OpEd

E vërteta

“Kur shkruan një opinion, lexo gjithçka rreth asaj teme paraprakisht. Respektoje lexuesin”; “Nëse nga mungesa e njohurive të ikë një gabim që qoftë edhe vetëm një njeri e kupton, ke humbur vlerësimin e të gjithëve”; “Kur e përfundon tekstin, pije një kafe dhe lexoje edhe një herë”; “Nëse ke shkruar vonë dhe nuk është askush tjetër në redaksi, lute portierin (rojën) që ta lexojë”; “Puno në gazetë”... Këto këshilla nuk i pata lexuar në letrën që më pati bërë të qeshja natën e verës... I pata marrë më herët, diku para luftës kur i pata hyrë zanatit të të dy prindërve të mi

Nuk e kam vënë ndonjëherë imagjinatën më në funksion se këtë fundvit për dhurata, për letrën mbështjellëse dhe për ngjyrat e fjongove. Duke dashur të shkoja përtej, pakos me të cilën doja të impresionoja më së shumti ia vura një fjollë bore të shndritshme në vend të fjongos. Pavarësisht çfarë ngjyre a forme ta përzgjedhja, fjongoja megjithatë mbetej zbukurim i zakonshëm.

Forta më tregoi se dhurata që Babadimri ia kishte sjellë në çerdhe kishte pasur një fjollë të madhe ngjitur nëpër disa shirita të kuq e të bardhë. Por ato të gjitha i kishte flakur diku, kapluar nga kureshtja për të parë sa më shpejt nëse elfët ia kishin dalë ta gjenin kukullën sipas specifikave që i kishte porositur nëpërmjet mësueseve.

U gëzova që fjolla i kishte lënë përshtypje e nuk i kishte munguar fjongoja. U gëzova që para se ta merrte dhuratën, për nja dhjetë ditë u preokupua dhe foli për sfidat e elfëve. U gëzova që në fund ua diti dhe që e pa se Babadimri nuk është e tëra.

Nuk e di se sa do ta mbajë mend ajo, por e di që unë do të vazhdoj t’ia përshtat imagjinatën moshës së saj. Kështu, deri në ditën kur do të flasim shtruar për të vërtetën.

* * *

Nganjëherë, duke dashur t’ia dëshmosh vetes se je i fortë karshi sfidave të mëdha, e kufizon përjetimin. E ai pastaj të ndjek deri në përmbushje.

Këtu ku jam ulur tani, në dhomën e ndenjes, kështu si tani, pas mesnatës, 20 vjet më parë, e pata kuptuar se të vërtetën duhet ta përqafosh deri në fund. Ishte 1 janari dhe meqë nuk kishim ndonjë festë e unë as gjumë, vendosa ta shikoja një film.

Vite para kësaj filmat kishin qenë njëri prej gëzimeve kryesore të ditëve festive në shtëpi. Transmetoheshin më të mirët për Vitin e Ri dhe kishte shumë. Mezi e prisnim gazetën tre-katërnumërshe për t’i marrë faqet e programit festiv e për të vendosur se cilët filma do t’i shikonim e cilët do t’i sakrifikonim, meqë jepeshin njëkohësisht në kanale të ndryshme. Disa mund t’i zinim edhe në gjysmë. Negociatat për këtë i bënim vëllai im e unë. Babi pajtohej. Mamit nuk i interesonte.

Në orët e para të 1 janarit të 20 vjetëve më parë po shikoja një film vetë. E konsideroja këtë sfidë të lehtë, deri në shikimin e djaloshit nga vrima drejtkëndëshe e “kutisë së djersitjes” ku po fshihej dhe marshit të babait drejt pushkatimit që e bënte atë të qeshte. Guido, që ishte babai, dhe Giosue, që ishte djali, po e luanin lojën interesante, që ishte kampi i përqendrimit, për ta fituar çmim e madh, që ishte tanku. Guido e kishte vënë në funksion gjithë imagjinatën që Giosue të hynte i buzëqeshur në lirinë, e cila veç sa nuk kishte ardhur. Në formën e tankut ajo u shfaq posa djaloshi doli nga streha me vrimën drejtkëndëshe, funksioni i vërtetë i së cilës kishte qenë torturimi i të burgosurve.

“Një mijë pika për të qeshur me to si i çmendur” po ia përshkruante nënës Giosue i vogël lojën për çmimin e madh. Monologu i Giosues të madh, pasi kishte përqafuar të vërtetën, ishte i shkurtër në mbyllje të filmit “Jeta është e bukur”. Tha që ky kishte qenë rrëfimi i tij dhe kjo kishte qenë sakrifica e babait të tij.

* * *

Po qeshja teksa po lexoja një letër që një natë vere para 1 janarit të 20 vjetëve më parë e pata marrë te Kështjella e Kadaresë. Kishin kaluar disa orë nga mesnata dhe nuk kishte rrymë. Libri me letrën ishte në dhomën tjetër ku kishte dritë, por edhe njerëz. E mora atë dhe një qiri e dola nga aty. E dija që po ta lexoja në praninë e të tjerëve do të mendonin që jam çmendur. E dija që letra do të më bënte të qeshja. I kishte disa pika edhe ajo sikur loja e Jetës së bukur që do ta shihja disa muaj më vonë. Kishte disa javë që po rrinte te Kështjella. Babi më pati porositur që ta merrja pasi të na ndaheshin botët.

* * *

Viti i Ri të bën të reflektosh. Të mendosh për të kaluarën dhe për të ardhmen. Unë këtë çdoherë e bëj nga Shtëpia. Nga vendi ku krijohen njerëzit dhe ku merr formën shoqëria që i pret jashtë. E që në Kosovën tonë ende mban rolin përcaktues. Sukseset dhe problemet janë në dorën e produktit të saj, të individëve, të vullnetit të tyre të mirë apo të keq.

Kur lufta po merrte fund, patëm menduar që përpara do të na çonte shteti që po lindte. Nuk dyshonim në këtë, ngase sisteme funksionimi Kosova dhe njerëzit e saj ditën të ndërtonin nën okupim. Në një të tillë e pata kryer të mesmen e fakultetin. Ishte i vërtetë. Nota e mirë ta nxirrte shpirtin. Pati një lloj sistemi edhe për shërbime shëndetësore, për grumbullim e shpërndarje ndihmash, për dokumentim krimesh e lobim. Pati media e klub gazetarësh...

* * *

“Kur shkruan një opinion, lexo gjithçka rreth asaj teme paraprakisht. Respektoje lexuesin”; “Nëse nga mungesa e njohurive të ikë një gabim që qoftë edhe vetëm një njeri e kupton, ke humbur vlerësimin e të gjithëve”; “Kur e përfundon tekstin, pije një kafe dhe lexoje edhe një herë”; “Nëse ke shkruar vonë dhe nuk është askush tjetër në redaksi, lute portierin (rojën) që ta lexojë”; “Puno në gazetë”.

Këto këshilla nuk i pata lexuar në letrën që më pati bërë të qeshja natën e verës. I pata marrë më herët, diku para luftës kur i pata hyrë zanatit të të dy prindërve të mi.

Sot teksa po shkruaj, kështu nën emocionet që m’i ngjallin festat, jam e lumtur që po i realizoj këshillat. Që po e përqafoj të vërtetën deri në fund dhe po shkruaj ashtu siç po me fle shpirti. Mund të duket paksa kaotike, por është dehja e Vitit të Ri ?

* * *

Kjo dhuratë nuk ka të bëjë me imagjinatën time të fillimit të shkrimit. Është e KOHËS, e elfët janë përpjekur që ta bëjnë më së miri. Janë emocionuar shumë ashtu, siç edhe Ju lexues të nderuar.

Gëzuar me Kohën Ditore!

*Falas