klauzola të perëndimit të diellit. Ky duket të jetë një çmim tepër i lartë për t’u paguar, pasi do t'ia lejonte Iranit që të dilte nga sanksionet e rëndësishme, duke i mundësuar regjimit që të ndjekë një politikë të jashtme edhe më agresive dhe t'i sigurojë atij një litar shpëtimi në kohën kur kundërshtimi i brendshme ndaj tij po rritet.

Shqetësimet e tjera gjendet në Azi. Përpjekjet për të shkëputur Korenë e Veriut nga armët e saj bërthamore nuk po shpijnë gjëkundi. Denuklearizimi i plotë duhet të mbetet synim, por në ndërkohë, SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia duhet që ta marrin në konsideratë njëfarë propozimi të kontrollimit të armëve që do t’i kufizonte arsenalin bërthamor dhe sistemet raketore të Koresë së Veriut në këmbim të tkurrjes së sanksioneve.

SHBA-ja duhet që njashtu ta ruajë aleancën e saj të ngushtë me Korenë e Jugut dhe me Japoninë kundrejt jo vetëm Koresë së Veriut, por edhe Kinës. Dështimi në këtë rrafsh sipas të gjitha gjasave do t’i shtynte të dyja vendet që të heqin dorë nga armët bërthamore.

Për një kohë të gjatë, shumë studiues dhe politikëbërës kanë operuar nën iluzionin se problemi bërthamor ishte një relikte e Luftës së Ftohtë. Ç’është e vërteta, bota po i afrohet një epoke që mund të përkufizohet edhe më ashpërsisht nga armët bërthamore. Ndryshimi i shtegut është imperativ dhe koha po mbaron.

(Richard Haass është kryetar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe autor i librit: ‘The World: A Brief Introduction’. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).