Ndërsa kemi hyrë në një vit sfidash politike në nivel global dhe një vit zgjedhor në Kosovë, ende pak vëmendje vazhdon t’i kushtohet ekonomisë. Në programet e tyre zgjedhore, partitë politike vazhdojnë të ofrojnë zgjidhje të vjetra, për sfidat e vjetra. Arsyeshmëria e qeverisjes ekonomike mungon, përderisa “zgjidhjet” mbeten të orientuara drejt shpërndarjes populiste të parave të taksapaguesve. Për shembull, qeveria kohët e fundit shpërndau 100 euro për person, për fëmijët dhe të moshuarit.
Masa të tilla ndjekin parimin e ashtuquajtur "Scattergun" (parimi i armës së gjahut), një qasje kaotike që shpërndan burimet gjerësisht dhe pa dallim, në vend që të synojë fushat e rëndësisë strategjike. Absurdi i kësaj qasjeje është se për të nuk nevojiten as politikat ekonomike, as aparati qeverisës; mjafton një sekretar i thesarit që e ka listën se kujt duhet t’i shpërndahet buxheti një herë në vit. Me kaq, storia e qeverisjes ekonomike merr fund. Këtyre “zgjidhjeve” alla Scattergun, që janë aplikuar edhe nga qeveritë e kaluara, u mungon efikasiteti për të adresuar sfidat e thella strukturore të ekonomisë dhe krijimin e një vizioni afatgjatë.
Ekonomia e Kosovës ka bërë përparime të dukshme që nga shpallja e pavarësisë më 2008, me të ardhurat për kokë banori që janë rritur me gati 50%, ndërsa norma e varfërisë është ulur me 35%. Këto arritje pasqyrojnë një përparim të qëndrueshëm, por ato fshehin dobësi të thella që kërcënojnë rritjen dhe stabilitetin. Për më tepër, Kosova vazhdon të mbetet një ndër vendet më të varfra në glob.
Furnizimi me energji – një krizë e pazgjidhur
Një ndër sfidat më të mëdha që nga përfundimi i luftës mbetet furnizimi me energji. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, infrastruktura energjetike mbetet e vjetruar dhe e paaftë për të mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme. Kosova ka dështuar që, në bashkëpunim me partnerët e saj, të ndërtojë kapacitete të reja me qymyr apo të bëhet një qendër e shpërndarjes së gazit LNG. Një vizion afatgjatë, që mund të kombinojë burimet ekzistuese me projekte të reja të gazit apo energjisë nukleare, vazhdon të mungojë.
Ndërprerjet e shpeshta të rrymës dhe kostoja e lartë e importit rëndojnë mbi buxhetin shtetëror, pra mbi qytetarët dhe bizneset, duke kufizuar aftësinë konkurruese të sektorit privat dhe duke minuar besimin e investitorëve. Kjo gjendje ka krijuar një rreth vicioz të zhvillimit të ngadalësuar, që po e pengon Kosovën të shfrytëzojë potencialin e saj.
Varësia nga diaspora
Rritja ekonomike e Kosovës mbetet e varur nga vullneti i diasporës për të dërguar para, për të kaluar pushimet në vendlindje apo për të investuar në pasuri të paluajtshme. Në vitin 2023, dërgesat arritën në 1.5 miliardë euro, ndërsa investimet e huaja direkte ishin 844 milionë euro, të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe jo në sektorë produktivë.
Liberalizimi i vizave ka rritur migrimin dhe ka devijuar resurset financiare jashtë vendit. Ndërsa, mbi një çerek miliard euro janë investuar në kapacitetet mbrojtëse vetëm më 2024 – një hap i rëndësishëm dhe për t’u përkrahur – por që njëkohësisht devijon burime financiare nga nevojat sociale dhe ekonomike.
Një treg pune i paqëndrueshëm dhe kriza në arsim
Papunësia ka rënë nga 20.7% në 2021 në 11.5% në 2023. Megjithatë, ky përmirësim kryesisht pasqyron migrimin dhe jo zhvillimin ekonomik. Tregu i brendshëm i punës mbetet i paaftë për të absorbuar talente të reja dhe për të nxitur aktivitetin ndërmarrës. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përballen me kufizime serioze në qasje në financa, tregje dhe energji, duke penguar rritjen dhe inovacionin. Deficiti tregtar – i nxitur nga varësia e tepruar nga importet – thekson dobësitë strukturore të ekonomisë.
Sistemi arsimor i Kosovës mbetet një pengesë madhore për zhvillimin ekonomik. Shkollat tona vazhdojnë të renditen afër fundit në vlerësimet e PISA-s, duke mos i pajisur nxënësit me aftësitë më bazike, e aq më pak me ato të nevojshme për ekonominë moderne. Pavarësisht rritjes së pagave të mësimdhënësve dhe investimeve në infrastrukturë, reformat arsimore mungojnë në agjendën kombëtare. Pa një forcë pune të kualifikuar, sektori privat është i paaftë të inovojë dhe të përshtatet, ndërsa migrimi – pa kthim të trurit – përkeqëson gjendjen edhe më tej.
Rruga përpara
Sfidat e Kosovës janë të qarta: modeli i rritjes ekonomike është i brishtë, sistemi arsimor është i dobët dhe sektori privat përballet me barriera të shumta për transformim. Për më tepër, kriza e pazgjidhur energjetike kufizon seriozisht potencialin ekonomik dhe stabilitetin social. Pa reforma serioze në arsim,një vizion strategjik për energjinë dhe përpjekje për të diversifikuar ekonominë, Kosova rrezikon të mbetet e dobët dhe e mbyllur në kurthin e varfërisë.
Rruga përpara është e vështirë, por jo e pamundur. Me një popullatë ende të re, resurse natyrore të bollshme, diasporë aktive dhe pozitë të lakmueshme strategjike, Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm. Ekonomia e saj duhet të drejtohet drejt sektorëve globalisht të rëndësishëm si digjitalizimi, inteligjenca artificiale, resurset natyrore dhe “nearshoring”. Me rritjen e krizave gjeopolitike dhe nevojën për të afruar zinxhirët e furnizimit, Kosova mund të bëhet një partner i vlefshëm për kompanitë evropiane që synojnë zhvendosjen e prodhimit më afër tregut të vet.
Një fokus serioz në reformat e domosdoshme mund të shndërrojë këtë potencial në një ekonomi që ofron zhvillim dhe shpresë. Në vend të qasjeve kaotike alla Scattergun – për të mbetur në këtë përshkrim marcial – Kosovës i duhen veprime të menduara dhe të sakta, si ato të një shigjetari preciz që godet mollën mbi kokë. Por për këtë, së pari, duhet përcaktuar qartë caku, pastaj duhet gjetur shigjetarët e duhur – profesionistë të zotë që godasin me siguri dhe shmangin dëmet anësore.