Fillimin e 2024-s nuk duhet ta shohim si befasi. Shumë njerëz do të shkojnë nga Kosova – dhe do të thonë përkohësisht, për të parë si ia bëjnë. Shumë sish do të shohin se me kapacitetet që kanë ndërtuar në Kosovë dhe me bagazhin që nisen prej këtu, nuk do ta gjejnë veten atje: Perëndimi nuk i do njerëzit përtacë, e nuk i do as parazitët. E ne me vite kemi prodhuar njerëz përtacë dhe kemi krijuar shtresa parazitësh
Kolumnen e vjetme e kisha përfunduar me urimin se nuk do të detyrohesha t’i përsërisja dëshirat e dy vjetëve paraprakë. Për fat të keq, viti që përfundoi nuk solli ndonjë ndryshim substancial në jetën e shoqërisë kosovare në përgjithësi. E solli një vendim që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024, e ky do të mund të shënonte një kthesë të madhe në Kosovë.
Në planin personal, 2023-a ishte vit i trishtë dhe si i tillë edhe do të mbyllet.
* * *
Dëshira ime e kamotshme, të cilën e përsëris sa herë që mundem, është që në treg të stabilizohet qarkullimi i parasë. Nëse një vit më parë Qeveria kishte dështuar ta siguronte atë, për shkak se u shmangej investimeve kapitale maksimalisht, më 2023 e tejkaloi veten, e ndihmuar edhe nga inflacioni: situata vetëm sa u përkeqësua.
Asnjë vit sikur ky nuk ka qenë i rëndë për sektorin privat në Kosovë, sidomos për industrinë mediatike.
Liberalizimi i pakontrolluar i tregut në këtë sektor krijoi një kaos dhe një jostabilitet të papërjetuar më herët. Tregu i vogël i reklamave, numri i madh i subjekteve në garë brenda këtij tregu dhe paqartësia e pronësisë së tyre, krahas edhe konkurrencës jolojale, sollën krizën më të madhe në industri, që u reflektua edhe me rënien e cilësisë profesionale te një pjesë e madhe e mediumeve.
Dhe përderisa ne mund të jemi ithtarë të politikës ekonomike perëndimore që vë bast te tregu i lirë dhe konkurrenca e shëndoshë, ne, megjithatë, nuk do të harrojmë se jemi Ballkan; se tregun e kemi kaotik dhe konkurrencën e kemi të sëmurë. Për pasojë edhe kemi ekonomi të pazhvilluar. E me të nuk arrijmë të dalim nga kriza me vite.
* * *
Getoizimi i Kosovës ka përfunduar sa i përket një vendimi super të vonuar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kishim mbetur të fundit në Evropë, thuajse kishim diçka në gjenin tonë që nuk u dukej i pranueshëm shteteve të Evropës, pavarësisht faktit se ne kemi qenë ndër shtetet ballkanike që më së shumti ka “eksportuar” njerëz në shekullin XX dhe në çerekshekullin e fundit. Ndaç legalisht, ndaç ilegalisht – njësoj. Eksporti nuk është ndalur.
Që nga fundi i luftës i kemi përjetuar disa valë migrimi, ku na janë larguar me qindra mijëra njerëz. Se a janë rehatuar të gjithë ata në botën e re, nuk e di. Por është evidente se këto valë kanë ndikuar edhe në zvogëlimin e popullatës në Kosovë, që tash mbase ka rënë nën 1.8 milionë, me të cilët manipulojmë si shifër ka disa vjet. Ka mbi një dekadë që nuk kemi regjistrim të popullsisë, dhe duke e parë se po shtyhet çdo dy a tre muaj, gjasat janë se regjistrimi mund të mos mbahet as më 2024. Posaçërisht duke e ditur se prej ditës së parë të vitit të gjithë, në teori, do të mund të udhëtojnë në Perëndim e të qëndrojnë atje, sërish në teori, 90 ditë.
Druhet, dhe gjasat janë se ashtu do të jetë, se një numër i madh të rinjsh do ta provojnë fatin në Perëndim. E kjo tashmë është evidente, sepse përherë është bërë më zor të gjenden njerëz për punë, pavarësisht faktit se papunësia vazhdon të jetë e lartë në Kosovë. Dhe është evidente gjithashtu, për shkak se në Perëndim gjithsesi puna paguhet më mirë se në Kosovë, sepse flasim për standarde krejt të tjera të jetesës, ku, natyrisht, edhe shpenzimet janë më të larta.
Do të ketë shumë të tillë që do të ikin në kërkim të asaj që nuk e gjejnë në shtëpinë e tyre. E këtu nuk gjejnë cilësi të jetës, për shkak se shumë pak nga ajo që ofron shtetin ka ndryshuar për të mirë. Siç e pata cilësuar në njërën kolumne më 2023, ne jemi brezi i rasteve të humbura.
Arsimi ra sërish në provim me PISA-n; shëndetësia vazhdon të lëngojë nga sëmundjet e njëjta, drejtësia mbase do të nisë të ndryshojë, meqë një copë vetingu u kalua nga Kushtetuesja. Por shumëçka vazhdon të mbetet e zymtë dhe e paperspektivë. Posaçërisht për të rinjtë të cilët kalojnë nëpër sistemin arsimor të degraduar me shumë institucione publike e private të një cilësie diskutabile dhe tashmë me ndasi shumë të thella mes shtresash shoqërore. Kosova ka ardhur në pikën ku klasa e mesme thuajse nuk ekziston. E ky është problem shumë i madh.
* * *
Fillimin e 2024-s nuk duhet ta shohim si befasi. Shumë njerëz do të shkojnë nga Kosova – dhe do të thonë përkohësisht, për të parë si ia bëjnë. Shumë sish do të shohin se me kapacitetet që kanë ndërtuar në Kosovë dhe me bagazhin që nisen prej këtu, nuk do ta gjejnë veten atje: Perëndimi nuk i do njerëzit përtacë, e nuk i do as parazitët. E ne me vite kemi prodhuar njerëz përtacë dhe kemi krijuar shtresa parazitësh, tashmë e thënë sa herë, që më parë kënaqen me ndihma sociale sesa që marrin të punojnë çfarëdo. E të tillë nuk ka pak në Kosovë. Thuajse ne jemi popull i cili është liruar nga obligimi për të punuar, qoftë edhe për veten tonë.
Vendi ka gjasë që të boshatiset dhe rreziku më i madh është që t’i humbim talentet potenciale që këtu nuk kanë mundur të shpërthejnë mbi sipërfaqe për shkak të qasjes klanore, nepotiste, e partizane dhe akomodimit të të njohshmëve e jo akomodimit të meritorëve.
Por kjo nga ana tjetër duhet shikuar mbase edhe si një përparësi, edhe një rast që nuk duhet humbur: do të jetë moment kthese ku ne që vendosim të mbesim, për shkak se besojmë se kontributi për vendin jepet përbrenda, për shkak se nuk kemi ikur kur i kemi pasur rastet edhe më të mira, apo edhe pse nuk kemi ku të shkojmë, duhet ta nisim lëvizjen e ndryshimit për të mirë. Për shkak se është shumë më lehtë të menaxhosh 20 sesa 200 punëtorë, sa për ta marrë një shembull. Pra, ndryshimet është më lehtë të zbatohen te një popullatë më e vogël. Puna është vetëm nëse ka tru të mjaftueshëm dhe vendosmëri për të ecur një hap para.
* * *
“I fundit që del le t’i fikë dritat”, është barsoleta e moçme që thuhej sa herë që flitej për ndonjë valë të madhe migrimi – dhe e përshkruan më së miri përmasën e dëshpërimit kolektiv me realitetin që jeton.
Por ka të tillë që do të rrinë këtu, duke u siguruar se dritat do të jenë vazhdimisht të ndezura me bindjen se edhe ky vend mund të jetë i mirë për jetesë, sidomos nëse ne vetë punojmë për të mirë që e bukura të na realizohet. Ani pse karshi do të kemi politikanë që refuzojnë ta kuptojnë kontekstin në të cilin jetojmë. Po, fundja, politikanët kanë ardhur e kanë shkuar, e ne, megjithatë, kemi mbetur këtu.
Dhe kështu do t’ia bëjmë sërish.
Paçi shëndet e vendosmëri më 2024-n ? !