Qeveria e formuar më 2021, tash pritet të hyjë në një proces më të avancuar negociator me Serbinë. Disa prej këshillave të para dy vjetëve mund të hyjnë ende në punë.
Disa ditë para formimit të Qeverisë së re të Kosovës, më 2021 i dhashë dhjetë rekomandime kryeministrit në ardhje Albin Kurti, në tryezën e “Forumit 2015”.
Po i rivizitoj këto dhjetë pikë dy vjet më pas, për shkak të relevancës e si kut matës për ku jemi sot. Teksti në “bold” që pason çdo njërën prej pikave është koment i shkurtër, shkruar dy vjet më pas.
1. Pamjaftueshmëria:
Procesi i dialogut, i filluar para dhjetë vjetësh, ka sjellë përparime në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por nuk e ka ndryshuar natyrën e marrëdhënieve mes dy shteteve. Serbia në mënyrë konsistente ka pohuar se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës ndonjëherë, gjegjësisht se e mohon ekzistencën e Kosovës dhe të drejtën e saj për ekzistencë. Ky deklarim është i ndërlidhur me konceptin (deri tani të dështuar) të lehtësimit të BE-së që të zhvillojë negociata për tema të ndara me supozimin se palët do të pajtohen eventualisht dhe të vendosin marrëdhënie ndërshtetërore e të fqinjësisë së mirë. Rrjedhimisht, nuk ekziston ende asnjë ndryshim strukturor a në premisa, që e bën procesin ta kalojë pragun e pamjaftueshmërisë.
Pra, duhet bërë rivlerësimin e procesit dhe marrëveshjeve, në mënyrë që të jepen propozime për përparimin e procesit negociator, duke sugjeruar edhe nevojën për parimet transatlantike për vazhdimin e një procesi të përforcuar negociator, gjithnjë në bazë të mandatit të Rezolutës së Asamblesë së përgjithshme të OKB-së (UN GA 64/298) dhe duke marrë parasysh njëkohësisht përcaktimin e Serbisë për mosnjohje të Kosovës.
*Takimi i 27 shkurtit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në Bruksel shënon ndryshim të strukturës negociatore pas dhjetë vjet formati të procesit të deritanishëm. Tani zhvillohet një proces negociator me parime të njohjes së barazisë së ndërsjellë. Në aspektin pozitiv, ky është një proces i përforcuar. Në aspektin kritik, kalimi i pragut të pamjaftueshmërisë do të matet në radhë të parë me rolin eventual garantues që mund të luajnë BE, shtetet promotore të këtij plani të ri (Gjermania dhe Franca) si dhe roli i SHBA-së.
2. Konteksti i ndryshuar për Kosovën atlanticiste:
Përgjatë dhjetë vjetëve të procesit negociator bota rreth Kosovës dhe Evropës ka ndryshuar. Rusia për NATO-n ka kaluar prej “partnerit strategjik” kur filluan negociatat Kosovë-Serbi në “rival sistemik” sot. Rusia është sot e angazhuar drejtpërsëdrejti kundër shtrirjes së Evropës atlanticiste dhe pavarësia e Kosovës e mundësia që Kosova të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së (ndërsa Serbia e BE-së) janë mu në qendër të shtrirjes së Evropës atlanticiste. Dialogu” është sot çështje parësore e politikës së sigurisë, e kombinuar me atë të jashtme dhe duhet të përqendrohet në nevojën e Kosovës për kontekstin e sigurisë kolektive evropiane, që për Kosovën nënkupton ombrellën e NATO-s.
*Konteksti është edhe më dramatik dy vjet më pas, tash në njëvjetorin e fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Kjo duhet të vërë negociatat Kosovë-Serbi në një kontekst me të cilin marrëveshja e normalizimit tejkalon kornizën e tanishme (MSA për Kosovën, kapitulli 35 i negociatave Serbi-BE) dhe shpejton integrimin e Serbisë në BE e të Kosovës në NATO dhe BE. Një kontekst i këtillë nuk është i dukshëm në planin franko-gjerman.
3. Platforma euroatlantike kërkon SHBA-në:
Ndarja mes SHBA-së dhe BE-së përgjatë dhjetë vjetëve të kaluar demonstroi jo vetëm mungesën e duhur të përparimit në negociata, por edhe mundësinë serioze të dëmtimit të procesit si të këtillë (këmbimi i territoreve me znj. Mogherini, procesi paralel negociator amerikan i ambasadorit Grenell). Rikthimi i SHBA-së në “Dialogun” e Brukselit, në një platformë të përbashkët e në kushte të reja, për Kosovën është e nevojshme në kuadër të nevojës së Kosovës për të adresuar të dyja proceset, pra anëtarësimin në NATO dhe atë në BE. Përcaktimi i Kosovës në dialog bëhet edhe kut matës për fqinjësi të mirë, në kuadër të aderimit në NATO.
*Roli i lehtësuesit që ka BE-ja është i pamjaftueshëm për të arritur dhe garantuar një marrëveshje normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe po të përforcohet (siç duhet të bëhet) roli i BE-së duhet të bashkëdyzohet me atë të SHBA-së si fuqi e pakontestueshme e sigurisë evropiane.
4. Shpërputhja juridike:
Kosova ka nënshkruar marrëveshje në Bruksel, siç ishte ajo për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe që krijoi një sërë shërputhjesh juridike me sistemin kushtetues të Kosovës (rrafshi i tretë i pushtetit, asimetria e natyrës kontraktuale mes Kosovës dhe Serbisë). Implementimi i këtyre marrëveshjeve është i pamundur brenda sistemit të tanishëm juridik të Kosovës, rrjedhimisht mund të bëhej në eventualitetin e një sistemi tjetër kushtetues-juridik të Kosovës. Dialogu nuk mund të mbështetet, pra, në parakushtin se fillimisht duhet të “implementohen të gjitha marrëveshjet”.
*Dy vjet më pas po tejkalohet parakushti, por jo edhe detyra e implementimit të të gjitha marrëveshjeve të mëhershme (të vitit 2013 e 2015). Kosova tash duhet të gjenerojë zgjidhje që i përshtaten rendit të vet kushtetues e juridik.
5. Rishikimi dhe harmonizimi evropian:
Kosova ka ndërmarrë obligime njëpalëshe në emër të mbrojtjes së komuniteteve pakicë, që nga Korniza kushtetuese, e deri te Marrëveshjet e Brukselit që mund të jenë në kundërshtim me legjislacionin evropian, në këtë rast me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rivlerësimi i tyre në kontekstin e normave juridike evropiane është i nevojshëm për trajtimin e çështjeve të komuniteteve joshumicë në dialog.
*Ky rishikim ka munguar dhe po të ishte bërë sot do t’i ndihmonte Qeverisë në adresimin e disa prej zgjidhjeve të Marrëveshjes së Brukselit që janë qartazi diskriminuese, siç janë etnizimi (serb) i rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës. Ky rishikim ka mundur dhe ende mund të tregojë pse etnizimi territorial i të drejtave nuk është zgjidhje.
6. Të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe funksionaliteti shtetëror:
Procesi i Brukselit ka nxjerrë në tryezë negociatore kërkesën e Serbisë për çështjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, duke u angazhuar për një model të veçantë prej atij apo atyre ekzistues. Kosova duhet të rivlerësojë sistemin e tanishëm të mbrojtjes, duke pasur parasysh të gjitha opsionet, përfshirë edhe ato të kërkuara në negociata nga perspektiva e funksionalitetit të shtetit dhe praktikave më të mira evropiane.
Njëkohësisht, Kosova duhet të vlerësojë të drejtat e komunitetit shqiptar në Serbi dhe të sugjerojë forma eventuale të avancimit të tyre
*Kërkesa e Serbisë tashmë është transformuar në pjesë të parimeve të panegociueshme të planit franko-gjerman. Kosova duhet të bëjë rirregullimin e çështjes së të drejtave të komunitetit joshumicë serb, duke u ndihmuar edhe me modelet më të mira evropiane.
7. Shteti laik dhe Kisha ortodokse serbe:
Kisha ortodokse serbe nuk duhet të jetë pikë negociatore në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Që të dyja shtetet e definojnë veten si laike në kushtetutat e veta, rrjedhimisht dialogu për Kishën ortodokse serbe duhet të zhvillohet drejtpërsëdrejti mes Republikës së Kosovës dhe Kishës ortodokse serbe. Republika e Kosovës ka obligim të trajtojë Kishën ortodokse serbe me të njëjtin respekt dhe ndihmë si tri bashkësitë tjera tradicionale të fesë (Bashkësinë Islame, Kishën katolike dhe Bashkësinë e tarikateve).
*Përligjja e pranisë së Kishës ortodokse serbe në Kosovë është pjesë e planit franko-gjerman. Megjithatë, kjo nuk mund të jetë pikë negociatore mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Në implementim të kësaj pike, Kosova do të negociojë me Kishën ortodokse serbe për të arritur marrëveshje mes Shtetit dhe Kishës.
8. Ballafaqimi me të kaluarën:
Gjuha e konfliktit vazhdon në Kosovë dhe Serbi dhe dialogu duhet të trajtojë si qendrore temën e madhe të ballafaqimit të së kaluarës në dimensionet e veta të ndryshme. Ballafaqimi me të kaluarën duhet të trajtojë fatin e të zhdukurve dhe përgjegjësinë juridike për këtë si dhe drejtësinë tranzicionale dhe pasojat juridike që del nga ajo. Ekziston nevoja për kulturën e paqes, duke e trajtuar të kaluarën në formë të përbashkët, kritike dhe transformative.
*Kjo pikë është trajtuar disa herë në procesin e Brukselit dhe ka gjasa të mos ketë ndonjë vend të veçantë në kontekstin e planit franko-gjerman. Do të ishte jo vetëm kundërproduktive që Kosova dhe Serbia të mos përpiqen të gjejnë forma të adresimit të ballafaqimit me të kaluarën, por edhe krejtësisht e pakuptueshme që kjo të ndodhë në kontekstin e planit franko-gjerman, të dy shteteve marrëdhënia e të cilave është shndërruar në bosht kurrizor të BE-së në masë të madhe edhe në sajë të ballafaqimit me të kaluarën.
9. Bashkëpunimi regjional WB6:
Ideja e një hapësire të katër lirive evropiane në atë që përbëjnë WB6, gjashtë shteteve të barabarta të Ballkanit Perëndimor, mund të ndihmojë jo vetëm në lehtësimin për komunikimin mes vendeve, por edhe në përshpejtimin e dialogut Kosovë-Serbi. Kosova mund ta fuqizojë procesin e bashkëpunimit regjional si në suksesin e dialogut me Serbinë ashtu edhe me idetë e veta brenda WB6.
*Pas dy vjet zvarritjeje në të cilin tre fqinjtë e Kosovës investuan në një projekt bashëpunimi regjional që nuk ishte Procesi i Berlinit (e që dikund shkonte ndesh me të), rikthimi i këtij të fundit mund të ndihmojë në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe anasjelltas, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund ta fuqizojë mundësinë që WB6 të shkojnë në formë të shpejtuar kah hapësira e katër lirive evropiane.
10. Legjitimiteti:
Kosova ka për herë të parë mundësinë që të ketë një Qeveri stabile, të dalë nga vota e qytetarëve, e me mandat të qartë qeverisës. Kosova po ashtu ka për herë të parë mundësi të hyjë në proces “dialogu” që është i ndarë nga ai i Gjykatës Speciale (dhe proceseve të ndërlidhura si marrëveshjet për këmbime territoriale e amnesti nga krimet e luftës, psh). Qeveria duhet të shfrytëzojë këtë avantazh për ta zgjeruar edhe më legjitimitetin me përfshirjen e opozitës brenda procesit negociator.
*Është obligim i pushtetit dhe opozitës që të krijojnë konsensusin e nevojshëm për procesin e forcuar negociator që po fillon javën e ardhshme dhe për arritjen e një marrëveshjeje normalizimi me Serbinë e cila tejkalon dallimet e përditshme politike mes pushtetit dhe opozitës.