Politikat e lirshme fiskale dhe monetare mund të ndihmojnë në ngritjen e hises së punës në të ardhura, hëpërhë. Por, me kalimin e kohës, të njëjtët faktorë mund ta nxisin inflacionin më të lartë apo edhe stagnimin (nëse këto dridhje të ashpra negative do të shfaqen). Nëse politikat e reduktimit të pabarazisë çojnë drejt rritjes së paqëndrueshmërisë së borxheve private dhe publike, atëherë do të mund të viheshin themelet për atë lloj të krizës stagnuese të borxhit, për të cilën kisha paralajmëruar në këtë fillimverë
Më se gjysmë viti pas presidencës së Joe Bidenit, ka ardhur koha që të mendohet se si të krahasohet doktrina ekonomike e administratës së tij karshi asaj të ish-presidentit, Donald Trump, dhe të administratave të mëhershme demokratike e republikane.
Paradoksi është se “doktrina Biden” ka më shumë të përbashkëta me politikat e Trumpit sesa me ato të administratës së Barack Obamas, në të cilën presidenti aktual ka shërbyer më herët. Doktrina neopopuliste që është shfaqur nën Trumpin tani po merr formë të plotë nën Bidenin, duke e shënuar një shkëputje të prerë prej bindjes neoliberale së ndjekur nga akëcili presidentit, prej Bill Clintonit deri te Obama.
Trumpi garoi si një populist – duke u mishëruar me punëtorët e bardhë të lënë pas dore – por qeverisi më shumë si një plutokrat, duke i shkurtuar taksat e korporatave dhe duke e dobësuar edhe më shumë fuqinë e punëtorëve karshi kapitalit. Megjithëkëtë, agjenda e tij nuk përmban disa prej elementeve përnjëmend populiste, veçmas kur krahasohet me qasjen radikale pro-bizneseve të mëdha që republikanët e ndoqën prej dekadash.
Derisa administratat e Clintonit, George W. Bushit dhe Obamas dallonin akëcila sipas mënyrës së vet, qëndrimi i tyre themelor karshi çështjeve kryesore të politikave ekonomike ishte i njëjtë. Për shembull, të gjithë i mbrojtën marrëveshjet e liberalizimit të tregut dhe e favorizuan dollarin e fortë, duke i parë këto si mënyra të sigurta për uljen e çmimeve të importit dhe për mbështetjen e fuqisë blerëse të shtresave punëtore përballë rritjes së pabarazisë në të ardhura dhe pasuri.
Secila prej këtyre administratave të mëparshme gjithashtu e respektoi pavarësinë e rezervave federale amerikane dhe e mbështeti përkushtimin e tyre për stabilitetin e çmimeve. Secila ndoqi politika të moderuara fiskale, duke u bazuar në stimulime (shkurtime tatimore dhe rritje të shpenzimeve) kryesisht si përgjigje ndaj rënies ekonomike.
Në fund, administratat Clinton, Bush dhe Obama ishin që të gjitha relativisht komode me Teknologjinë e Madhe, Bizneset e Mëdha dhe Wall Streetin. Akëcila i kryesoi çrregullimet në mallra dhe në sektorët e shërbimeve, duke i krijuar kushtet për përqendrimin e sotëm të fuqisë oligopolistike në korporata dhe sektorët e teknologjisë dhe financave.
Bashkë me liberalizimin e tregut dhe avancimet teknologjike, këto politika i fuqizuan përfitimet e korporatave dhe e zvogëluan pjesën e punës në të ardhurat e përgjithshme, duke e përkeqësuar kësisoj pabarazinë. Konsumatorët amerikanë përfituan nga fakti që bizneset me fitime të majme mund të nxirrnin disa prej përfitimeve të gjeneruara nga çrregullimi (nëpërmjet çmimeve më të ulëta dhe inflacionit të ulët), por kjo ishte e tëra.
Doktrinat ekonomike të Clintonit, Bushit dhe Obamas ishin në thelb neoliberale, e reflektonin besimin e nënkuptuar në ekonominë e rrjedhshme. Por gjërat që nisën të lëviznin në kahe më neopopuliste, morën drejtim nacionalist me Trumpin dhe krejt këto ndryshime u kristalizuan nën Bidenin.
Derisa Trumpi ishte më dorështrënguar në proteksionizmin e tij, Bideni megjithatë po i ndjek politikat e ngjashme nacionaliste, më të orientuara nga brenda për sa i përket tregtisë. Ai i ka mbajtur në fuqi tarifat e administratës Trump vënë Kinës dhe vendeve të tjera, dhe ka zbatuar politika më të serta të prokurimit për “blejë amerikanen”, si dhe ato industriale për riformësimin e sektorëve kryesorë prodhues. Me po kaq rëndësi, shkëputja përherë më e madhe sino-amerikane dhe gara për dominim në tregti, teknologji, të dhëna, informata dhe industritë e së ardhmes kanë vazhduar.
Po kështu, derisa Bideni nuk e ka ndjekur zyrtarisht shembullin e Trumpit në kërkesën për dollar më të dobët dhe në frikësimin e Rezervave Federale për financimin e deficiteve të majme buxhetore të krijuara nga politikat e tij, administrata e tij ka zbatuar gjithashtu masa që e kërkojnë bashkëpunimin më të afërt të rezervave. Ç’është e vërteta, Shtetet e Bashkuara kanë lëvizur drejt një de facto, e jo de jure, shteti të monetizimit të përhershëm të borxhit – një politikë kjo që ka nisur nën Trumpin dhe shefin e Rezervave Federale, Jerome Powell.
Nën këtë aranazhim, nëse inflacioni do të ngrihej mesatarisht, Rezervat do të duhej që ta adoptonin një politikë të neglizhencës beninje, kjo ngase alternativa – një politikë e ashpër monetare antiinflacion – do të nxiste një katrahurë tregu dhe recesion të rëndë. Ky ndryshim në qëndrimin e Rezervave paraqet një tjetër shkëputje të prerë prej epokës së viteve 1991-2016.
Për më tepër, duke pasur parasysh deficitet e mëdha të dyfishta të Amerikës, administrata Biden ka hequr dorë nga ndjekja e politikës së dollarit të fortë. Derisa nuk e favorizon dollarin më të dobët po aq hapur sa e bëri Trumpi, qartazi nuk do ta kishte bezdi ndryshimin në valutë që do të mund ta ringjallte konkurrencën amerikane dhe ta reduktonte deficitin tregtar në ngritje.
Për ta zmbrapsur pabarazinë në të ardhura dhe pasuri, Bideni i favorizon transferet e majme direkte dhe taksat më të ulëta për punëtorët, të papunët, pjesërisht të papunët dhe të lënët pas dore. Sërish kjo është një politikë e nisur nën Trumpin, me aktin 2-biliardëdollarësh të Ndihmave, Asistencës dhe Sigurisë Ekonomike gjatë koronavirusit dhe pakos 1.9-biliardëdollarëshe të stimulimit, ndërsa po shqyrtohen tani edhe shpenzimet shtesë 4-biliardëdollarëshe për infrastrukturë.
Derisa Bideni po insiston për taksa më progresive sesa që bëri Trumpi, aftësia e administratës së tij për të ngritur taksa është e sforcuar. Andaj, sikurse nën Trumpin, deficitet e mëdha fiskale sërish do të financohen kryesisht me borxhin, të cilin Rezervat do të detyrohen që ta modernizojnë me kalimin e kohës. Bideni do ta kanalizojë po ashtu kundërshtimin publik kundër bizneseve të mëdha dhe teknologjisë së madhe që kanë nisur nën Trumpin. Administrata e tij veçse ka ndërmarrë hapa për ta frenuar fuqinë e korporatave nëpërmjet zbatimit të antitrustit, ndryshimeve rregullative dhe përfundimisht ligjit. Në secilin rast, synimi është që të rishpërndahet një hise e të ardhurave kombëtare nga kapitali dhe profitet në punë dhe paga.
Bideni kësisoj ka dalë me një agjendë ekonomike neopopuliste më të përafërt me atë të Trumpit sesa të administratës Obama. Por ky ndryshim doktrinal nuk përbën befasi. Sa herë që pabarazia teprohet, politikanët – si të së djathtës ashtu edhe të së majtës – bëhen më populistë. Alternativa është që pabarazia e pakontrolluar të shndërrohet në një burim të mospajtimeve shoqërore apo, në rastet ekstreme, në revolucion luftarak civil.
Ishte fakt i pashmangshëm që lavjerrësi ekonomik i SHBA-së të lëkundej prej neoliberales në neopopulisten. Por ky ndryshim, ani pse i nevojshëm, do të sjellë në vetvete edhe rreziqe. Borxhet masive publike dhe private nënkuptojnë se Rezervat do të vazhdojnë të jenë në kurthin e borxhit. Për më tepër, ekonomia do të jetë e brishtë kundruall tronditjeve negative të deglobalizimit, shkëputjes SHBA-Kinë, plakjes së shoqërisë, kufizimeve në mërgim, cungimit të sektorit të korporatave, sulmeve kibernetike, ndryshimeve klimatike dhe pandemia COVID-19.
Politikat e lirshme fiskale dhe monetare mund të ndihmojnë në ngritjen e hises së punës në të ardhura, hëpërhë. Por, me kalimin e kohës të njëjtët faktorë mund ta nxisin inflacionin më të lartë apo edhe stagnimin (nëse këto dridhje të ashpra negative do të shfaqen). Nëse politikat e reduktimit të pabarazisë çojnë drejt rritjes së paqëndrueshmërisë së borxheve private dhe atyre publike, atëherë do të mund të viheshin themelet për atë lloj të krizës stagnuese të borxhit, për të cilën kisha paralajmëruar në këtë fillimverë.
(Nouriel Roubini është shef ekzekutiv i “Roubini Macro Associates” dhe zëvendësshef i “TheBoomBust.com”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).