OpEd

Dy parime për dalje (të shpejtë) nga bllokimi

Kosova nuk mund të mbetet pa Qeveri në detyrë. Kjo nuk do të ishte as gjendje e jashtëzakonshme (sepse gjendja e jashtëzakonshme është kategori kushtetuese), por hyrje në rrafsh joligjor e jokushtetues. E, zgjidhja gjendet para sysh, tashmë e kemi përjetuar

1.

Dështimi i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës më 15 prill mund t’u atribuohet interesave të ndryshme politike, por problemi themelor është se këto interesa u gjetën në një kornizë jo krejtësisht të qartë juridike, e cila i shndërroi këto interesa në antagonizëm bllokues.

Nëse e thjeshtësojmë: deputetët e opozitës së deritashme politike votuan kundër mandateve të deputetëve të zgjedhur të LVV-së, duke u bazuar në Ligjin për Qeverinë, i cili nuk lejon që një pjesëtar i Qeverisë të mbajë njëkohësisht edhe postin e deputetit.

Deputetët e pushtetit votuan pro mandateve të tyre duke u bazuar në Kushtetutë, e cila përcakton formën e marrjes së mandatit përmes zgjedhjeve parlamentare.

Të dyja palët u mbështetën në logjika juridike, por, siç ndodh jo rrallë në Kosovë, ekziston një mospërputhje e plotë ndërmjet tyre — ndërmjet logjikave juridike.

Qeveria në detyrë i është përmbajtur mandatit të vet kushtetues derisa të fillojë mandati i Qeverisë së ardhshme. Opozita e deritashme i është përmbajtur ligjit (për Qeverinë), i cili thotë se një anëtar i Qeverisë nuk mund të mbajë mandatin e deputetit.

2.

Në votimin e së martës opozita e deritashme e fitoi argumentin në ditën e parë të mbledhjes së Kuvendit dhe arriti ta bllokonte konstituimin e tij duke u mbështetur në Ligjin për Qeverinë.

Nëse do të kishim një përputhje të qartë juridike, Ligji për Qeverinë do të përmbante një pikë të thjeshtë me një shpjegim eksplicit: se Qeveria, së cilës i ka përfunduar mandati (me dorëheqje apo pas zgjedhjeve), mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Rrjedhimisht, çështja e konfliktit të interesit mes mandatit të deputetit dhe atij të anëtarit të Qeverisë do të zgjidhej lehtë me braktisjen e njërës prej pozitave në momentin e formimit të Qeverisë.

Por ligji nuk e ka këtë formulim eksplicit dhe ndoshta kjo është arsye e mirë që kjo legjislaturë të bëjë ndryshimin sapo të fillojë punën.

Ndërkohë Kuvendi mund të dalë nga ngërçi duke u mbështetur në dy parime thelbësore. Parimi i parë është ai i vazhdimësisë. Ekzistojnë forma të ndryshme për ndërrimin e qeverive — prej dorëheqjes, votës së mosbesimit, deri te përfundimi i plotë i mandatit — por Republika e Kosovës nuk mund të mbetet asnjëherë pa një Qeveri të legjitimuar nga vota qytetare dhe sistemi juridik kushtetues.

Kjo do të thotë se rruga përpara nuk është insistimi që kryeministri dhe ministrat të largohen nga zyrat e tyre. Në një rast të tillë do të kishim një zbrazëti qeverisëse — vendi do të ishte pa Qeveri. Kjo zbrazëti nuk mund të plotësohet as me shërbyes civilë (të cilët nuk e kanë legjitimitetin e votës dhe legalitetin procedural të Kuvendit) dhe as me ndonjë grup ad hoc që do të quhej “Qeveri e përkohshme”, sepse edhe ajo do të duhej të merrte legjitimitetin nëpërmjet procedurës ligjore në Kuvend. Vendi pa Qeveri në detyrë do të hynte në një terren joligjor dhe jokushtetues; nuk po e quaj me qëllim as “gjendje të jashtëzakonshme”, sepse edhe kjo e fundit ka procedura të qarta juridike për shpalljen dhe kufizimet që duhet t’i adresojë.

Kosova nuk mund të mbetet pa një Qeveri të dalë nga vota demokratike dhe zëvendësimi i saj bëhet vetëm me një Qeveri tjetër, po ashtu të dalë nga vota demokratike. Ky është parimi i vazhdimësisë, dhe në bazë të tij, Qeveria e zgjedhur para katër vjetësh mund të zëvendësohet me një Qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2025.

Kjo është fryma e Kushtetutës së Kosovës, e cila në nenin 95 parasheh vetëm vazhdimësi të ekzekutivit e në asnjë pikë krijim të instancave të zbrazëtisë.

3.

Parimi i dytë është precedenca.

Ndonëse në rrethana të tjera, Kosova është ballafaquar me një situatë të ngjashme, e cila e vërtetoi parimin e vazhdimësisë, si në rastin e dorëheqjes së Qeverisë Haradinaj. Më 19 korrik 2019, kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje pas ftesës për intervistim nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shkaktuar një periudhë pa një qeveri funksionale. Qeveria Haradinaj mbeti në detyrë si qeveri kujdestare, duke vazhduar funksionimin deri në formimin e një qeverie të re, për të garantuar se nuk ka vakum institucional dhe për të siguruar vazhdimësinë e institucioneve.

Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës më 22 gusht 2019, u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor 2019. Disa ministra të Qeverisë Haradinaj (nga AAK dhe PDK), të cilët ishin gjithashtu kandidatë për deputetë, dhanë betimin si deputetë pas zgjedhjeve ndërkohë që vazhduan të mbajnë postin e ministrit deri në formimin e qeverisë së re.

Nga 22 dhjetori 2019 deri më 3 shkurt 2020, kur dha betimin Qeveria Kurti, disa prej anëtarëve të Qeverisë në detyrë mbanin njëkohësisht mandatet e deputetëve. Me betimin e Qeverisë së re u ndërpre arsyeja juridike e vazhdimësisë dhe këta persona lanë zyrat ministrore duke mbetur vetëm deputetë të opozitës.

Ja pra, një udhëzim i qartë për një situatë analoge.

4.

Bllokimi i radhës mund të ndodhë në çdo kthesë të ardhshme. Në garën për numra, forcat politike mund të matin muskujt rreth zgjedhjes së funksioneve — nga udhëheqësit e Kuvendit deri te formimi i Qeverisë. Por është me rëndësi që ky bllokim të tejkalohet menjëherë, sepse ka të bëjë me një standard juridik — të vazhdimësisë — prej të cilit nuk duhet të ketë shmangie, sepse prek një të arritur tashmë: që një pushtet i zgjedhur me votë të lirë zëvendësohet vetëm me një pushtet tjetër, gjithashtu të zgjedhur me votë.