OpEd

E vetmja pengesë për ndryshimin nuk ekziston

Votuesit në Kosovë zgjodhën ndryshimin. Nëse formimi i qeverisë së re duket i garantuar, disa megjithëkëtë mendojnë se zgjedhja e presidentit mund të dështojë, duke e përshpejtuar mbajtjen e edhe një palë zgjedhjeve të parakohshme.

Shqetësimet e tilla janë të pavenda.

Është e qartë, në fakt, që nëse asnjë kandidat konsensual nuk gjendet, zgjedhja e presidentit e kërkon pajtimin dhe pjesëmarrjen e të njëjtit numër të deputetëve sa nevojitet për formimin e një qeverie: 61, jo më shumë.

Çështja është e rregulluar me këta tre paragrafë të nenit 86 të Kushtetutës: “Presidenti i Republikës së Kosovës duhet të zgjidhet me një shumicë prej dy të tretash (2/3) të të gjithë deputetëve në Kuvend. Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk e arrin shumicën prej dy të tretash në dy votimet e para, mbahet një votim i tretë mes dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave në votimin e dytë, dhe kandidati që e merr shumicën e të gjithë deputetëve në Kuvend duhet të zgjidhet si president i Republikës së Kosovës. Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk zgjidhet si president i Republikës së Kosovës në votimin e tretë, atëherë Kuvendi duhet të shpërbëhet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda dyzetepesë (45) ditësh”.

Për ta diskutuar interpretimin e kësaj, le të marrim me mend se e kemi një komitet të përbërë prej shumë anëtarësh (le të themi 120), i cili operon sipas rregullit të shumicës. Por, ne duam që të sigurojmë që vendimet të jenë çështje e qartë, ç’është më e rëndësishmja, të merren nga një numër maksimal i tyre. I kemi dy opsione.

E para është domosdoshmëria që kur këto çështje të diskutohen asnjë takim të mos mund të mbahet përderisa të mos jetë i pranishëm një numër minimal i anëtarëve: le të themi 80.
Ky është “kuorumi”: ai duhet të vlerësohet në fillim të takimit dhe rezultati është që ose të ndalohet (në rast se janë të pranishëm më pak se 80 anëtarë) ose të lejohet (po qe se janë 80 a më shumë të pranishëm) mbajtja e takimit.

Opsioni i dytë është që të caktohet një shumicë e veçantë – apo “e kualifikuar” – e cila do të matej jo në bazë të numrit të anëtarëve të pranishëm dhe votimit, por bazuar në numrin e tyre të përgjithshëm (120 në rastin tonë). Një shembull për këtë do të ishte rregulli që e kërkon një shumicë minimale prej 80 anëtarësh: rezultati është se nëse 100 anëtarë janë të pranishëm dhe 79 votojnë për e 21 kundër, vendim nuk ka (për shkak se 79 është numër më i vogël se 80).

Caktimi i një shumice të veçantë që matet sipas numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Komitetit (80, në shembullin tonë) është, de facto, ekuivalent me përcaktimin e një kuorumi në të njëjtin nivel (80): për shkak se për të votuar, anëtarët e komitetit duhet të jenë aty. Por, ky kuorum i nënkuptuar është një kërkesë bukur më e ulët sesa ajo e shumicës së veçantë, për shkak se kjo e fundit i numëron vetëm votat pozitive (andaj, nëse 80 janë të pranishëm, votimi do të kryhet vetëm në rast se të gjithë votojnë në favor, rast ky që nuk vlen për një kuorum 80-anëtarësh).

Le t’i kthehemi Kushtetutës. Ajo i përcakton dy shumica të veçanta: 80 (“një shumicë prej dy të tretash (2/3) të të gjithë deputetëve në Kuvend”), gjatë dy votimeve të para, dhe 61 (“shumica e të gjithë deputetëve në Kuvend”) në të tretën. Nuk ka kuorum dhe arsyeja është se nuk nevojitet, për shkak se këto shumica të veçanta janë veçse relativisht të larta.

Dhe do të ishte krejtësisht jologjike dhe arbitrare të thuhet se, në mënyrë të nënkuptuar, këto dy shumica duhet të interpretohen gjithashtu si kuorume, për t’u vënë hi nivele të njëjta (80 dhe 61, respektivisht), saktësisht për shkak se një shumicë e veçantë është një kërkesë shumë më e fortë dhe më e lartë sesa kuorumi i përcaktuar në të njëjtin nivel.

Andaj, rregullat janë shumë të thjeshta: tri tentime janë të lejuara; në dy të parat kërkohet një shumicë prej 80 deputetësh, në të tretën prej 61 deputetësh; nëse edhe kjo dështon, zgjedhjet.

Kjo nënkupton se nëse ata që i kontrollojnë 61 vota dështojnë ta përzgjedhin kandidatin e tyre në dy votimet e para, atëherë do të kenë sukses në të tretin.

Nëse është kështu, atëherë dikush mund të pyetet se cili është kuptimi i mbajtjes së dy votimeve me shumicë të veçantë prej 80 deputetësh? Cili është kuptimi, nëse një grup prej 61 anëtarësh mund përherë ta ndërmarrë votimin në tentimin e tretë? Cila është shtysa e tyre për të bërë kompromise?

Përgjigja është se rregulli prej 80 deputetësh ia lejon shumicës parlamentare dy mundësi për ta shtrënguar shumicën që t’i marrë në konsideratë kandidatët e tjerë, para syve të të gjithë vendit. Është ky, me fjalë të tjera, shansi i tyre për t’i prezantuar kandidatët që janë aq të besueshëm dhe apartiakë – presidenti parashihet që ta përfaqësojë të gjithë vendin – saqë shumica parlamentare mund të turpërohet t’i pranojë ata. Pa dy votimet e para me shumicën prej 80 anëtarësh kjo mundësi nuk do të ekzistonte. Rregulli i shumicës 80-anëtarëshe, me fjalë të tjera, është vendosur për të garantuar debat adekuat publik mbi zgjedhjen e presidentit, e jo për t’i garantuar mundësi një pakice prej 41 anëtarësh për ta bllokuar zgjedhjen. Sepse ky do të ishte rezultati i leximit të rregullit prej 80 deputetësh edhe si kuorum (më saktësisht, për ta lexuar atë si një domosdoshmëri që 80 deputetë të jenë të pranishëm në votimin e parë, ashtu që ai të mbahet në mënyrë valide). Në mungesë të saj, në fakt, një pakicë prej 41 deputetësh do të mund ta parandalonte mbajtjen e votimit të parë (apo të dytit): dhe bojkotimi do të mund të zgjaste pafundësisht, duke i pamundësuar si zgjedhjen e presidentit, ashtu edhe të shpërbërjes së Parlamentit sipas paragrafit të fundit të nenit 86: (“Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk zgjidhet si Presidenti i Republikës së Kosovës në votimin e tretë, Kuvendi duhet të shpërbëhet”). Kjo do të ishte absurde dhe shumë dëmtuese.

Andaj, dy votimet e para mund të mbahen në mënyrë valide edhe me më pak se 80 deputetë; dhe nëse dështojnë, 61 vota do të ishin të mjaftueshme për zgjedhjen e një kandidati në votimin e tretë.

Është e vërtetë se ekziston një vendim, i lëshuar nga Gjykata Kushtetuese në rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president (më 2011), i cili thotë diçka krejt tjetër.

Por, ky vendim mund të anashkalohet. Ai thotë se të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm ashtu që zgjedhja të jetë valide (përveç atyre mungesa e të cilëve është e arsyetuar nga kryetari i Kuvendit). Ky është ekuivalent i të kërkuarit të unanimitetit për zgjedhjen e një presidenti, kjo ngase qoftë edhe në rast se vetëm një deputet mospajtues zgjedh që të mungojë, votimi valid nuk mund të mbahet. Fatmirësisht, kryetari i Kuvendit mund lehtësisht ta tejkalojë këtë problem, duke deklaruar se ajo apo ai nuk ndihet i lidhur me këtë vendim të vjetër, i cili haptas dhe në mënyrë absurde e shtrembëron Kushtetutën (dhe, në një masë të mirë, duke i arsyetuar të gjithë deputetët e munguar: pse jo?).

Andaj, i dëshiroj Kosovës formim të rregullt të qeverisë, zgjedhje të rregullt të presidentit, si dhe ndryshim radikal.

(Autori ka qenë shef i Njësitit Ekonomik në Zyrën Ndërkombëtare Civile)