Kam përshtypjen se debati për Gjykatën Speciale të Kosovës, të ashtuquajturat Dhoma të Specializuara kanë neglizhuar dy çështje, që duket se janë të dobishme të diskutohen.
E para lidhet me vetë gjykatën. Legjislacioni me të cilin qeveriset është miratuar gjatë viteve 2014-15. Kryeprokurori i saj është emëruar në dhjetor 2014. Selia është vendosur më 2016. Dhe është plotësisht operacionale prej qershorit 2017, kur rregullat e procedurave të saj u aprovuan më në fund. Çështja është pse nuk ka ngritur ende asnjë aktakuzë.
Çështja e dytë lidhet me sjelljen e një pjese të gjerë të elitës së Kosovës që i ka rrënjët në UÇK. Ndryshe prej AAK-së dhe Nismës, PDK-ja votoi më 2014-15 në favor të legjislacionit për themelimin e gjykatës. Megjithatë, bashkë me deputetët e AAK-së dhe të Nismës një grup i madh i deputetëve të PDK-së mbështetën nismën e fundit për pezullim ose ndryshime të ligjeve të gjykatës. Por së fundi nisma ka humbur mbështetjen. Andaj, si shpjegohej sjellja torturuese e këtyre fraksioneve të elitës?
Për adresimin e këtyre çështjeve mund të lëvizim para prej disa supozimeve solide.
1. Gjykata ishte themeluar për të gjykuar dyshimet që përmbante raporti i ashtuquajtur i Martyt, publikuar në fund të vitit 2010. Në shtator 2011, BE-ja krijoi ad hoc një zyrë hetimi, “Taskë-Forcën Speciale për Hetime” (SITF), për të kryer “hetim të plotë të dyshimeve që përmbante” raporti i Martyt. Citimi është nxjerrë prej përfundimeve preliminare të SITF-it, botuar më 29 korrik 2014 nëpërmjet një deklarate të kryeprokurorit të saj.
2. Raporti i i Martyt i përmend me emra Hashim Thaçin 26 herë, Kadri Veselin 7 herë, Fatmir Limajn 6 herë dhe Ramush Haradinajn 2 herë, duke ngritur dyshime kundër tyre, dhe përgjithësisht, duke marrë parasysh analiza të mëhershme kualifikuese për ta, bashkë me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën, si “personalitete kyç” ose “aktorë kyç” të krimit të organizuar.
3. Konkludimet e SITF-it u publikuan pas një pune trevjeçare. Ato provojnë se raporti i Martyt në thelb ishte i drejtë, përfshirë heqjen e organeve. Por fokusimi i SITF-it duket të ketë qenë vala e dhunës që e ka vuajtur Kosova ndërmjet qershorit 1999 dhe verës së vitit 2000. SITF-i ka nxjerrë përfundimin se “çfarë ka ndodhur pas konfliktit (1999)... ishte një sulm brutal ... drejtuar kundër serbëve të cilët dëshironin të qëndronin në Kosovë”, kundër romëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët kundërshtonin fraksione të caktuara të UÇK-së; se krimet e tilla rezultuan me ‘spastrim etnik efikas të hiseve të mëdha të popullsive serbe dhe rome’, në jug të lumit Ibër; se krime të tilla ishin kryer në ‘mënyrë të organizuar’, nën drejtimin e komandantëve të UÇK-së; dhe përveçse përbënin krime lufte, sulmet e tilla ishin ‘përhapur’ mjaftueshëm sa për të justifikuar akuzën për ‘krime kundër njerëzimit’”.
4. Mbi këtë bazë, SITF-i shkruan se është “në pozitë të ngritjes së padive kundër zyrtarëve të lartë të caktuar të ish-(UÇK-së)”. Kjo nënkupton se prokurorët kanë zbardhur dëshmi – të krimeve dhe identitet të kryerësve të tyre që mund të mbështesin dënimin. Kjo do të thotë se kur u operacionalizua zyra e prokurorisë së gjykatës – zyrtarisht në qershor 2017, por praktikisht ishte kryer kjo punë më 2016 – ka pasur në tavolinat e punës dëshmi të mbledhura nga SITF-i.
5. Thaçi, Veseli, Limaj, Haradinaj, Haliti dhe Sylaj, të gjithë ishin krerë të lartë ose haptas të lartë të UÇK-së, ose shërbimit të saj të maskuar të inteligjencës, SHIK. Mbi bazën e arsyetimit të supozimeve 2-4, krejt janë caqe të mundshme të akuzës. Të gjithë e kanë ditur më 29 korrik 2014, kur SITF-i publikoi konkludimet e tij.
6. Thaçi, Veseli, Limaj, Haradinaj, Haliti dhe Syla mbajnë haptas kontroll të sertë të partive të tyre politike respektive ose të fraksioneve partiake. Ne rrjedhimisht mund të supozojmë se kur deputetët e PDK-së votuan në favor të Gjykatës Speciale më 2014-15 dhe kur deputetët e AAK-së, Nismës dhe PDK-së hoqën dorë prej nismës kundër saj, e bënë me pajtim të këtyre krerëve, e jo së paku kundër opozitës. Çfarë e bën këtë jashtëzakonisht të dalluar është se më 2014-15 kishte kundërshtim – dhe shpesh me qëllim të mirë – kundër speciales në Kosovë, dhe pjesërisht një pjesë vazhdon ta kundërshtojë edhe sot; Thaçi, Veseli, Limaj, Haradinaj, Haliti dhe Syla vendosën të mos përdornin këtë pjesë të opinionit.
7. Thaçi, Veseli, Limaj, Haradinaj, Haliti dhe Syla janë në gjendje arsyeshëm të ndjekin interesat e tyre.
8. Ligji i Kosovës dhe rregullat e BE-së për funksionimin e gjykatës ia lejojnë shefes së Politikës së Jashtme të BE-së të zgjedhin kryetarin, kryeprokurorin dhe gjykatësit e gjykatës, në një listë nga e cila do të zgjidhen prej anëtarëve të paneleve të gjykatës. Kjo përzgjedhje do të kryhet prej kryetarit të gjykatës.
9. Kryetari, kryeprokurori dhe gjykatësit e përfshirë në listë janë përzgjedhur pasi SITF-i publikoi konkluzionet e veta. Me fjalë të tjerë, ishin zgjedhur pasi tashmë ishin bërë të njohura dyshimet që do të dëgjoheshin në gjykatë dhe se çfarë soji të akuzuarish do të dilnin para drejtësisë.
10. Historia e UNMIK-ut dhe EULEX-it tregon faktin se drejtësia është administruar prej gjykatësve dhe prokurorëve jokosovarë që nuk ofron kurrfarë mbrojtjeje në vetvete nga ndërhyrjet e tjera të jashtme dhe politike.
11. Kur një autoritet politik mund t’i emërojë gjykatësit dhe prokurorët që do të merren me një rast jashtëzakonisht delikat para se të hapet rasti, por me njohuri të plotë të dyshimeve dhe të akuzuarve të mundshëm, ndërhyrja është larg më e lehtë (dhe në rastin ekstrem, nuk ka as pse të ushtrohet: nëse dëshironi të hiqni dorë, vendosni që thjesht të zgjidhni gjykatës dhe prokurorë të shkujdesshëm dhe neglizhentë; nëse dëshironi t’i dënoni, zgjidhni asi rigorozë dhe të zellshëm; nëse jeni i pavendosur, zgjidhni gjykatës dhe prokurorë me vlera të cekëta morale, asi që mund të ndikohen prej një fjale të vetme gjatë rrufitjes së kafeve).
Pra, le të kthehemi te dy pyetjet dhe le ta nisim me të dytën. Përgjigjja e vetme kompatibile me supozimet 1-6 (arsyeshëm) është se Thaçi, Veseli, Limaj, Haradinaj, Haliti dhe Syla kanë arsye të besojnë se nuk do të akuzohen, dënohen ose së paku të burgosen.
Më saktësisht: Thaçi, Veseli, Haliti dhe Syla duhet ta kenë pasur këtë bindje më 2014-15, duhet ta kenë ndryshuar në dhjetor, dhe duhet t’i jenë kthyer në dhjetë ditët e fundit, kur edhe Limaj dhe Haradinaj e përqafuan këtë bindje.
Cila mund të ketë qenë thelbi i kësaj bindjeje? Pyetja është legjitime jo vetëm shkaku i peshës së supozimeve 2-4, por edhe për shkak të faktit se në dhjetor, kur deputetët e PDK-së mbështetën nismën kundër gjykatës, Thaçi, Veseli, Haliti dhe Syla duket se kishin hequr dorë prej kësaj bindjeje.
Thelbi i kësaj bindjeje dhe ringjallja e saj së fundi mund të haset në supozimet 8-11. Ky është argument krejtësisht spekulativ, por është goxha i qartë: gjykata është objektivisht e ekspozuar ndaj ndërhyrjes së jashtme, dhe ata që mund të ndikojnë në të – menaxhmenti i politikës së jashtme të BE-së; fuqitë perëndimore që ndikojnë në të – kanë kontakte dhe negociata të rregullta së paku me Thaçin, Veselin dhe Haradinajn: kështu që bindja e tyre mund të bazohet në garancitë e dhëna – mbase më vonë të tërhequra, dhe pastaj të dhëna përsëri – prej zyrtarëve perëndimorë.
Disa zyrtarë perëndimorë kanë mohuar shprehimisht dhe vrullshëm se janë bërë çfarëdo negociatash a marrëveshjesh të tilla. Duhet të mbajmë shënim për këtë punë afërmendsh, por shënoni gjithashtu se nëse ata kishin të drejtë, ose duhet të vihet seriozisht në dyshim supozimi shtatë, ose të supozojmë se Gjykata Speciale është aprovuar nën detyrim.
Afërmendsh se hipoteza e fundit nuk është se nuk mund të merret me mend, por nuk përkon lehtësisht me pyetjen e dytë: pse ka rreth një vit që prokurorët janë ulur para tavolinave të punës me dosje të mbledhura nga SITF-i (dëshmi që gjykatësit e SITF-it kishin vlerësuar të mjaftueshme për të ngritur aktakuza)? Pse hezitojnë tani, nëse gjykata ia ishte imponuar elitës së Kosovës sikundër vullnetit të tyre?
Po, Kosova ka kaluar nëpër një fazë politike delikate kur u fuqizua zyrtarisht gjykata për të ngritur aktakuza. Por Kosova ka shumicë parlamentare dhe qeveri prej fillimit të shtatorit, dhe nuk ka asnjë arsye të dukshme pse aktakuzat nuk janë ngritur menjëherë. Natyrisht se asnjë arsye e dukshme, veç nëse aktakuzat kanë rrezikuar kokat e Qeverisë, Parlamentit ose Presidencës së Republikës, ose krejt atyre. Por nëse kjo shpjegon vonesën, pse duhet pritur se kjo gjykatë, ndryshe prej UNMIK-ut dhe EULEX-it, nuk do të ndikohet nga konsideratat politike?
Po e përsëris: krejt kjo është spekulim abstrakt, hipotetik. Deri tani nuk kam kurrfarë informacioni çfarë po ndodh rreth e përqark gjykatës. Megjithatë ia vlen të sillen këto spekulime nëpër mend për të vlerësuar çfarë do të ndodhë. Dhe kur ta marrim vesh se kush është akuzuar dhe dënuar, si dhe pse, mund t’i nxjerrim përgjigjet edhe për dy pyetjet e mia (që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me krimet e viteve 1999-2000, por mund t’u interesojnë atyre që dëshirojnë të kuptojnë si ndahet pushteti dhe ushtrohet pushteti sot në Kosovë).