Pse Serbia e luan këtë lojë, ajo gjë mund të kuptohet e edhe të "arsyetohet" në atë logjikën se si ata i mbrojnë interesat e tyre, por përse Edi Rampa hyn në këtë valle aq të dëmshme qoftë për Shqipërinë e qoftë për Kosovën shkon përtej imagjinatës sime. Pse duhet Shqipëria të bëhet pjesë e lojërave dhe pazareve serbe me Rusinë, Kinën, Evropën dhe Amerikën? A nuk duhej që prioriteti i Shqipërisë të ishte dhe të mbetej integrimi evropian? Obligimet të cilat Shqipëria i ka marrë mbi vete për t’u bërë pjesë e atij organizimi politiko-ekonomik. Pse duhet Shqipëria të bëhet vegël e shantazheve serbe ndaj partnerëve të saj ndërkombëtarë në të ardhmen? Qytetarët e Shqipërisë e kanë lëvizjen e lirë me shtetet e BE-së. Cila na qenka lëvizja e lirë me Serbinë, e cila na qenka aq jetike, përveç në lojërat e pista serbe dhe ngritjen e çmimit të pazareve të tyre ndërkombëtare me lojtarët dhe interesat e mëdha politike të vendeve, të cilat i përmenda më herët? Edi Rampa jo vetëm që ka shënuar autogol, por e ka qitur edhe Kosovën në pozitë jashtë loje
"Është gjë e kollajshme të hapësh një dyqan, por ta mbash atë të hapur është tjetër gjë". E fillova ditarin tim me këtë proverb të vjetër kinez për t’i rikujtuar edhe ortakët e “OPEN Balkan” se edhe për ta vlen po e njëjta maksimë.
Do të më thoni ju: "Po, more ambasador, ku kanë ata kohë të merren me çka thua ti në ditarin tënd".
- Jo mor jahu, ata nuk e kanë atë kohë, por shërbimet e inteligjencës për çfarë ju duhen? Çfarë pune bëjnë ata? Dikush duhet përcjellë edhe shtypin e edhe mediet dhe të analizojnë se çfarë thonë fqinjët e tjerë e çfarë thonë vëllezërit e motrat.
Në këtë mënyrë analizohen perceptimet, pritshmëritë e ndërlidhura me vendime të ndryshme qeveritare dhe politikanësh në raport me masat e popullit brenda e jashtë vendit. Me disa komanda të thjeshta në llogarinë e Googles dhe me futjen e disa fjalëve kyç, të cilat i përcakton përdoruesi në mënyrë automatike, Google shikon dhe hallakat mbarë internetin për të gjetur përdorimin e atyre fjalëve kyç të përcaktuara nga përdoruesi në llogarinë e tyre në platformën e Googles dhe që më pas njoftimet të shkojnë në e-mail llogarinë e përdoruesit 24/7.
Teknologjia dhe automatizimi i proceseve kanë arritur larg, mirëpo se sa njerëzit i shfrytëzojnë ato për avantazhin e tyre dhe lehtësimin e përditshmërisë së jetës së tyre është një gjë tjetër.
Atëherë vjen pyetja juaj e logjikshme e ndërlidhur me fillimin e këtij ditari. Pse qenka lehtë për ta hapur “Open Balkan”, por qenka e vështirë për ta mbajtur atë të hapur?
- Për fillim 3 nga gjashtë vendet e parapara që të ishin pjesëmarrëse të këtij projekti, si Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, e kundërshtojnë këtë projekt, përderisa Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë nënshkrueset e këtij projekti.
Tashmë nga shkrime të shumta autoriale qofshin ato ndërkombëtare apo vendore e kemi kuptuar se ky projekt idenë e origjinës e ka nga vetë presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ky me shumë dinakëri ua mbështolli dhe ua prezantoi këtë projekt fqinjëve të tij. Taktika e tij ishte ta hedhësh një gur dhe t’i mbytësh dy zogj apo tre përnjëherësh. Si do të arrihej kjo gjë pyeteni?
- Nga aspekti ekonomik u tha shumë herë tashmë nga burime dhe ekspertë të shumtë se ekonomia serbe në krahasim me 5 vendet e tjera pretenduese të projektit “Open Balkan” është shumë më e zhvilluar dhe superiore. Pra qarkullimi dhe penetrimi i mallrave serbe vetëm sa do ta mbulonin dhe saturonin tregjet e këtyre vendeve fqinje edhe më shumë duke ua pamundësuar prodhuesve vendorë konkurrencën dhe duke arsyetuar llogarinë e prodhimit vendor.
- E treta do të ishte se Serbia do ta arrinte daljen në det me mjete paqësore, diçka të cilën ajo nuk ia arriti as me luftërat gjenocidale, të cilat i nxiti nëpër trojet e ish-Jugosllavisë. Mallrat e ndryshme, të cilat do t’i importonte Serbia nga vendet e largëta e që do të vinin nëpërmjet Portit të Durrësit do të vinin sikur në bahçe të babës. "Kali qorr e kullot livadhin e budallës", thotë një thënie e vjetër pellazge.
- Përfitimi i katërt, të cilin Serbia do ta arrinte në raport me fqinjët do të ishin neutralizimi i Kosovës dhe "normalizimi" i raporteve me të pa kurrfarë marrëveshjeje paraprake politike. Fundja Kosova në këtë projekt do të përfundonte vetëm si importuese mallrash, vend transiti i kamionëve të Serbisë që në vajtje për tregun e Shqipërisë do të dërgonin mallra të ndryshme dhe në kthim për në Serbi nga portet e Shqipërisë do t’i sillnin mallrat e nevojshme për tregun serb nga vendet e largëta. Në tavolinat e bisedimeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tashmë Serbia në dorën e saj do të kishte letrën e "normalizimit" të raporteve. Për çka do të duheshin marrëveshjet politike?
Në çdo marrëveshje ekonomike në botë, qoftë ajo edhe në marrëveshjen e Unionit Evropian, ajo është e paraprirë nga marrëveshjet politike fillimisht. Edhe dalja e Britanisë së Madhe nga Unioni Evropian me rastin e BREXIT-it u "përmbyll" së pari me marrëveshjen politike të re midis BE-së dhe Britanisë së Madhe e pastaj me marrëveshjen e re ekonomike ku secila palë është munduar që t’i mbrojë interesat e saja ekonomike në maksimum.
Pse Serbia e luan këtë lojë ajo gjë mund të kuptohet e edhe të "arsyetohet" në atë logjikën se si ata i mbrojnë interesat e tyre, por përse Edi Rampa hyn në këtë valle aq të dëmshme qoftë për Shqipërinë e qoftë për Kosovën shkon përtej imagjinatës sime.
Pse duhet Shqipëria të bëhet pjesë e lojërave dhe pazareve serbe me Rusinë, Kinën, Evropën dhe Amerikën?
A nuk duhej që prioriteti i Shqipërisë të ishte dhe të mbetej integrimi evropian. Obligimet të cilat Shqipëria i ka marrë mbi vete për t’u bërë pjesë e atij organizimi politiko-ekonomik. Pse duhet Shqipëria të bëhet vegël e shantazheve serbe ndaj partnerëve të saj ndërkombëtarë në të ardhmen.
Qytetarët e Shqipërisë e kanë lëvizjen e lirë me shtetet e BE-së. Cila na qenka lëvizja e lirë me Serbinë e cila na qenka aq jetike, përveç në lojërat e pista serbe dhe ngritjen e çmimit të pazareve të tyre ndërkombëtare me lojtarët dhe interesat e mëdha politike të vendeve, të cilat i përmenda më herët.
Edi Rampa jo vetëm që ka shënuar autogol, por e ka qitur edhe Kosovën në pozitë jashtë loje.
Po mirë, ore Edi Rampa! Si nuk arritët që gjithë këto mandate të bëni asgjë të përbashkët me Kosovën? As tregun, as arsimin, as shëndetësinë, as sportin, përveç një lëvizjeje të lirë me pagesë në traun e koncesionerit privat me çmim prej 5 eurove.
The se rrugët kërkojnë mirëmbajtje dhe normal mëshoji kosovarit. Por ne nuk e shesim Shqipërinë për ato 10 euro (vajtje-ardhje). Ne vazhdojmë që ta vizitojmë atë, t’i shijojmë bukuritë natyrore të saj, si dhe bregdetin, dhe ne ishim ata që e mbajtëm dhe vazhdojnë ta mbajmë turizmin shqiptar të gjallë ndër vite. Ka edhe turistë të ligj në mesin tonë, ka edhe nikoqirë të ligj në mesin tuaj, gjëra të cilat ndodhin në një industri aq të përhapur dhe secili pyll i ka derrat e vet.
Por disa raste të izoluara tek-tuk assesi nuk i përcaktojnë as dashurinë, as respektin e as afërsinë që ne i kemi me njëri-tjetrin.
Po kur një kryeministër i shqiptarëve sillet sikur një taravol që sapo u zgjua nga gjumi dhe kërkon që mos të merremi me të kaluarën, por të shikojmë nga e ardhmja. Të vetmen rilindje të cilën ti e arrite është që vampirëve klerofashistë serbë po ua mundëson ato, të cilat ata as me lufta gjenocidale nuk mundën që t’i fitonin gjëkundi.
Po lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave është një gjë e duhur dhe normale, por vetëm me fqinjë normalë, të cilët fillimisht do të pendoheshin për një të kaluar të llahtarshme, të cilën ua shkaktuan fqinjëve të tyre, motrave e vëllezërve të tu, e të cilën ti me aq lehtësi e sugjeron që ajo të harrohet. Njëjtë, siç po e kërkon edhe po ai i njëjti kriminel, i cili i shkaktoi ato krime.
Dy grushte në shpinë të dikujt tjetër medoemos se nuk të shkaktojnë ty dhimbje.
Tani diçka shumë personale nga ana ime Edi Rampa.
Ajo gjë u shndërrua në përçarje përbrenda familjarëve të mi, gjë për të cilën unë asnjëherë as që jam pishman. Isha kategorikisht kundër rivarrimit të stërgjyshit tonë Isa Boletini në Vlorë, jo se ai nuk do ta meritonte atë gjë, por se ti dhe Hashim Thaçi e bënit atë gjë puro për interesat dhe poenët tuaj politikë të çastit. Nuk e përjashtoj as mundësinë që asaj loje mund t’i ketë hyrë edhe ndonjë familjar i imi për ndonjë përfitim të vetin.
Unë e bëj gjumin e rehatshëm kur e di që një matrapaz sikur ti e edhe sikur ai tjetri nuk u lejuat fare që të ndërlidheni e aq më pak ta ndotni emrin dhe veprimtarinë e tij për kalkulimet tuaja politike.
Por, në anën tjetër, në raport me figurën e Isa Boletinit, në provimin historik kanë rënë edhe kryeministri Kurti e edhe presidentja Osmani.
Por ato le të mbeten diçka që secilit i shkojnë për nder të vetin.
Figurën e Isa Boletinit nuk mundet ta madhërojë asnjë politikan e as ndonjë sharlatan, i cili ia mban fotografinë e tij në zyrë.
Isën e kanë madhëruar vepra dhe patriotizmi i tij të dëshmuara deri në vdekje.
Juve politikanëve u mbetet të mendoni se ku edhe në çfarë mënyre t’i fitoni edhe ca vota të tjera për të vazhduar së uluri prapanicat tuaja në kolltukët e butë të hyqymetit.
P.S. Kryeministër Albin Kurti,
Ata tre librat, të cilët ia dhurove Vuçiqit në Bruksel, por që nuk t’i pranoi urgjentisht, nisja me DHL kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rampës.