Përderisa Serbia do të kishte çfarë të eksportonte, ne trenin do ta përdornim për eksportimin e të dëshpëruarve që do ta riaktivizonin Akropolisin e moçëm, që e lidhte Athinën dhe Munihun. Rrugës policia serbe do t’i maltretonte dhe do t’u kërkonte mitë për të kaluar tutje, siç bëjnë, falë një marrëveshjeje të marrë së cilës kush e di edhe sa kohë do t’ia vuajmë pasojat.
Po duket thuajse fati i dimrit të sivjetmë është pashmangshëm i lidhur me formimin e koalicionit qeverisës, të cilin me shumë spirituozitet miku im Imeri e përkufizoi “shpresa për koalicionin” (në vend të koalicioni i shpresës). Në intervalin e shkurtër, kur pati një hije paralajmërimi të lidhjes së koalicionit, kishte rënë pakëz borë. Me barrikadimin pas pozicioneve të palëkundura që po e shtyjnë këtë proces deri në absurd, duket se edhe bora ka vendosur ta bojkotojë Kosovën – dhe se nuk do të bjerë derisa “shpresa” të mos ndodhë.
Iu kthye “fluturimit”
Sidomos gjatë luftës mbaj mend sa shpesh na vinin e shkonin emisarët politikë në atë që u njoh si “diplomacia fluturuese”.
Nuk do të ma kishte marrë mendja se 20 e kusur vjet pas çlirimit ende do të kishte diplomatë të huaj që do të vinin për të arritur marrëveshje për neve, duke u marrë vesh herë me njërin kryeqytet e herë me tjetrin. Nejse, së paku kështu është përshtypja e jashtme që fitohet nga vizita e parë e ambasadorit Grenell, në cilësinë e emisarit të Trumpit për raportin Kosovë-Serbi.
Vizita e shpejtë dhe dy lajme të rrufeshme për marrëveshje parimi për rithemelimin e komunikacionit ajror mes Prishtinës dhe Beogradit nëpërmjet një filiali të Lufthansës dhe rithemelimin e komunikacionit hekurudhor Beograd-Prishtinë (ani që Prishtina thuajse nuk ka stacion të mirëfilltë treni për pasagjerë e mallra) nuk janë punë që kryhen për një ditë a dy.
Lajmet me gjasë janë pasojë e bisedave që me siguri kanë vazhduar prapa perdeve ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit. Heshtja e gjatë e Thaçit dhe mungesa nga ekranet televizive për një kohë nuk do të ketë qenë pasojë e pushimit të zgjatur dimëror, por pikërisht vazhdimi i një negociate të pakokë dhe krye më vete që do të na kushtojë shtrenjtë po nuk u ndal ky njeri. E nuk do të ndalet përderisa nuk do të ketë Qeveri të re.
E se Thaçi tashmë ka kontakte më të shpeshta me Grenellin e dëshmon edhe përshëndetja me përqafim që ia bënë njëri-tjetrit, si dhe fjalimi i kotë në anglishte i Thaçit natën kur i shtroi darkë. Është e vërtetë se cilido zyrtar a diplomat amerikan e ndien veten si në shtëpi kur është në Kosovë, porse, megjithatë, takimet e para dinë të jenë të rezervuara dhe në nivel të komunikimit diplomatik.
Sido që të jetë, u fol shumë për një “letter of intent” – pra letër për një përpjekje, që të rikthehen fluturimet Prishtinë – Beograd, dhe të gjithë ngarendën për të thënë se ky është hap i qëlluar dhe se është hap para për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pakkush u ndal së menduari se si u bë që të arrihet te kjo “letër qëllimi”, dhe pse në këtë proces u desh të përfshihej UNMIK-u, thuajse i vdekur, dhe fusnota e famshme e Edita Tahirit.
Fusnota hala nuk u shkri
Do të duket e pabesueshme, porse kanë kaluar tashmë tetë vjet nga marrëveshja për Fusnotën, që, sipas “Fjolla” Tahirit, pati me u shkri posa të kalonte bora e parë. Dhe po kjo marrëveshje e kotë, të cilën aq shumë e kundërshtuam si mediume dhe shoqëri civile e pafuqishme, është në fakt baza për këtë letër qëllimi që e solli Grenelli si “lajmin e mirë me të cilin do të na sjellë zhvillim ekonomik”. Është mbështetur mbi një dokument që e mohon pavarësinë e Kosovës dhe shtetësinë e vet, dhe është një dokument që u është bërë shumë trysni kosovarëve që ta nënshkruajnë. Mbaj mend se në vjeshtën e 2011-s, serisë së presioneve iu shtua edhe Hillary Clinton, dhe në letrën që ua kishte nisur politikanëve kosovarë u kishte shkruar diçka përafërsisht si “a besoni se SHBA-ja do t’ju këshillonte të bënit diçka që është në kundërshtim me interesat e Kosovës”.
Mbase këshilla ka qenë qëllimmirë, porse marrëveshja dhe rezultatet e kësaj marrëveshjeje na kanë lënë edhe më të gjymtë seç kemi qenë. Kjo natyrisht, falë “lidershipit brilant” të Hashim Thaçit dhe diplomacisë së Edita Tahirit, që vazhdon ta përsërisë se ka qenë ministre e Jashtme e Kosovës, de facto e de jure, etj., për dhjetë vjet me radhë. Po ku?
Fusnota në fakt hapi rrugën për marrëveshjen e etiketave për targat e regjistrimit dhe ja tash po shihet edhe te një marrëveshjeje fluturimesh e më pas edhe të komunikacionit me trena që të lë me shumë pikëpyetje të hapura. Nëse qëllimi i Grenellit është të krijojë vende të punës dhe ta zhvillojë ekonominë, si po mendon ta bëjë atë? Nuk e di që fluturimet për në Beograd a Prishtinë mund të sjellin gjë tjetër pos telasheve. Po qe se kjo marrëveshje mbështetet mbi fusnotën e Tahirit, këto fluturime do të njihen si të brendshme për Serbinë; Serbia nuk do t’i njohë pasaportat e Kosovës, e natyrisht as shtetin.
Sa i përket marrëveshjes për transportin hekurudhor, krejt çka mund të them është se cilido tren që do të kalonte këndej me shenjën SŽ (në vend të JŽ) do të ma ringjallte traumën e para njëzet vjetësh, kur ushtria e policia serbe na qiti si qentë, të ngarkuar mbi trena, prej tokës sonë. Për Serbinë, nuk janë me rëndësi kaq shumë ato 400 milionë euro që po i qan Vuçiqi, por liria e bartjes së mallrave të veta deri të Portin e Selanikut, duke kaluar nga territori i Kosovës pa paguar asnjë tagër, ngase sërish do ta trajtonte këtë vijë udhëtimi si pronë të veten, për shkak të fusnotës.
Dhe, përderisa Serbia do të kishte çfarë të eksportonte, ne trenin do ta përdornim për eksportimin e të dëshpëruarve që do ta riaktivizonin Akropolisin e moçëm, që e lidhte Athinën dhe Munihun. Rrugës policia serbe do t’i maltretonte dhe do t’u kërkonte mitë për të kaluar tutje, siç bëjnë, falë një marrëveshjeje të marrë së cilës kush e di edhe sa kohë do t’ia vuajmë pasojat.
Me gjithë respektin për shtetin të cilin e përfaqëson Grenelli, dhe me gjithë respektin për të, për postin që mban, megjithatë, nuk mund t’i gëzohem një euforie të këtillë blickrigu - ku na thuhet harrojeni politikën e kthehuni nga ekonomia, kur pikërisht i gjithë problemi ekonomik i Kosovës e ka bazën te politika.
Instruksione?
Në takime joprotokollare dhe në ambiente jozyrtare, Grenell u takua me Thaçin, Kurtin e Mustafën pa kravatë. Nuk e dimë se për çfarë kanë folur dhe nëse u ka dhënë ndonjë këshillë në lidhje me koalicionin. Edhe nëse këtyre dy partive nuk u ka thënë gjë, ato do të duhej të shihnin se puna e dialogut me Serbinë po ecën pavarësisht vendimit të Kushtetueses dhe se aty Thaçi i ka marrë titimikat në dorë.
Ajo që doli në pah në takim me gazetarët pas takimeve qenë dy kërkesa: ne e heqim taksën, e ata e ndalin fushatën për çnjohje. Doli edhe “zhvillimi ekonomik”, me dy marrëveshje eventuale që e vënë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës dhe që, nëse duhet bazuar në mediumet serbe, përfshijnë edhe shkëputjen e veriut nga Kosova. Kjo e fundit, natyrisht, edhe një nga “zgjidhjet fenomenale politike” të Hashim Thaçit me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit dhe idesë së sëmurë të këmbimit të territoreve që në prapavijë të thellë do të mund ta kishte “Trepçën”, dhe jo për interes të Kosovës.
Sido që të jetë, Grenelli e tha se nuk ka ndonjë afat brenda të cilit duhet të arrihet marrëveshja me Serbinë, me ç’gjë u demantua ajo që gjithmonë e përsëriste Thaçi: se marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejt brenda këtij apo atij afati.
Nuk e di se çfarë do të ndodhë me këtë proces që u riaktivizua tash, porse e di se pa Qeveri të re dhe pa kërcënimin e drejtpërdrejtë nga Specialja, bisedat mes Thaçit dhe Vuçiqit nuk do të ndalen, edhe pavarësisht zgjedhjeve të ardhshme në Serbi.
* * *
Shpresa për koalicionin nuk ka vdekur ende, dhe atë po a e mban gjallë deklarata e Vjosa Osmanit se për fundjavë do të ketë takim mes kryetarëve të partive dhe se “ekziston madje edhe qëllimi që të tejkalohen mosmarrëveshjet”.
Duket se nëse ka diçka që do ta detyrojë LDK-në që të lidhë marrëveshje me VV-në janë sondazhet interne të partive që po tregojnë rënien e numrave sidomos në anën e LDK-së.
Opsionet për LDK-në janë se ose hyn në koalicion me VV-në; ose ia jep votat Qeverisë së pakicës të përbërë vetëm nga VV-ja dhe pakicat; ose e mbërrin marrëveshjen me AAK-në dhe NISMËN plus minoritetet, plus Lista Srpska për ta marrë pushtetin.
Opsioni i parë do të ishte më i pëlqyeshmi për të gjithë, pos atyre që janë duke e parandaluar formimin e saj tani; i dyti do të nënkuptonte një qeveri që do ta kalonte tutje buxhetin dhe që do të binte me mocion mosbesimi, e për pasojë do të shkohej në zgjedhje; varianti i tretë do të ishte vazhdimi i krejt kësaj të keqeje që e kemi pasur deri tash, dhe tentativëvetëvrasja e dytë politike e LDK-së.
Por, esenca e gjithë kësaj është se për shkak të politikës së keqe mbetëm me ekonomi të keqe. Me politikë të keqe do të mbesim pa ekonomi fare.