OpEd

Disability cliff

Termi “disability cliff”, (në gjuhën angleze “cliff” do të thotë cepi i një shkëmbi të lartë afër ujit, ndërsa “disability” - aftësia e kufizuar) është shumë i qartë dhe thekson një realitet të rëndësishëm për personat me aftësi të kufizuara. Ky koncept është i domosdoshëm për të kuptuar domosdoshmërinë për një mbështetje të vazhdueshme, në mënyrë që këta të mund të jetojnë të pavarur dhe me dinjitet. Nëse kjo mbështetje ndërpritet papritur, mund të ndodhin pasoja të rënda, duke i afruar në një situatë të pasigurisë dhe të vështirësive që mund të shkaktojnë humbjen e pavarësisë së tyre.

Përderisa një person me aftësi të kufizuara është mbështetur për një kohë të gjatë, qoftë përmes një programi të punësimit, edukimit, mbështetjes financiare, kujdesit gjatë 24 orëve për 7 ditë të javës, apo të gjitha së bashku, ndërprerja e papritur e mbështetjes ose humbja e mundësisë për të marrë ndihmën e nevojshme mund të çojë në një "rënie" – në mënyrë figurative - sikurse dikush që është në cepin e një shkëmbi të lartë dhe është gati të bjerë në ujë.

Për ata që mbështesin personat me aftësi të kufizuara dhe për këta persona vetë rreziku për t’u rrëzuar është një realitet i njohur, ndonëse për shumë njerëz ky mund të jetë një koncept i ri ose i panjohur. Pavarësisht këtij fakti, Kosova ka kohë që në infrastrukturën e saj ligjore ka përfshirë personat me aftësi të kufizuara, duke synuar t’i përmbushë kërkesat dhe të sigurojë kushtet e përshtatshme për t’i integruar këta persona në shoqëri, edukim, shërbime shëndetësore dhe punësim.

Veç kësaj, duke e plotësuar atë se çfarë u tha për domosdoshmërinë për mbështetje të vazhdueshme, përmes shumë ligjeve parashikohet përkrahje për jetesë të pavarur dhe pjesëmarrje në aktivitetete shoqërore dhe ekonomike. Megjithëkëtë, vështirësitë kryesore mbesin në implementimin dhe mbikëqyrjen e ligjeve, krijimit të mekanizmave të nevojshëm për t’i përkthyer këto synime në realitet, si dhe në rritjen e vetëdijesimit për të drejtat dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara.

Aktualisht, sikurse në Prishtinë, edhe në qytetet e tjera në këtë vend ndërtimi i pjerrinave (rampave) për përdoruesit e karrocës për të siguruar qasje fizike në hapësirat publike dhe transport shënon ndër ndryshimet më të mëdha gjatë viteve të fundit. Megjithëse ky ndryshim do të duhej konsideruar si shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, sepse ka bërë që këta persona të lëvizin më lirshëm, të punësohen kur vendet e punës të krijoheshin dhe të bëheshin të dukshëm për publikun - do të ishte në interes të të gjithëve të kuptoheshin nxitësit kryesorë që kanë çuar në ndryshime të këtilla.

Kjo do të ishte më se e rëndësishme për ta diagnostikuar gjendjen e tashme dhe për ta krijuar terapinë e nevojshme për t’i bërë ndërhyrjet e duhura. Në këtë mënyrë do të kurseheshin burimet që do të përdoreshin në përmirësimin e kësaj gjendjeje, e po ashtu do të shërbente për të influencuar tek ndikimi pozitiv që këto ndryshime kanë krijuar jashtë hapësirave publike. Për më shumë, do të ishte një strategji e mirë që do t’u shërbente thirrjeve të kamotshme për ta përmirësuar gjendjen e përgjithshme në të cilat këta persona gjenden. Gjithmonë duke synuar që hapësira në mes të personit dhe cepit të shkëmbit të zgjerohet.

Personalisht me termin "disability cliff” u njoftova disa muaj pas vdekjes së nënës sime nga një sëmundje e rëndë dhe për ta larguar vëmendjen nga kjo ngjarje, qetësinë e mendjes po e gjeja te disa autorë të huaj (amerikanë) - të cilët po më bënin që rëndësinë e mungesës së prindit dhe kujdestarit personal njëkohësisht ta kuptoja më mirë. Ndonëse isha falënderues për mbështetjen që më jepte derisa po jetonte, vetëm pas vdekjes së saj, e kuptova se cepi i shkëmbit po afrohej gjithnjë e më shumë. Një situatë e këtillë mbase është relevante edhe për shumë persona të tjerë, mirëpo kjo nuk nënkupton se përpjekjet për ta përmirësuar gjendjen aktuale duhet pushuar. Pasi që, siç po vërehet, veçse gjendemi pranë cepit të shkëmbit.