Nuk e di nëse ekziston çfarëdo mundësie apo kapaciteti për një gjë të këtillë, porse mbase zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte krijimi i një qeverie teknike, jopartiake. Nuk po jam shumë e sigurt se kemi kapacitete të mjaftueshme intelektuale e profesionale për të krijuar një qeveri të këtillë. Njerëz me përvojë jete, teknokratë, pragmatikë, punëtorë dhe të dijshëm
Pra, numërimi i votave të rregullta ende nuk ka përfunduar dhe gjatë javës tjetër pritet të numërohen ato me kusht dhe ato të diasporës që do të duhej të sillnin ndryshime në numra, por mbase jo aq substanciale.
Siç qëndrojnë punët tash, VV-ja nuk do të jetë në gjendje ta formojë qeverinë as nëse i ka të gjitha votat e minoriteteve joserbe plus votën e Rashiqit.
Nëse votat përfundimtare nuk do të sjellin shumë ndryshim, atëherë VV-së i mbesin disa alternativa për ta mbajtur pushtetin: ta “peshkojë” dikë nga ndonjë parti tjetër ose të lidhë koalicion me PDK-në a me LDK-në për një qeveri më stabile. Alternativa tjetër është se nuk e bën hiç qeverinë dhe del në opozitë.
* * *
Se cili do të jetë epilogu i negociatave që do të vijojnë, do ta marrim vesh me gjasë andej nga gjysma e marsit. Por cilado që të jetë zgjidhja që do të arrihet, dhe çfarë kompozicioni do të ketë qeveria, do të jetë tepër me rëndësi që njëmend të ekzistojë një program pune, me synime e projeksione shumë të qarta që duhen çuar këtë shoqëri përpara.
Qeveria Kurti 2, edhe pse i pati të gjitha në favor – shumicën absolute në Kuvend dhe shpresën për ndryshim si shtysë nga shumica e votuesve, e përfundoi mandatin me një performancë jo të mirë thuajse në të gjitha dikasteret.
Arritjen më të madhe, pa asnjë dyshim, e ka pasur veriun dhe shtrirjen e sovranitetit atje, me shumë mund, me njëqind rreziqe e një milion kritika e presione.
Për katër vjet qeverisje, Kurti nuk e shkarkoi asnjërin nga ministrat, e lirshëm ka mundur ta bënte. Në fakt, është dashur t’i shkarkonte ata të cilët u veçuan për nga puna e dobët, për nga dyshimet për keqmenaxhim e edhe keqpërdorim të autorizimeve zyrtare.
Për katër vjet, asnjëra rrugë nuk përfundoi. Eksperimenti i rrugës për në Podujevë, me ndarjen e një grumbulli llotesh një grumbulli punëkryerësish që trasenë e kanë shndërruar në një shoshë shumë të madhe dëshmoi se eksperimentet, kur të bëhen, duhen të bëhen në shkallë më të vogël, si provë, për t’u zbatuar më vonë në një rast më të madh.
Fakti se madje një urë e vockël te Badovci mori muaj të tërë për t’u përfunduar dhe në fund u lëshua në qarkullim pa testimin paraprak, flet shumë keq për kapacitetin e atyre që e udhëhoqën këtë dikaster katër vjet me radhë.
Shëndetësia do t’i ketë bërë disa lëvizje përpara, porse qe dikasteri i vetëm ku ministri Vitia u dogj në zgjedhjet për Prishtinën, u zëvendësua nga një njeri që më shumë rrinte jashtë e shëtitej sesa që kryente punë, për ta rikthyer Vitinë prapë në post.
Ndërhyrja në infrastrukturën e klinikave dhe përmirësimi i kushteve është lajm i mirë – porse ky përmirësim duhet përcjellë edhe me mirëmbajtjen e investimit, që e cila nuk është e sigurt se po bëhet. Nga ana tjetër, mungesa e barnave esenciale nuk u zgjodh kurrë si problem.
Arsimi ngeci aty ku ishte. Me zvogëlimin e numrit të nxënësve, shumë gjëra kanë mundur të nisnin të ndryshonin. Realiteti i katër vjetëve të fundit dëshmoi se Qëndron Kastrati, derisa ishte kryetar i Kamenicës, e kishte pasur me të drejtë reformën që donte ta zbatonte, e që ka mundur të sillte rezultate më të mira në nxënie. Por, inati politik, e prishi idenë e tij, për të ardhur deri te pika ku ministria del e thotë se ka më shumë mësimdhënës sesa na duhen dhe se ende mbahen në listë të rrogave, pavarësisht se mbesin të pasistemuar.
Politika sociale e copëtimit të skajshëm të buxhetit pa asnjë vizion të vetëm të sjelljes së investimeve të jashtme që do të mundësonin fuqizimin e sektorit privat e karakterizoi punën në katër vjetët e fundit. Thuhej se tash buxhetit ia shinin hairin të gjithë, e jo vetëm disa siç kishin bërë në të kaluarën. Por ajo që arrihej me këtë copëtim ishte kryesisht ose dalja e parasë jashtë shtetit (për shëtitje e pushime) ose blerja e mallit të importuar (ngase ne nuk prodhojmë thuajse asgjë), duke e rritur deficitin tregtar në nivel të lartë e të papërballueshëm.
* * *
Rrëfimi për dikasteret e tjera do të mund të vazhdonte, sepse ka shumëçka për të treguar dhe jo shumë për të veçuar për të lavdëruar.
Mbyllja hermetike e institucioneve dhe moskomunikimi me publikun as nëpërmjet mediumeve ishte bazë e fuqishme që të lindnin dyshimet se diçka nuk ishte në rregull. Shumica absolute në Kuvend e qeveri assesi nuk do të duhej ta mundësonte një shpërfillje të tillë. Përkundrazi, do të duhet ta ngrinte nivelin e përgjegjësisë së vendimmarrësve. Por, kjo nuk ndodhi.
Pra, nëse do të ketë qeveri Kurti 3 (me peshkime), uroj që në qeverinë e re të mos jenë ata ministra që kanë shënuar më shumë dështime sesa të mbërritura në këta katër vjet.
Nëse do të ketë Kurti 3 me ndonjë parti tjetër, do të jetë interesante shpërndarja e posteve ministrore dhe sistemi i kontrollit dhe i mbikëqyrjes së tyre përbrenda ekzekutivit. Dhe do të jetë interesante të shihet nëse qeverisjen e kanë përnjëmend.
Mundësitë janë që të krijohet edhe një qeveri e opozitës së bashkuar. Një reprizë e qeverisë së parë të Kosovës para se të pavarësohej, e cila ka pasur pak ministri; ka pasur njerëz të papërvojë politikisht për t’i udhëhequr sektorët nën mbikëqyrjen dhe ndërhyrjen e shpeshtë të të huajve.
Kompozicioni i një qeverie bllok të opozitës tash, do të ishte akomodim i ambicieve të secilës parti a koalicioni qeverisës. Këtu problemi do të zgjidhej me krijimin e nja 150 posteve zëvendësministrore dhe kështu gjithkush do të ishte i lumtur. Bile me një titull.
* * *
Zgjidhja ideale?
Nuk e di nëse ekziston çfarëdo mundësie apo kapaciteti për një gjë të këtillë, porse mbase zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte krijimi i një qeverie teknike, jopartiake.
Nuk po jam shumë e sigurt se kemi kapacitete të mjaftueshme intelektuale e profesionale për të krijuar një qeveri të këtillë. Njerëz me përvojë jete, teknokratë, pragmatikë, punëtorë dhe të dijshëm.
Por, edhe t’i kishim, problemi i tyre do të ishte fakti se do të duhej të ballafaqoheshin me një shërbim civil që prej themelimit ka qenë i ngjyrosur partiakisht (edhe pse nuk duhet gjeneralizuar). Pra, shërbim civil që di të bëhet sa pengues aq edhe bashkëpunues. Varësisht nga mënyra e udhëheqjes së një resori ministror. Apo edhe udhëzimeve partiake.
Nuk po duket si një situatë shumë premtuese, porse e besoj se nëse këto parti politike ia duan të mirën këtij vendi, do të duhej të mendonin në prosperitetin e shtetit tonë, e jo në qejfet dhe synimet e tyre personale.
Tash në këtë çast është zor të parashikohet madje edhe sa ministri do t’i ketë qeveria e re. Por nuk ka asnjë dyshim se duhet ta kemi atë në vend sa më shpejt. Ashtu siç duhet ta kemi një përbashkim pozicionesh politike sa i përket raportit tonë me botën e jashtme dhe presionet eventuale që mund të shfaqen në raport me Serbinë.
Rrethanat kanë ndryshuar substancialisht.
E ne vazhdojmë të ecim nëpër mjegull.