Me edhe 12 mijë doza në dispozicion, mezi do ta kalojmë 1% të popullatës që do të mbërrijë ta marrë dozën e parë të vaksinës, të cilën janë duke e refuzuar shumë mjekë dhe staf shëndetësor. Shembull më të keq se ky nuk mund të japin në një popull ku jo pak veta u besojnë Labit dhe teorive të konspiracionit të çipave të Bill Gatesit. Mirë do të ishte që të gjithë këta që po e refuzojnë vaksinën të detyrohen ta presin rendin, pasi të jenë vaksinuar të gjithë ata që mezi presin ta marrin
Masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë nga Qeveria e re, e të cilat po paralajmërohet se do të hiqen të hënën, qenë kot.
Mbyllja e pjesshme e gastronomisë dhe e qendrave tregtare, ku të gjitha kafiteritë vazhdonin të shërbenin kafenë kinse "merre me vete", përderisa qytetarët i mbushnin trotuaret para tyre, në fakt qe vetëm një përqeshje me masat që u përcollën me shumë pak kontroll nga ana e inspektoratit dhe e policisë.
Shumica e atyre që i thyenin këto masa edhe nuk kishin faj: Qeveria nuk i mbylli kufijtë dhe me mijëra njerëz mund të shkonin lirshëm nga shtetet fqinje, e me shumicë absolute për në Shqipëri. Për më keq, një pjesë jo e vogël e zyrtarëve të partisë në pushtet u gjend në Shqipëri duke bërë fushatë zgjedhore atje. Thuajse Kosova nuk ka urgjencë më të madhe sesa të shikojë se si do të zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri dhe se kush do t'ia dalë të bëhet me post deputeti e kush jo.
Sinqerisht, nuk e kam as interesimin më të vogël për zgjedhjet në Shqipëri, a kudo në rajon: prej javës së shkuar vdiqën edhe 86 persona (2053, që nga fillimi i pandemisë) dhe numri i të infektuarve e kaloi 100-mijëshin (100.655 veta). Numri i të vaksinuarve në Kosovë ka arritur në rreth 12.000 veta, apo 0.66% e popullsisë së Kosovës (nëse e llogarisim që jemi 1.8 milionë).
Me edhe 12 mijë doza në dispozicion mezi do ta kalojmë 1% të popullatës që do të mbërrijë ta marrë dozën e parë të vaksinës, të cilën janë duke e refuzuar shumë mjekë dhe staf shëndetësor. Shembull më të keq se ky nuk mund të japin në një popull ku jo pak veta u besojnë Labit dhe teorive të konspiracionit të çipave të Bill Gatesit. Mirë do të ishte që të gjithë këta që po e refuzojnë vaksinën të detyrohen ta presin rendin, pasi të jenë vaksinuar të gjithë ata që mezi presin ta marrin.
Lëre që ky COVID na ka dërrmuar edhe financiarisht e edhe fizikisht, na ka dëmtuar jo pak edhe psikikisht. Dhe do të jetë shumë vështirë për të gjithë ne t'i përshtatemi një normaliteti të ri, ku ndoshta edhe do të detyrohemi të vaksinohemi rregullisht edhe në të ardhmen, e mbase edhe të mbajmë maska për një kohë edhe më të gjatë.
* * *
Java politike i pati dy ngjarje kryesore - paraqitjen e parë të Donika Gërvallës para KS të OKB-së në raportimin e rregullt për Kosovën. Për mbamendje do të jetë fakti se Gërvalla refuzoi ta hiqte flamurin shtetëror të Kosovës, që me ngulm kërkohej nga ambasadori rus. Nga ana tjetër, fjalimi i saj sa u kritikua aq edhe u lavdërua. U lavdërua, ngase i numëroi një numër zyrtarësh, përfshirë edhe veten, si viktima të krimit të shtetit serb. Si shembull më i prekshëm se krimi nuk harrohet.
U kritikua për shkak se foli për krimin e korrupsionin në Kosovë. Sinqerisht nuk e kuptoj se pse u kritikua për këtë punë, kur dihet shumë mirë se mu krimi e korrupsioni na kanë lënë edhe pa njohje të reja ndërkombëtare, pa liberalizim vizash dhe me ngecje në të gjitha aspektet shoqërore. Fundja, lufta kundër krimit dhe korrupsionit qe edhe baza e fushatës elektorale që i solli VV-në dhe listën “Guxo” në pushtet.
Ngjarja e dytë qe emërimi i shefit të ri të AKI-së, një të riu që kishte një biografi akademike impresive. Njerëzit që e njihnin ishin përplot lëvdata për të. Uroj që të jetë njëmend person i zgjedhur mirë, që do ta udhëheqë këtë agjenci me diskrecionin më të madh dhe në të mirën e shtetit.
Ngjarja e cila nuk ndodhi është mosmbajtja e asnjë seance të Kuvendit për asnjë temë në këto ditë. Edhe pse komisionet është dashur të jenë konstituuar deri tani - kanë mbetur aq shumë tema të hapura, saqë mund t'ia nisin shqyrtimit edhe të ligjeve që presin e edhe të shumë temave që kanë nevojë për zgjidhje.
Ftesa e PDK-së që Kuvendi të mblidhet për të debatuar për tri tema: vaksinat, ekonomia dhe arsimi, nuk është edhe krejt e paqëlluar. Vaksinat janë absolutisht prioriteti më i madh që ka ky vend tashti. Ekonomia, pra ligji i rimëkëmbjes, ka qenë dokument i miratuar falë PDK-së, edhe pse të gjithë e kanë ditur që para nuk ka për ta realizuar. Arsimi, është temë e cila nuk mund të zgjidhet menjëherë, sepse kërkon reformë shumë të thellë. E një nga fajtorët kryesorë për këtë gjendje të arsimit është PDK-ja. Porse pavarësisht, janë temat që me domosdo duhet nisur, trajtuar dhe zgjidhur në të mirën e qytetarëve.
E arsyeja se përse Kuvendi nuk mblidhet, është se Qeveria ende nuk e ka programin qeveritar. Ky program, në parim, është dashur t'u jetë paraqitur deputetëve ditën kur u zgjodh Qeveria Kurti 2. Pra, është dashur të ishte hartuar me kohë, nëse assesi ndryshe, atëherë në vija jo shumë të trasha. Për shkak se jam e sigurt se kur i kanë marrë dikasteret, vetëm atëherë e kanë kuptuar gjendjen reale me të cilën do të ballafaqohen ata, e nëpërmjet tyre edhe ne. Porse problemi është se ne nuk po dimë asgjë.
* * *
Kjo që po e karakterizon fillimin e punës së kësaj Qeverie është mbyllja ndaj ndarjes së informatës me publikun. Përderisa ruajtja e konfidencialitetit te rasti i blerjes së vaksinave edhe mund të kuptohet, se ka të bëjë me para të majme dhe me blerje malli të ndjeshëm nga jashtë, ajo që është absolutisht e papranueshme është mungesa e komunikimit të zyrtarëve që paguhen për këtë punë me gazetarët.
Ka kohë që nuk u ka ndodhur redaksive që të mos jenë në gjendje ta marrin madje as një përgjigje në lidhje me pyetjet që shtrohen për çështje që prekin interesat e publikut. Nëse kjo është siç e sheh kjo qeveri transparencën, atëherë e ka shumë, shumë gabim.
E para, ata janë zgjedhur aty për ta shërbyer popullin.
E dyta, të gjithë ata, politikë dhe jopolitikë, paguhen nga buxheti i shtetit të cilin e krijojmë ne qytetarët. Dhe duhet kujtuar e rikujtuar, sektori publik nuk ka hequr ama bash asnjë grimë gjatë pandemisë në kuptimin e të ardhurave personale: për ta përherë ka pasur para, dhe rrogat përherë i kanë marrë me kohë.
E treta, e kanë për obligim të japin përgjigje, qofshin ato edhe akuza, edhe rrena, edhe çfarëdo qoftë, porse nuk mund ta injorojnë asnjë gazetar, të cilitdo medium qoftë, dhe të zgjedhin që të mos u përgjigjen as thirrjeve telefonike e as emailave.
E katërta, meqë nuk paraqiten në Kuvend për të raportuar, duhen gjetur kohë për t'u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në emisione të ndryshme politike - sepse nuk janë duke funksionuar brenda një balloni të izoluar, pavarësisht se po sillen ashtu, me një arrogancë shumë dëbuese dhe irrituese, natyrisht.
* * *
Heqja e masave në kushtet kur i kemi 12 mijë vaksina dhe presim se do të na vijnë edhe "disa" (shifra konfidenciale) në fund të prillit apo fillim të majit, e "edhe një pjesë (shifra konfidenciale) prej COVAX-it, pra vaksina që na i falin, e jo që i blejmë, nuk duket të jetë një hap i mençur. Sepse përvoja e tregoi se Kosova ia doli ta kontrollonte përhapjen e virusit vetëm gjatë karantinës vjet në këtë kohë. Pra, me masa të rrepta, ku edhe qytetarët kontribuuan, për shkak se u përmbaheshin atyre, për të mirën e vet dhe të të tjerëve.
Po e di, dhe e kam të qartë që mbyllja ka efekte ekonomike negative dhe se shtetet perëndimore kanë mundur të zbatonin masa të rrepta karantine, për shkak se ka pasur shumë ndihmë nga shteti për të prekurit. Në Kosovë nuk ka qenë rasti - apo për të qenë korrekte, ndihma nga shteti ka qenë pak a shumë simbolike dhe, natyrisht, inkonsistente dhe e pamjaftueshme. Shumë e besoj se me një organizim më të mirë, do të kishte pasur para të mjaftueshme për ta ndihmuar sektorin privat, që do ta kthente një pjesë jo të vogël të hollave në buxhet sërish.
Po ja që Qeveria u dorëzua para presionit mbase të komunave, por më së shumti të gastronomisë. Nuk e paskam pasur idenë se ekonomia e Kosovës varet nga kafet - e sidomos nga dasmat. Tash e kuptova se përse ndonjëherë nuk jemi popull i lumtur: për shkak se sallat e dasmave pa 250 veta në to duken të pahijshme.
Hapja do të nënkuptojë rritje të numrit të rasteve dhe numrit të të vdekurve. Me këto mend dhe këso sjelljesh, vetëm vaksina mund të na shpëtojë. Krejt të tjerat s'vyejnë shumë, kur shëndet nuk ka.