OpEd

Dritarja e fundit e Angela Merkelit për Ballkanin Perëndimor

Katër marrëveshje që janë duke u negociuar këto ditë për t’iu “dorëzuar” kancelares gjermane në korrik mund të jenë kthesë transformuese, ndihmëse për mbylljen e konflikteve në Ballkanin Perëndimor

1.

E pyetën një herë kancelaren gjermane se me çfarë asocionte emri Gjermani dhe Angela Merkel deklaroi me thjeshtësi: “Dritare të bukura e me mbyllje hermetike”. Ndoshta asociacioni mund të ketë tingëlluar pak gri për shumë gjermanë, posaçërisht për ata që ishin mësuar tërë jetën me dritare të bukura e që i mbyllen pothuajse hermetikisht, por janë ca gjermanë si puna e saj të rritur në Gjermaninë Lindore e për më tepër shumë evropianë të tjerë të rritur në Evropën Qendrore e Lindore të kohës së komunizmit e transicioneve që ende përfshihen nga një ndjenjë sigurie kur e mbyllin një dritare të bukur, ndiejnë se si humbet ajri mes dritares dhe kornizës së saj dhe përcaktojnë me saktësinë e lëkurës së vet se as veriu më i fortë i dimrit nuk depërton brenda shtëpisë.

Kështu disi më duket ndërtohet rrëfimi emotiv prej një përshkrimi pa ndonjë nxitje romantike, siç mund të jetë akti i mbylljes së një dritareje profili alumini. Dhe kështu më duket në inversion është diçka që mund të shënojë ditët e fundit të Angela Merkelit në pushtet e në relacionin e saj me Ballkanin Perëndimor. Ajo do të jetë nikoqire, për herë të fundit (dhe për shkak të COVID mbase në formë virtuale) e Samitit të Procesit të Berlinit, që do të mbledhë shefat e shteteve apo qeverive të shteteve anëtare. Dhe, këtë samit planifikon ta përmbyllë me katër marrëveshje, që në Evropën Perëndimore e në SHBA janë po aq “sexy” sa edhe dritaret e aluminit që mbyllen hermetikisht, por në Ballkan mund të kenë një potencial të madh transformues.

Nëse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor pajtohen, Angela Merkel do të raportojë katër ndryshime dramatike në marrëdhëniet mes tyre: qytetarët e gjashtëshes do të mund të udhëtojnë lirisht në hapësirën mes tyre me letërnjoftim biometrik; qytetarët e vendeve të treta do të mund të hyjnë në zonën e gjashtë shteteve me vizën e lëshuar nga njëri prej gjashtë shteteve; diplomat universitare të gjashtë vendeve do të vlejnë në shtetet respektive dhe e njëjta gjë pritet të ndodhë për tri licenca profesionale.

2.

Nga perspektiva e Angela Merkelit, ky është një ndryshim i projektuar që në fillim me Procesin e Berlinit e që niset prej një premise të thjeshtë: nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor dëshirojnë të jetojnë në BE-në e katër lirive (lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit), përse nuk e ndërtojnë këtë fillimisht mes tyre? Rrëfimi i gjatë pse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk e kanë bërë këtë, mund të lexohet me thirrjet tashmë çerekshekullore që BeH të bëjë reforma në mënyrë që të bëhet shtet funksional dhe thirrjet tashmë njëzetvjeçare që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje mes vete. Pra, gjashtë shtetet nuk kanë arritur këtë ta bëjnë mes vete, dhe në këtë rrëfim të gjatë hyjnë skena tragjikomike të fatit të qytetarëve dhe lirisë së tyre të lëvizjes. Për shembull, faktit që tashmë për një kohë të gjatë aplikimi i vizës së qytetarit të Kosovës për të hyrë në BeH shkon prej Ambasadës së BeH-së për në MPJ e prej atje drejt në Këshill të Ministrave për të hyrë në agjendë zyrtare të mbledhjes së Qeverisë. Apo faktit që Kosova e Serbia merren për një dhjetëvjetësh me hollësi të së drejtës së lëvizjes që arriti deri te shpikja historike se targat e regjistrimit bëjnë të kalojnë shtetet respektive kur shenjat shtetërore mbulohen me letërngjitës.

Rrëfimi i shkurtër është ky i Procesit të Berlinit, i cili vë parimin e barazisë mes kapaciteteve shtetërore të të gjashtë vendeve, pra letërnjoftimi është valid nga cilido shtet që vjen, viza do të konsiderohet valide nga cilado konsullatë e ambasadë e cilitdo shtet të gjashtëshes që jepet, diploma e cilitdo universitet të regjionit dhe licenca profesionale e cilitdo prej shteteve anëtare.

3.

Në rrëfimin e Angela Merkelit, ky është një proces normal i prodhuar nga një marrëveshje e aprovuar që në vitin 2020, në Samitin e Procesit në Sofje. Atëbotë u vendos që Ballkani Perëndimor të jetë një treg i përbashkët regjional dhe për të arritur deri në këtë, që duhet të jetë caku i lartë i integrimit të regjionit, u vendos një agjendë deri më 2024. Brenda saj janë fillimisht katër marrëveshjet që janë duke u negociuar tani mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Brenda kësaj agjende janë edhe Plani investiv e ekonomik për Ballkanin Perëndimor (pra diçka që dikujt mund t’i tingëllojë si Plani Marshall) dhe Agjenda e Gjelbër e ajo Digjitale - një transformim radikal i tërë regjionit. Në fund të kësaj agjende, gjashtë shtetet anëtare do të jenë shumë më të gatshme për anëtarësim në BE se ç’kishin qenë ndonjëherë.

Në rrëfimin e shteteve të regjionit ky është një hap aq dramatik sa mund të ketë potencialin e transformimit të konfliktit. Kosova, Serbia dhe BeH, të zëna në hapësirën e konfliktit të papërfunduar brenda disa javësh mund të përfundojnë duke njohur legjitimitetin e pushteteve të ndërtuara me votë të lirë qytetare dhe të institucioneve që derivojnë nga to. Negociatat dhjetëvjetëshe për hollësitë që duhet të japin pak më shumë të drejta lëvizjeje këtu dhe pak më pak atje zëvendësohen me parimin e lirisë së lëvizjes. Debatet statusore e identitare zëvendësohen me formulimin siç është në njërin prej draft-marrëveshjeve se me shtetas që shfrytëzon të drejtën e lëvizjes së lirë “përkufizohet personi që ka shtetësinë e njërës prej palëve dhe i cili konfirmon shtetësinë e tij/saj me një letërnjoftim të vlefshëm biometrik”. Në vend të debateve mbi kompetencat shtetërore në territorin e Kosovës (apo BeH) përnjëherë del një parim që kërkon stad të avancuar bashkëpunimi ndërshtetëror. E drejta që të lëvizet me letërnjoftim kërkon unifikimin e shënimeve të letërnjoftimeve të të gjithë qytetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor. E drejta që qytetarët e vendeve të treta të udhëtojnë në gjashtë vendet me një vizë nënkupton bashkëpunim të atillë mes ministrive të Brendshme e të Jashtme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, pra të Kosovës e të Serbisë, çfarë kanë Belgjika e Spanja apo Greqia e Gjermania për shembull.

4.

Kosova dhe Serbia pas dhjetë vjetësh të një procesi negociator të varfër a modest (ka edhe shprehje të tjera më devalvuese) ndoshta mund të fitojnë një kornizë mbështetëse për një proces më dinamik, të avancuar dhe shpresëdhënës.

Një herë të mësuar se nuk kanë nevojë të shpikin letërngjitës për të mbuluar shenjat shtetërore, porse për problemet e regjionit ekzistojnë zgjidhje tashmë të sprovuara evropiane, të dyja vendet mund të kontribuojnë thelbësisht nga dritarja e fundit të ofruar nga Angela Merkel.