Mësimi nga historia është se shndërrimi i tregtisë në një forcë pozitive e kërkon demokratizimin e saj. Kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar që ajo t’i shërbejë së mirës së përbashkët, në vend të interesave të ngushta – një mësim ky i rëndësishëm që duhet mbajtur mend teksa e rindërtojmë regjimin tregtar botëror gjatë viteve pasuese
Pak terme në ekonomi janë aq të ngarkuara në aspektin ideologjik seç është “tregtia e lirë”. Mbrojeni këtë tezë ditëve të sotme dhe ka të ngjarë që të konsideroheni si një apologjet për plurokratët, financierët dhe korporatat e papenguara. Mbrojeni hapjen e kufijve ekonomikë dhe do të etiketoheni si naivë apo, edhe më keq, si shërbyes të Partisë Komuniste të Kinës që nuk e çan fort kokën për të drejtat e njeriut apo për fatin e punëtorit të thjeshtë përbrenda vendit.
Si në rastin e krejt karikaturave, ekziston një grimcë e vërtete në qëndrimin antitregti. Rritja e tregtisë u ka kontribuuar rritjes së pabarazisë dhe erozionit të shtresës së mesme në Shtetet e Bashkuara dhe në ekonomitë e tjera të avancuara gjatë dekadave të fundit. Nëse tregtia e lirë e mori emrin e keq, kjo ndodhi për shkakun se nxitësit e globalizimit i anashkaluan anët negative të tij apo vepruan sikur asgjë nuk mund të bëhej për ta. Ky anashkalim i fuqizoi demagogët si puna e Donald Trumpit për ta shndërruar tregtinë në armë dhe për t’i demonizuar pakicat racore dhe etnike, emigrantët dhe rivalët ekonomikë.
As antipatia për tregti të provincës nuk është vetëm e populistëve djathtistë. I përfshin edhe majtistët radikalë, aktivistët e klimës, mbrojtësit e sigurisë në ushqim, aktivistët e të drejtave të njeriut, sindikatat e punës, mbrojtësit e konsumatorit, si dhe grupet antikorporata. Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, është distancuar theksueshëm prej tregtisë së lirë. Administrata e tij beson se ndërtimi i një ekonomie amerikane të sigurt, të gjelbër dhe të qëndrueshme duhet të ketë përparësi karshi hiper-globalizimit. Duket se të gjithë progresistët besojnë që tregtia e lirë i qëndron në rrugë drejtësisë shoqërore, sido që kjo të kuptohet.
Nuk ishte përherë kështu. Tregtia e lirë ishte klithma kumbuese e reformatorëve politikë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të cilët e panë atë si një mjet për mposhtjen e despotizmit, për përfundimin e luftërave dhe për tkurrjen e pabarazive shtypëse në pasuri. Siç na kujton historiani i Universitetit të Exeterit, Marc-William Palen, në librin “Pax Economica: Left-Wing Visions of a Free Trade World”, kosmopolitanizmi ekonomik i epokës i ka përmbledhur kauzat progresive si antimilitarizmi, antirobëria dhe antiimperializmi.
Dhe nuk ishin vetëm liberalët politikë ata që e mbështetën tregtinë e lirë. Populistët amerikanë në fundshekullin nëntëmbëdhjetë e kundërshtuan me ngulm standardin e artë, por ishin njashtu edhe kundër tarifave të importit, të cilat menduan se u sillnin përfitime bizneseve të mëdha dhe i dëmtonin njerëzit e thjeshtë. E nxitën zëvendësimin e tarifave me një taksë më të drejtë progresive në të ardhura. Mandej, gjatë pjesës së parë të shekullit të njëzetë, shumë socialistë e panë tregtinë e lirë, të mbështetur nga rregullimi mbikombëtar, si një antidot për militarizmin, për boshllëqet në të ardhura dhe për monopolet.
Këto qëndrime kontradiktore do të dukej sikur e përbëjnë një rebus. A i promovon tregtia paqen, lirinë dhe mundësitë ekonomike, apo i ushqen konfliktin, represionin dhe pabarazinë?
Në fakt, enigma është më shumë e dukshme sesa reale. Se cili është përfundimi – apo diçka në mes – varet nga ajo se kë e fuqizon tregtia.
Liberalët dhe reformatorët e shekullit të nëntëmbëdhjetë ishin pro tregtisë së lirë, ngase menduan se proteksionizmi u shërbente interesave reaksionare, duke i përfshirë autokratët, monopolet e biznesit dhe luftënxitësit. Ata besonin se nacionalizmi ekonomik shkonte krah për krah me imperializmin dhe agresionin. Paleni e citon një ese të 1919-s të ekonomistit Joseph Schumpeter, i cili e përshkruan imperializmin si “një simptomë monopolistike të militarizmit dhe proteksionizmit atavistik – një sëmundje kjo që veç forcat demokratike të tregtisë së lirë mund ta kurojnë”.
Ishte pikërisht ky vizion që e informoi sistemin e tregtisë ndërkombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore. Arkitektët amerikanë të Organizatës Ndërkombëtare të Tregtisë i pasuan hapat e Cordell Hullit, sekretarit të Shtetit të presidentit Franklin D. Roosevelt, duke besuar se po e ndjekin paqen botërore nëpërmjet tregtisë së lirë. Hull ishte një kosmopolitan ekonomik dhe ithtar i mbrojtësit radikal të tregtisë së lirë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Richard Cobden. Ndryshe prej regjimeve të mëparshme, rendi i pasluftës qe menduar të ishte një sistem i rregullave globale që eliminonin bilateralizmin dhe privilegjet perandorake. Teksa Kongresi amerikan në fund dështoi ta ratifikonte ITO-në, disa prej parimeve kyç të tij – përfshirë multilateralizmin dhe mosdiskriminimin – mbijetuan në Marrëveshjen e Përgjithshme për Tarifa dhe Tregti (GATT), një pararendëse kjo e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Por tregtia mund të instrumentalizohet po aq lehtësisht për përfitime autoritare dhe militareske. Një shembull veçanërisht skandaloz është Antebellum America, ku tregtia e lirë shërbeu për ngulitjen e skllavërisë. Gjatë hartimit të Kushtetutës amerikane më 1787, jugorët që kishin në pronësi skllevër siguruan që teksti të ndalonte taksimin e eksporteve. Ata e kuptuan fare mirë se tregtia e lirë do të siguronte që bujqësia e plantacioneve të mbetej fitimprurëse dhe ta ruante sistemin e skllavërisë mbi të cilën bazohej. Kur veriu e mposhti jugun në Luftën Civile, skllavëria u shfuqizua dhe tregtia e lirë e zëvendësoi proteksionizmin, që iu përshtat më mirë interesave afariste veriore.
E ngjashme ishte situata nën imperializmin britanik. Pas shfuqizimit të “Ligjeve të Misrit” më 1846, qeveria britanike nominalisht ia ktheu shpinën proteksionizmit dhe e shpiu Evropën drejt nënshkrimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë.
Por në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe në Azi, tregtia e lirë u imponua nëpërmjet tytës së pushkës sa herë që britanikët hasnin me fuqi të dobëta që sundonin mbi të mira dhe tregje të çmueshme.
Britanikët i zhvilluan luftërat famëkeqe të Opiumit në messhekullin nëntëmbëdhjetë për t’i shtrënguar sunduesit kinezë t’ua hapin tregjet mallrave britanike dhe perëndimor (opiumi, si kryesor mes tyre), në mënyrë që vendet perëndimore të blinin në këmbim çajin, mëndafshin dhe porcelanin e Kinës pa ia shteruar arin. Opiumi rritej në Indi, ku, siç Amitav Ghosh përshkruan në hollësi në librin e tij “Smoke and Ashes”, monopoli britanik i shtrëngoi fermerët që të punonin në kushte të tmerrshme që shkaktuan vragë afatgjata. Tregtia e lirë u shërbeu represionit dhe luftës, dhe anasjelltas.
Regjimi multilateral i tregtisë së lirë pas Luftës së Dytë Botërore do të kalonte shumë më mirë nën udhëheqjen amerikane.
Nën GATT-në, diplomacia komerciale i zëvendësoi luftërat dhe shumë shtete joperëndimore – si Japonia, Koreja Jugore, Tajvani dhe, në mënyrën më spektakolare, Kina – i zgjeruan shpejt ekonomitë e tyre duke i shfrytëzuar tregjet globale.
Megjithëkëtë, deri në vitet 1990, regjimi tregtar u shndërrua në viktimë të vetë suksesit të tij. Korporatat e mesha dhe miltinacionalistët, të fuqizuar nga ekspansioni i ekonomisë globale, nxitën përherë e më shumë negociata tregtare. Çështjet si mjedisi, shëndeti publik, të drejtat e njeriut, siguria ekonomike dhe barazia e brendshme u vunë në plan të dytë. Tregtia ndërkombëtare sërish u largua nga vizioni fillestar i Cobdenit dhe i Hullit, duke u shndërruar në një burim të disonancës ndërkombëtar në vend të harmonisë.
Mësimi nga historia është se shndërrimi i tregtisë në një forcë pozitive e kërkon demokratizimin e saj. Kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar që ajo t’i shërbejë së mirës së përbashkët, në vend të interesave të ngushta – një mësim ky i rëndësishëm që duhet mbajtur mend teksa e rindërtojmë regjimin tregtar botëror gjatë viteve pasuese.
(Dani Rodrik, profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare Politike në shkollën Kennedy të Harvardit, është kryetar i Asociacionit Ndërkombëtar Ekonomik dhe autor i librit “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).