Edhe pak bëhen 14 vjet që vendimmarrja është vetëm në duart tona. E ne nuk kemi qenë në gjendje t’i gjejmë zgjidhje çështjes së rrymës, ngrohjes dhe shumëçkahit tjetër. Dëshpëruese. E edhe më dëshpëruese është që ata që nuk e gjetën zgjidhjen, sepse primare e kishin interesin personal, thjesht e fshijnë nga kujtesa atë pjesë të jetës, as pa u ndier një grimë fajtorë për derexhenë në të cilën na kanë sjellë
Si fëmijë, stinën e dimrit e prisja me shumë gëzim. Atëbotë, Prishtina kishte pasur shumë pak vetura dhe shumicën e rrugëve të shtruar me kalldrëm. Rreziku më i madh që mund të pësoje, po qe se lëshoheshe me saja prej njërës nga rrugët që sot çojnë në Velani, ishte të të shkelte ndonjëri nga kuajt që tërhiqnin qerret, që atëherë lirshëm qarkullonin nëpër qytet.
Reshje të borës përherë ka pasur shumë dhe nuk është kjo bindje vetëm punë e perceptimit që ka një fëmijë - kur të gjitha duken shumë të mëdha krahasuar me shtatin, por njëmend ka qenë ashtu. Bile, ka ekzistuar një teori e cila thuajse përherë vërtetohej në praktikë, e kjo ishte se sa më e nxehtë ishte vera, aq më i ftoftë do të ishte dimri.
Mbase edhe mund të them se dimrat i adhuroja, për shkak të shëtitjeve në Gërmi, që i bënim me babin; atëherë e voziste një “fiqë” (Fiat 500 apo 750 kur u avancua), në të cilin në kushte normale nuk mund të hynin më shumë se katër veta, e ne megjithatë futeshim gjashtë a shtatë me gjithë sajën dhe shkonim pak përtej liqenit artificial të dikurshëm (tash aty është pishina) dhe lëshoheshim me ndërrime nga dy a tre prej kodërzave.
Prishtina e të 60-ve nuk ka pasur ngrohje qendrore. Nuk e di mbase nëse dikujt i kishte shkuar në mendje se një sistem i tillë do të mund të ndërtohej, porse e di që radiatorët e parë të lidhur për Termokosin u bënë të dukshëm vetëm nga mesi i ’70-ve. Mbase edhe për këtë shkak, ndërtesat që ishin ndërtuar në Prishtinë në vitet ’50 dhe ’60 që të gjitha kanë pasur bodrume. Më karakteristikja që i veçonte ato ishin dritaret e vogla drejtkëndëshe të hapura në parapetin e ndërtesës. Dhe jo, nuk kanë shërbyer vetëm për ajrosje. Kanë shërbyer si hapje nëpërmjet së cilës ose derdhej qymyri ose drunjtë e prerë të bërë gati për stinën e dimrit.
* * *
Nga fundi i verës, hyrjet para ndërtesave, edhe ashtu të pashtruara, qoftë me beton apo me asfalt, mbusheshin tallë druri të prerë, të cilët përgatiteshin për djegie nga sharrëxhinjtë që bartnin samarë në shpinë e mbi samarë edhe sharrat e mbaruara nga druri ku vendosej metali që priste. Mbusheshin edhe me qymyr, sepse druri digjej më shpejt dhe rekomandohej kombinimi i të dyjave për ta siguruar ngrohjen.
Të rralla do të ishin banesat me më shumë se një koftor druri brenda, edhe pse krejt dhomat e kishin oxhakun e vet. Kurse oxhaku pastrohej rregullisht çdo vit dhe këtë punë e bënin “oxhaqarët”, apo pastruesit e oxhaqeve, që përherë dalloheshin duke lëvizur nëpër qytet: bartnin uniforma të zeza dhe një kapuç të zi (që kishte formën e atyre që i bartnin të burgosurit në Amerikë nga fillimi i shekullit XX) dhe rreth kraharorit e mbanin të mbështjellë telin e trashë që kishte një furçë të gjerë metalike në maje.
Përderisa banesat edhe mund ta thyenin të ftohtët me të nxehtët që e prodhonte koftori, nëpër shtëpi me sipërfaqe më të madhe bëhej art shkathtësie të kaloje prej njërës dhomë në tjetrën, ku dallimi në temperaturë ishte aq i madh, sa përherë dhomat pa ngrohje do t’i quanim “frigoriferë”.
Dimrat, që në trurin e një fëmijë tre-katër vjeç, nisnin me borën e parë dhe duheshin përfunduar me fotografinë me babadimrin dhe me dhuratën e Vitit të Ri, apo edhe me foton familjare para bredhit, megjithatë dinin të zgjasnin deri në mars. Deri atëherë edhe rrëshqitja me sajë apo edhe luftërat me topa bore tashmë bëheshin të tepërta dhe të mërzitshme.
* * *
Dimrat e gjatë nuk do t’i shkurtonte as avancimi që e përjetuan një pjesë e banorëve të Prishtinës, kur u zbulua nafta për ngrohje. Ato kërkonin stufa të veçanta, që kishin një dritarez me xham, ku mund ta shikoje flakën e t’i çoje mendtë shumë larg, sepse thuajse e kishte një fuqi hipnotizuese.
E këto stufa kërkonin edhe një stil ndezjeje. E mbaj mend se letra e gazetës ishte më e përshtatshmja për këtë teknikë – përderisa gazeta mbështillej në formë të një fyze të gjatë, ndizej dhe i afrohej ventilit prej nga rridhnin pikat e naftës nëpër një cilindër. Me kontaktin e parë nafta digjej dhe flaka përhapej brenda cilindrit, ku vazhdonin të rridhnin pikat e kontrolluara të naftës e që rregullohej me rregullator.
Naftës i vinte era e rëndë, shumë më e rëndë sesa benzinës sot – ngase rafinohej më pak. Në rastin tim, kur e ndieja erën, e dija se komshinjtë përballë do ta kishin nxehur dhomën ku me shoqen time do të luanim apo do të bënim detyra kohë pas kohe.
Shumica e fqinjëve, që ishin bërë me këta koftorë, njëkohësisht kishin blerë nga një a dy kanisterë plastikë, që u ngjasonin vaditëseve, porse ishin me kapakë. Dhe pa asnjë dallim, që të gjitha e kishin ngjyrën kafe. E meqë bodrumi nuk ishte vend shumë i sigurt për naftën, kryesisht e mbanin nëpër ballkone apo edhe në banja.
* * *
Nga fundi i viteve ’60 u zbuluan koftorët termoakumulues. E di se kur prindërit e mi e patën blerë “termon”, njëri nga ta ishte detyruar të futej në kredi, sepse kushtonin si të thuash pesë rroga mesatare të asaj kohe. Termot na e dhanë kënaqësinë e ngrohjes së pandërprerë, madje edhe me të fryrë sa herë kishim më shumë të ftohtë, plus edhe dy gjëra të tjera që ishin të pamundura me koftorët me dru e me naftë: e para, se mund t’i ngjisnim këmbët për to (kjo ndodhte pas sesionit të sajave dhe hedhjes me topa bore ku bëheshim qull e këmbët na mërdhinin) dhe e dyta se mund të uleshim mbi to ?. E ulja paraqiste edhe luftën për kush e zë vendin i pari. Më i vogli apo më e vogla mbetej duke e pritur çastin për ta zënë ndonjëherë atë vend.
Termot e kishin edhe një mesele. Përherë udhëzoheshim që ta akumulonim vetëm pas orës 22:00 nëse ende e mbaj mend mirë, kur niste “rryma e lirë”. Çmimi i kësaj ishte përgjysmë më e ulët, sesa ajo gjatë ditës. Mësuam se nuk kishte asnjë logjikë të prekej termostati dhe që termoja të zbrazej, përderisa askush nuk ishte në shtëpi. Ose të lëshohej pa asnjë kontroll ajo që ishte akumuluar një natë më herët. Mësuam disiplinë se rryma nuk ka nevojë të shpenzohet pa pasur nevojë, madje edhe duke i lënë dritat ndezur aty ku nuk rrinte njeri. Atëherë poçet kanë qenë të shtrenjtë dhe kryesisht bliheshin ato me më pak vatë për shkak se konsumi ishte më i vogël.
E dimrat vazhdonin të ishin të ftohtë dhe vazhdonin të përfundonin diku nga marsi.
* * *
Që nga lufta, stinën e dimrit e urrej.
Një dimër në ikje e sipër e solli plasjen e luftës me masakrat në Likoshan e Qirez. Ai dimër kishte lënë pas shumë lloç, rrugë të pakalueshme e megjithatë ajo nuk e ndali policinë serbe që të futej në këto dy fshatra e të vriste me krejt armët që kishte në dispozicion.
Ai dimri tjetër, që erdhi në fazë kinse të armëpushimit, ishte më i tmerrshëm. Bënte shumë ftohtë dhe ngrohja e vetme që mund të sigurohej ishte nga druri. Dhe kjo jo gjithherë, ngase vatrat do të mund ta tërhiqnin vëmendjen e armikut.
Ishte mbase dimri më i zymtë që kisha përjetuar në jetë - unë nuk kisha hequr keq, ngase çdo natë pas ditës së gjatë të terrenit kthehesha në shtëpi. Porse ajo që e shihja çdo ditë, fytyrat e fëmijëve që kërkonin ngrohjen e nënës nën tendat e najlonit të ndërtuara gjithandej; kushtet e tmerrshme edhe sanitare, edhe çfarë jo të tjera nëpër fshatrat e shkatërruara; veshja e teshave të të rriturve sepse nuk kishte të tjera, vetëm për t’u mos u mërdhirë ishin vetëm disa nga ato fotografi që përjetë do të më mbeten të regjistruara në mendje. E edhe ky dimër zgjati deri nga fundi i shkurtit.
* * *
Prej fillimit të rrëfimit deri te ndërprerja e tij në paragrafin e epërm përmblidhen rreth 35 vjet jetë. Kjo është përafërsisht se si evoluuam në sigurimin e ngrohjes në kushtet kur dimrat kanë qenë të gjatë e të ftohtë.
Po e kam shumë vështirë të besoj se ende sot e kësaj dite, shumica e Prishtinës madje, ende ngrohet me dru, qymyr, mbase edhe naftë dhe patjetër me termo.
Dhe përderisa në ata 35 vjetët e parë të këtij rrëfimi nuk e kemi pasur kontrollin mbi gjithë çfarë është e jona, nga 21 vjetët e shkuara, edhe pak bëhen 14 që vendimmarrja ka qenë vetëm me ne. E që ne nuk kemi qenë në gjendje t’i gjejmë zgjidhje çështjes së rrymës, ngrohjes (hiç kogjenerimin që na e financoi Evropa) dhe shumëçkahit tjetër. Dëshpëruese.
E edhe më dëshpëruese që ata që nuk e gjetën zgjidhjen sepse primar e kishin interesin personal, e fshijnë nga kujtesa atë pjesë të jetës, as pa u ndier një grimë fajtorë për derexhenë në të cilën na kanë sjellë.
Nuk po mund të besoj, që pas gjithë këtyre vjetësh sërish duhet kthyer te këshillat e moçme të kursimit të rrymës, një diçkaje që kemi menduar se kurrë nuk do të na ndalej, sepse “ne jemi të pasur me linjit”.
Shumë do të doja që ky dimër të përfundonte me fotografinë me babadimrin apo para bredhit.
E di që nuk do të jetë ashtu.