Fundjava diplomatike, përkundër huqeve të mia me prognozat gjatë dekadave se Lufta III Botërore mund t'ia fillonte nga Bosnja, Kosova, sulmet e 11 Shtatorit në Amerikë, Afganistani, Iraku, Irani, Ukraina … u shënua me ngritje tensionesh për shkak të formimit të Superligës Evropiane të Futbollit e përbërë nga gjashtë ekipe angleze, tri spanjolle dhe tri italiane, të shkëputura nga petku i UEFA-s dhe organizimit të tyre për turnamentet e futbollit evropian. Trysnia e mediave, e FIFA-s, e sidomos e tifozëve, bëri që kjo "ëndërr" të përfundonte ende pa filluar... Çdo ngjashmëri me qeverisjen e tanishme kosovare është e rastësishme
Çfarë hipokrizie. Sot qenka Dita e Tokës. Një ditë e shënuar nga qeniet të cilat më së shumti kanë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzojnë me këtë planet.
Në vazhdën e këtij abuzimi ja edhe një ditë e vitit për ta shënuar Ditën e Tokës.
Më falni, ndoshta jam zgjuar në këmbën time të majtë sot, prandaj hyrja e Ditarit tim ishte pak me një ton depresiv.
Mirëpo nuk ke se si të mos e cilësosh qenien e quajtur njeri sikur qenien më hipokrite të rruzullit tokësor dhe atë vetëm duke u bazuar në veprat e tij.
Qenie të cilat vrasin për sport! Ç'të thuash më shumë?
Kur jemi te sporti nuk kam si ta anashkaloj edhe një sukses të radhës të kolegëve të mi, ambasadorëve më të sjellshëm dhe të devotshëm të cilët i ka Republika e Kosovës, e ata janë ekipi i Toni Kukës në xhudo. Ata përsëri i arritën majat evropiane duke i fituar dy medalje të arta nga Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova. Kështu, Kosova jonë e vogël bëhet ekipi më i suksesshëm evropian. Përse e kemi deficitin e ambasadorëve të tillë edhe në sferat e fushave të tjera, si p.sh. nga shkenca, politika dhe disiplina të tjera ekzakte, mbetet mister për mua. Në fakt, mister tejet afatshkurtër pasi që zgjidhja e të cilit është e thjeshtë, është pikërisht politika ajo e cila e ngufati shkencën dhe më pas gjithçka tjetër të ndërlidhur me të. Kudo që politika i zgjati tentakulat e saj, aty më hair nuk pati. Kështu ishte në 21 vjetët e fundit nga të gjitha kastat qeverisëse të deritanishme e edhe fillimi i qeverisjes së kësaj kastës së re premtuese disi ende nuk është aspak bindës se dallon diçka drastikisht nga të tjerat. Së paku kështu më bëjnë të kuptoj veprimet e tyre në këtë muajin e parë të qeverisjes.
Më duhet ta ritheksoj edhe një herë se thembra e Akilit e kësaj qeverie prapë mbetet PR-i (Marrëdhëniet me Publikun) i tyre i dobët dhe amatoresk. Nuk mjafton që ta kesh vetëm rolin e zëdhënësit të Qeverisë të plotësuar me emërimin e një individi në atë pozitë. Roli i atij personi dhe i ekipit të tij do të duhej të ishte shumë më i madh dhe më i shtrirë. Sado që mundohem që ta kursej veten e edhe këtë qeveri së paku në 100-ditëshin e tyre të parë qeverisës të mos merrem me ta, janë gabimet e tyre amatoreske të cilat e bëjnë të pamundur këtë gjë.
Është ditur se zgjedhjet u organizuan dhe u mbajtën në kohë pandemie. Të gjitha partitë, duke mos e anashkaluar edhe partinë fituese absolute të zgjedhjeve, i shkelën rregullat dhe për një grusht votash nuk i kursyen tubimet e tyre partiake, sidomos edhe ato në ambiente të mbyllura, e që për ironi ato mbaheshin në salla dasmash të ndaluara nga ligji për mbrojtjen nga COVID-19 tash e një vit. Me të filluar qeverisjen Vetëvendosja tani në petkun e partisë qeverisëse sjell vendimin për mbylljen 12-ditore të bizneseve dhe lirisë së lëvizjes në emër të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të COVID-19. Veprim i cili sigurisht se asnjë rezultat nuk do të sjellë e për ilustrimin e hipokrizisë ishte fakti se më se 30.000 qytetarë ia mësyn Shqipërisë për vikend, duke përfshirë edhe qeveritarë e deputetë të shumtë. Shembull eklatant i një PR-iji të keq.
E në të gjitha këto gabime amatoreske qeveritare aty qëndron stoikisht sypatrembur me hipokrizinë e saj edhe tashmë kasta e re opozitare e përbërë nga partitë politike, të cilat për 21 vjet e katandisën vendin në pikën në të cilën gjendet sot. Ata ngrenë pyetje e dilema e probleme të cilat ashtu heshtazi i anashkalojnë se ishin ata pikërisht shkaktarët e tyre në rend të parë.
Kjo nuk e amniston Qeverinë e tanishme për çfarëdo gabimi dhe lëshimi të cilin e kanë bërë deri më tani apo të cilat mund t’i bëjnë në të ardhmen, mirëpo siç kishte thënë Jezu Krishti me rastin kur populli po donte të hidhte gurë mbi një grua mëkatare, me ç’rast ai tha "gurin e parë le ta hedhë ai i cili nuk e ka asnjë mëkat në jetën e tij". E në vazhdën e kësaj thënieje kuptimplotë këta do të duhej që t’i palosnin veshët e tyre dhe që të merreshin ekskluzivisht me veten e tyre dhe me faktin se pse i humbën zgjedhjet ashtu siç i humbën, të punojnë në riformimin e tyre sikur parti politike dhe të mundohen që ta kthejnë besimin e votuesit mbrapa.
Përndryshe kjo qasje e tillë irrituese e opozitës së sotme kësaj qeverie vetëm se do t’ia zgjasë dhe sigurojë kohëzgjatjen qeverisëse. Mendoj se mjaft kritika dhe presion kjo qeveri ka nga rrjetet sociale e edhe disa paraqitje publike pikërisht edhe nga një pjesë e konsiderueshme e votuesve të saj, nuk e them e militantëve partiakë të Vetëvendosjes, por thjesht njerëzve të cilët kanë votuar për ndryshimet e proklamuara dhe të shumëpritura në shoqërinë tonë. Ky grup i votuesve i ka pritjet e larta dhe vota e tyre nuk ka qenë votë blanko e cila prodhon "Qeveritariatin" - pjesën e popullatës që për secilin veprim të Qeverisë ka arsyetime të tipit lepe-pekej abej.
Arroganca e numrave ka filluar që të shpërfaqet dhe asaj duhet ulur bishtin që në fillim, duke mos e lejuar që të ngrejë kokën dhe të shndërrohet në normë. Ishte edhe sjellja e deputetit Armend Muja në njërën nga komisionet e Kuvendit ndaj një punonjëse të administratës së Kuvendit, sjellje e cila u kritikua zëshëm nga qytetarë dhe aktivistë të shumtë. Nuk vonoi shumë dhe kërkim-falja nga ana e deputetit Muja u publikua në njërin nga statuset e tij në Facebook. Ajo çfarë dua të them dhe ta potencoj është se syri kritik i cili e përcjell këtë ekzekutiv dhe këtë legjislativ është shumë më vigjilent dhe më përgjegjësi-kërkues nga ajo se qysh jemi mësuar në 21 vjetët e fundit.
Edhe një shembull tjetër i një PR-iji të keq të kësaj qeverie të re është vendimi mbi "zvogëlimin e pensioneve të pensionistëve". Në fakt, pensioni bazë është 90 euro, një vendim i Qeverisë Hoti, i cili ishte sjellë para zgjedhjeve, i ngriti ato me nga 30 euro shtesë për 90 ditët e ardhshme. Tani që 90 ditët kanë skaduar, Qeveria Kurti 2 ka sjellë vendim që shtesat të jenë 10 euro, që d.m.th. 20 euro më pak. Vendimi është legjitim, por në aspektin e PR-iji është thjesht një autogol. Kursimi i buxhetit në këto kohë të vështira do të duhej të shikohej në pozita dhe linja të tjera buxhetore, jo aty ku hallka është më e dobëta. E kjo sidomos kur VV-ja proklamohet si parti e majtë!
Edhe pse deri më tani ju e keni kuptuar se sa u përket këtyre nocioneve të partive kosovare të majta apo të djathta qëndrimi im është se ato në Kosovë ideologjikisht janë inekzistente e sa për zhurmë mediale apo fushatë politike ata mund ta kategorizojnë veten ashtu siç ata duan dhe preferojnë, por praktikat e tyre na tregojnë se në Kosovë ka vetëm parti të mbrapshta. E majta dhe e djathta mbesin vetëm emërtimi i kthesave të Rrugës së Kombit apo cilësdo rrugë tjetër në fakt.
Fundjava diplomatike, përkundër huqeve të mia me prognozat gjatë dekadave se Lufta e III Botërore mund t'ia fillonte nga Bosnja, Kosova, sulmet e 11 Shtatorit në Amerikë, Afganistani, Iraku, Irani, Ukraina … u shënua me ngritje tensionesh për shkak të formimit të Superligës Evropiane të Futbollit e përbërë nga 6 ekipe angleze, 3 spanjolle dhe 3 italiane të shkëputura nga petku i UEFA-së dhe organizimit të tyre për turnetë e futbollit evropian. Trysnia e mediave, e UEFA-s, e sidomos e tifozëve, bëri që fillimisht 6 klubet angleze të tërhiqeshin prej një projekti të tillë dhe kjo të përfundonte si një "ëndërr" ende pa filluar. Mbretëria e Bashkuar u tërhoq nga BE-ja e nuk po të tërhiqet nga një Superligë Evropiane e Futbollit.
Në termat e futbollit u shënua edhe goli i parë i Superligës Evropiane të Futbollit dhe ai ishte një autogol spektakolar.
Këto ekipe u kapluan nga arroganca e numrave të tyre të gjeneruar nga profitet, shitblerja e lojtarëve të shtrenjtë, të drejtat televizive, marketingu, publiku nëpër stadiumet e tyre, bastoret sportive etj. Të gjitha këto sollën deri në pikën që profitet të jenë më të rëndësishme se vetë futbolli si sport. Kjo qasje irritoi bazën e secilit klub futbollistik, e që është tifozëria.
Çdo ngjashmëri me qeverisjen e tanishme kosovare është e rastësishme.