Partitë politike e bёnë fushatёn e tyre politike dhe prezantimin e programeve me tё cilat synuan të fitonin sa më shumë votues. Nё to, nёpёrmjet diskursit politik, politikanët treguan se si e mendonin zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës. Dhe, me sa kam vërejtur, diskursi i tyre politik tregonte pёr orientimet ideologjike të përvetësuara nga mësimet e shteteve të zhvilluara si Amerika dhe Gjermania, pa i përjashtuar shtetet e tjera që shihen si aleatё strategjikё për zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës.
Kuptohet se rëndësi i japin forcimit të marrëdhënieve me shtetet e lartpërmendura, rritjes së pagës minimale, si instrument i nevojshëm për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, si dhe sigurimit të vaksinës për parandalimin e përhapjes së vazhdueshme të virusit. Porse, nuk qenё tё vetёdijshёm sepse diskursi tё cilin e përfaqësonin, megjithëse i ngjason diskursit të politikanëve nga shtetet e zhvilluara, ndryshonte në mënyrën se si premtimet politike do tё përktheheshin në projekte konkrete.
Meqenëse ky dallim është evident, politikanёt do tё duhej që diskursin tё cilin e pёrdorin t’ ia pёrshtatin kontekstit tonë të të jetuarit, sepse disa nga problemet ekzistuese sot, mund të mos ishin në agjendat e tyre. Dhe ky fakt do të na kursente shumë׃ ata duke u angazhuar me probleme të tjera, kurse neve duke na i kursyer paratë.
Pra, nëse këto synime, siç u prezantuan në programet politike, do tё pёrktheheshin në veprime të duhura, sigurisht se do ta mundёsonin ndryshimin e të trajtuarit tonë dhe do ta përmirësonin kualitetin e jetës në përgjithësi.
Duke e shikuar këtë diskurs nga perspektiva e personit kuadriplegjik dhe duke iu referuar eksperiencës së personave me nevoja të veçanta, shumë nga problemet ekonomike dhe politike për të cilat kam shkruar në të kaluarën, siç janë diskriminimi në punësim, edukim, dhe pjesëmarrje në jetën publike si pasojë e zbatimit të dobët të ligjeve ekzistuese, mund të mos ishin sot, sikur ligjet të zbatoheshin siç duhet.
Për shembull, ata që i njohin problemet me të cilat ne përballemi, janë të vetëdijshëm që shumë ndërtesa publike dhe private nuk sigurojnë qasje adekuate në hyrje. Nga ana tjetër, ato ndërtesa të cilat e sigurojnë këtë qasje shpeshherë nuk janë të rregulluara në ambientet e brendshme. Si rrjedhojë, edhe sikur të kishte gatishmëri të punësohej një person me nevoja të veçanta, duke u bazuar në ligjin që thotë se çdo i 50-i person i punёsuar duhet të jetë nga komuniteti i këtyre kategorive, mungesa e qasjes në ambientet e brendshme të ndërtesave do ta vështirësonte lëvizjen e lirshme të atyre që përdorin mjete ndihmëse për të lëvizur.
Këto probleme janë relevante edhe në aspektin e edukimit tonë, dhe për këtë situatë shumë lehtë mund të përgjigjen politikanët që me profesion janё mësimdhënës dhe jo vetёm, duke na treguar numrin e kolegëve dhe studentëve tё tyre që vijnë nga komuniteti i personave me nevoja të veçanta.
Mendoj se është e domosdoshme që mësimet e përfshira në diskursin e tyre të zbatohen menjëherë në realitetin tonë, sepse kjo do t’ua mundësonte që në të ardhmen të merren me probleme të tjera që janë të shumta në Kosovë.
Për ta shpjeguar më mirë këtë situatë, do t’i referohem rregullimit të qasjes për personat tё cilёve iu duhen mjete ndihmëse për të lëvizur. Për shembull, sikur rregullimi i qasjes do të ishte bёrё në të kaluarën duke ua mundësuar lehtësimin e lëvizjes personave me probleme neurologjike (dhe dihet që për zgjidhjen e këtyre problemeve ka kosto financiare), paratë nga buxheti sot do të mund të përdoreshin për edukimin e personave që vijnë nga ky komunitet.
Jam i vetëdijshëm se problemet që po i shkruaj ndodhin edhe në shtetet më të zhvilluara se Kosova, me gjithë përpjekjet e politikanëve për ta përmirësuar kualitetin e jetesës këtyre kategorive, mirëpo gatishmëria për ta realizuar atë që mësohet dhe përdoret në diskursin publik ka bërë që këto shtete të jenë më të përshtatshme për të jetuar për ne dhe familjarët tanë.
Prandaj duke e parë që politikanёt e ndikojnё jetën tonë, kёta janё të obliguar që mësimet ideologjike të përdorura në diskursin e tyre të përkthehen në veprime konkrete, në mënyrë që ligjet ekzistuese të zbatohen siç duhet dhe ligjet e hartuara të bëhen bazuar në kërkesat tona. Veç kësaj, të zgjedhurit tanë e kanё për obligim qё ta promovojnё barazinë dhe përfshirjen tonë në shoqëri. E kjo arrihet duke na konsideruar si pjesëmarrës të barabartë në jetën politike dhe ekonomike.
(Autori është person me nevoja të veçanta)