Brenda afatit të skadimit
Gjërat kanë afatin e tyre të skadimit. Qumështi, buka, djathi, mjalti, uji, të gjitha kanë një afat. Thënia vera sa më e vjetër aq më e mirë, nuk vlen për çfarëdo lloj vere, por vetëm për ato që ruhen në kushte specifike e shpesh mund të dalë e prishur. Një nga detyrat e qytetarit të sotëm është pikërisht kujdesi ndaj afatit të skadimit. Leximi i etiketave të mallrave, kontratave, deadline-ve. Jeta brenda kufirit të deadline-ve është luftë me kohën, me gjërat që shtyhen të zënë vendin e prioriteteve, me njerëzit që shtyhen të zënë vendin e prioriteteve, të cilët të duhet pastaj t’i seleksionosh, në një mënyrë apo në tjetrën.
Edhe njerëzit kanë afat. Jo vetëm në kuptimin kohor në këtë botë, por edhe në kufirin kohor me njëri-tjetrin. Ne nuk e shkruajmë afatin e skadimit të miqësisë në raportet tona me njëritjetrin, por kemi nuhatje aq të sofistikuar sa ta ndiejmë kur fillon t’i vijë era. Largohemi ngadalë, pa zhurmë, në rastin më qytetar. Romakët antikë kishin kontrata të qarta për martesat për shembull, ato prisheshin shumë lehtë kur ndonjë nga kushtet nuk plotësohej. Kontrata martese kemi edhe sot, por ndryshe nga romakët, ato i nënshkruajmë pa afat skadimi. Derisa vdekja të na ndajë.
Të kesh aftësi t’u përmbahesh afateve është mençuri. Njeriu i mençur ka vetëdije të plotë se e gjithë jeta e tij është e kombinuar brenda qindra e mijëra afateve, të cilat vdesin njëra pas tjetrës, pa marrë parasysh vullnetin e tij. Vetëm njeriu i mençur e di se e vetmja gjë që vlen brenda këtyre afateve është kryerja me sukses e detyrave. Tek e fundit askush nuk na njeh apo na mban mend për atë si jemi apo si mund të jemi, por vetëm për atë që bëjmë. Këtë e kemi shumë të lehtë ta kuptojmë kur flasim për figurat historike. Neve nuk na intereson apo nuk dimë për jetën intime të Ismail Qemalit apo Hasan Prishtinës për shembull, nëse ato nuk janë bërë objekt rrëfimi intrigues nga ndonjë letrar i talentuar si mund të ndodhë me Ali Pashë Tepelenën. Megjithatë, figurat e tilla janë shumë më të rralla e aq të romantizuara, saqë vështirë është të dallojmë realitetin nga fiksioni.
Gjuhët e kohës
Koha flet vetë, me gjuhët e saj, të cilat shpesh vijnë si uragane në bregun e harruar. E pamë këtë pak ditë pas vdekjes së George Floyd, ku pa asnjë regji politike, pa asnjë organizim të mirëfilltë, me një intensitet përvëlues u shkulën, u shkatërruan e u shëmtuan dhjetëra statuja nëpër botë. U kishte kaluar afati.
Dhjetëra ikonave të një supremacie të bardhë, që kishin bërë një jetë relativisht të gjatë si njerëz prej guri, u erdhi koha të rrafshoheshin. Që nga USA, Britania e Madhe, Belgjika e deri në Itali vala e rebelimit ndaj krenarisë së bardhë u zbraz mbi figura të konsideruara nga më të rëndësishmet në histori. Matthew Fontaine Maury, komandant i Marinës së konfederatës, J. E. B. Stuard, komandant i kavalerisë së jugut, Robert E. Lee, komandant i ushtrisë së jugut apo Jefferson Davis, president i konfederatës ishin vetëm disa nga plejadat e gjeneralëve e komandantëve të rrëzuar në mënyrën më nënçmuese. Ndonjë me litar në fyt e tërhoqën derisa e hodhën në lumë. Këtij poshtërimi nuk i shpëtoi as vetë zbuluesi i Amerikës, Cristoforo Colombo. Edhe pse debati ndaj tij kishte vite që kishte filluar, aq sa 13 shtete e kanë zëvendësuar ‘Columbus day’ me ditën në kujtim të persekutimeve të amerikanëve vendas. Nuk shpëtuan as presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, George Washington, as presidenti Thomas Jefferson, autori i thënies: “Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”, që përbën thelbin e identitetit amerikan, as Ulysses Grant, Andrew Jackson, Theodore Roosevelt mbi kalë me një
afroamerikan e një amerikan vendas te këmbët, as gjenerali Winston Churchil, i konsideruar heroi i Luftës së Dytë Botërore, as mbreti Leopoldi II për mizoritë e kryera në Kongo, as Edward Colston, Idro Montanelli, Voltaire e deri te Gandhi.
Pse luftohen statujat?
Shkurt, lufta kundër statujave është luftë kundër asaj çfarë ato simbolizojnë apo çfarë kanë lënë në kujtesën kolektive, është stuhi në bregun në dukje të qetë, që ngre krye kundër pabarazisë e diskriminimit, kundër shtypjes e shfrytëzimit. Sado i pakuptimtë të duket ndonjëherë rebelimi kundër tyre është një dukuri konstante në shoqëri. Rrëzimi i Enver Hoxhës nga sheshi dhe tërheqja e tij rrugëve të Tiranës shënjoi thyerjen e diktaturës në Shqipëri dhe u bë simbol i një epoke të re që aspironte lirinë e demokracinë. Por ai ishte momenti i fundit që i lamë hesapet me kohën. Tashmë ne jemi në fazën e mbjelljes.
Mbjellim buste për njerëz me detyra shtetërore a private, për luftëtarë e njerëz të nderuar, kuptohet, kryesisht janë burra. Gratë nuk duken mirë në bronz. Madje si mos më keq duken edhe burrat. Në gjithë këtë fazë euforie të mbjelljes kemi parë se edhe nga njerëz të bukur mund të lindin monumente të shëmtuara. Me gjithë respektin për ta, e shëmtuara nëse nuk të bën për të qeshur, të vret sytë, nuk mund të mbulohet. Kësaj shëmtie nuk i shpëtuan as personalitetet amerikane, ndaj të cilëve jemi gjithmonë të fascinuar. Dora e stërmadhe e Clintonit në ajër mjafton për ta përmbledhur shëmtinë. Nuk na mjaftoi shëmtia që iu bëmë plot komandantëve e luftëtarëve, të cilët i mbollëm me pamje groteske ngado. Dëshira për të mbjellë buste na është kthyer në mani, një bustomani e pakontrollueshme, ku njerëzit përfundojnë në bronz pa pritur e pa kujtuar. Para pak ditësh, ish-presidenti milioner Pacolli na buzëqeshte i nxirë nga bronzi i Sarandës.
Pacolli i vërtetë krenohej me të i ngazëlluar. Çfarë kënaqësie duhet të jetë ta shohësh veten ashtu, unë nuk e di, ashtu si nuk e di se çfarë mund të ketë bërë Pacolli për Sarandën përveçse ndonjë shëtitje me jaht? Ndoshta edhe aq mjafton për një bust në vende ku planifikimi i monumenteve të tyre bëhet pa asnjë diskutim profesional a publik, pa asnjë plan urbanistik. Statujat janë bërë për t’u parë nga të gjithë. Ato bëhen për njerëz, idetë e të cilëve mishërohen nga qyteti, i cili i bën pjesë të trashëgimisë. Gazetari Gary Younge më 2002 shkruante: Për të qenë të vlefshme, statujat duhet t’i rezistojnë kohës e për t’i rezistuar kohës, duhet të jenë publike dhe të pranuara nga shumica, nëse jo nga e gjithë popullata. Statujat tona, në mos për gjë tjetër, janë aty për të na gajasur. Edhe për sa kohë, nuk dihet.