OpEd

E drejta për hixhabin, luftë e kujt?

Kush po e kërkon me ngulm hixhabin? Gratë, vajzat e reja apo burrat? Ato që supozohet se duhet ta bartin, apo të tjerët që ua sugjerojnë ta bartin? Natyrisht, atë e duan më shumë burrat, sepse kujdesen për “të mirën” e grave. E duan dhe luftojnë fort që të përmirësohet një padrejtësi e madhe bërë në kurriz të të drejtave të njeriut. Qëllimin e kanë për mbrojtjen e dinjitetit, moralit dhe të sigurisë së grave.

Të paktën kështu thonë. Veç, sikur të ishte kjo edhe e vërtetë. Euforia e shumë burrave për të mbrojtur të drejtën e vajzave për shkollim, e shprehur këtë verë me aq ngulm e pasion, dikë që nuk na njeh si shoqëri do ta befasonte për të mirë. Sa shumë energji burrash e shpenzuar për të luftuar “një diskriminim”, siç po e pretendojnë ata, në mbrojtje të të drejtave të grave!.

Por, për çka realisht po e ngrenë zërin kaq shumë? Për çka janë në gjendje ta sfidojnë rendin kushtetues dhe të hapin një debat kaq të madh, aq sa të shpërfaqin në skajshmëri edhe urrejtje ndërgjinore, deri pikën sa lexohet haptas frika e tyre për lirinë e “tepërt” të gjinisë së kundërt. Ngritja në këmbë e mijëra burrave, e shprehur përmes mbështetjes me hashtag në rrjete sociale, po bëhet për të lejuar mbulimin me shami të vajzave nën 18 vjeç që vijojnë mësimin ende.

Një gjë të tillë e ndaloi Ministria e Arsimit, kur nëpërmjet Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014, apo Kodit të mirësjelljes dhe masave disiplinore të nxënësve të shkollave të mesme të larta, me një nen përcaktoi se çfarë veshje duhet të bartin nxënësit e këtij niveli. Udhëzimi, në fakt, nuk e ndalon vetëm veshjen fetare në shkollë. Me të njëjtin udhëzim, përmes një neni tjetër ndalohet edhe veshja e ekzagjeruar dhe grimi i tepruar.

Me nenet e tjera, nxënësit obligohen të vijojnë me rregull mësimin, të mbajnë çantë, libra e fletore apo edhe të mbajnë shkollën pastër. Pra, udhëzimi përcakton qartë krejt çfarë bën e çfarë nuk bën të lejohet në shkollë. Por, për përmbajtjen e neneve të tjera, askush nuk është brengosur kurrë. Madje, nuk e besoj që prindërit apo edhe mësimdhënësit në masë të madhe i kanë lexuar ndonjëherë nenet e këtij udhëzimi. Kjo për shkakun se është pranuar si i mirëqenë rregulli që vendosin shkollat gjithandej. Imponimi i rregullave të shkollës që përfshin edhe mbajtjen e uniformës shkollore, nuk është kontestuar kurrë.

Për shkaqe disiplinore që përcakton sistemi i edukimit, uniforma dallon nxënësit nga të tjerët që frekuentojnë ambientin shkollor, por po ashtu uniforma vihet edhe për një numër arsyesh sociale. Është krejt e natyrshme që uniforma të mos garantojë cilësi të edukimit, sepse fundja është vetëm një rrobë që përditshmërinë e fëmijëve edhe mund ta kthejë në të njëtrajtshme dhe të zymtë, por megjithatë shmangja e dallimit social mes të rinjve është konstatuar si stabilizues i vëmendjes te mësimi.

Të qenët pak a shumë njësoj mes të rinjve, siguron një lloj qetësie, mosngacmimi apo edhe sheshimi të çdo lloj tendence të dikujt që tenton të duket ndryshe apo më i veçantë. Andaj, meqë të gjitha këto rregulla janë përcaktuar si benefite për sistemin shkollor ndër vite dhe kjo jo vetëm te ne, pse dikush po tenton ta prishë këtë rend?. Pse ngrihet zëri pikërisht kur në pyetje është mbulimi i vajzave të mitura? Meqë po trumbetohet në emër të të drejtave të njeriut, do të renditeshin këtu 1001 “Pse”-ja, për çka burrat kosovarë nuk u ngritën kurrë në këmbë kur u shkelen drastikisht të drejtat e njeriut/grave dhe vajzave.

Nuk dua t’i radhis rastet kur gratë rrahën, dhunohen, gjymtohen e sakatohen, dhe janë po këta burra që jo veç nuk e dënojnë, por u duartrokasin llojit të tyre gjinor nën justifikimin se gruaja do disiplinuar. Ideja e iniciuar nga dy burra, mori mbështetje mbi 85% nga burrat dhe diku rreth 15% nga gratë (bazuar në të dhënat e Kosdata, llogari në Twitter që mat të dhëna nga fusha të ndryshme).

Dy iniciuesit e ndryshimit të udhëzimit administrativ, në asnjë rast nuk u paraqitën publikisht me të dhëna të sakta që na tregojnë se sa vajza kanë mbetur jashtë bankave shkollore shkaku i mbulesës fetare? Në ç ’shkallë është i përhapur ky lloj diskriminimi për të cilin u hap debat mbarëshoqëror? Vite më parë kur një nxënëse u ndalua të hynte me mbulesë fetare në një nga shkollat e Kosovës, në media foli babai i saj dhe u ankua për shkeljen që po i bëhej.

Edhe kësaj radhe, luftën për të drejtën e saj nuk e bënte ajo që supozohej se duhet ta mbante hixhabin si zgjedhje mbi vullnetin e lirë personal, por fjalën e mori prindi që praktikisht mund të quhej sugjerues i orientimit fetar mbi fëmijët e mitur. Përveçse nuk u paraqitën të dhëna të sakta mbi shkallën e diskriminimit nga iniciuesit, debati mori hov e zjarr mbi argumente pa asnjë bazë, të tilla që u mbështetën kryesisht mbi gjykimin e (zh)veshjes së vajzave.

Edhe pse nuk pajtohem aspak se vajzat shkojnë të zhveshura në shkollë, sepse në shumicën e shkollave praktikohet uniforma, sërish mbështetja mbi këtë argument edhe sikur të ishte e vërtetë, nuk është aspak e drejtë. Marrë parasysh potencialin e ekstremizmit fetar të viteve të fundit në Kosovë, mundësia që vajzat e vogla të mbulohen pa vullnetin e tyre është e madhe. Dhe a është e drejtë që mbi argumentin se një vajzë e botës po zhvishet shumë të mbulohet një tjetër që ka krejtësisht sjellje, veshje dhe paraqitje normale sipas standardeve të përcaktuara nga shoqëria jonë? “Mëkatet” si pasojë e zhveshjes së një vajze tjetër, duhet t’i lajë një vajzë e mitur, që potencialisht mund të ketë prindër me bindje fetare ekstreme? Kjo kërkesë, veç me të drejta të njeriut nuk ka të bëjë aspak.

Fundja, një vajzë që thellësisht e beson shaminë si obligim që duhet përmbushur, me prindër po aq besimtar të devotshëm, e pret me kënaqësi kalimin e moshës të përcaktuar nga sistemi qeverisës. Prindërit e devotshëm dhe besimtarë nuk do të duhej të sakrifikonin edukimin e vajzave dhe t’i mbanin larg nga shkolla për shkak të obligimeve fetare. Sabëri (sipas leximit kuranor) apo durimi që shihet si vlera më e lartë e njerëzimit bazuar në religjionin islam, do të duhej t’i përcillte praktikuesit e vërtetë edhe në këtë rast.

Në të kundërtën, synimi për t’i rrënuar bazat e sistemit kushtetues që e parasheh Republikën e Kosovës si shtet laik (neni 8) mbi të cilin edhe rregullohet sistemi shkollor, më tepër ka të bëjë me agjenda politike islamike, sesa me një luftë të vërtetë për të drejta të njeriut.