OpEd

E kujt dhe për kë është “Gjykata Speciale”

Ngritja e aktakuzave nga “Gjykata Speciale” do të mundë të ketë ndikim të menjëhershëm në skenën politike të Kosovës. Kjo edhe është arsyeja kryesore pse ka aq shumë kureshtje në pritje të ngritjes së aktakuzave të para. Por vetë krijimi i kësaj gjykate, që tani ka vënë një njollë të rëndë mbi Kosovën dhe do të ndihmojë në krijimin e një ironie historike, sipas së cilës Kosova do të mbetet i vetmi shtet në ish-Jugosllavi, për të cilin nuk kanë mjaftuar as Gjykata e Hagës, as gjykatat e EULEX-it me mandate ekzekutive, e as gjykatat vendore, por është dashur të krijohen “dhoma të specializuara”. Për këtë fajin e kanë e tërë elita politike dhe gjyqësore në Kosovën e pasluftës, por edhe strukturat ndërkombëtare

Prej kësaj jave, ajo që në Kosovë njihet si “Gjykata Speciale”, ndërsa formalisht është pagëzuar me emërtimin tejet të çuditshëm si “dhomat e specializuara të Kosovës”, do të mundë të ngritin aktakuzat e para. Ka qenë ky një prej lajmeve kryesore të javës, që ka tejkaluar edhe interesin për atë se kush dhe kur do të mundë të formojë shumicën e re parlamentare dhe me këtë edhe Qeverinë e re të Kosovës. Në Kosovë ka një kureshtje të madhe për të parë se kush do të jenë ata persona që do të ftohen nga këto “dhoma të specializuara të Kosovës”, që edhe pse janë të Kosovës, ndodhen në Hagë të Holandës. Ka pasur spekulime për shumë emra. Kanë dalë njerëz në Kosovë që kanë pohuar se e dinë se kush do të akuzohet. Ka edhe elemente, në bazë të të cilave mund të bëhen parashikime se ndaj kujt do të ngritën aktakuzat. Por gjithçka është vetëm në nivelin e spekulimeve, sepse askush, apo pakkush në Kosovë, mund ta dijë se ndaj cilëve individë do të ngritën aktakuzat.

Ngritja e aktakuzave nga “Gjykata Speciale” do të mundë të ketë ndikim të menjëhershëm në skenën politike të Kosovës. Kjo edhe është arsye kryesore pse ka aq shumë kureshtje në pritje të ngritjes së aktakuzave të para. Por vetë krijimi i kësaj gjykate, që tani ka vënë një njollë të rëndë mbi Kosovën dhe do të ndihmojë në krijimin e një ironie historike, sipas së cilës Kosova do të mbetet i vetmi shtet në ish-Jugosllavi, për të cilin nuk kanë mjaftuar as Gjykata e Hagës, as gjykatat e EULEX-it me mandate ekzekutive, e as gjykatat vendore, por është dashur të krijohen “dhoma të specializuara”. Për këtë fajin e kanë e tërë elita politike dhe gjyqësore në Kosovën e pasluftës, por edhe strukturat ndërkombëtare. Nisja e punës së kësaj gjykate nuk shënon kurrfarë suksesi të Kosovës në respektimin e obligimeve ndërkombëtare, por shënon pranimin e dështimit të Kosovës dhe BE-së së bashku në krijimin e një gjyqësori të pavarur. Kjo Gjykatë Speciale është pasojë e mosbesimit e jo fryt i besimit mes kosovarëve dhe “ndërkombëtarëve”

Edhe para se të hiqeshin të gjitha pengesat ligjore për nisjen e punës së kësaj gjykate (nuk po e quajmë qëllimisht “dhoma të specializuara të Kosovës”) ajo ka marrë epitetin e Gjykatës për “nxjerrje organesh”, sepse një aktakuzë e tillë është bërë në raportin e Dick Martit, i cili është miratuar së pari në Këshillin e Evropës e më vonë edhe në BE dhe në SHBA kanë mbështetur krijimin e një Zyre të prokurorit special, e më vonë edhe të kësaj Gjykate. Sjellja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, emri i të cilit është përfolur po ashtu në këtë rast, ka shkuar nga paralajmërimi i një padie kundër senatorit zviceran, Dick Marti, e deri tek pohimet në Bruksel se ai ishte në krye të përpjekjeve për krijimin e kësaj Gjykate sepse, siç ka pohuar ai, “Kosova nuk ka çfarë të fshehë”.

Kanë kaluar vite prej kur kishte nisur puna e ish-prokurorit Williamson e pastaj edhe pasardhësit të tij Shhweidiman. Tashmë janë punësuar edhe dhjetëra njerëz në stafin e administratës së Gjykatës. Me dhjetëra apo edhe qindra miliona euro janë shpenzuar tashmë për këtë çështje. E ende nuk ka aktakuza. Por ajo që në këto vite, prej kur flitet për këtë Gjykatë, ka mbetur në mjegull, dhe kjo duket se është bërë qëllimisht, është se nuk ka një mendim të prerë nëse ka pasur apo jo vërtet nxjerrje të dhunshme të organeve nga të kidnapuarit serbë, në të ashtuquajturën “Shtëpi të verdhë” në veri të Shqipërisë për t'i shitur ato. Kjo është akuza monstruoze që e ka bërë raportin e Dick Martit të ketë aq shumë jehonë në opinionin evropian dhe të ngrejë dyshime ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krimet e tmerrshme. Ani pse sot vazhdojnë të pohojnë se “Kjo nuk është Gjykata kundër UÇK-së, por kundër individëve”, ndërsa përshtypja që do të mbetet nga puna e kësaj Gjykate tashmë po përdoret nga propaganda e Beogradit për të njollosur luftën çlirimtare të kosovarëve. Kjo duket edhe më ironike në kohën kur në Serbi në pushtet janë pikërisht personat që në periudhën e luftës ishin aktivë në regjimin e Milosheviqit, si presidenti Aleksandar Vuçiq, ministri i jashtëm Ivica Daçiq, ministri Vulin e shumë të tjerë. Por ata në Evropë nuk kanë probleme me imazhin e tyre, sepse Evropa po u beson se janë “faktorë stabiliteti” dhe se “shikojnë nga e ardhmja”.

Është pikëpyetje se a do ta sqarojë punën e saj kjo Gjykatë speciale, akuzën për nxjerrje organesh. Ajo ndoshta mund të dëshmojë se ka pasur krime, se janë zhdukur njerëz të pafajshëm, mund të identifikojë edhe individët përgjegjës. Por edhe nëse nuk dëshmohet, hija mbi UÇK-në do të mbetet se ndaj disa prej figurave kryesore të tyre janë ngritur aktakuza të tmerrshme për nxjerrje dhe trafikim organesh. Qoftë edhe nëse dëshmohet se krime të tilla nuk ka pasur, Beogradi do të vazhdojë me të vjetrën. Fundi i fundit pikërisht sot në Beograd refuzojnë të njohin gjenocidin në Srebrenicë, ani pse a është dëshmuar nga Gjykata e Hagës. Refuzojnë të pranojnë faktin se Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj janë shpallur të pafajshëm nga Tribunali i Hagës dhe vazhdojnë t’i quajnë ata si “kriminelë lufte”. Beogradi sot nuk bashkëpunon me Tribunalin e Hagës dhe për këtë nuk ka kurrfarë pasojash në raportet me BE-në, edhe pse këtë mosbashkëpunim po e përsërit formalisht vetë Tribunali i Hagës.

Kur e kishte mbarur punën e tij ish-prokurori Williamson para tre vjetësh pati një paraqitje në Bruksel për të sqaruar se në çfarë përfundimesh ka ardhur ai pas hetimeve trevjeçare. Por edhe pas asaj paraqitjeje të tij pati mbetur e pasqaruar, e kjo që edhe detyra e tij kryesore, dyshimi për trafikim organesh. Williamson në një intervistë për “Kohën Ditore” atëherë sqaroi se nuk ka thënë se “nuk ka evidenca për trafikim organesh“, por se “ka indikacione bindëse që kjo ka ndodhur“. Ai pati pranuar se konkluzionet e tij janë kryesisht të njëjta me ato të cilat më parë i kishte shprehur Dick Marti me raportin e tij, e para tij edhe ish-kryeprokurorja e Tribunalit te Hagës, Carla del Ponte, në një libër të saj, ku kishte shfaqur dyshime se ish-liderë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin kidnapuar serbë dhe në territorin e Shqipërisë „ua kishin nxjerrë më dhunë organet për t’i trafikuar“. Mbi këtë çështje edhe pas paraqitjes së Williamsonit mbeti mjegull edhe pse ai thoshte se “beson se kjo ka ndodhur, megjithëse në një shkallë më të vogël“.

„Kam parë tituj të cilët thonë se gjoja kam thënë se nuk ka dëshmi për trafikim organesh. Unë nuk e kam thënë këtë. Atë që unë e kam thënë është se ka indikacione bindëse se kjo ka ndodhur, ne besojmë se një gjë e tillë ka ndodhur, por në një shkallë të kufizuar. Por në këtë moment, pra në këtë moment, ne nuk kemi prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza. Pra ka një dallim të madh mes asaj që të thuhet se „nuk ka prova“ dhe asaj se „nuk ka prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza për këtë në këtë moment. Mendoj se ky është një qartësim i rëndësishëm“, pati thënë atëherë Williamson.

Mbetet tash të shohim se a do të ketë dyshime edhe për “nxjerrje organesh” në aktakuzat e para që do t’i nxjerrë Gjykata Speciale. Në këtë Gjykatë, as prokurori special e as të tjerët, nuk duan të përmendin afate kohore se kur mund të priten aktakuzat e para. Por, nëse nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim dramatik ndërkohë, aktakuzat kanë qenë gati para tre vjetësh dhe për prokurorin special kanë qenë të njohur edhe emrat e personave ndaj të cilëve do të ngriheshin ato. Williamson para tre vjetësh kishte thënë se “po të kishte një strukturë gjyqësore, që sot do të ishim të gatshëm të ngrinim aktakuzat”. Por pasardhësi i tij më vonë pati thënë se “ndërkohë kemi pasur hetime të tjera” dhe tash pra duhet pritur se çfarë do të ndodhë.

Gjithmonë mbetet pyetja pse ka pasur nevojë për një gjykatë të tillë, e kujt është ajo dhe për kë është krijuar. Në qarqet diplomatike mund të dëgjohen arsyetimet prej atyre se “Në Kosovë gjykatat janë nën kontroll të politikës dhe nuk mund të ketë gjykime të pavarura”, e deri tek ato se “me këtë gjykatë strehohen disa ish të punësuar të Tribunalit të Hagës, kur ai po mbyllet!”.

Por më së shpeshti si arsyetime se pse vetëm për Kosovën duhet të ketë Gjykatë Speciale jashtë territorit të saj edhe pas punës së Gjykatës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë në Hagë, janë ato se vetëm një gjykatë e tillë mund të zhvillojë një proces serioz kundër figurave më të larta të UÇK-së dhe se një proces i tillë nuk është i mundur në Kosovë. „Kemi një situatë rreth së cilës duhet të jemi realë. Gjatë 15 vjetëve të fundit sa herë që ka pasur tentime që të gjykohen eprorë të lartë të UÇK-së në Kosovë, përpjekjet e tilla kanë hasur në presione, frikësime, kanë hasur në kritika zyrtare nga niveli më i lartë i Qeverisë, njerëzit kanë sulmuar dëshmitarët, ka pasur protesta në rrugë. Sa herë që ka pasur tentime të ndiqen këto raste këta njerëz kanë bërë gjithçka që kanë mundur për t’i penguar ato“, thoshte ish-prokurori special, amerikani Williamson, i cili pasardhësit të tij ia la dosjen mbi të cilën tash pritet të ngritën aktakuzat e para. Por edhe kosovarët me të drejtë mund ta pyesin BE-në se si ndodhi që EULEX-i për nëntë vjet nuk ndihmoi që të krijohet një situatë, në të cilën edhe në Kosovë dëshmitarët do të jenë të mbrojtur, se gjykatat do të jenë të pavarura, prokurorët e gjykatësit nuk do të jenë të lidhur me strukturat politike, se ata do të emërohen sipas aftësive e jo sipas lidhjeve politike, se politikanët do të kenë druajtje nga gjykatësit e prokurorët e jo anasjelltas. Pikërisht për mandatin që ka pasur EULEX-i, për mjetet financiare që kanë investuar, për resurset njerëzore që janë investuar dhe për pritjet e kosovarëve që një mision i BE-së do të ndihmojë që edhe kosovarët të kenë një sistem gjyqësor të “Evropianizuar”, dështimi i drejtësisë në Kosovë pa dyshim mund t’u faturohet edhe EULEX-it e me këtë edhe Bashkimit Evropian.