OpEd

E jeta vazhdon, megjithatë

Janë disa shprehi që nuk harrohen derisa fushata vlon. Njëra nga to është torturimi i fqinjëve me zhurmë të pandëshkuar; tjetra, papastërtia kronike e Prishtinës me trajtimin joadekuat të mbeturinave, si dhe ajo që kur nuk zhduket: thithja edhe e pikës së fundit të gjakut të konsumatorëve me shpikjen e kategorive të konsumit që nuk i gjen askund pos në faturat e fryra të ngrohjes

Shkoi gjysma e fushatës.

Energji e paparë për të mbërritur në secilin qosh në Kosovës, për të folur, gazmuar, e premtuar – dhe harruar deri në zgjedhjet e radhës.

Dy javët e fundit janë finalja – dhe tash do të ketë shtim intensiteti, lëvizje edhe më të shpeshta në terren, me gjasë edhe më shumë reklamim politik individual jashtë rrjeteve sociale.

Mbase do të jenë edhe dy javët kur KQZ-ja do të zgjohet për ta bërë fushatën e vet vetëdijesuese, ku do të duhej të na i shpjegonte rregullat e votimit, posaçërisht atyre 150 mijë të rinjve që sivjet votojnë për herë të parë. Edukimi i votuesit është punë e KQZ-së, e më duket se ajo është vonë me veprimet e veta në këtë drejtim.

Sh’nosh qofshim!

* * *

Përderisa e gjithë energjia, politike gjithsesi, është kthyer kah zgjedhjet, jeta jonë vazhdon të ballafaqohet me problemet e moçme që na prekin qysh moti.

Disi po mendoj se institucionet komunale dhe ndërmarrjet publike shikojnë se si të na e bëjnë “interesant” jetën, duke na humbur energjinë me detyrimin që të merremi me gjëra që nuk do të duheshin shfaqur si pengesa për një jetë të qetë e normale.

Po ia qëlloni, edhe kësaj të premte, po e shkruaj zgafellen nën ushtimën e padurueshme të muzikës nga lokali i njëjtë, i përhershëm, torturues.

Policia vazhdon të thotë se Komuna ua ka dhënë lejen për muzikë; komuna vazhdon ta luajë aktoren e shurdhër, e tash edhe pa më të voglin interes që të flitet për probleme, për shkak se thuajse të gjithë drejtorët i ka në fushatë. Tash nuk kanë kohë të merren me probleme triviale siç është zhurma, mbledhja e mbeturinave apo faturat stratosferike të ngrohjes qendrore.

* * *

Javën e shkuar, magazina “038” e KTV-së na zbuloi se qytetarët do të faturohemi dy herë për mbledhjen e mbeturinave. Një faturim, i cili javën e shkuar nuk ishte i qasshëm në e-Kosova, do të bëhet nga Komuna, kurse faturimi tjetër do të bëhet nga ndërmarrja “Pastrimi” – e cila prej vitesh ballafaqohet me vështirësi financiare.

Nuk i di detajet, pra nuk e di a është problemi te keqmenaxhimi, a është problemi te arkëtimi (i cili përherë është problem, për gjithçka), a është problemi te mungesa e pajisjeve apo edhe te organizimi - nuk e di. Atë që e di është se burrat që punojnë në këtë ndërmarrje vijnë tri herë në ditë në lagjen time, për shkak të bërllokut të madh që dimë ta prodhojmë banorët bashkë me një duzinë kafehanesh përreth. S’kam njohuri, porse e kam bindjen që të ardhurat e tyre janë në kufi me rrogën minimale për punën më jofalënderuese që kryen dikush në Kosovë.

Por, qendra e qytetit pa asnjë dyshim është përjashtimi i rregullit – dhe se qyteti në fakt po vlon nga mbeturinat që nuk arrijnë të mblidhen në secilin qosh të qytetit. E për ma keq, me sasinë e bërllokut që e hedhim pa asnjë klasifikim paraprak, të vetmen gjë që kemi arritur të bëjmë është ta rrisim deri në kodër të madhe deponinë e mbeturinave në Mirash.

E nuk kishim qenë të parët në botë që do të mund të prodhonim energji elektrike nga mbeturinat, vetëm po të kishim pak mend e iniciativë. Pra, një projekt i tillë mund të importohet nga Bangladeshi me të cilin krahasohemi kur duam të themi se ka edhe më zi. Ashtu kur nuk ia dimë vetes hallin.

Në fund nuk e dimë as cilën faturë të mbeturinave do të duhej ta paguanim. Ndoshta na tregojnë pas zgjedhjeve.

* * *

Për zhurmën, nuk kam më çka them më tepër sesa kam shkruar me javë e me muaj.

Është shembulli tipik i anarkisë që e zbatojnë të fuqizuarit nga mosveprimi i institucioneve të zgjedhura në nivel komunal.

Pra në çastin që një kryetar komune beson se e ka kryer obligimin me faktin se e ka lëshuar në veprim një “qendër për monitorimin e ndotjes akustike” dhe e ka prodhuar një aplikacion për ta përcjellë zhurmën, pa shikuar tutje se as qendra e as appi ka shumë muaj nuk funksionojnë – kallëzon se sa ia bën atij për qytetarët.

Ashtu siç e dëshmoi ndaj banorëve të rrugës “Rexhep Luci”, kur lëre që ua injoroi protestën, porse madje edhe e shkeli ligjin duke mos e respektuar masën e përkohshme gjyqësore. Me pompozitet i nisi punët në “sheshin”. U shkatërruan kubëzat e vjetra, u hapën gropa sa s’dihet të mëdha për të vendosur kona kanalizimi dhe në fund u parkua një ekskavator në mes të rrugës – pa e bërë asnjë lëvizje të vetme qe thuajse dy muaj.

Apo ndoshta duhet pritur javën e fundit të fushatës zgjedhore për ta prerë edhe një shirit – atij të zorrës qorre të Sheshfellit, “sheshit” më të ri një qytet.

Dëshpëruese për besë. Si me qenë njerëz që ndiejnë kënaqësi kur i bëjnë dëm vetes dhe të vetëve.

* * *

E edhe një në vazhdën e atyre që kënaqen kur u bëjnë dëm qytetarëve duket të jetë “Termokosi”, d.m.th. njëra nga ndërmarrjet që na ka shkaktuar më së shumti telashe qëkur është themeluar ka nja 50 e kusur vjet, qëkur e mbaj mend.

Që prej ditës së parë kur u bëmë shfrytëzues të shërbimeve që na i ofronte kjo ndërmarrje komunale, nuk ka pasur muaj apo sezon në të cilin herë nëna ime, e herë unë kur u rrita mjaftueshëm sa për të shkuar ankesa, nuk jemi ankuar për shërbimin e keq apo të mangët. Kështu deri në kohën kur më në fund ndodhi kogjenerimi dhe nisëm ta marrim ngrohjen prej ujit të nxehtë që e prodhon Kosova B, para nja dhjetë vjetësh.

Projekti i financuar kryesisht nga të huajt (më duket 95% i financimit është kryer nga një grumbull shtetesh perëndimore, pjesa tjetër nga Komuna dhe Qeveria), më në fund solli stabilizim të ngrohjes. Çmimi atëbotë ishte zvogëluar pak, me premtimin se së shpejti do të binte edhe më, për shkak se sasia e mazutit që blihej ishte skajshmërisht më e vogël se dikur.

Qe nja dy a tre vjet ka nisur zbatimi i një sistemi të ri të matjes – me njehsorë nëpër radiatorë, me idenë që të konsumohet më pak e që uji të ketë mundësi të shpërndahet në sa më shumë objekte banimi e komerciale gjithandej qytetit.

Një projekt i ngjashëm, tashmë kishte dështuar në Kroaci, por ne qëndronim me shpresën se do të funksiononte këtu. U zgjerua rrjeti (sërish me para të huaja) dhe na u premtua se në sezonin 2023/24 do të niste matja me njehsorë. Nuk ndodhi, se na thanë se kishte nevojë për testime e akomodime të sistemit.

E pritëm sezonin 2024/2025 me shpresën se më në fund do të mund të tregoheshim edhe kursimtarë edhe solidarë, duke ua mundësuar edhe shumë të tjerëve që ta kishin mundësinë e ngrohjes pa pasur nevojë t’i qaseshin energjisë së shtrenjtë elektrike.

Dhe çka ndodhi?

Erdhën faturat me metra katrorë, ani pse njehsorët që janë ngjitur për radiatorë, i sjellin do numra që nuk merret vesh se çka masin, pa asnjë shpjegim të vetëm nga ngrohtorja. Kur nisën ankesat, na u tha se do të na vinte rendi pas një muaji. E pas një muaji, erdhi befasia e radhës: pos faturës me metra katrorë, tash konsumatorët ngarkoheshin edhe me shpenzime të përbashkëta që mesatarisht e rrisnin faturën mes 25 dhe 30%.

“Paguaje e mandej ankohu”, janë udhëzimet që t’i japin në “Termokos”, përderisa ZRRE-ja nuk bëhet gjallë.

Rregullatori, i cili ballinën e faqes së vet nuk e ka ndryshuar ka bile nja dhjetë vjet dhe ku gjysma e vjegëzave janë të thata dhe pa përmbajtje, i ka miratuar tarifat, pa asnjë ndryshim që nga 2021-ta. E në to, nuk parashihet kategoria e shpenzimeve të përbashkëta.

“Termokosi” thotë se vlera e rritur është “metodologjia e përcaktuar nga ZRRE-ja”, por fakti qëndron se asnjëra palë nuk kanë dalë të paralajmërojnë se shërbimet e ngrohjes do të shtrenjtohen mesatarisht për nga 25%, po qe se njëmend është përcaktuar një metodologji e këtillë.

Ndërkohë, fqinjët që jetojnë në rrugën pas meje, e me të cilët e ndajmë nënstacionin e njëjtë, në tre muajt e fundit kanë paguar nga 1, 4 apo 6 euro, ndërkohë që mua “Termokosi” më ka qerasur, për të njëjtën kuadraturë, me fatura në vlerë prej 93 eurosh, rrafsh 21 euro më shumë se në të njëjtën kohë vjet.

“Ka diçka të kalbur në shtetin e ‘Termokosit’”. Pra uroj që të gjendet dikush i esëllt që mund të na shpjegojë këtë fryrje të faturave në formë “elegante” dhe mu në mes të fushatës zgjedhore.

Mbase kanë menduar se të gjithë i kemi mendtë e kthyera nga fushata.

Mbase duan të harrojnë se pavarësisht politikës dhe vendimeve të gabuara politiko-afariste-ekonomike, jeta vazhdon, megjithatë.

Dhe përderisa ka jetë, ka luftë për drejtësi.

[email protected]