OpEd

Ende nuk është vonë për unitet rreth dialogut

Është e patolerueshme që liderëve të opozitës së Kosovës, draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe t’ua japin përfaqësuesit e BE-së, e jo qeveria. Siç ishte e palejueshme që kësaj qeverie, kur erdhi në pushtet, shumë dokumente nga procesi i mëparshëm i dialogut u desh t’ia jepte BE-ja, sepse nuk ia dhanë paraardhësit

Për shtetet, sidomos për ato që janë në proces të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, integritetit territorial dhe sigurisë së brendshme, ekzistojnë disa çështje ku duhet të ketë unitet të plotë, pa marrë parasysh dallimet politike dhe ideologjike. Ndasitë në faza të tilla të ndjeshme mund të kenë pasoja afatgjate. Në situatë të tillë është Kosova, e cila nuk e ka luksin të ketë ndasi aq të mëdha për çështjet kyçe siç është dialogu me Serbinë, raportet me aleatët kryesorë ndërkombëtarë dhe aspektet e sigurisë kombëtare. Në të gjitha këto tri çështje, Kosova po kalon përsëri nëpër sfida të mëdha. Raportet me aleatët kryesorë ndërkombëtarë nuk janë ideale. Akoma Kosova, për herë të parë në historinë e saj prej shpalljes së pavarësisë, është nën sanksione edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe të BE-së edhe të Gjermanisë në aspektin bilateral. Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës, të ushtrojë presion dhe kontroll mbi serbët në Kosovë, e bile edhe ta kërcënojë sigurinë e Kosovës duke mbështetur, nëse jo edhe organizuar, sulmet paramilitare që përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i ka quajtur si terroriste. Në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ka ardhur deri te një ecje e madhe prapa. Nën regjinë e të dërguarit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, duke hequr dorë nga synimi për marrëveshje finale, ligjërisht obliguese, gjithëpërfshirëse përmes së cilës do të zgjidheshin të gjitha çështjet kyç. Me Lajçakun në krye të procesit, dhe mbështetjen e Përfaqësuesit të lartë Josep Borrell, dialogu ka ardhur në fazën e asaj që tashmë quhet “normalizim i mosnjohjes”. Pa paragjykuar pozitat dhe qëndrimet e tyre në të kaluarën, përvoja vetëm nga procesi trevjeçar i dialogut lë përshtypjen se BE-ja do të vazhdojë të ketë gjithmonë mirëkuptim për qëndrimet e Serbisë dhe të tentojë t’i akomodojë ato. Ndërsa, t’i konsiderojë si “joreale” kërkesat e Kosovës, qofshin ato për të nënshkruar Marrëveshjen, apo për ta depozituar në OKB, apo diçka tjetër.

Në të gjitha këto pika do të ishte e tepruar, e mbase edhe e pasaktë në masë të madhe, si përgjegjëse të konsiderohej vetëm pala kosovare. Do të ishte mirë sikur opozita në Kosovë, në vend që t’u gëzohet sanksioneve ndaj shtetit të saj që ka vendosur BE-ja, e të cilat nuk e ka ndërmend t’i heqë së shpejti, të jetë më e gatshme të bashkëveprojë me qeverinë, në të mirë të shtetit, dhe në këtë mënyrë të rritet presioni edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Por po ashtu, ka shumë nevojë që edhe qeveria të bëjë më tepër për t’u hapur ndaj opozitës dhe për ta strukturuar bashkëveprimin në tri temat që përmendëm më herët, raportet me aleatët, dialogun dhe çështjet e sigurisë kombëtare. Ideale do të ishte sikur kjo do të bëhej përmes Kuvendit të Kosovës. Por kjo nuk duket reale në këto rrethana kur Kuvendi nuk po e kryen si duhet punën, ku temat që sillen për diskutim degjenerojnë. Por Kosova për shumë vjet ka ditur të krijojë korniza bashkëpunimi mes opozitës dhe qeverisë për të kaluar më mirë përmes proceseve historike. Tash është momenti përsëri për një gjë të tillë.

e patolerueshme që liderëve të opozitës së Kosovës draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe t’ua japin përfaqësuesit e BE-së e jo qeveria. Siç ishte e palejueshme që kësaj qeverie, kur erdhi në pushtet, shumë dokumente nga procesi i mëparshëm i dialogut u desh t’ia jepte BE-ja, sepse nuk ia dhanë paraardhësit. Vërtet vetëm disa orë pasi partitë opozitare pranuan se morën draftin nga BE-ja, ai rrodhi. Por as ky nuk është arsyetim i qeverisë që të mos e ndajë draftin me opozitën. Është thënë disa herë dhe duhet përsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim i Kosovës. Nuk ka mundësi Kosova të mos e përmbushë këtë obligim e të mbetet pa pasoja në raporte me aleatët. Këtë duhet ta dijë opozita, e cila edhe ishte në pushtet kur u pranua ky obligim dhe ai u miratua edhe në Kuvend me shumicën e nevojshme të votave. Kjo qeveri duhet ta dijë se Kosova nuk nis me ta, e as dialogu nuk nis me këtë qeveri. Por të gjitha obligimet që kanë marrë qeveritë e mëparshme në emër të Kosovës, duhet t’i zbatojnë, ose duhet të krijojnë shumicën e nevojshme për t’i anuluar në Kuvend, me gjithë pasojat që mund të sjellë një gjë e tillë. Edhe ata që mendojnë se një ditë mund të vijnë në pushtet do të duhet të zbatojnë obligimet që në emër të Kosovës do t’i merr qeveria e sotme. Ndasitë politike janë të natyrshme në demokraci dhe sistem pluralist. Por në disa pika duhet të ketë unitet kombëtar edhe në Kosovë.

Këtë mosbesim mes subjekteve politike të Kosovës pastaj e eksploatojnë edhe akterët ndërkombëtarë, të cilët duan ta bartin presionin ndaj Kosovës dhe të relativizojnë ose tërësisht të heqin përgjegjësinë nga Serbia. Në të njëjtën mënyrë shfrytëzuan edhe Shqipërinë, e cila pranoi që të jetë e para për ta sanksionuar Kosovën kur u anulua takimi i përbashkët i dy qeverive për t’i dërguar Qeverisë së Kosovës “mesazhin e duhur”. Kjo u bë edhe me rekomandim të BE-së që besonte se, krahas izolimit ndërkombëtar, bën mirë edhe izolimi rajonal i Kosovës dhe kur kundër Kosovës janë jo vetëm BE-ja, por edhe Amerika dhe Shqipëria, atëherë kosovarët do ta kuptojnë se e kanë gabim. Dhe kjo solli deri te situata që asnjë subjekt në rajon në këtë moment nuk është nën masat ndëshkuese të BE-së, pos Kosovës.

Opozita dhe qeveria duhet t’i dërgojnë mesazh të përbashkët BE-së se masat ndaj Kosovës janë të papranueshme të padrejta dhe dëshmojnë se BE-ja dhe ndërmjetësit në dialog nuk janë të paanshëm. Po ashtu, duhet të jenë unikë në qëndrimet rreth çështjeve të sigurisë dhe duhet të pranojnë së bashku draftin të cilin BE-ja e ka propozuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai draft nuk është ideal, por vështirë se mund të ketë më të mirë duke pasur parasysh se çfarë ka pranuar Kosova në vitet 2013 dhe 2015. E uniteti pos se do të ndihmonte në raportet me aleatët do të ishte i domosdoshëm edhe për të zbatuar në terren obligimet. Sepse për disa pika duhet mbështetja edhe e pushtetit lokal dhe ai pushtet është shumë i ndarë në Kosovë në mes të subjekteve të ndryshme politike. Shpesh dëgjohet në Kosovë se si Kosova ka përfituar sa herë që i ka dëgjuar miqtë. Por po ashtu, Kosova ka përfituar sa herë që ka pasur unitet të brendshëm për çështjet kyçe. E unitet i tillë duhet të krijohet edhe në këtë moment. E do të mbeten plot çështje të tjera rreth të cilave subjektet politike do të mund të polemizojnë për ta përfituar mbështetjen e votuese, e të cilat nuk do të shkojnë në dëm të shtetit.