OpEd

E vërteta si peng i luftës politike në Shqipëri

Duke ditur se në raportin e Dik Martit kishte akuza për kryerje krimesh brenda territorit shqiptar dhe se flitej konkretisht për vendet ku pretendohej kryerja e këtyre krimeve, si “Shtëpia e Verdhë”, në Burrel, “shtëpia-Klinikë”, në Fushë-Krujë, kampi i UÇK-së në veri të Shqipërisë etj., i vetmi qëndrim i drejtë i shtetit shqiptar do të ishte hapja e rrugës së hetimit për zbulimin, argumentimin dhe mbrojtjen e së vërtetës, gjë që kërkohej nga kjo rezolutë

Ka disa ditë që kryeministri Rama po bën “patriotin”, duke akuzuar Sali Berishën, Ilir Metën dhe Lulzim Bashën për “tradhtinë” e madhe në janar 2011, për, gjoja votimin e raportit të Dik Martit në Këshillin e Evropës. Jo për të mbrojtur “të akuzuarit” e Ramës, por, për hir të së vërtetës, dëshiroj të bëj të njohur faktet e mëposhtme:

1. Në Këshillin e Evropës nuk ka pasur votim për miratimin e raportit të Dik Martit, por për rezolutën nr. 1782 (2011), me titull, “Hetim i pretendimeve mbi trajtimin çnjerëzor dhe trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë”.

2. Në rezolutë u kërkohej, në mënyrë specifike, autoriteteve të Shqipërisë dhe të Kosovës që të bashkëpunojnë me agjencitë ndërkombëtare për hetimin e pretendimeve të ngritura në raportin e Dik Martit.

3. Rezoluta kërkonte që EULEX të ketë mandat dhe të ketë mbështetje politike e juridike për zhvillimin e hetimeve edhe në Shqipëri.

Duke ditur se në raportin e Dik Martit kishte akuza për kryerje krimesh brenda territorit shqiptar dhe se flitej konkretisht për vendet ku pretendohej kryerja e këtyre krimeve, si “shtëpia e Verdhë”, në Burrel, “shtëpia-Klinikë”, në Fushë-Krujë, kampi i UÇK-së në veri të Shqipërisë etj., i vetmi qëndrim i drejtë i shtetit shqiptar do të ishte hapja e rrugës së hetimit për zbulimin, argumentimin dhe mbrojtjen e së vërtetës, gjë që kërkohej nga kjo rezolutë. E njëjta logjikë ka funksionuar edhe për pretendimet e raportit të Dik Martit, lidhur me krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit, për të cilat akuzoheshin luftëtarët e UÇK-së.

Në vend të injorimit të tyre apo vetëgjyqësisë, si Shqipëria, ashtu edhe Kosova zgjodhën rrugën e bashkëpunimit me organet e drejtësisë për zbulimin e së vërtetës. Në këtë kontekst, Shqipëria i hapi rrugë EULEX-it (i cili nuk kishte mandat për Shqipërinë) për të hetuar edhe brenda territorit shqiptar, duke i ofruar bashkëpunim dhe të gjitha lehtësitë e nevojshme për kryerjen e hetimit, si dhe ftoi në Shqipëri kryeprokuroren e EULEX-it, I. Arnal, dhe kryesuesin e task-forcës së BE-së, prokurorin amerikan Klint Uilliamson.

Fryt i këtij bashkëpunimi ishte heqja e akuzës së rëndë për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore, që përbënte një ndër shtyllat kryesore, mbi të cilat ishte ngritur trillimi politik i Dik Martit. Bashkëpunimi i Kosovës shkoi edhe më tej. Ajo amendoi kushtetutën, miratoi një ligj dhe, me 2/3 e votave të Kuvendit, miratoi Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.

Mund të jenë të diskutueshme, në ndonjë pikë edhe të papranueshme, mandati dhe kompetencat e kësaj Gjykate, por zbardhja e së vërtetës, lidhur me krimet e pretenduara nga raporti i Dik Martit, nuk kishte alternativë tjetër, veç bashkëpunimit me drejtësinë.

Është e pamoralshme që, rreth 6 muaj para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, nga Edi Rama dhe mbështetësit e tij, të merret peng e vërteta mbi miratimin e rezolutës së Këshillit të Evropës për hetimin e pretendimeve të Dik Martit dhe mbi themelimin e Gjykatës Speciale, duke futur pyka midis dy vendeve tona motra, Shqipërisë dhe Kosovës.

(Gazeta Panorama)