OpEd

Ëndrra e një natë vere?

1.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Urusula von der Leyen, në fjalimin e fundit në Parlamentin Evropian tha se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe se e ardhmja e tij është në BE. Edhe vendet e rajonit, vërtet aspirojnë anëtarësimin në BE, por si të jetësohet kjo përballë kundërshtimeve nga vetë shtetet anëtare? Pa amnistuar vendet ballkanike për mungesë reformash të brendshme, ato po bllokohen edhe nga pengesat e jashtme. Fundja, vendet ballkanike dhe BE-ja vazhdojnë të mbesin në rrethin vicioz. Në emër të stabilokracisë, BE-ja flijoi demokracinë, ku diplokracia toleroi kleptokracinë. Shtetarët ballkanik kinse donin të anëtarësoheshin në BE, e kjo e fundit sikur donte vërtet t'i pranonte në gjirin e vet! Epilogu: Brukseli në vend se t'i dënonte elitat shtetëkapëse të Ballkanit, dënoi qytetarët e saj. Regjimet në Ballkan ricikloheshin, e shtetet e tyre mbetën aty ku ishin: jashtë portave të Brukselit.

Dy dekada nga shpalosja e “Perspektivës evropiane”, anëtarësimi i këtyre vendeve duket edhe më i largët, sepse as vendet anëtare të BE-së nuk janë të gatshme t'i pranojnë 6 anëtarët e rinj. Vetoja e vetëm një shteti anëtar është mbi vendimin e 27-shit. BE-së iu deshën plot 25 vjet për të mbyll kontestin për emrin e Maqedonisë me fqinjin e saj Greqinë, pikërisht shkaku i vetos së kësaj të fundit. As 8 vjet të “Dialogut të Brukselit 1”, as pas këtij të rifilluarit midis Kosovës dhe Serbisë, s’ka se si të përfundojnë, shkaku i vetove të 5 shteteve anëtare të BE-së, sepse siç tha zëdhënësi i KE-së Stano, Kosova “nuk mund të aplikojë për anëtarësim - pa njohjen nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”. Konferenca ndërqeveritare për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe ajo me Shqipërinë, po ashtu janë në pikëpyetje shkaku i vetos së Bullgarisë (kundër gjuhës maqedonase) dhe të Greqisë (që kërkon 12 milje të sovranitetit detar të Shqipërisë).

2.

BE-ja, pra zbehu “Perspektivën evropiane” të Kosovës nga mosnjohja kolektive e Republikës së Kosovës, shkaku i bllokimit individual nga shtetet e saj anëtare. Edhe pse organizatë multilaterale, ajo iu nënshtrua pengesave unilaterale. Si pasojë, BE-ja inauguroi negociata asimetrike, me trajtimin e pabarabartë ndaj palëve negociuese: Serbisë (si shtet) dhe Kosovës (si “entitet me fusnotë”). Nga dialogu për normalizim të marrëdhënieve midis dy shteteve, ai nga fundit i 2018-s gati se nuk rrëshqiti në dialog për statusin e njërit shtet. Madje edhe përkundër interpretimit të qartë të GJND-së, për legalitetin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës. Nuk dihet pse BE-ja injoroi mendimin e organit gjyqësor të OKB-së, por pse Kosova pranoi të hynte në negociata të tilla asimetrike, në kundërshtim me mendimin pozitiv të GJND-së, kjo nuk dihet?

Si mund të pritet finale e drejtë nga “Dialogu i Brukselit 2”, kur jo BE-ja, por madje as SHBA-ja në takimin e 4 shtatorit nuk arriti ta bindë Serbinë të nënshkruante zotimin me pikën për njohje reciproke? Nëse këtë nuk arriti ta bëjë diplomacia unike e fuqisë botërore, si mund të pritet nga BE-ja me 27 diplomaci nacionale se do ta detyrojë Serbinë në fund të këtij dialogu? Ashtu, siç Brukseli nuk e ndëshkoi Serbinë (si shtet negociues për anëtarësim) as në vitin 2014 kur Beogradi nuk i zbatoi sanksionet kundër Rusisë e as tash së fundmi sanksionet e BE-së kundër Bjellorusisë. Në vend të kësaj, ditën që kryetarja e KE-së, Von der Leyen, fliste për integrimin evropian të Ballkanit, Serbia dhe Republika Srpska shpallën integrimin gjithëserb, me kremtimin së bashku, (për të parën herë) të “Ditës së Unitetit Serb”.

3.

Ndodh që SHBA-ja dhe BE-ja përmes një qasjeje të tillë duan që ta tërheqin Serbinë nga orbita politiko-ushtarake ruse dhe nga dominimi financiar-digjital kinez, por pse çmimin duhet ta paguajë Kosova, si më proamerikanja në rajon? Është e qartë se gjeopolitika e 2020-s ndryshoi nga ajo e 1999-s. Në Kremlin është Putin dhe jo Yeltsin. Nuk është Rusia postsovjetike, por Rusia risovjetike, me pjesë të aneksuara të: Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Sirisë; me kontroll të plotë të Bjellorusisë e Moldavisë; dhe me dy satelitët ballkanikë- Serbinë dhe Republika Srpska - dhe të tretin në ardhje e sipër- Malin e Zi.

Serbia, nga shteti i izoluar dhe i sanksionuar ndërkombëtarisht, u riforcua rajonalisht, edhe pse në krye të Serbisë është ministri i regjimit të atëhershëm serb. SHBA-ja do të hapë në Beograd selinë e Fondit Amerikan për Zhvillim, pas që pranoi nismën serbe për Mini-Shengenin Ballkanik, për të cilën Grenel do të deklaronte se “vërtet na pëlqeu kjo ide e Beogradit”. Kjo nismë serbe, ndoshta edhe do të mund të diskutohej, nëse ajo do të përfshinte të gjitha 6 shtetet ballkanike por assesi - pa Kosovën- ashtu siç figuronte në hartën e Qeverisë së Serbisë, kur qe inauguruar projekti serb. Krahasimet që bëhen me Beneluksin nuk qëndrojnë, sepse ky ishte integrim subrajonal i tri shteteve (Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg) që kishin njohur njëra- tjetrën. Jo si në projektin serb, ku 2 shtete (Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina) nuk e njohin Republikën e Kosovës, gjë që u vërtetua së fundi sot, kur Kryesia e BeH-së nuk mundi ta njohë Republikën e Kosovës shkaku i vetos së Republika Serbska.

4.

Pas dy dekadash, nga fajtori i luftërave ballkanike, Serbia u ngrit në “paqësorin” rajonal. Ngjashëm si ish-Jugosllavia e Titos e kohës së luftës së ftohtë, si tampon zonë midis Perëndimit dhe Lindjes. Atëherë ajo thithte kreditë e Perëndimit, Lindjes i premtonte neutralitet ushtarak dhe udhëhiqte me Lëvizjen e të painkuadruarve.

Sot Serbia po shfrytëzon paratë euroatlantike, armatimin rus (me premtimin për mosanëtarsim në NATO), teknologjinë kineze dhe investimet arabo-turke me përkrahjen e Palestinës. Ky ndryshim gjeopolitik shihet edhe po të krahasohen hollësitë nomoteknike të dokumentit të Rambujesë së 18 marsit 1999 dhe atij të Shtëpisë së Bardhë të 4 shtatorit 2020. Nëse në dokumentin e Marrëveshjes së Rambujesë nuk mund të shënohej Republika e Kosovës, shkaku i pushtimit ushtarak serb të Kosovës; pse 21 vjet pas çlirimit kundër këtij okupimi dhe 12 vjet nga pavarësia, ende Kosova si në letrën e nënshkruar të zotimit unilateral në Washington, ashtu dhe në dokumentet e Brukselit, askund nuk shënohet si: Republika e Kosovës?

Bile, dokumenti i Rambujesë së paku përbënte 3 palë nënshkruese: RFJ-në, Serbinë dhe Kosovën, si dhe “dëshmitarin” ndërkombëtarët; ndërkaq në Washington nuk pati as marrëveshje dy e as trepalëshe, por secila palë nënshkruante një letër të zotimit individual.

Ndoshta edhe mund të kuptohet që në vitin 1999, në Kosovën që luftonte për çlirim e populli i saj për mbijetesë nga gjenocidi, aq edhe ishte fuqia e palës nënshkruese në Rambuje, por pse edhe sot si shtet sovran, kur në Kosovë nuk ka më trupa serbe, por forca të NATO-s?

Ëndrra e një natë vere?