OpEd

Episodet e sovranitetit

Gjatë bllokadave shtetërore dhe bojkotimeve qytetare të mëparshme ndaj mallrave të Serbisë, qeveritë tona nuk patën politika për të ndihmuar ngritjen e kapaciteteve të prodhimit vendor dhe lehtësimin e lidhjes së këtij prodhimi me tregun vendor. Pra, nuk u krijua kurrfarë mekanizmi lehtësues për prodhuesit. Në anën tjetër, Qeveria nuk orientoi tregtarët e mesëm e të mëdhenj drejt vendeve të tjera për import, veçanërisht drejt Shqipërisë

Që nga paslufta dhe veçanërisht nga shpallja e Pavarësisë e tutje, Kosova nuk ka arritur që të pavarësohet me të vërtetë nga Serbia. Përveç dimensionit politik dhe të sigurisë, ekonomia e Kosovës dhe mirëqenia e qytetarëve të saj ka qenë e lidhur ngushtë me realitetin ekonomik të Serbisë. Ndërtimi i një klase të fuqishme tregtare në Kosovë, pas vitit 1999, ka subordinuar institucionet shtetërore në shërbim të sektorit të tregtisë, e në këtë formë edhe në shërbim të prodhimit e ekonomisë së Serbisë.

Që nga viti 2003, aq larg sa shkojnë publikimet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tregtinë e jashtme, e deri më sot, importi nga Serbia është rritur nga 156.410,000 euro në 449.918,000 në vitin 2017 (rritje prej 188%). Por edhe pse rritja ishte e vazhdueshme gjatë këtyre dy dekadave të pasluftës, kishte vite kur konsumi dhe importi i produkteve nga Serbia uleshin dhe kjo shihej si shpresë për ekonominë prodhuese të vendit tonë.

Në vitin 2005, importi i produkteve të Serbisë u ul për 5.6%, në raport me vitin paraprak. Ishte kjo periudha kur Kosova ishte në situatën pas revoltës së marsit 2004, e cila shpërtheu si pasojë e mosdurimit të qytetarëve të Kosovës për zgjidhjen e statusit politik të vendit. Që nga Rambujeja ishte premtuar se pas tre vjetëve Kosova do ta kishte çështjen e statusit politik të zgjidhur dhe premtimet e misioneve ndërkombëtare dhe të institucioneve vendore nuk kishin më kredibilitet tek qytetarët e vendit. Revolta e marsit rezultoi me trazira, vrasje, plagosje e djegie, realizimi dhe shtytja e të cilave ende mbesin mister i pazgjidhur. Kjo, gjithashtu rezultoi edhe me një bojkot të mallrave të Serbisë në Kosovë. Por kjo ishte e tëra dhe këtu përfundoi tregimi sa i përket bojkotit. Konsumi i produkteve të Serbisë ra brenda vitit 2005, por industria prodhuese vendore nuk u këndell. Menjëherë në vitin 2006, importi nga Serbia u rrit për 25.5%.

Në shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj. Për shumë njerëz kjo ishte arritja më kulmore e historisë sonë, por për shumë të tjerë kjo u pa si një pikënisje e një realiteti tjetër për qytetarët e Kosovës, për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht e me mirëqenie të lartë për qytetarët e saj. Sigurisht se edhe gjatë këtij viti, tek qytetarët e Kosovës u zgjua një ndjenjë kundërshtuese ndaj Serbisë dhe kjo u reflektua edhe në bojkotin e produkteve të Serbisë në tregun e Kosovës. Një vit më parë, pra në vitin 2007, importi i produkteve nga Serbia kapte shumën e 222.534,000 euro, ndërsa në vitin 2008 ky import ra në 208.951,000 euro, pra për 6.1%. Me gjithë shpresën se shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe njohja e kësaj pavarësie nga një numër i madh i shteteve të tjera, do të rezultonte me investime të huaja direkte në vend, një gjë e tillë nuk ndodhi. Gjithashtu, shpresa se institucionet e pavarura të Kosovës, tani me duar më të lira nga ndërkombëtarët, do të zbatonin politika zhvillimore për ekonominë e vendit, nuk u realizua. Ulja e varësisë ekonomike nga Serbia ishte jetëshkurtër dhe nuk u shfrytëzua nga institucionet e vendit. Në dy vjetët pasues, importi nga Serbia u rrit për 0.9% dhe 23.5% respektivisht.

Që nga viti 2011, konstalacioni institucional/politik i Kosovës ndryshoi rrënjësisht. Pjesë e institucioneve të saj u bë edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila po atë vit propozoi një rezolutë në Kuvendin e Kosovës. Rezoluta e saj bënte thirrje për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë; që Ministria e Transportit të stimulonte prodhuesit vendorë dhe të ndihmonte kompanitë tregtare për t’i zëvendësuar importet nga Serbia me importe nga vendet e tjera; dhe që Qeveria të sigurohej, nëpërmjet mekanizmave të saj shtetërorë, që ky reciprocitet të realizohet plotësisht. Rezoluta u miratua dhe për 50 ditë u zbatua nga Qeveria e Kosovës. Ky ishte veprimi i parë institucional i Kosovës pavarësisht ekonomisë së Serbisë. Gjerë në këtë kohë, ulja e importeve nga Serbia dhe ulja e konsumit të këtyre mallrave kishin ndodhur përgjithësisht për shkak të reagimeve të qytetarëve të Kosovës, karshi veprimeve politike të Serbisë. Reciprociteti politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë u zbatua për pak kohë dhe pastaj ra poshtë si rezultat i një kundër-rezolute të PDK-së, e cila zhbëri raportet e barabarta të Kosovës ndaj Serbisë, duke reduktuar edhe njëherë ekonominë e Republikës sonë në një zonë tregtare të Serbisë. Gjatë këtyre 50 ditëve edhe njëherë u krijua përshtypja se ekonomia e Kosovës po pavarësohet nga prodhimi i Serbisë. Në njërën anë, prodhuesit shtuan turnet e punës nga një në dy, e disa edhe në tri turne në ditë, e në anën tjetër, konsumatorët po bënin fushata aktive duke kundërshtuar produktet e Serbisë në forma të ndryshme. Kjo ndikoi që në vitin 2011, importi i produkteve nga Serbia të ulej për 2.1%, në raport me vitin 2010. Por pas zhbërjes së reciprocitetit, ky import filloi të rritej përsëri në vitet në vijim (9.2%, 2.5%, 29%, etj.).

Sot, Qeveria e Kosovës po zbaton dy vendime të cilat po pamundësojnë futjen e mallrave të Serbisë në Kosovë: moslejimin e futjes së mallrave të cilat nuk e kanë destinacionin e shkruar si “Republika e Kosovës”, në tregun e Kosovës; dhe vendosjen e një takse prej 100% për mallrat nga Serbia dhe BeH. Duke pasur parasysh qëndrimin politik të Serbisë karshi Kosovës, sot realisht kemi një embargo ndaj produkteve të Serbisë. Kjo embargo është një vendim i cili do të duhej të zbatohej normalisht dhe vazhdimisht që nga paslufta, ose së paku që nga shpallja e Pavarësisë së Republikës sonë, derisa Serbia të njihte Republikën e Kosovës dhe t’i plotësonte një varg kushtesh, të cilat lidhen me krimet e saj gjatë periudhës së okupimit. Nuk ka kuptim ekonomik e politik që tregu jonë të vërshohet nga produktet e një vendi, i cili në luftën e fundit ka rrënuar ekonominë tonë, ende nuk na njeh e na lufton me të gjitha metodat, prej atyre diplomatike e deri tek dhuna e organizuar në terren.

Por dy janë arsyet pse sot Republika jonë ende është një zonë shtesë tregtare e Serbisë. Arsyeja e parë dhe më e rëndësishme është mungesa e një procesi të dekolonizimit të Kosovës, pas qershorit të vitit 1999. Që nga ajo datë, Kosova nuk do të duhej të ishte më temë për Serbinë, e Serbia nuk do të duhej të ishte faktor për të ardhmen e Kosovës. Kosova do të duhej të ndërmerrte hapa të shumtë për ta realizuar këtë dekolonizim dhe për të krijuar sovranitetin e saj shtetëror. Arsyeja e dytë janë tregtarët e fuqishëm në ekonominë e Kosovës. Gati gjysma e bizneseve të regjistruara në Kosovë janë biznese tregtare. Edhe pse në numër kaq të madh, ky realitet nuk rezulton me konkurrencë dhe shpërndarje të fuqisë financiare mes këtyre tregtarëve, ashtu siç presupozon teoria neoliberale. Ndër këto 16.557 biznese tregtare, pjesa dërrmuese janë biznese të vogla e të mesme, ndërsa një numër shumë i vogël janë biznese super të mëdha, të cilat ndikimin e tyre financiar e kanë shtrirë edhe në institucionet politike të vendit. Ky ndikim, i gërshetuar me praktikat neoliberale të imponuara në shoqërinë dhe ekonominë tonë ia ka nënshtruar ekonominë interesave tregtare.

Prandaj, që prej momentit të parë të rënies së importit nga Serbia, e secila rënie në çdo tre vjet (2005, 2008, 2011) nuk ka prodhuar asnjë realitet të ri për ekonominë e Kosovës. Efekti i rënies prej 5.6% e vitit 2005 është e eliminuar me rritjen prej 25.5% në vitin 2006. Efekti i rënies prej 6.1% në vitin 2008 është eliminuar me ngritjen prej 23.5% në vitin 2010. Efekti i rënies prej 2.1% në vitin 2011 është eliminuar me ngritjen prej 9.2% në vitin 2012. Dhe për këto humbje të mundësive për zhvillim, nuk mund t’i fajësojmë qytetarët dhe shprehitë e tyre të blerjes. Zgjidhja për problemin e vërshimit të tregut tonë nga Serbia nuk vjen nga poshtë, por nga lartë, pra institucionalisht.

Këto raste ishin raste të humbura nga qeveritë e Kosovës. Përderisa Serbia subvencionon prodhuesit e saj dhe si rezultat i kësaj mallrat serbe shiten në Kosovë më lirë sesa mallrat e prodhuesve vendorë, Qeveria e Kosovës nuk ka kurrfarë politike për të ndihmuar prodhuesit tanë. Një pjesë e madhe e importeve nga Serbia do të mundë të zëvendësoheshin me mallrat e prodhuesve vendorë, veçanërisht importet ushqimore. Gjatë bllokadave shtetërore dhe bojkotimeve qytetare të mëparshme ndaj mallrave të Serbisë, qeveritë tona nuk patën politika për të ndihmuar ngritjen e kapaciteteve të prodhimit vendor dhe lehtësimin e lidhjes së këtij prodhimi me tregun vendor. Pra, nuk u krijua kurrfarë mekanizmi lehtësues për prodhuesit. Në anën tjetër, Qeveria nuk orientoi tregtarët e mesëm e të mëdhenj drejt vendeve të tjera për import, veçanërisht drejt Shqipërisë. Këto dy çështje, pra lehtësimi i prodhimit vendor dhe lidhja e prodhuesve me tregun vendor, dhe orientimi i tregtarëve drejt importit nga vendet e tjera, janë gurët provues për seriozitetin e masave tregtare që qeveritë tona kanë marrë, po marrin e do të marrin në të ardhmen kundrejt Serbisë.

Se çfarë efekti do të ketë embargoja aktuale, që Qeveria e Kosovës ua ka vënë mallrave të Serbisë dhe BeH-së, mbetet të shihet në javët dhe muajt në vijim. Së pari mbetet të shihet se sa e qëndrueshme do të jetë Qeveria në zbatimin e këtij vendimi. Arsyet e përmendura për vendosjen e kësaj embargoje, në letrën që kryeministri i ka dërguar BE-së, e bëjnë të pamundur heqjen e kësaj mase pa një njohje formale të Republikës sonë nga Serbia dhe BeH-ja. Së dyti, mbetet të shihet nëse Qeveria e Kosovës do të fillojë politikat për të ndihmuar prodhuesit vendorë. Një pjesë e madhe e gjysmë miliardë eurove të konsumit, të cilat çdo vit ia japim Serbisë do të mundë të drejtohej tek prodhuesit vendorë, nëse ata ndihmohen për shtimin e kapaciteteve prodhuese dhe për qasjen në tregun vendor. Kjo politikë do të kishte efekte të mëdha në shoqërinë tonë. Nga një shoqëri konsumi, e varur nga një numër i vogël i tregtarëve të mëdhenj, ne do të shndërroheshim në një shoqëri prodhuese me mundësi të shumta punësimi, e cila do të fitonte pavarësinë nga tregtarët e mëdhenj dhe do të ndërtonte sovranitetin e Republikës sonë karshi Serbisë. Qeveria e ka rastin ideal për ta realizuar këtë gjë. Mbetet të shihet nëse këto masa do të na ndihmojnë të gjithëve për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe shtet sovran, apo do t’i ndihmojnë një numri të vogël të subjekteve politike për të ndërtuar fushata elektorale në të ardhmen e afërt.