Demokracia nuk mbahet me linçim e as me kallëzimin e muskujve. Mbahet me bashkëbisedim dhe me gjetje të zgjidhjeve që janë në interesin publik. Për demokracinë e shtetit të brishtë të Kosovës është shumë me rëndësi që shtyllën e katërt të pushtetit ta ketë të fortë, të qëndrueshme dhe të shëndoshë. Ngufatja e Kosovës së vogël me gjithë këto mediume elektronike, pa i llogaritur portalet që janë rrëfim më vete, nuk e ndihmon kauzën. Përkundrazi
Çështja e këmbimit të tokave në Prishtinë rri heshtur këto ditë për shkak të masës së përkohshme miratuar nga Gjykata, si dhe për shkak të anulimit të vendimit nga Kuvendi Komunal. Por kjo, megjithatë, nuk e mbyll këtë skandal, sepse është një fakt që ka ndodhur. Se a ka hapësirë për hetime serioze nga Prokuroria e Shtetit apo jo, e besoj se po. Se a do të ndodhë hetimi, mbetet të shihet.
Dhe, me gjithë prishjen e koalicionit në nivelin komunal dhe me paqartësinë se si do të punohet tutje në Prishtinë, kreu i LDK-së vazhdon të heshtë. Thuajse kjo punë është duke ndodhur diku larg e jo në Komunën më të madhe të Kosovës me rreth 200 mijë votues. Kjo qasje thjesht të lë pa koment. Por mungesa e komentit nuk nënkupton edhe harresë kur të vijë koha e zgjedhjeve. Gjasat janë se i gjithë ky skandal do t’i kushtojë shumë LDK-së.
Ndërkohë, sikur të ishte edhe një telenovelë që zhvillohet paralelisht, vazhdon të flitet me zhurmë e me qortim për vendimin e BQK-së për ndalimin e qarkullimit të dinarit në Kosovë. Kritikat që i drejtohen Qeverisë kanë të bëjnë me marrjen e vendimit pa asnjë konsultim paraprak me aleatët.
Zhvillimet politike të 25 vjetëve të fundit tregojnë se po të kishte pasur konsultim për këtë temë, dinari nuk do të ndalohej tash dhe do të vazhdohej, si gjithmonë, me ekonomitë paralele në Kosovë. Sepse po të ishte menduar kjo temë seriozisht, dinari ishte hequr moti nga Kosova. Por, është evidente se ka munguar vullneti politik për një gjë të tillë. Mbase për shkak se valuta serbe është përdorur si një lloj leve për ta mbajtur Beogradin të qetë. Pavarësisht faktit se futja e dinarëve me kamionë në fakt ka paraqitur gërryerjen e ekonomisë së Kosovës. Pavarësisht se futja e pakontrolluar e parave mbi rrotë e ka ndihmuar edhe mbajtjen e organizatave kriminale dhe i ka mundësuar Serbisë të pastrojë para sa ka mundur.
Tjetër është çështja se si është menaxhuar çështja e dinarit. Është fakt i pamohueshëm se ka munguar fushata informuese. Kanë munguar zgjidhjet për sigurimin e pagesave. Porse megjithatë ka qenë një vendim shumë i vonuar, e të cilin nuk e kundërshtojnë as miqtë tanë ndërkombëtarë – për shkak se është një vendim sovran, dhe jo domosdo politik.
Prandaj, kur dikujt i kujtohet të thotë se kjo është çështje e cila duhet të diskutohet në Bruksel, nuk ke tjetër çfarë të thuash pos se e ka krejtësisht gabim. Me kërkesa të këtij lloji dhe me këtë ritëm, nuk do të ishte çudi që në Bruksel të diskutohet edhe për orarin e gjumit që duhet ta bëjmë.
Për një shtet, i cili sot i mbush 16 vjet pavarësi, shumë gjëra do të duhej të ndodhnin e të zhvilloheshin pa pasur nevojë të trokitet në Bruksel, vendin që të fut sanksione për shkak se ti vendos të ruash sovranitetin dhe integritetin tënd territorial, me fuqinë, sado të kufizuar, që e ke. Pra, në vend të edhe një palë sanksionesh, mbase do të duhej ardhur momenti i përkrahjes së atij që mbrohet dhe i dënimit të atij që sulmon.
* * *
Se a do të mund të quhej sulm? Mbase. Por ftesa e Komisionit parlamentar për media..., anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, në kërkim të dorëheqjes së tyre për një vendim në lidhje me lejimin e transmetimit të sërishëm të kanaleve të “Arena Sportit” në platformën Artmotion gjithsesi i ngjante njëfarë desanti dhe një gjyqi të improvizuar.
Do të kujtojmë se kanalet e “Arena sport” i kishin lartësuar terroristët e Banjskës dhe kishin shërbyer për të përhapur propagandë kundër Kosovës menjëherë pas ngjarjes në fshatin në veri të Kosovës shtatorin e shkuar. KPM-ja kishte reaguar me shpejtësi, dhe ua kishte ndaluar transmetimin deri në një vendim të radhës.
Se çka ka qenë ajo që i ka shtyrë anëtarët e KPM-së që ta ndryshonin vendimin pas katër muajsh, nuk e di. Anëtarët e KPM-së deklaruan se “Arena sport” kishte kërkuar falje dhe se kishte premtuar se më nuk do të bënte këso gabimesh. Sinqerisht, do ta kisha zor ta merrja seriozisht kërkimfaljen e tyre dhe edhe më zor të besoja se nuk do të “gabonin” sërish, për shkak se rrjeti është pronë e Telekomit serb, pra operatorit shtetëror serb. Nuk duhet shumë imagjinatë për të konstatuar se është rrjet që e përkrah pushtetin aktual në Beograd.
U mbajtën dy takime ku anëtarët e KPM-së sa nuk u kryqëzuan me akuza për tradhti dhe në të cilat shumë herë u përsërit se do të duheshin shkarkuar nga Kuvendi. Të dy takimet u shndërruan në fushatë presioni që anëtarët e KPM-së të dorëhiqeshin në vend se të prisnin shkarkimin. Për shkak se ligji parasheh një procedurë pak më ndryshe për shkarkim sesa për emërimin e tyre në këtë trup që paraqet kategori kushtetuese.
* * *
Në sa vitet që e udhëheq KOHËN, kjo është hera e parë të shoh se si anëtarët e KPM-së merren në përgjegjësi në këtë formë nga Kuvendi, përkatësisht nga Komisioni parlamentar. Mbase ndonjë hetim i pavarur do të mund të dëshmonte ndonjë parregullsi me rastin e marrjes së vendimit për këto kanale sportive, por përderisa ai nuk ekziston, akuzat e pareshtura mund të jenë vetëm supozime dhe mjete për të ushtruar presion për një qëllim që nuk del të jetë krejt i qartë.
Do të kujtojmë se kjo përbërje e KPM-së është e para në 20 vjetët e fundit që është marrë pak më seriozisht me dokumentacionin e licencimit dhe të pronësisë së mediumeve të licencuara në Kosovë. Është e para e cila iu ka përmbajtur procedurave ligjore dhe nuk ka ngarendur për të marrë vendime politike të çastit, edhe atëherë kur pronarët e pretenduar janë bartës dokumentesh, ku shkruan “Pec” a “Djakovica, Srbija”. Është mbase ndër të vetmet që është përpjekur të ndihmojë në harmonizimin e Ligjit të ri me rregullativen evropiane, duke ditur se para vetes ka shumë telashe që janë akumuluar me kalimin e kohës, me politizimin e KPM-së, si dhe me emërimin e përfaqësuesve të grupeve të interesit në krye të institucionit, me qëllimin e vetëm të ruajtjes së monopolit në treg.
Pra, përderisa kjo formë agresive e marrjes në pyetje të anëtarëve të KPM-së nuk më pëlqen fare, sepse e besoj se gjërat mund të diskutohen pa pasur nevojë për piskama e akuza patriotike, më duhet të them se nuk mund të pajtohem as me vlerësimin se jeta e anëtarëve të KPM-së rrezikohet për shkak të mbrojtjes së qëndrimeve të tyre.
Më duket se në të dy krahët po krijohen drama të paqena. Dhe se pas përqendrimit te tema e kanaleve të sportit, në fakt po qiten në harresë problemet skajshmërisht më serioze që janë akumuluar në tregun e mediumeve të Kosovës.
Për brengë shumë më të madhe do të duhej të ishte fakti se KPM-ja, në emër të liberalizimit të tregut, aktualisht i ka të licencuara 84 radio në rrjet tokësor; 19 televizione në rrjetin tokësor (3 nacionale, 9 rajonale dhe 7 lokale), 118 kanale televizive kabllore, prej të cilave madje 28 klasifikohen si “generalistike”, pra me program të përgjithshëm.
Pra, një shtet me popullsi prej 1.8 milionë banorësh i ka madje 137 televizione dhe 84 radio stacione që bëjnë garë në një treg marketingu, që ka 15 vjet që ka mbetur i njëjtë. Një vend që ka nevojë për mediume të pavarura nga çdo ndikim politik dhe financiar, lejon krijimin e pafund të stacioneve televizive (pjesë platformash ose jo) të cilat nuk mund të mbahen nga ajri, sepse prodhimi, si dhe blerja e tyre nuk mund të bëhen pa mjete financiare. Pos nëse vidhen.
Për brengë fakti se as pas 25 vjetësh Kosova nuk ka platformë të veten sportive, e të cilën, po të kishim pasur mend, e po të kishim punuar për interes të Kosovës është dashur ta kishte krijuar Telekomi i Kosovës. Pra, në vend se ta kishim ndërmarrjen strategjike kosovare lidere në ofrimin e kësaj përmbajtjeje, ne u kemi hapur rrugë platformave nga Shqipëria, e prej para disa vitesh edhe nga Serbia.
Për shumë brengë shtrirja e kabllorëve dhe kontrolli që e kanë në treg. Janë gjithsej 34 ofrues shërbimesh kabllore, prej të cilave pesë janë “lojtarë të mëdhenj”. Te dy sish, pronësia është shumë e dyshimtë dhe besohet se janë pronë e një korporate të vetme, që në këtë skemë e kontrollon mbi gjysmën e tregut.
Të gjitha këto çështje janë brumë që duhet rregullohet nga Ligji i ri i KPM-së. Dhe në vend se të merren me problemin kyç – ruajtjen e tregut mediatik, ku konkurrenca do të jetë e shëndoshë dhe ku do të mbyllen hapësirat për ndikime të grupeve të caktuara të interesit, debati përqendrohet tek ajo nëse KPM-ja duhet t’i ketë 11 anëtarë me mandate identike.
* * *
Anëtarët e KPM-së përherë i ka zgjedhur Kuvendi, dhe thuajse përherë i ka zgjedhur sipas preferencave politike. Edhe herën e fundit ka ndodhur e njëjta gjë.
Ligjin e KPM-së mund ta miratojë vetëm Kuvendi, dhe përherë ka pasur të tillë me fuqi të madhe ndikimi që i kanë mbrojtur interesat e tyre me ligj në dëm të mediumeve. Kjo për shkak se të paktë kanë qenë ata deputetë që i kanë lexuar projektligjet para se të votoheshin. Edhe më të paktë ata që e kanë marrë vesh përmbajtjen e asaj që kanë votuar. S’kanë pasur pse – u është thënë si të votojnë.
Demokracia nuk mbahet me linçim e as me kallëzimin e muskujve. Mbahet me bashkëbisedim dhe me gjetje të zgjidhjeve që janë në interesin publik.
Për demokracinë e shtetit të brishtë të Kosovës është shumë me rëndësi që shtyllën e katërt të pushtetit ta ketë të fortë, të qëndrueshme dhe të shëndoshë. Ngufatja e Kosovës së vogël me gjithë këto mediume elektronike, pa i llogaritur portalet që janë rrëfim më vete, nuk e ndihmon kauzën. Përkundrazi.