Të udhëtosh me tren në Gjermani është një dramë e madhe. Shpesh edhe komedi. Një tren s’vjen fare, kur me trenin tjetër arrin në një qytet, konduktoria u bën thirrje udhëtarëve të braktisin vagonët vullnetarisht për shkak të ngarkesës së madhe. Për t’i nxjerrë njerëzit jashtë në këtë ditë të ftohtë, ajo përdorë një kërcënim dhe një joshje. Dilni jashtë, ndryshe do e thërras policinë, thotë ajo, pastaj shton: në Freiburg është i hapur një treg i bukur i Krishtlindjeve, shkoni dhe shijoni verë të vluar. Mirëmëngjesi, Gjermani! - Një kronikë e paplanifikuar nga udhëtimi Zürich-Hamburg, e shkruar mes gazit dhe dëshpërimit.
Tragjedia gjermane fillon në stacionin e trenit në Basel të Zvicrës. “Vonesë e pacaktuar”, shkruan në tabelën e njoftimeve në peronin numër 7. Dhe të gjitha ëndrrat për një udhëtim të rehatshëm dhe me kohë nga Baseli në Hamburg, në veri të Gjermanisë, bien në ujë. Sepse shumë shpejt “vonesa e pacaktuar” u bë “treni anulohet”. Në peron njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme. Një nënë me dy fëmijë tregon se është në këmbë nga ora 05:00 e mëngjesit dhe ky është treni i dytë që iu anulua. Burri i saj rrudh supet. Një grua e moshuar pëlqen humorin e zi: “Nuk e kam pritur ndryshe. Ah, trenat në Gjermani”. Një plak tund kokën nga zemërimi. Disa të rinj thonë: “Tash mund t’ia nisim të pimë birra”. Në orën 08:00! Në peron shpejt themelohet njëfarë këshilli joformal i udhëtarëve. Disa mendojnë se është mirë të ndiqet apeli i zyrtares së stacionit të trenit për të shkuar me një tren regjional deri në Basel Badischer Bahnhof, kështu quhet stacioni i trenit në pjesën gjermane të qytetit. Nga aty mbase ka lidhje të tjera. Ndoshta (nuk) ka. Garanci për këtë nuk jep askush. Familja me dy fëmijë ka një propozim. “Më mirë të presim këtu dhe të marrim trenin e orës 09:06, i cili shkon për në Berlin”.
Një pakicë vendosi të qëndrojë në Basel të Zvicrës në pritje të trenit të orës 09:06, shumica vendosi të shkojë në Baselin gjerman me shpresën se atje do të gjejë zgjidhje për udhëtimin e mëtutjeshëm. Rreth orës 09:20 u takuam sërish në Baselin gjerman - pakica në tren, shumica duke pritur në peron. Grumbulli i njerëzve i ngjante një mitingu politik.
U mbush treni dëng, s’kishte më vend, as për t’u ulur, as për të qëndruar në këmbë, vagonët i ngjanin një konserve me sardele.
Mirëmëngjesi, Gjermani!
I lumtur ishte vetëm ai që kishte një karrige për t’u ulur, një tavolinë para vetes dhe një laptop për të shkruar këtë tekst. Sepse trenat gjermanë ofrojnë material për romane. Vonesat nuk janë përjashtim, por rregull. Dëshpërimi i udhëtarëve pjesë e çmimit të biletës. Dhe kreativiteti gjuhësor i konduktorëve është tepër i madh.
Natyra është e mbuluar me mjegull dhe rrezet e diellit duken si dhëmbë që kafshojnë tokën. Befas lajmërohet konduktoria e trenit me këtë porosi: “Zonja dhe zotërinj, pas pak do të arrijmë në Freiburg im Breisgau. Aty po presin 400 udhëtarë në peron për të hipur në tren. Në këto rrethana dhe për shkaqe sigurie nuk mund të vazhdojmë udhëtimin. Ju lusim të jeni bashkëpunues dhe të zbritni nga treni nëse nuk e keni urgjent udhëtimin. Nga treni duhet të zbresin së paku 200 veta. Nëse nuk zbresin 200 veta vullnetarisht, duhet t’ju nxjerrim jashtë me polici. Ju lutem tregohuni bashkëpunues”.
Reagimet në vagon janë një përzierje mes mospajtimit, cinizimit, mallkimeve, ofshamave. Sërish lajmërohet konduktoria. Pasi ka përdorur kërcënimin, tash e provon me një joshje. “Në Freiburg”, thotë ajo, “është i hapur një treg i bukur i Krishtlindjeve, shkoni dhe shijoni verë të vluar (Glühwein). Në stacion të trenit mund të merrni një vauçer në vlerë prej 30 euro”.
Me a pa vullnet, por duket se pas 20 minutave u bënë 200 pasagjerë që zbritën në Freiburg im Breisgau. Treni u nisë. Udhëtarët, të lehtësuar, morën frymë thellë. Disa burra zviceranë ngrenë dolli. Me gota prej bakri, të cilat i kishin marrë me vete. Të njëjtit në Basel të Zvicrës me krenari treguan se tashmë kishin zbrazur një shishe verë të bardhë dhe se po shkonin në Dortmund për të parë një ndeshje futbolli.
Me 45 minuta vonesë arritëm në Karlsruhe. Këtu është selia e Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë. Diçka tjetër s’më kujtohej nga ky qytet kur u ndal treni këtu. Dhe këtu nisi akti tjetër i dramës. Tani na u drejtua një konduktor. Sërish njoftimi brutal se në tren ka tepër pasagjerë. Sërish apeli për të zbritur disa. Sërish joshja me vauçer prej 30 euro që mund të merret në stacionin e trenit në Karlsruhe. E çka dreqin të bëjë njeriu në Karlsruhe kur dëshiron të shkojë në Hamburg, atje lart në veri të Gjermanisë? Së paku konduktori nuk na e përmendi tregun e Krishtlindjeve në Karlsruhe.
Në orën 11:51, me një orë vonesë, treni u nis nga Karlsruhe. Në orën 12:57 - kjo është shpresa ime - ndoshta në Frankfurt e kap trenin për në Hamburg. Gjasat janë minimale. Shikoj njerëzit rreth e rrotull. Disa kanë vendosur kufjet si përpjekje për të ikur nga realiteti i trenave gjermanë. Disa shikojnë (apo lexojnë?) në telefonat e tyre të mençur. Një vajzë është ulur në dysheme, ka hapur njëfarë sahani prej plastike dhe ha diçka, është një masë e padefinueshme ushqimore. Nuk duket oreksndjellëse.
Nuk ka ndonjë shpjegim pse humbi konduktoria që u propozonte udhëtarëve të vizitojnë tregun e Krishtlindjeve në Freiburg im Breisgau. Në vagonin tonë një burrë kishte thënë me zë të lartë: “Po e takova, do t’ia tregoj unë qejfin asaj”. Thua se ishte faji i saj dhe jo i menaxhmentit të hekurudhave gjermane. Me dekada Gjermania nuk ka investuar në infrastrukturën hekurudhore. Ministrat e transportit kanë qenë kryesisht lobist të industrisë së fuqishme të automobilave. Janë ndërtuar rrugë, është kursyer në shina të trenit, në modernizim të rrjetit, të trenave, të përgatitjes profesionale të personelit. Një burrë tjetër i vagonit, dukshëm i mllefosur, tha: “Qe 31 vjet nuk kam hipur në tren. Dhe pas ditës së sotme nuk do ta shfrytëzojë trenin me siguri edhe 31 vjet”.
Aq skandaloz është menaxhimi i trenave në Gjermani, saqë disa trena që vonohen shumë, nuk u lejohet hyrja në Zvicër. Sepse po u futën në Zvicër, ata ua prishin orarin trenave zviceranë, të cilët, kaq mburrje duhet të jetë e lejuar, ecin me saktësi të orës zvicerane. Por edhe kur bën vaki që një tren të anulohet për arsye teknike apo çfarëdo tjetër, brenda 15 minutave në stacionin e trenit shfaqet një armatë autobusash dhe shumë shpejt i shpiejnë pasagjerët në destinacionin e dëshiruar. Në Zvicër, jo në Gjermani!
Këto mendime i ndërpreu një njoftim nga kabina e konduktorit të trenit: “Në tualetin e vagonit numër 1 është gjetur një unazë. Këqyrini nëse ju mungon ndonjë unazë në gisht, në qafë apo ndokund tjetër dhe lajmërohuni te ne”. Në tren plasi një gaz.
Në mediat gjermane të panumërta janë komentet, reportazhet, esetë, kronikat, raportet, hulumtimet mbi dështimin e ndërmarrjes së hekurudhave gjermane, Deutsche Bahn (dojçe ban). Shumica e këtyre teksteve brenda vetes përmbejnë edhe disa fraza mallkimi. Ilaçin nuk e ka gjetur ende askush, ndonëse politikanët prej dekadash flasin mbi rëndësinë e udhëtimit me tren - ngase kështu mbrohet natyra. E vërtetë! Por për këtë duhet të ekzistojë një infrastrukturë funksionale hekurudhore. Cila është zgjidhja? Një protektorat zviceran mbi hekurudhat gjermane? Do të ishte një lloj hakmarrjeje për shkak se kompania ajrore zvicerane “Swiss” është në pronësi të “Lufthansas” gjermane. “Swiss” dikur e ka pasur emrin “Swissair”. Menaxherë e politikanë të paaftë e çuan në falimentim. Kjo na mëson një gjë: nuk është mirë që përherë ta drejtosh gishtin tregues ndaj tjetrit. Secili vend i ka skandalet dhe të metat e veta. Nejse, Deutsche Bahn vërtet është një nivel tjetër. Kaq përbuzje helvetike duhet të jetë e lejuar.
Ndërkohë kemi ca zhvillime interesante në vagon. Një grup zviceranësh flasin me zë të lartë, një gjerman ankohet, duke ua përkujtuar fqinjve helvetikë se ky është vagon i “Ruhebereich”, në anglisht “Quiet zone”, pra këtu pasagjerët duhet të heshtin ose të flasin me zë sa më të ulët. Zëdhënësi i grupit zviceran nuk pajtohet. Thotë se sot kjo nuk vlen për shkak se vagoni është plot e përplot me njerëz. Ana komike e këtij dialogu është se zvicerani flet në dialektin e kantonit të Wallisit, të cilin e kanë vështirë ta kuptojnë edhe zviceranët e pjesëve të tjera të Zvicrës e lëre më një gjerman. Në vise të tjera të botës kjo fjalosje do të përfundonte lehtësisht me një përleshje me grushta.
Pak pas orës 13:00 treni, pas shumë vonesave, dramave e situatave komike, hyri në stacionin e trenit në Frankfurt am Main. Natyrisht treni i orës 12:57 tashmë ishte nisur për Hamburg. E tani? Në orën 13:58 është treni i radhës për në Hamburg, ai është nisur në orën 10:13 në Basel. Do të kisha mundur ta prisja atë në Basel, por me rrezikun që ky tren të mos nisej fare dhe udhëtimi im në Hamburg të mbetej vetëm dëshirë. Te trenat gjermanë një gjë është e sigurt: asgjë s’është e sigurt.
Rreth 40 minuta pritje në Frankfurt qenë të mirëseardhura për të shijuar një specialitet aziatik dhe për të shikuar kaosin në këtë stacion të trenit. Njerëz që vrapojnë pa frymë për të kapur një tren, plaka që mezi ecin dhe frikësohen se do humbin lidhjen, zonja që zënë në thua në valixhet e burrave që shtyhen me bërryla.
Mirëdita, Gjermani.
Për çudi treni nga Frankfurti për në Hamburg u nisë në orën 13:00 me vetëm dy minuta vonesë. Menjëherë më ranë në sy disa zviceranë që në mëngjes i kisha parë të zhgënjyer në Basel, kur u dha lajmi se treni ishte anuluar. Ata kishin pritur trenin e orës 10:13, por vende për t’u ulur nuk kishin as ata, as unë, sepse rezervimet tona vlenin për trenin e orës 08:13, i cili, nëse s’e keni kuptuar deri më tani, u anulua. Kur njerëzit janë bashkëvuajtës, ata më lehtë fillojnë t’ia qajnë hallet njëri-tjetrit. Kësisoj u bëra dëshmitar i një debati interesant të një zvicerani rreth 70-vjeçar, i cili bënte gjimnastikë në vagon, dhe një gjermani. Zvicerani pyeti si pa sherr se ç’po ngjet kështu me dojçe ban. Përgjigjja e gjermanit erdhi si rafal: “Nuk ia dalim më ne. Jo. Thjeshtë qeverisemi prej burrave mes 40 dhe 60 vjet, të cilët nuk pranojnë të ndryshojnë. Shikoni, unë jam auditor. Punoj me shumë ndërmarrje. Nuk ekziston më në Gjermani morali i punës, ai moral me të cilin për 70 vjet kemi fituar para”.
Në Kassel, në qytetin e “documenta”, ekspozitës më të rëndësishme në botë të artit bashkëkohor, u lirua një vend në vagon. Një mundësi e mirë për të vazhduar këtë shkrim. Para se treni të arrinte në Göttingen një burrë i moshuar, i ulur pas meje, me shumë takt më tha: “Tani mund të uleni në karrigen time, sepse unë dalë në Göttingen”. Karrigia ku isha ulur unë, ishte e rezervuar nga Göttingeni deri në Kiel buzë Detit të Veriut. Por gëzimi qe i hershëm, sepse në këtë karrigen e re do të mund të rrija, mendoja e shkruaja vetëm deri në Hannover, nga aty ndenjësja ishte prapë e rezervuar deri në Hamburg. Por, s’ka lidhje, në këmbë apo ulur, Hamburgu duket cak i arritshëm sot. Ishte kaos aq i madh gjatë këtij udhëtimi, saqë nga Baseli deri në Hamburg asnjë konduktor nuk kontrolloi biletën. (Mes Zürichut dhe Baselit konduktori i ndërmarrjes zvicerane të trenave SBB u shfaq si oficer i ashpër dhe kontrolloi çdo biletë shoqëruar me një urim për një ditë të mirë). Në horizont shihet perëndimi i diellit, edhe një orë deri në Hamburg. Duke ia vënë pikën këtij teksti, u shfaq një i uniformuar para meje. Nuk ishte konduktori, por kamerieri i bistros. “Një birrë?” Një birrë! Për kthimin në Zvicër, të hënën, nuk dua të mendoj tani.
Fare në fund një fusnotë me ca anekdota për dojçe ban:
1.
Nëse jeta yte sipas planit shkon
ti me dojçe ban nuk udhëton.
2.
E mira e trenit gjerman është se nëse të ka ikur treni i orës 14:30, ti mund ta presësh trenin e orës 13:30.
3.
Konduktori po i drejtohet një gjysheje: “E paskeni blerë biletën me tarifë të fëmijëve”. Gjyshja: “Fëmijë kam qenë kur e kam blerë”.
PS. Birra që porosita me gjasë s’do vijë derisa treni të hyjë në stacionin e Hamburgut. Vërtet, ç’po ngjet me moralin e punës në Gjermani?