OpEd

Dy objekte për fillim

Pavetëdijshëm, edhe sporti, edhe muzika janë dëshmuar si mënyra të zbrazjes së energjisë negative. Nejse, jo çdoherë sporti, por megjithatë. Po të kishim edhe preokupime të tjera që nuk janë politikë, politikë, politikë, mbase punët do t’i kishim më mirë. T’ia fillojmë me një stadium dhe një operë. Mundësisht, pa vjedhur!

Për të parën herë ndodh që në zgafellen e fundit të rregullt për sivjet ta përmend finalen e Botërorit në futboll. Tashmë e shpjeguar prej vitesh, ky kampionat nuk ka mundur të mbahej verës në Katar për shkak të temperaturave tepër të larta dhe prandaj ishte shtyrë për në vjeshtë.

Dhe, me gjithë temperaturat relativisht të larta, në këtë kampionat nuk pati ndërprerje për freskim, për shkak se edhe stadiumet ishin pajisur me kondicionerë ajri që e mbanin temperaturën e durueshme për ata që dinin të vraponin mbi 12 kilometra për ndeshje.

Qe kampionati i parë ku nuk pati incidente të rënda mes tifozësh, sepse një ditë para se të niste kampionati u ndalua konsumi i birrës. Dhe, nuk është se nuk kishte tentime të kontrabandohej alkooli me dylbi, e kushedi çka tjetër. Në ndeshjen Zvicër - Serbi u ndalua valimi i flamurit kuqezi dhe atij shtetëror të Kosovës, nuk e di edhe çka u ndalua.

Por, nuk munden ta ndalnin tifozen e Kroacisë, ish-pretenduesen për “Miss Zagrebin” më 2016. Dhe fare nuk ishin me rëndësi rrëfimet për ndryshimin fizik që kishte pësuar prej atëherë (për të mirë thoshin). Me rëndësi ishte se bënte tifo për shtetin e saj ashtu siç ia merrte mendja – e veshur jashtë standardeve të përcaktuara nga organizatorët. Ajo u bë hit!

Finalja e luajtur mes Argjentinës e Francës mund të ketë qenë finalja më e mirë që mbaj mend të kem shikuar. Me gjashtë gola, tri penallti, shanse të çastit të fundit e më pas me dramën e penalltive. Fitoi Argjentina, ngase portieri i saj ia doli t’i mbronte dy sish. Messi u shpall lojtari më i mirë i kampionatit dhe e çoi lart Kupën e Botës.

Muaji më intensiv sportiv u mbyll, kurse kampionati për shumicën e shqiptarëve mbaroi kur Zvicra e mundi Serbinë, me një gol kontribuues të Xherdan Shaqirit. Kjo e fundit nuk ka pse të elaborohet më gjatë. ?

* * *

Një gjë mbase do të mund të përfitojmë nga ky kampionat në Katar, është një stadium, 974 quhet, i ndërtuar nga 974 kontejnerë dhe hekur modular, i cili do të demontohet, meqë shteti i vogël i Katarit nuk ka nevojë për 8 stadiume kaq të mëdha. Është folur për mundësinë që stadiumi të falet dhe me sa kemi kuptuar FFK-ja tashmë është paraqitur si e interesuar për t’u bërë me të.

S’do mend se një stadium me rreth 45 mijë ulëse do t’i mjaftonte Kosovës për stadium kombëtar dhe për ndeshje ndërkombëtare. Do të mund të vendosej diku në qendër të Kosovës ashtu që e gjithë Kosova t’i qasej më lehtë, pa frikën se do të mbetet e ngujuar në trafikun e Prishtinës.

Për fat të keq, Katari nuk e organizoi Festivalin Botëror të Operës, sepse me siguri do t’i kishte ndërtuar nja gjashtë a shtatë salla opere për pak kohë dhe sërish do t’i falte, se mbase dy do t’i mjaftonin.

Një ndërtesë e tillë hipotetike do ta shpëtonte Kosovën nga turpi që e ka mbërthyer me paaftësinë, mbase të qëllimshme, të treguar për ta ndërtuar një objekt që do t’i shërbente Operës dhe Baletit të Kosovës.

Opera si institucion u themelua zyrtarisht vjet dhe ende po flitet për lokacionin dhe ndërtimin e objektit, që me këtë ritëm mbase do ta mbërrijë pesëvjeçarin e ardhshëm. Por, hapi i parë drejt realizimit të një ëndrre, shfaqjes së një opere përnjëmend në Prishtinë, ndodhi javën e shkuar.

15 dhjetori i 2022-tës do ta shënojë datën historike të Operës së Kosovës kur u shfaq “La Traviata” e Verdit. Dy ditë më vonë u mbajt repriza në të njëjtin lokacion, me sallën përplot njerëz. Në atë atmosferë nuk kishte se si të mos më kujtoheshin koncertet e para të muzikës klasike në Kosovë, konkretisht në Prishtinë, në vitet ’80 të shekullit të shkuar.

Atëbotë orkestra simfonike e RTP-së mbante ndonjë koncert. E koncerte mbanin edhe solistët e rrallë, në përcjellje të orkestrës, për një publik jo më të madh se 20 veta. Salla e Kuqe e “Boro&Ramizit”, absolutisht e papërshtatshme për koncerte të çfarëdo lloji që mbaheshin, e lëre më për klasikë, përherë ishte e ftohtë. Ngrohja e “Termokosit” ishte më tepër dekor i pasqyruar nëpërmjet radiatorëve të vegjël, sesa shpëtim për instrumentistët me shpinë të kthyer kah xhamat, prej nga, pos frymës, dinin edhe të depërtonin bora a shiu.

Do të thotë, na u deshën 40 vjet që në forma të ndryshme të kultivohej muzika klasike, që t’i afrohej publikut me performanca falas, nëpërmjet një varg festivalesh që filluan të zgjonin kureshtjen e shumëkujt që muzikën klasike ishte detyruar ta dëgjonte në ditë zie. Dhe sinqerisht, ende nuk e kam të qartë se përse kur ka pasur ditë zie është dashur të transmetohej muzika klasike, e cila di që të jetë edhe shumë e gjallë dhe “allegro”.

* * *

“Traviata” u shfaq në sallën e sporteve “1 Tetori” – e cila nga qendra e luftës kundër Covidit për dy vjet u shndërrua në qendrën e kulturës për bile dy net.

Salla u stërmbush me njerëz – dhe më e bukura qe që mbi 80% të shikuesve ishin të rinj në moshë. Mbresëlënëse. Gjithashtu mbresëlënës ishte ekzekutimi i orkestrës me rreth 70 instrumentistë, krejt pjesëtarë të një brezi të ri që “Traviatën” e kishin pasur edhe premierë, edhe debutim, ndërkohë që interpretimi i Besa Llugiqit dhe i Gëzim Myshketës qe thjesht fenomenal.

Kori i përbërë nga shumë të rinj dhe disa nga pjesëtarët e brezave më të hershëm që ka mbi dekadë nuk kanë pasur shansin të këndonin role operistike, u mblodhën mbi podiumin megjithatë të vogël, të improvizuar në një hapësirë që është e vetmja që mundëson ekzistimin e njëfarë prapaskene dhe një pjese që do të mund të quhej gardërobë.

Pa asnjë qëllim për t’i kritikuar organizatorët, megjithatë ishte mëkat, mëkat që gjithë ai talent të performonte në një hapësirë që nuk e ka destinimin për art e muzikë, por vetëm për sport, e ndonjëherë edhe për vaksinim. Tek e shikoja sallën, skenën dhe orkestrën, m’u kujtuan ndeshjet e futbollit që luheshin në kohë të okupimit: nëpër livadhe, oborre shkollash, e kahmos tjetër. Por, atëherë ishim nën okupim dhe sportin e kishim formë rezistence pa armë.

Ka shumë kohë që jemi të lirë dhe të pavarur dhe askush pos vetes nuk na ndalon të kemi një sallë opere që, u pa atë natë, ka talent të mjaftueshëm, për të mbajtur shfaqje rregullisht. Përderisa ne kemi solistë që i kemi “eksportuar” dhe tash janë të famshëm në shtetet ku punojnë dhe në ato shtete ku shkojnë si solistë të ftuar – kjo do të thotë se kapacitetin e kemi dhe se mund ta mbajmë të gjallë një repertor vjetor pa ndonjë problem të madh.

E megjithatë, problemi më i madhi është se ky talent nuk ka ku të performojë, për shkak se qe 20 vjet flasim për operën; qe njëzet vjet kemi shpenzuar miliona për projekte ideore e kinse zbatuese; kemi hapur e mbyllur gropa të mbushura me bretkosa; s’jemi marrë vesh për këtë apo atë lokacion dhe kemi humbur kohë. Dëshmuam se interesimin për kulturën e kishim pasur pro forma dhe dëshmuam se nuk dimë çka duam, kur të gjitha mjetet i kishim nën kontroll.

Do të ishte mirë që gur themeli i Operës të vihej sa më shpejt. Ndërtimi i një opere mund të jetë i shtrenjtë për shkak të specifikave të akustikës, por nuk mund të jetë më i shtrenjtë se humbja e katër-pesë brezave të talenteve që duhen të merren me tjetër profesion, sepse nuk kanë perspektivë në atë që kanë zgjedhur.

Ndërtimi i një opere edhe mund të marrë kohë, porse askush nuk mund të thotë se në Kosovë nuk ndërtohet shpejt: mjafton të shikohen ndërtesat që gufojnë për çdo ditë të lume dhe përfundojnë me banesa të gatshme brenda muajsh. Po, e di që esenca është që të gjendet një projekt i qëndrueshëm dhe një punëkryerës që nuk do të mashtrojë, përderisa Qeveria duhet të sigurohet se në prokurim nuk do të ketë hajni e dallavere. E vështirë, por jo e pamundur.

* * *

Ky vend ka probleme shumë dhe dikush do të mund të komentonte se opera është puna e fundit që i intereson kur duhet menduar për mbijetesën. Por, është fakt i pamohueshëm se sikur sporti ashtu edhe arti në fakt na ndihmojnë të gjithë neve të çkapemi nga problemet e përditshme.

Mjafton ta kujtojmë interesimin për t’i përcjellë ndeshjet e Botërorit. Mua më mjafton të shoh qindra të rinj që janë të etur për një diçka që nuk e kanë pasur deri tash e do të mund ta shijonin e kultivonin vetëm po ta kishin mundësinë. Dhe, të mos harrojmë se biletat për Traviatën janë shitur dhe nuk janë falur si dikur.

Pavetëdijshëm, edhe sporti, edhe muzika janë dëshmuar si mënyra të zbrazjes së energjisë negative. Nejse, jo çdoherë sporti, por megjithatë. Po të kishim edhe preokupime të tjera që nuk janë politikë, politikë, politikë, mbase punët do t’i kishim më mirë.

T’ia fillojmë me një stadium dhe një operë. Mundësisht, pa vjedhur!

[email protected]