Në ditët e para të 2023-s, Shqipëria bëri historinë si vendi i parë i rajonit që lëshon në orbitë dy satelitë. Kjo tregon se kryeministri Rama është i obsesionuar me hapësirën. Por, kur të flasë për “shtetin vëllazëror”, për veriun e banuar kryesisht me serbë dhe për dialogun Kosovë-Serbi, nuk duhet të flasë si një UFO, si dikush që jeton jashtë orbitës. Sa më pak që flet për këto tema, aq më shumë i ndihmon Kosovës
Ditën kur kryeministri i Shqipërisë vuri gishtin mbi “butonin e sanksioneve” ndaj Kosovës duke kumtuar se shkaku i tensioneve në veri po e anulonte një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, dha një justifikim për vendimin. Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, tha se nuk ekzistonin kushtet për ta bërë një mbledhje si UFO-t, shprehje kjo që e përdori për jashtëtokësorët. “Shqipëria nuk është UFO, të paktën”, tha me plot gojën Edi Rama, dhe përsëriti se qëndrimi i tij ndaj Kosovës është dhe do të mbetet në linjë me komunitetin euro-atlantik.
Këtë javë Rama tregoi se për herë të parë në 10 vjetët e fundit nuk është linjëzuar me BE-në, duke mos e mbështetur deklaratën që kritikon Kosovën, meqë mungoi një deklaratë pasuese për ta dënuar Serbinë për ditën e zisë që mbajti, në shenjë nderimi për terroristët e vrarë gjatë sulmit që i bënë Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Brenda definicionit të tij, ky moslinjëzim e bën UFO Ramën.
Por, jo.
Ka një tjetër gjë që e bën me cilësitë e jashtëtokësorit atë: Mosnjohja e Kosovës. Ai di, ose bëhet që di për realitetin politik e të sigurisë në Kosovë, sikur të ishte kryeministër në një planet tjetër, a në një galaktikë tjetër. Se kryeministri i Shqipërisë është me vite drite larg njohjes së këtij realiteti, tregon qasja që ka shprehur për tri çështje me peshë.
***
Rama në vazhdimësi ka amnistuar Serbinë nga hisja që ka në veprimet e demonstruara në veri për minimin e shtetësisë së Kosovës. Të gjithë peshën e fajit për tensionet e fundmajit, ia gjuajti kryeministrit Albin Kurti. Dhe, u bë si i verbër edhe kur Serbia dislokoi forcat e saj ushtarake rrëze kufirit. Mendja “e kthjelltë” e Ramës thoshte se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçuiq, as në cepin më të largët të mendjes së vet dhe as në ëndrrën e tij më kurajoze nuk mendon se mund të futet një ushtar serb një metër brenda kufirit të Kosovës. Shfaqi siguri për këtë.
“Nuk i çon për t’i mbrojtur serbët në Kosovë, por për të mbrojtur shpirtin nacionalist të serbëve në Beograd dhe në Serbi”, tha Rama, gjatë një konference të jashtëzakonshme shtypi në qershor. “Për ça këndojnë ushtarët në kufi ‘Kosova është jona’? Për ça? Këndojnë për ata që i dëgjojnë në Serbi. Këngë mitingu, pa asnjë lloj lidhjeje”.
Një javë më pas, e demantoi Serbia. Kidnapoi tre policë kufitarë të Kosovës, jo një metër, por rreth një kilometër brenda territorit.
Ok, Rama nuk ka mundur të dinte për atë që do të pasonte. Por, para se ta prezantonte këtë realitet, pati shumë zhvillime. Ai e dha konstatimin, pak ditë pasi grupe të organizuara serbësh përreth objekteve komunale në veri, sulmuan edhe me armë pjesëtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës, sulmuan gazetarë e kameramanë dhe dogjën automjete zyrtare e të mediave, sulmuan jo pak civilë shqiptarë e edhe serbë luajalë të shtetit të Kosovës. I tha këto, disa kohë pasi autoritetet e Kosovës publikuan pamjet që tregonin se si serbë të maskuar shpërndanin armë në pikë të ditës në qytetin e Mitrovicës Veriore. I tha të gjitha, pasi Milan Radoiçiq shpërndau një videomesazh nga malet e veriut, nëpërmjet të cilit paralajmëroi rezistencë. Dhe, vlerësoi kësisoj edhe pasi Vuçiq përmendi uniformat, tek fliste në Kuvendin e Serbisë, e madje edhe pasi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së la mesazhin se shteti që e drejton ka të drejtë ta luftojë pavarësinë e Kosovës, po aq sa Ukraina territoret e pushtuara nga Rusia.
Fqinji verior atëkohë ka pasur 48 baza ushtarake përreth kufirit me Kosovën. Por, kryeministri i Shqipërisë përsëriti se Serbia “nga viti 1999 nuk është kërcënim për Kosovën”.
***
NATO-ja, SHBA-ja dhe BE-ja u alarmuan këtë javë pas sulmit mbi Policinë e Kosovës që kreu grupi paraushtarak i serbëve, me logjistikë të ushtrisë së Serbisë. U vendos të shtohen trupat në Kosovë dhe ta përforcojnë kufirin dhe njëkohësisht iu bë thirrje Beogradit ta tërheqë ushtrinë nga kufiri.
E Rama – që më 6 qershor vlerësoi se ka “zero kërcënim” për Kosovën, që “kërcënimi është vetëm në mendjet e politikanëve në Kosovë” dhe që “është vetëm një mënyrë për të bërë politikë të brendshme duke bërë hijen e një kërcënimi që nuk ekziston” – tani kërkoi diçka tjetër, nga ajo që kërkoi komuniteti euro-atlantik. Të enjten bëri thirrje që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ta marrë kontrollin në veri. Pra, jo ta përforcojë vetëm kufirin me Serbinë, por ta marrë kontrollin në veri. Paradoksalisht, një kërkesë që paraprakisht e shtroi Vuçiq.
Tamam si një UFO, që vjen nga gjithësia, e që nuk e ka haberin se në rajonin me katër komuna me shumicë serbe, Policia e Kosovës ka mandatin e reaguesit të parë, pra para misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, dhe para misionit ushtarak, KFOR. Këtë mandat Policia e ushtron edhe sot. Dhe, falë këtij mandati neutralizoi grupin paraushtarak të Serbisë, të dielën e 24 shtatorit.
Nuk janë bërë as katër muaj prej kur Rama dha qëndrim konfrontues me këtë të tashmin. Tek argumentonte nevojën që Kosova të sprapsej nga veprimet për ta shtrirë rendin e ligjin në veri, alarmoi se ndërkombëtarët do ta humbin durimin, e do ta marrin kontrollin në gjithë veriun. Kjo, sipas tij, do të nënkuptonte një “lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin” dhe ironizoi duke thënë: “ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës”.
Kryeministri i shtetit siç do ai ta quajë vëllazëror të Kosovës, tani kërkon “Republikë të KFOR-it”, nëpërmjet thirrjes që ky mision ta marrë kontrollin në veri. Dhe, kjo nuk përbën “linjëzim” me komunitetin euro-atlantik. Ditën kur ndodhi sulmi në Banjskë, SHBA-ja tha se Policia e Kosovës ka përgjegjësi e legjitimitet të plotë për zbatimin e sundimit të ligjit sipas Kushtetutës dhe ligjeve dhe se e njeh dhe e respekton rolin e saj si reagues i parë në situata emergjente dhe krize. Britania e Madhe, ndërkaq, përpos që ia njohu këtë rol Policisë, theksoi se “institucionet e Kosovës duhet të lejohen të hetojnë dhe të identifikojnë autorët e këtij sulmi të tmerrshëm, në mënyrë që ata të sillen para drejtësisë”.
***
Ka muaj që Rama beson se e ka gjetur terapinë për ta sjellë paqen, nëpërmjet zgjidhjes së ngërçit të dialogut. Në recetë ka përshkruar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas versionit të kryeministrit të Shqipërisë, ka veç dy njerëz që janë të painteresuar për Asociacionin – kuptohet, fjalën e ka për Kurtin e Vuçiqin – por se të dy në këtë pikë, sipas tij, janë bashkë, jo se janë marrë vesh, por se janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet. “Pse”, e shtroi pyetjen Rama. “Sepse për mënyrën se si e kanë të ndërtuar politikën e brendshme u duhet armiku i jashtëm”, iu përgjigj ai vetes.
Veç një jashtëtokësor mund ta lexojë kaq gabueshëm situatën dhe të mendojë se Asociacioni është gjëja që e zhbën në Kosovë e edhe në Serbi figurën e armikut imagjinar. Sikur ai të krijohet, bien armiqësitë – na thotë Rama.
Bien, për aq sa kanë rënë në Bosnjë. Fillimisht asociacion, pastaj republikë. Tash Republika Srpska edhe zyrtarisht kërkon të pavarësohet nga Bosnja.
Përkundër këtij zhvillimi dramatik në rajonin tonë që Rama e synon ta luajë protagonistin, ai sponsorizoi një draft të Statutit të Asociacionit. E përcolli në Berlin, Paris e Bruksel, pa e konsultuar fare homologun e tij të “shtetit vëllazëror”, pra Kosovës.
Dokumenti mbetet sekret akoma. E, bazuar në referencat që ai ka përmendur, jo pak shqetësime ngrihen. Tregues më i mirë se Rama nuk ka njohje as bazike të problemit, janë referencat që përdor si “komunat serbe” për komunat me shumicë serbe apo “Asociacioni i komunave serbe” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Dhe, relativizoi rrezikun nga asociacioni duke thënë se Statuti adreson çështjen e menaxhimit me arsimin e shëndetësinë. Me këtë tregon mosnjohje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit nuk janë kushtetuese objektivat e Asociacionit që kanë të bëjnë me “ofrimin e funksioneve dhe shërbimeve publike” dhe ato që parashohin “ushtrimin e vështrimit të plotë”, posaçërisht në fushat e “zhvillimit të ekonomisë lokale, të edukimit, të kujdesit shëndetësor primar dhe sekondar, si dhe të planifikimit urban”.
***
Në ditët e para të 2023-s, Shqipëria bëri historinë si vendi i parë i rajonit që lëshon në orbitë dy satelitë. Kjo tregon se kryeministri Rama është i obsesionuar me hapësirën. Por, kur të flasë për “shtetin vëllazëror”, për veriun e banuar kryesisht me serbë dhe për dialogun Kosovë-Serbi, nuk duhet të flasë si një UFO, si dikush që jeton jashtë orbitës. Një disk fluturues do të kryente shërbim të madh, sikur ta kapte e ta çonte sa më larg këtyre temave. Sepse, sa më pak që flet për to, aq më shumë i ndihmon Kosovës.